NË FILLIM ISHTE PËRKTHIMI (I)

nga Tannhäuser

Pa u futur në temën kryesore që është përkthimi i Biblës dhe problemet që paraqet ai, le të bëj disa sqarime në formë të ngjeshur për historinë e tekstit dhe si arriti tek ne. Gjer në epokën e Aleksandrit të Madh, bota greke dhe rrethina e saj në Mesdheun Lindor përdorte për shkrim papirusin e trashë egjiptian që quhej byblos, dhe bojë me origjinë bimore (thëngjill) të cilën e trazonin me njëfarë ngjitëseje. Në këtë mënyrë u shkruan p.sh. veprat e klasikëve grekë. Vetëm se kjo bojë në këtë material kishte një jetëgjatësi 10-100 vjet. Pastaj tretej, prishej dhe nuk lexohej.

Më vonë gjatë viteve të Aleksandrit të Madh dhe të Ptolemeut I u bënë disa shpikje të rëndësishme që sollën një përmirësim në cilësinë dhe jetëgjatësinë e shkrimeve. U shpik një bojë jo organike që quhej melanteria dhe përbëhej nga sulfat hekuri (FeSO4 + 7H2O); u përmirësua papirusi egjiptian; u shpik në Pergam të Azisë së Vogël pergamena ose membrana. Kombinimi i pergamenës me sulfatin e hekurit ishte unikal. Njësoj si tatuazhi në lëkurën e njeriut edhe boja mbi pergamenë ishte një garanci e përjetshme. Prandaj sot kemi dorëshkrime të lashta greke në pergamenë që i kanë rezistuar kohës, rreth 50.000 vëllime, në letër rreth 10.000 vëllime dhe në papirus gjysmë vëllimi e tre faqe, dhe këto të shkrumbuara.

Veçse, ashtu siç ndodh me çdo risi teknologjike, edhe këtu, reaksioni i anës konservatore (i kombinuar edhe me elitizmin kulturor grek si edhe me antagonizmin e mbretërive post-Aleksandrine) solli që kjo teknologji të konsiderohet inferiore dhe të mos përdoret për klasikët e letrave greke të cilët doemos duhet të vazhdonin në papiruse të kaluar në cilindra. Kjo nga ana tjetër solli që sot të ketë mbijetuar nga literatura e lashtë greke diçka më pak se 10% e shkrimeve. Mirëpo të krishterët nuk kishin komplekse të tilla, dhe ngaqë literatura e tyre neglizhohej, ata nuk kishin problem të fillonin të përdornin pergamenën (II, Tim. 4,13). Një nga arsyet pra (natyrisht jo e vetmja) që sot veprat më të lashta në dorëshkrim i përkasin traditës biblike është pikërisht kjo.

Si pasojë e këtyre që u thanë më lart, ndodhën në traditën e krishterë të shkrimeve dy gjëra. E para është se të krishterët e Aleksandrisë, që ishte edhe qyteti më i madh i Perandorisë Romake, shkruanin edhe në pergamenë edhe në papiruse, gjë që prodhoi një cilësi shkrimi të njohur si tradita aleksandrine, që ka mjaft gabime. Të krishterët e tjerë (të Sirisë, Ballkanit, Azisë së Vogël etj.) shkruanin ekskluzivisht në pergamenë me bojën melanteria dhe krijuan traditën e tyre të shkrimit që quhet tradita antiokiane e cila predominon në sasi (mbi 90% të dorëshkrimeve) si edhe ka shumë pak gabime.

E dyta është se interesi i madh i të krishterëve të hershëm për Shkrimet, solli një inflacion në prodhimin e teksteve. Dhe natyrisht kjo solli edhe shkrime të cekëta. Mirëpo çfarë ndodhi? Këto shkrime të cekëta, me gabime, ishin ato që nuk kopjoheshin, dilnin si të themi nga qarkullimi, diku të mënjanuara; kurse ato që ishin të sakta kalonin shumë duar, kopjoheshin dhe kështu që kishin më shumë gjasa që (si material) të gërryheshin e të prisheshin. Kështu që u krijua një paradoks, ku sot disa nga dorëshkrimet më të lashta e më të mirëmbajtura, si p.sh. Codex Sinaiticus, të jenë edhe ato që kanë më shumë gabime. Ç’dua të them me këtë? Se lashtësia e një teksti apo plotësia e tij nuk lidhet doemos me korrektësinë e tij.

Long story short, vijmë te botimet kritike. Pra ku e gjejmë tekstin. Në Perëndim, në botën e Shoqërisë Biblike predominon botimi i studiuesit gjerman E. Nestle, më vonë me përpilimin e K. Aland i njohur si Nestle-Aland. Sot në botimin e 28-të me përmirësime, shtime, heqje, rishikime, ripërkthime, riinterpretime. Botimi u bazua kryesisht në tekste të traditës aleksandrine, dhe për arsye lashtësie sidomos në kodikët A,B dhe א (Alexandrinus, Vaticanus, Sinaiticus) pra ishte i mbushur me gabime. Dhe kjo u pa qartë pas vitit 1904 kur doli botimi i V. Antoniadis i cili përgatiti një botim kritik të Dhiatës së Re për Patrikanën e Stambollit (se deri atëherë Kisha Ortodokse nuk kishte një botim të saj). Pas botimit të Antoniadis i cili mbetet më i arrituri (bot. II, 1912) të gjitha botimet kritike të deriatëhershme të DhR filluan të rishikonin tekstin e tyre.

Kështu që pa hyrë mirë mirë dikush në përkthimin e Biblës duhet t’i sqarojë lexuesit këtë pikë themelore. Pra, nga është marrë teksti dhe, me çfarë kritere është zgjedhur ai.

Në fillim le të merremi me fillimin. Testament, Dhiatë apo Besëlidhje? Tre versione (një huazim italian, një huazim grek dhe një formim i brendshëm i shqipes) për të përkthyer në shqip fjalën greke διαθήκη. Fjala greke ka pasur dy kuptime: në greqishten e lashtë (si edhe në të sotmen) ka kuptimin e testamentit, pra një deklarate zyrtare për lënien e pasurisë pas vdekjes së dikujt dhe, në greqishten që flitej në epokën e Krishtit (koine-së) ka patur kuptimin e kontratës, marrëveshjes, nga ku njëra palë është më e fortë se tjetra dhe i vjen në dobi palës tjetër. Dhe kështu në fakt është, pasi njëra palë është Zoti dhe tjetra të krishterët, besimtarët (Luka, 22,20). A është atëherë besëlidhja përkthim besnik i fjalës greke diatheke? A përmban këto kuptime të greqishtes? Mendoj se jo. Dhe këtu sa i jemi afruar tekstit. Çfarë bëhet me termat e tjerë? Do përkthejmë shpirt apo frymë? Hyj apo perëndi?

(vijon)

(c) 2019, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.