MREKULLITË E GJUHËS

I erdhi radha edhe sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, të vizitonte Expo Milano 2016, ku edhe mbajti një fjalim të vogël përshëndetës.

Veçori e këtij fjalimi ishte se Kerry provoi ta ligjëronte në gjuhën e vendit mikpritës.

Ka gjithmonë diçka groteske, diçka viskoze prej mozzarella-e të shkrirë, kur dëgjon amerikanët të flasin italishten.

Expo Milano, sikurse na e kanë thënë tashmë rreth një milion herë, ngrihet mbi temën “Feeding the Planet, Energy for Life.”

Këtë temë e ka theksuar, në mënyrën e vet, edhe mulliri i famshëm i ujit, në pavijonin shqiptar, të cilin shumë prej vizitorëve do ta kenë marrë për skulpturën me titull “This is not a urinal.”

Gjithsesi, Kerry nuk u ndal tek eksperienca e pavijonit kuqezi, por parapëlqeu të fliste për një picë dy km të gjatë, me të cilën do të ushqehet, për disa vjet, ajo pjesë e Planetit e njohur edhe si “Briri i Afrikës”.

Che meraviglia, desh të thotë Kerry me italishten e vet të kulluar, duke iu referuar këtij monumenti të teprisë; por nuk i tingëlloi mirë, prandaj e korrigjoi sakaq: Che merdaviglia!

Che merda-viglia vërtet. Lapsusi i Kerry-t italofon menjëherë gjeti vend në fjalorët jo vetëm të Expo Milano-s, por edhe të vetë politikishtes post-postmoderne, e cila kërkon të vendosë, me çdo kusht, lidhje mes politikanëve dhe gjesteve me pretendime dramatike dhe përmasa gjigante.

Çfarë më kujtohet: torta e pavarësisë, e shndërruar në orgji politiko-alimentare në qendër të Tiranës, para tre vjetësh.

Ajo tortë e përfunduar sakaq në masë ekskrementale (mierda) edhe pa kaluar e tëra përmes sistemit tretës të masës që festonte në banketin mbarë-kombëtar.

Che merda-viglia. Kerry, që italishten mbase nuk e di aq mirë sa ç’e flet, do ta ketë njohur patjetër fjalën merda, të ngjashme me frëngjishten merde (gjuhë që ai e zotëron) dhe spanjishten mierda, të cilën me siguri e ka pasë folur rrjedhshëm kolegu dhe rivali i tij George W Bush, me eksperiencë meksikane.

Che merda-viglia. Një mulli me ujë i shkollës së Duchamp-it; një tortë me sipërfaqe sa Kalaja e Lezhës; dhe tani një picë anakonda, për të ushqyer “planetin.”

Kerry, që është burrë i zgjuar, e pat kuptuar se çfarë ka qenë vërtet ajo picë dy-kilometrike. Duke respektuar kodin e mysafirit, natyrisht nuk ka dashur ta thotë madje as ta mendojë; por italishtja e tij është treguar edhe më e zgjuar.

Kurrë mos e nënvlerëso gjuhën që kujton se nuk e flet mirë, tha.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.