MUZIKA NË ISLAM

nga Seyyed Hossein Nasr

Shumë perëndimorë kanë dëgjuar se muzika në Islam është e ndaluar, bile edhe shumë individë myslimanë nga disa qarqe religjioze shprehin mendimin e njëjtë. Ndërkaq Kurani, leximi melodik i të cilit paraqet artin kulmor e të shenjtë të tingujve dhe ftesën (ezanin) për lutje, recitohet me shumë muzikalitet anembanë botës islame dhe, po aktivizuat radioaparatin në shtetet islame, siç është Republika Islame e Iranit, do të dëgjoni tingujt më të larmishëm të muzikës klasike persiane që interpretohen gjatë gjithë ditës.

Çështja e ligjshmërisë së muzikës në Islam është shumë e ndërlikuar, kurse Kurani nuk jep rregulla të caktuara në lidhje me këtë. Sipas kësaj, në bazë të sunetit të Të Dërguarit dhe mësimeve të përgjithshme kuranore, muzika në vendet myslimane është zhvilluar ndryshe nga bota perëndimore. Para se gjithash, nocioni “musiqa, që në gjuhën arabe ka rezultuar nga fjala e njëjtë greke dhe e cila paraqet rrënjën e fjalës angleze music, nuk është përdorur asnjëherë për recitimin melodik të Kuranit dhe të shërbimeve tjera fetare. Për më tepër, leximi melodik i Kuranit është realizuar vetëm përmes zërit njerëzor, kurse instrumentet muzikore brenda xhamive nuk janë lejuar. Përdorimi i instrumenteve në muzikën shpirtërore nuk ka qenë i lejueshëm as në kohët e hershme të krishterimit, një argument që mund të dëshmohet edhe përmes koralit gregorian. Ndërkaq disa lloje të muzikës, siç është ajo e dasmave, pastaj muzika e karvanëve dhe muzika e ekspeditave ushtarake, ishin të lejuara nga ana e Profetit, bile edhe orkestrat e hershme ushtarake të Perëndimit ishin të krijuara pikërisht mbi bazën e modeleve otomane. Për këtë më së miri flet vepra e njohur e Moxartit – “Marshi turk”. Për sa u përket formave të tjera muzikore, ato që kanë nxitur pasione me tendencë kah veprat e këqija, ishin të ndaluara, kurse dera mbeti e hapur vetëm për zhvillimin e muzikës shpirtërore, e cila për shekuj me radhë ishte e fisnikëruar nga ana e sufistëve.

Yehudi Menuhin, violinist me famë botërore, shkoi para disa dekadave në Teheran, ku i kishin përgatitur një shfaqje përmes së cilës ai për herë të parë do të njihej drejtpërdrejt me muzikën klasike persiane. Pas koncertit kishte deklaruar: “Kjo muzikë është pranga që lidh shpirtin me Zotin”. Muzikant i shkëlqyer dhe humanist siç ishte ai, vërtetoi menjëherë kontekstin shpirtëror të asaj tradite muzikore klasike, kualitet të cilin e ndanin proporcionalisht, tradita klasike arabe, turke, pastaj ajo e myslimanëve nga India, ajo javaneze, si dhe shumë e shumë tradita të tjera.

Teologu dhe sufisti i njohur al-Ghazali ka shkruar se muzika forcon ndjenjat brenda shpirtit. Nëse ato ndjenja janë të drejtuara kah Zoti, atëherë muzika i bën edhe më të fuqishme dhe ua rrit zjarrin e dashurisë për Zotin. Nëse aty ekzistojnë ndjenja që gravitojnë kah kjo botë, atëherë muzika ndikon në rritjen shpirtërore të kësaj ane botërore dhe në tendencën e saj kah epshet (dëshirat e zjarrta).

Islami ishte plotësisht i vetëdijshëm për këtë realitet dhe i kufizoi format e jashtme muzikore në dobi të muzikës “më të brendshme” e cila nxit rritjen e dashurisë ndaj Zotit. Kjo është mënyrë përkujtimi për të vërtetat e parajsës dhe forcimin e tendencave njohëse të cilat mbrojnë krahët e shpirtit dhe e ndihmojnë që të fluturojë kah vendlindja e tij qiellore.

Traditat muzikore të botës islame janë ndër më gazmoret në mbarë rruzullin tokësor. Ato gjatë shekujve jo vetëm që kanë fisnikëruar jetët e shumë myslimanëve dhe kanë luajtur rol të rëndësishëm në praktikën sufiste, por, përmes mënyrave të ndryshme, kanë ndikuar edhe në muzikën perëndimore. Sa herë që kam dëgjuar muzikën flamengo jam ndjerë sikur po dëgjoj muzikë klasike arabe apo persiane. Lahuta perëndimore është instrument i ngjashëm me instrumentin arab “ud”, kurse kitara është pasardhëse e instrumentit persian “tar”. Sot në Perëndim ekziston një interesim i madh për traditën muzikore islame, për gjuhën muzikore që flet për të vërtetat më thelbësore të Islamit, pa përdorimin e kategorive të huaja teologjike.

Në kohë të fundit shumë njerëz kanë dëgjuar për muzikën e ndaluar nga ana e talebanëve të Afganistanit, në shtetin i cili ka qenë gjithmonë tempull thesari për disa tradita muzikore të botës islamike. Mirëpo, ajo ndalesë ishte larg çdo parimi fisnik të historisë islame. Për më tepër, u bë e ngjashme me ndalesat e imponuara të disa formave artistike, duke përfshirë edhe muzikën, nga ana e grupeve të rrepta protestante në Perëndim, gjatë të kaluarës. Në shoqërinë tradicionale islame, gjithnjë është dëgjuar zëri i këngëve shpirtërore: nashid në Egjipt; zëri melodik neya në Turqi; zëri tara dhe sandura, që interpretohet nga dasgahs, apo formacionet e muzikës klasike në Persi; zëri i Orkestrës andaluziane në Marok; zëri i instrumentit qawwali (që në Perëndim është bërë shumë i njohur nga ana e Nusret Fatih ‘Ali Khanit) në Pakistan dhe në Indinë myslimane; zëri i Perkusioneve ritmike në Afrikën e zezë myslimane si dhe zëri i shumë formave të tjera të muzikës shpirtërore e cila ka ujitur ngrohtësinë shpirtërore dhe ka përcjellë atë ndjeshmëri të thellë në meloditë dhe harmonitë muzikore gjatë gjithë jetës së myslimanëve.

Nuk duhet përkrahur mendimi se arti muzikor është joislamik, siç kanë deklaruar disa individë, përkundrazi, në botën islame muzika është njëra nga format më të fuqishme dhe më universale të asaj që pushon në zemrën e porosisë islame, arti që paraqet seriozitetin e bukurisë së Fytyrës Hyjnore dhe nënshtrim realitetit i cili njëkohësisht është: bukuri dhe paqe, mëshirë dhe dashuri.

Arti islam, në shumicën e formave të tij, është i një rëndësie të madhe për kuptimin e esencës së Islamit dhe rrugës për transmetimin e mesazhit të tij – botës bashkëkohore. Kur mendohet për Islamin, atëherë patjetër duhet të zgjaten krahët duke tejkaluar pamjet e përsëritura televizive, ku, për fat të keq, luftërat dhe konfliktet vërshojnë botën e sotme, për të vërejtur paqen dhe harmoninë e artit islam që duket në xhamitë e mëdha, lagjet e urbanizuara tradicionale, kopshtet, si dhe ritmin gjeometrik të arabeskave dhe të modeleve kaligrafike; që në poema të mund të lexohet ajo këngë dashurie e cila përshkon krijesën e Zotit dhe që atë krijesë e lidh me Zotin; që pastaj të mund të dëgjohet, përmes dridhjeve melodike, ajo jehonë të cilën e kemi sprovuar në atë agim që i ka paraprirë krijimit dhe zbritjes sonë në këtë botë të poshtme.

Sot, më tepër se kurdoherë, të kuptuarit e artit islam është çelës i pashmangshëm për kuptimin e vetë Islamit. Ata që kanë vesh për gjuhën e artit dhe për bukurinë e ligjit të parajsës, të cilit bukuria i shkëlqen, si dhe për parimet ideore të orientuara në të, nga ai art mund të mësojnë shumë.


Shënim: Përktheu nga serbo-kroatishtja Bekim Ramadani. Marrë nga libri Srce Islama (Zemra e Islamit) – Sarajevë, 2002.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.