MENDIME TË PAKREHURA (XXXV)

(nga Stanislaw Lec*)

Sadizmi shpesh shfaqet si mungesë e çdo ndjenje.

Fëmija i përfton prindërit.

Ëndrra e tiranëve: t’ua presin kokën qytetarëve, por t’i mbajnë gjallë.

Ai shkrimtar krijoi një shkollë, i së cilës ishte nxënësi më i dobët.

Është mjek i shkëlqyer: jo vetëm ka shpikur disa sëmundje, por edhe ia ka arritur t’i përhapë anembanë.

Është e vështirë që të thërrasësh, në seancat e spiritizmit, shpirtrat e poetëve, pa thirrur edhe shpirtrat e censorëve.

Luani plak sikur është rinuar krejt. Por në mënyrë të çuditshme. I tregon të gjitha shenjat e një gomari rijosh.

Ndonjëherë diçkaje mund t’ia zësh frymën vetëm me duartrokitje.

Mëso si të jesh i durueshëm, është e vetmja gjë që do të të vlejë edhe pasi të vdesësh.

Fjalët janë nekrologët e mendimit.

Ki parasysh sa mund të fitosh në lartësi, atje ku hedh rrënjë.

Pasi të humbësh virtytin, zakonisht është e kotë të çjerrësh rrobat.

Artistët janë më modestë se njerëzit normalë, do të mjaftoheshin me pavdekësinë e veprave të tyre.

Gjasat janë që kanibalët ta konsiderojnë atë të njeriut si mish gjahu.

Në farën e pemës gjëllin edhe hija.

Vdekja është vetmitare – sapo gjen dikë, ky i vdes në duar.

Në periudhat e herezisë bën më ngrohtë. Për shkak të turrave të druve që digjen.

Njeriu është gjithnjë në rrezik. Është i ngrënshëm.

Çfarë dua të them? Sikur të mundja, nuk duhet të ma kërkosh.

Jo të gjithë veshët e gjatë janë të gomerëve.

Nuk di të them nëse fjalët e kanë krijuar botën, por kam frikë se do ta shkatërrojnë.

Më thuaj me çfarë qesh populli, të të them se për çfarë është gati të derdhë gjak.

Kam parë një seancë racionalistësh, që evokonin Shpirtin e Progresit.

Sa gjak ka rrjedhur që nga ajo kohë!

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.