MOTRA, SHPAGIME DHE KONSPIRACION

Ata që duan t’i gëzohen normalisht fitores së kombëtares së futbollit dhe kualifikimit për në Francë 2016, duhet t’u rrinë larg edhe vendeve publike edhe mediave.

Vendet publike të shqiptarisë, me sa shoh – doemos edhe unë në mediat – janë pushtuar nga një turmë e ndërkryer, që kërkon me çdo kusht të kryejë marrëdhënie seksuale me “motrën e serbit.”

Kjo grigjë edhe gëzimin për fitoren kërkon ta kremtojë duke shprehur zemërim, sepse është produkt i asaj kulture instinktive, e cila moralitetin e vet, motivimin për veprim etik dhe perceptimin e tjetrit e ka të mbështetur në mekanizmin e shpagimit ose të hakmarrjes.

Nuk do t’i jepja rëndësi një grupi njerëzish, sado të madh, që gjendet aty sot sepse, si gjithnjë pa e kuptuar edhe vetë, është mbledhur bashkë nga provokimit populiste të politikës dhe nga histerizmi i mediave, përfshi edhe ato socialet.

Nuk do t’i jepja rëndësi, sikur të mos shquaja një aleancë tripalëshe që po përvijohet mes turmës histerike, politikës populiste me poza kombëtariste dhe mediave, të cilat e kanë përvetësuar fitoren futbollistike në forma të shëmtuara dhe imorale.

E vështirë të marrësh vesh se ç’kërkojnë pikërisht këto media, kur i japin hapësirë të ekzagjeruar një personi folklorik dhe grotesk, si Ballist Morina, tashmë edhe të celebruar si autor i “fitores kundër Serbisë.”

Tipik më duket, në këtë kontekst, një lajm i përcjellë dora-dorës, se ndeshja me Armeninë qenka “shitur”, dhe se “Mediat serbe publikojnë shifrat që pagoi Shqipëria për fitoren”, siç thotë Lapsi.al, dhe bashkë me të edhe Tema dhe kushedi kush tjetër.

mediat serbe

Ironike është se, në imazhin e publikuar nga Lapsi, duket qartë që lajmin se “katër lojtarë armenë janë paguar mirë që t’ua lehtësojnë lojën shqiptarëve”, portali serb e ka marrë nga “albanski mediji” – siç e shpjegojnë edhe vetë autorët e lajmit në shqip.

Po nëse e kanë dhënë vetë mediat shqip këtë lajm të parat, atëherë pse janë eksituar portalet tona kaq shumë, që pastaj lajmin e kanë përcjellë edhe serbët? Si shpjegohet që plehu ynë prodhim vendi i mirëfilltë, i ricikluar prej plehnatoreve serbe, rikthehet sërish te ne? A përftohet ndonjë mbivlerë brenda këtij qarkullimi vicioz, dhe nëse po, kush po e fut në xhep?

Pavarësisht nga origjina e lajmit, ideja se çdo ndeshje futbolli vendimtare është “shitur” paraprakisht, buron vetvetiu dhe natyrshëm nga një mendësi e caktuar, e cila beson se fijet e rastësisë gjithnjë i lëvizin, fshehurazi, një grup të fuqishmish.

Pa çka se, kur vjen puna për futbollin shqiptar, teoritë e konspiracionit gjejnë mbështetje të gjerë edhe në faktet; sa kohë që herë pas here dëgjon për lojtarë, trajnerë dhe klube të dënuara, në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar, për manipulime me ndeshjet.

Që nga momenti kur rezultatet e ndeshjeve të futbollit u përfshinë sisteme të basteve, atëherë edhe futbolli profesionist tek ne e siguroi përfundimisht platformën për të kaluar nga veprimtari ekonomike në spekulim financiar.

Shoqëritë e shëndetshme dhe shtetet ligjore i zgjidhin këto dyshime nëpërmjet ndjekjes penale dhe sistemit gjyqësor; shoqëritë e tjera, më të korruptuara, mjaftohen t’i shndërrojnë në legjenda urbane dhe të lënë mediat të merren me to.

E megjithatë, mendësia konspirative që gjithnjë i lexon ngjarjet e rastit si të planifikuara me kujdes, i përket po asaj turme që i shan tani “serbët” nga motra në mes të Tiranës dhe që e përdor edhe një sebep të lumtur, si fitoren, për të nxjerrë inate.

Sepse, në një kontekst historik ku gjithçka është e paravendosur, individit veç i mbetet në dorë të vendosë se ku dhe si të marrë hak, për padrejtësitë që i janë bërë dhe për ato që do t’i bëhen.

Qoftë edhe duke ricikluar, në sheshet urbane të shekullit XXI, një model të kthyer kokëposhtë të epit të Gjergj Elez Alisë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.