MISH QENGJI

Shumë vjet kanë kaluar, që nga botimi i librit “Kurban”, që tërhoqi vëmendjen jo vetëm për shkak të autorit, as thjesht për çfarë thoshte (dhe çfarë nuk thoshte), por edhe për imazhin dramatik në kopertinë – të kokës së një qengji që do të therej, në mos ishte therur tashmë, për arsye skaramantike.

kurban

Rama e pat zgjedhur vetë atë imazh atëherë, së bashku me autoren, Jutta Bezenberg dhe pat kuruar në detaj deri edhe ngjyrën e pikave të gjakut, me një kujdes jo aq prej shkrimtari dhe politikani, sa prej piktori dhe komunikuesi me anë imazhesh.

Shumë vjet kanë kaluar vërtet. Këtë mendova kur më doli sot përpara një foto e Ramës blegtoral, e përdorur si ilustrim te ResPublica.

Edi Rama

Simbolika e kësaj fotoje të dytë, sa shumëplanëshe, aq edhe kitsch, e nxjerr imazhin nga arti, madje edhe nga dizajni, për ta futur në qerthullin e propagandës brutale.

Rama paraqitet atje i fotografuar nga poshtë, si të ishte statujë; dhe duke mbajtur në krahë një qengj – çka i mëshon efektit paternalist, ose prej prindi, në imazhin e politikanit.

Shpesh i kanë kritikuar, këta politikanë, që fotografohen duke përqafuar fëmijë ose duke kërcyer dhe luajtur me ta, veçanërisht gjatë fushatave elektorale.

Thelbin e metaforës së përcjellë nuk e prek ndërrimi i fëmijëve, në foto, me këlyshë kafshësh shtëpiake: qengja, viça, rika, këlyshë qeni dhe kotele.

Raporti i homo sapiens me krijesa të tilla të pambrojtura konoton dhembshuri dhe kujdes, ose pikërisht çka propagandistët duan që të rrezatojë politikani (që i paguan).

Politikani si baba i kombit – ky parim paternalist ka dhënë prova se funksionon mirë në shoqërinë shqiptare.

Të kemi parasysh edhe se qengji vjen në imazheri me bagazh ikonografik të pasur – meqë këtë kafshëz e gjejmë rëndom në krahët e Krishtit.

Lamb

Nuk dua të them se Rama vetë, me qëllim, kërkon ta paraqitë veten si Mesian e shqiptarëve – por vetëm që disa mekanizma leximi të imazheve veprojnë edhe përtej vullneteve individuale.

Veçanërisht të lektisur pas qengjave dhe krijesave të tjera të brishta janë treguar, vitet e fundit, politikanët britanikë.

Klikoni që të shihni diapozitivat.

Edhe pse Papa Françesk nuk mbetet mbrapa.

Papa

Sikur të ishin të gjithë qengja… [do të thoshte Luani].

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top