MJEKU QETHIR DHE KRYEMINISTRI TRUDEAU

nga Kanadaja, Kristi Pinderi

Qethiri, ishte një ndihmës-mjek i përkushtuar në Pogradec në vitet ’70-të dhe ’80-të. Njerëzit e respektonin për profesionalizmin që kishte në punë, mirëpo i qëndronin larg. Me raste e tallnin dhe e vinin në lojë për zërin e tij të hollë.

Për pak kohë, Qethiri kishte vuajtur dënim me burg pasi kishte shkelur nenin 137 të Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ky ishte neni më i shkurtër në të gjithë historinë e ligjeve shqiptare.

Me vetëm 46 karaktere, i quajtur neni për “Pederastinë”, kjo fjali që ngjante si një mallkim sanksiononte me një gjuhë të thatë, të shpejtë dhe evazive (sikur edhe në ato pak karaktere të ndihej njëlloj neverie) se, “Pederastia dënohet: me heqje të lirisë gjer në dhjetë vjet”.

E mbaj mend shumë mirë Qethirin, pasi vetëm përmendja e tij ma bënte mishin kokrra kokrra kur isha i vogël e kur njerëzit e rritur më hakërreheshin se, nëse nuk do e forcoja zërin si burrë, do përfundoja edhe unë si Qethiri! Sot edhe kësaj dite nuk arrij ta besoj si mundet që fëmijët të traumatizoheshin në atë mënyrë, por më vonë do të kuptoja që kjo traumë ishte në fakt, pjesë e një sistemi të frymëzuar nga shteti.

Unë atëherë isha 7 apo 8 vjeç dhe përmendja e atij emri shkaktonte tek unë një lloj pështjellimi të përzier me frikë, neveri dhe kompleksim të atillë sa kur një mëngjes, teksa ndodhesha me time më në spitalin e qytetit e ajo më mërmëriti në vesh: “shikoje, ky është Qethiri”, mua sa nuk më ra të fikët!

Ishte i shkuar në moshë, me flokë të thinjur, i gjatë, me trup të drejtë dhe dinjitoz, ndërsa mbante një përparëse borë të bardhë dhe të hekurosur për merak. Mirëpo ai imazh nuk i shkonte fare përfytyrimit tim prej fëmije. Deri përpara atij momenti Qethiri kishte qenë për mua subjekt, jo objekt. Fenomen, jo njeri i hekurosur! E nëse do duhet të ishte njeri, atëherë duhet të ishte me mjekër e flokë të zgjatura si diversantët e fshehur në male dhe i pisët, me baltë e më thonj të palarë!

Por kur nisi të fliste me zë të hollë si të një gruaje, atëherë e kuptova përnjëherë, pa pasur nevojë për sqarime të mëtejshme se pse të qenit si Qethiri “me zë të hollë si grua” mund të përbënte problem.

Arsyet pse në Shqipëri komuniteti LGBTI vazhdon të paragjykohet dhe të marxhinalizohet nuk kanë të bëjnë thjesht me mungesën e informacionit apo me mungesën e emancipimit të shoqërisë. Rrënjët janë të largëta, që kur marrëdhënia intime mes dy burrave u kriminalizua dhe u bë pjesë e Kodit Penal.

Është pafund interesant dokumenti zyrtar i shkruar në gjuhën shqipe që hedh dritë mbi tentativat e para të kriminalizimit të homoseksualizmit. Ndryshe nga çfarë mund të mendohet, kriminalizimi ndodhi jo gjatë periudhës së komunizmit, por shumë më herët, që në 1925.

Në vitin 1925 Shqipëria me siguri kishte probleme shumë më të mëdha dhe ekzistenciale për një shtet të sapokrijuar, megjithatë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme shkruanin faqe të tëra relacion për Këshillin e Ministrave për të argumentuar domosdoshmërinë e futjes në Kodin penal të marrëdhënies mes dy burrave.

Unë kam mundur ta shikoj me sytë e mi këtë dokument në Drejtorinë Qendrore të Arkivave të Shtetit mirëpo nuk arrij të kuptoj se për çfarë arsye shtetarët e asaj periudhe shqetësoheshin për diçka të tillë. Një teori e besueshme do të ishte se kjo bëhej ndoshta për të ndjekur gjurmët e Gjermanisë së Bismarkut, imituar më pas nga Austro-Hungaria aq shumë e rëndësishme për pavarësinë dhe frymëzimin e shtetit shqiptar, vende këto që e kishin kriminalizuar homoseksualizmin (në Shqipëri konsiderohej pederasti, ndërsa termi homoseksualizëm është një term i mëvonshëm i dalë nga qarqet mjekësore).

Ja çfarë thoshte ky dokument që “Kryesija e Republikës” ia dërgonte Ministrisë së Drejtësis në vitin 1925 (arkivuar në skedarët me titullin “Krime të Kundërnatyrshme” në Arkivin e Shtetit, vitet 1912-1944):

“Për t’u studiue nga ajo Ministri e për të na u njoftue mendimi i saj, këtu ngjitur ju dërgohet kopja e një projekt ligji mbi ndalimin e pederastis paraqit për në Kryesi të Këshillit t Ministruer me shkresa numër 2166 datë 30-10-925 (dmth viti 1925) të Ministris së P. Mbrendshme.

Aktet të na kthehen prap.”.

Më poshtë fillon edhe arsyetimi për këtë projekt ligj. Arsyetimi kryesor ka të bëjë me faktin që deri në atë moment në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë pederastia dënohej vetëm në rastet e marrëdhënieve seksuale mes një të rrituri dhe një të mituri (nën moshën 15 vjeçare).

Duhet thënë që në fakt, kjo me konceptet aktuale nuk quhet marrëdhënie mes së njëjtit seks, por pedofili (!) e për pasojë ai kod penal ishte më se normal dhe që duhet përshëndetur. Por shikoni se çfarë ndodh më poshtë me amendimin e tij. Thotë Kryesija:

“Në nenin 197 të Kodit të sipërthan dënohen ata q’i bajn punën e shëmtuet një tjetrit q’i asht pesë me dhet vjeçe e posht e nuk ndëshkohen ata q’i i bajn po kët vepër nji personi 15 vjeç e nalt. Dmth në ligjet sod në veprim Pederastia asht e ndalueme kur qi pasivi asht 14 vjeç e poshtë dhe e lirë kur qe ay asht 15 e nalt”.

M’u kujtuan të gjitha këto detaje këtë javë kur kryeministri i Kanadasë Justin Truedeau mbajti një fjalim të shumëpritur për të kërkuar ndjesë, në emër të shtetit kanadez, të gjithë pjesëtarëve të komunitetit LGBTQ2S (2 spirit apo njeriu me 2 shpirtra është termi që përdorin banorët e parë indigjenë të Kanadasë për personat gej ose lezbike ose transgjinorë ose biseksualë, persona që përpara se Kanadaja vetë të kolonizohej nuk ishin të kriminalizuar).

“Mua më vjen keq! Ne të gjithëve na vjen keq!”, tha Trudeau teksa lexonte ndjesën zyrtare. “Një nga zgjedhjet më të nderuara që një person mund të bëjë në jetën e tij është të zgjedhë t’u shërbejë qytetarëve. Ndoshta t’u shërbejë në qeveri, ose në ushtri, ose në polici. Në çfarëdolloj detyre që dikush vendos të shërbejë, ta dedikosh jetën për ta bërë Kanadanë, – e në fakt të gjithë botën, – një vend më të mirë, është një nga thirrjet më fisnike. Mirëpo mundohuni tani të përfytyroni, nëse mundeni, që vendi të cilit ju keni vendosur t’i shërbeni, nuk ju do! Befas vendos të mos ju pranojë! Ky vend ju shikon ju si me defekte, madje ju konsideron si rrezik kombëtar. Dhe jo sepse ju nuk mund ta bëni punën tuaj, apo se ju mungon patriotizmi, apo kurajoja, por për shkak të asaj që ju jeni si individë dhe për shkak të asaj që janë partnerët tuaj”.

Mijëra e mijëra vetë u dënuan në kohën e Mbretërisë shqiptare, e më pas në Republikën Popullore Socialiste. Dënimet janë mbajtur të fshehura në shumicën e rasteve ngaqë pushteti shqiptar nuk ka dashur në asnjë rast të pranojë publikisht ekzistencën e individëve të  cilët i konsideronte si një rrezik për moralin shoqëror, e për pasojë u druhej sikur të ishin një rrezik kombëtar.

Janë me mijëra familjet e atyre qytetarëve të shkatërruar nga ai neni i shkurtër me 46 germa. Disa prej tyre nuk dolën nga burgjet, disa të tjerë u detyruan të bëheshin pjesë e sistemit të shtypjes përmes spiunimit, disa të tjerë u shkatërruan përfundimisht për fajin e vetëm se nuk e fshehën dot që ishin, deri diku, ndryshe nga shumica.

Pati, ndër ta, edhe njerëz si Qethiri, të cilët u detyruan të vuajnë një dënim më të madh se dënimi me burg. Ata u detyruan që pas burgut të ktheheshin në shoqëri, jo për tu integruar, por për tu shndërruar në tabele qitjeje për të mbrojtur me demek moralin shoqëror!

Përndjekja ndaj njerëzve si Qethiri ishte sistematike, ishte shtetërore, ishte zyrtare dhe ligjore. Dhe pastaj, ishte edhe shoqërore…

Unë e kam të vështirë të besoj që dikush që është lindur dhe rritur në atë sistem të pranojë befas brenda një kohe kaq të shkurtër se e ka gabim tërë botëkuptimin me të cilin është formuar, qoftë dhe në mënyrë të dhunshme, në një shoqëri të padrejtë dhe hipokrite. Si mund t’u thuash sot shqiptarëve se ajo me të cilën ata janë brumosur si detyrë ndaj vendit nuk është gjë tjetër veçse përndjekje dhe krim i frymëzuar nga shteti?

Çfarë është më e dhimbshme është fakti që në Kuvendin aktual ka njerëz të pushtetit të dikurshëm totalitar që e kishin pjesë të karakterit dhe të punës së tyre përndjekjen e të tjerëve.

Nuk e harroj se si në një emision televiziv deputeti Tritan Shehu, i cili në politikë nuk mbahet mend, sipas mendimit tim, për asgjë tjetër veçse për një episod në Lushnjë ku askush nuk e di ku mbaron realiteti e ku fillon legjenda urbane, pra nuk e harroj dot momentin kur ky zotëri tha se edhe në vitin 1995 kur Shqipëria e dekriminalizoi homoseksualizmin, pra e shfuqizoi nenin 137, ky vetë e votoi jo sepse ashtu e besonte, por sepse kishte qenë presioni i Këshillit të Europës që e kishte detyruar Parlamentin të votonte ashtu!

Pra njerëz si ky edhe sot do donin që individët ose të futeshin në burg, ose të trajtoheshin si të sëmurë për shkak të mënyrës dhe personit që dashurojnë.

Unë nuk jam budalla që meqë tani jetoj në Kanada, të besoj vërtet se Shqipëria do ndjekë tani përnjëherë shembullin e Kanadasë dhe do i kërkojë ndjesë atyre qytetarëve të vendit që i ka përndjekur sistematikisht për më shumë se 70 vjet. Unë jam idealist vërtet, por jam edhe i ndërgjegjshëm që kjo gjë nuk ka për të ndodhur tani shpejt në vendin tonë të dashur të zaptuar nga pesimizmi, korrupsioni, fataliteti dhe mungesa e shpresës.

Ama, nëse nuk i kërkoj unë sot Shqipërisë të kërkojë falje për krimet që ka bërë ndaj komunitetit LGBT, nuk mund të rroj dot i qetë as tani e as për vitet në vijim. E sigurisht, e di edhe se deri ditën kur ky vend të bëjë paqe me krimet e së kaluarës, ndaj kujtdo, jo vetëm ndaj LGBT, ditët e mira e të bardha për fëmijët tanë do të jenë akoma larg.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *