MENDIME TË PAKREHURA

aforizma nga Stanislav Lec[1]

Njeriu – persona non grata.

Mos i tregoni ëndrrat. Mund të ndodhë që një ditë freudianët të vijnë në pushtet!

Gjatë ballafaqimit, kufoma nuk arriti ta njohë vrasësin e vet.

Pashë në ëndërr realitetin. Çfarë lehtësimi, kur u zgjova!

Parapëlqej mbishkrimin “ndalohet hyrja” ndaj atij tjetrit “këtej nuk dilet.”

Sezam, hapu! Dua të dal!

Kush ka parë kurrë një lot të rredhë nga syri i Providencës?

Edhe në fron të hollohen pantallonat.

Kushedi ç’do të kish zbuluar Kolombi, sikur të mos ia kish prerë rrugën Amerika.

Jam për heqjen e dënimit me vdekje, sikurse jam edhe kundër përdorimit të vdekjes si çmim.

Kërcënimi në të ardhmen: monumentet që flasin.

Mos ia kërkoni Zotit rrugën drejt qiellit: do t’ju tregojë më të vështirën.

Gjithnjë do të gjenden eskimezë të gatshëm për t’ua diktuar rregullat e sjelljes banorëve të Kongos, gjatë valës së të nxehtit.

Kur përplaset një mit me një mit tjetër, përplasja është gjithnjë reale.

Edhe po t’i japësh lopës kakao për të pirë, nuk është se do të mjelësh çokollatë.

Më thanë për njërin: “Është luán!” Po pastaj? Ne s’kemi savanë këtu. Duhet t’ia japim ndonjë cirku, ose ta çojmë në zoo. Përndryshe, le ta mbushim me kashtë dhe t’ia dhurojmë muzeut.

FurcaNuk mund të simulohet liria!

Të shmangim gjakderdhjen, më mirë të krijojmë postin e heroit të nderit.

Moraliteti po shtrihet në divane gjithnjë e më të rehatshme.

Triumfi i vetëdijes njerëzore: dosjet e policisë sekrete.

Plagjiaristët flenë gjumë të qetë; Muza, që është grua, vështirë se do t’i thotë njeriu se kush ishte i pari.

Papagajtë e stërvitur nuk përsëritin asgjë.

Lufta për pushtet duhet zhvilluar kundër tij.

Kush do t’i ekzaminojë ndonjëherë shenjat e gishtërinjve në mollëz?

Që kur është ngritur në dy këmbët e pasme, njeriu nuk po arrin më ta rifitojë ekuilibrin.

Edhe katërkëmbëshit ngrihen ndonjëherë në dy këmbët e pasme. Çfarë nuk bën tjetri, nga frika dhe nga uria!

Ka mendime që arrijnë në kokë me truproje.

Në ato vende ku qytetarët nuk ndihen të sigurt në burg, nuk do të ndihen të sigurt as në liri.

Shpesh letërsinë e akuzojnë se ua bën më të lehtë të burgosurve të arratisen nga realiteti.

Gjithë jetën nuk arriti kurrë t’i nënshtrohej gjykimit të opinionit publik.

Kur të rrëzoni monumentet, ruajini piedestalet. Gjithnjë mund t’ju shërbejnë.

Pashë një ëndërr makth: hipertrofinë e burokracisë në një shtet që sapo ka zhdukur analfabetizmin.

Të vuash nga zemra dhe të mos jesh poet? T’ia vlejë vallë?

Të rinjtë delinkuentë nuk kanë të ardhme të sigurt. Gjithnjë mund t’u ndodhë që të bëhen njerëz për së mbari.

Nëse ca vjet më parë kishe njohur një hijenë, që tani të del përpara si ketër, fakti që ti megjithatë e njohe të vë në mendime.

Jemi çmësuar t’i dallojmë gurët e varrit nga monumentet.

Sa më të vegjël qytetarët, aq më e madhe duket perandoria.

Është shumë e lehtë të humbësh rrugën në një pyll të prerë.

Atë çfarë nuk e përfytyrojmë dot, shpesh mund ta blejmë.

Duhet vendosmëri edhe për të ardhur rrotull.

Mund të mbyllësh një sy para realitetit, por jo para kujtimeve.

Kur thërrasin “Rroftë përparimi!” gjithnjë duhet pyetur: “Përparimi i kujt?”

Sa e vështirë është të shkaktosh një jehonë te një kokë e zbrazët!

E morën duke e kujtuar për një tjetër, por pastaj besnikërisht ia kthyen kufomën me emrin e tij.

Nuk paguhen taksa për krimin.


 

[1] Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.