MREKULLIA E TAKSAVE

Dje kishte një intervistë të Arben Malajt tek gazeta Dita, që mendoj se duhet lexuar për elokuencën në trajtimin e problemit të ekonomisë dhe politikës. (Arben Malaj: Me shifrat luhet kollaj, me realitetin jo).

Në intervistë të bën përshtypje niveli i gazetarit, i cili ndërsa interviston një ekonomist për ekonominë, duket se nuk e njeh edhe aq subjektin.

Kundrejt pyetjes së gazetarit se:

A ka funksionuar vendosja e taksës progresive për përmirësimin e situatës ekonomike, apo duhet t’i rikthehemi debatit për taksën e sheshtë? (Vini re bindjen në aftësitë mrekullibërëse të taksave në ekonomi!)

Malaj me të drejtë shpjegohet se:

Taksat nuk janë shkopi magjik i qeverive për ta ndryshuar menjëherë situatën ekonomike. Po të ishte kështu disa vende të zhvilluara nuk do të kalonin kriza buxhetore, sociale, ekonomike e politike. Taksat kanë lindur bashkë me shtetin, por edhe pse kjo është një bashkëjetesë disa qindra vjeçare, nuk gjenden raste që taksa të caktuara kanë sjellë “parajsën e premtuar”. Ka faktorë shumë më jetikë për nxitjen e konsumit, investimit, produktivitetit dhe eksporteve për të mbështetur një rritje ekonomike më të lartë, si parakusht për stabilitet të financave publike, sesa çdo taksë e veçantë. – thotë Malaj

Më tutje gazetari kalon në një tjetër pjesë të rendit të ditës së debatit ekonomik në Shqipëri që janë doganat dhe tatimet.

Tatimet dhe doganat janë dy sektorë strategjikë të ekonomisë. Si ka qenë performanca e kësaj qeverie në këta sektorë? – pyet gazetari

Përsëri Malajt i duhet të korrigjojë drejtimin e pyetjes:

Tatimet dhe doganat nuk mund të jenë asnjëherë sektorë strategjikë të një vendi.’ – thotë Malaj. ‘Ato janë agjensi qeveritare që kanë si mision të lehtësojnë biznesin dhe të mbledhin taksat (puplat) pa i “rrjepur edhe lëkurën patës/takspaguesit”. Lehtësimi i biznesit, lehtëson rritjen e rritjes ekonomike. Ato, tatimet dhe doganat, lehtësojnë rritjen e të ardhurave buxhetore duke rritur burimet potenciale për më shumë investime publike për shkolla, spitale, rrugë, sidomos rrugët rurale që kanë efekte të konsiderueshme në luftën kundër varfërisë. Ato janë agjensi implementuese dhe jo hartuese të politikave fiskale, ndaj vlerësimi i tyre behet lidhur me cilësinë e implementimit të politikave të taksave, cilësinë e mbledhjes së taksave dhe efektivitetin e luftës kundër kontrabandës dhe evazionit. Studiuesit e politikave fiskale e barazojnë impaktin e taksave të mira ose të këqija me impaktin e administrimit të mirë ose të keq, duke paralajmëruar që edhe një taksë e mirë me administrim të keq prodhon rezultate të këqija, sepse dëmton biznesin. Nuk besoj se duhen këshilltarë të huaj të përkthejnë apo implementojnë parimet bazë të taksimit, të shkruara aq qartë nga Adam Smith.  Parimet e taksimit të Smithit (http://www.yourarticlelibrary.com/economics/taxation/top-4-principles-or-canons-of-a-good-tax-system/38120/) është mirë të jenë në tavolinën e çdo punonjësi të administratës fiskale, pse jo edhe të disa politik-bërësve dhe të ballafaqohen me aksionet për mbledhjen e sforcuar të taksave apo të reduktimit të informalitetit me aksion.’

Këto që thotë Malaj janë të drejta. Por në kakofoninë e opinionit të ministrave, drejtorëve, opozitës dhe gazetarëve të çoroditur, është e tepërt të thuash që zëra të tillë të arsyeshëm e llogjikë në trajtimin e porblemeve ekonomike dhe politike humbasin. Në psikikën e gjithëkujt që debaton për problemet e krizës ekonomike në Shqipëri, termat ‘dogana’ dhe ‘tatime’ zënë vendin kryesor dhe barazohen me të ardhura dhe rritje ekonomike. Dhe askush nuk guxon t’ua vërë në diskutim meritat këtyre argumenteve.

Çështja është se si mund t’i kërkohet llogari, apo bëhet presion për ekonominë një qeverie, një grupi politikanësh, apo akoma më keq si në rastin e Shqipërisë një grupi oligarkësh, ndërsa gazetarët që besohet se formulojnë opinionin publik as nuk e dinë, dhe përtojnë të dinë, se cilat janë problemet e ekonomisë; por edhe i marrin termat dhe konceptet shabllon nga politika pa i përtypur dhe pa asnjë lloj sensi kritik? Vajmedet pastaj opozita, e cila ka dalë me formulën e taksës së sheshtë 9% si zgjidhja e padiskutueshme e problemeve ekonomike.

Kështu debati mbi ekonominë ka hyrë në një rrugë pa krye, që Malaj e quan ‘populizëm’.

Por vështirë të besohet se të gjithë ata që flasin kështu – që kërkojnë rritjen e ekonomisë tek ‘doganat’ dhe ‘politika fiskale’ – e bëjnë këtë për populizëm. Por edhe sepse problem i doganave dhe tatimeve rroken më lehtë si koncepte sesa problemet reale të rritjes ekonomike që i përmend edhe Malaj, siç janë:

  • Përmirësimi i klimës së besimit nëpërmjet institucioneve të rendit, drejtësisë dhe stabilitetit në politikat fiskale dhe monetare nga ana e shtetit.
  • Tërheqja e investimeve nëpërmjet planifikimit dhe zhvillimit të sektorëve strategjikë të qëndrueshëm.

Mbi shumicën e atyre që flasin me gjuhën shabllone zyrtare, ndikon gjithashtu edhe mungesa e eksperiencës ndaj problemeve ekonomike në një shoqëri të lire në Shqipëri. Por jo vetëm mungesa e experiencës, por edhe interesi i ulët që ushqehet në opinionin publik për probleme kaq jetësore nga një media që gjakon me tabloid-et.

Shqipëria është sot në krizën ekonomike më të thellë dhe më serioze qysh prej 1997-ës. Dhe nëse ka ndonjë mësim të vetëm që vjen prej asaj kohe, është se problemet ekonomike nuk zgjidhen as me kokëfortësi dhe as me konflikt politik. Kurse ata që i kanë zgjidhur, thonë se zgjidhen mirë vetëm me arsye dhe njohje.

Fatkeqësisht, shembuj prej tyre po marrim shumë pak.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.