NË FILLIM ISHTE PËRKTHIMI (II)

nga Tannhäuser

Viti 2022 shënjon vitin kulturor mbarëshqiptar. Në ambientet e ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar, pikërisht në amfiteatrin e sallës “Aktori i Panjohur”, do prezantohet kryevepra e letërsisë botërore e Herman Melville, Moby Dick; ose Peshkaqeni, i cili i vjen lexuesit shqiptar për herë të parë në një përkthim mjeshtëror të shqipëruesit Loro Ipsaj fitues tashmë i tre çmimeve “Petro Zheji” për përkthim.

A do ta blinit ndonjëherë këtë libër? Do t’ia lejonit vetes të merrnit jo thjesht një përkthim të keq ku balena bëhet peshkaqen por edhe një përkthim ku përkthyesi ka ndërhyrë në tekst duke përcaktuar edhe se cila këmbë e kapitenit Ahab ishte e drunjtë? Nëse jo atëherë pse ta bëni me Biblën? Të tilla janë gafat që bëhen në përkthimin e Dhjatës së Re, natyrisht jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhë të tjera, nga mosnjohja e mirë e greqishtes dhe nga faza e zhvillimit të saj në epokën e Krishtit.

Le të kthehemi prapë tek greqishtja.

Dhjata e Re është e shkruar tërësisht në greqisht (nuk qëndron tradita që do Ungjillin sipas Mateut të jetë shkruar fillimish aramaikisht dhe më pas greqisht) me një nivel gjuhësor jo të barabartë. Shkrimet e Shën Palit, që është dhe autor i rreth 56% të Dhjatës së Re (28% si autor vetë i katërmbëdhjetë letrave enciklike dhe 28% si burim dhe bashkautor i Shën Lukait në Veprat dhe në Ungjillin e këtij të fundit) kanë greqishten më të pasur dhe më të bukur çka dëshmon edhe për nivelin arsimor e kulturor të këtyre autorëve dhe, nga ana tjetër shkrimet e Shën Gjonit, greqishtja e të cilit ka një fjalor shumë të varfër por ka ardhur duke u përmirësuar në rendin kohor: Zbulesë (e cila përmban shumë gabime e solicizma) – Letrat – Ungjilli (të cilat përbejnë dhe 19% të Dhjatës së Re).

Nga këto fakte, ku shikojmë si njerëz të thjeshtë, peshkatarë apo nëpunës të ulët dinin greqishten, ndonjëherë pa qenë edhe nënshtetas (qytetarë) romakë, arrijmë në konkluzionin se Palestina e kohëve të Krishtit ka qenë dygjuhëshe, me greqishten që flitet jo vetëm si gjuhë e dytë por shumë herë si gjuhë e vetme (të kujtoj këtu se përveç gjuhës, në Palestinë ishte në një nivel të madh e përhapur edhe onomastika greke, që nga elita me Herodin, Arkelaun, Antipatrin etj. deri tek populli i thjeshtë, me dishepujt e Krishtit, Andrean dhe Filipin). Gjuha greke ka qenë gjuha zyrtare (de facto) e Perandorisë Romake (me një shkëputje nga viti 284 – 610). Romakët në zonat e pushtuara përdornin përgjithësisht tre gjuhë, të parën greqishten, të dytën gjuhën vendase dhe të tretën latinishten. Kjo dëshmohet në shumë raste, por meqë flasim këtu për krishterimin, ju kujtoj tabelën që iu vu kryqit të Krishtit e cila u shkruaj hebraisht greqisht dhe latinisht (Gj. 19,20).

Palestina dygjuhëshe, por edhe vetë fakti që Dhjata e Vjetër në popullsinë hebraike kishte disa shekuj që lexohej edhe në greqisht (Septuaginta) tregon se helenizimi (të paktën gjuhësisht) i hebrenjve ishte në një nivel të avancuar. Kjo dëshmohet edhe nga fakti se diaspora hebraike përdorte si gjuhë të parë greqishten. Kjo pikërisht del nga fakti se letrat e Apostujve janë në gjuhën greke. Këto letra fillimisht kanë patur si marrës komunitetet hebraike të diasporës (sepse ndër to u përhapën të krishterët e parë). Pra, kur Shën Pali u drejtohet Romakëve, Korinthasve (këtu ka edhe një numër jo-hebre), Thesalonikasve, u drejtohet në fakt komuniteteve hebraike të diasporës në këto qytete.

Një përkthyes i mirë duhet t’i dijë këto fakte dhe konditën e greqishtes në Mesdheun Lindor, se përndryshe nuk do kuptojë ato që përkthen. Nuk mund të kuptojë dikush se çfarë është αγάπη (dashuria) e krishterë pa ditur se kjo fjalë e greqishtes nuk ekziston në asnjë tekst të literaturës së deriatëhershme greke përveç Biblës. Nuk është nevoja që përkthyesi të përkthejë edhe gabimet e origjinalit, apo të mbajë të njëjtin nivel gjuhësor, por duhet të ndjekë stilin e autorit. Kështu që kur Gjoni nuk përmend emrin e Krishtit, por thotë thjesht emri nuk është se nuk do të jetë i qartë. E bën sepse greqishtja e tij hebraizon dhe i druhet të përmendi emrin e Zotit sipas traditës së judejve që nuk përmendnin tetragrammaton-ë. Rreth 600 herë përmendet emri i Krishtit në Dhjatën e Re, por asnjëherë tek letra III e Gjonit. “ὑπὲρ γὰρ τοῦ ὀνόματος ἐξῆλθον, μηδὲν λαμβάνοντες ἀπὸ τῶν ἐθνικῶν”. Përkthimi “së bashku” jep “Ata kanë dalë për t’i shërbyer emrit të Krishtit, duke mos pranuar asgjë nga paganët.” (III, Gj. 7). Këtu përkthyesi/t kanë ndërhyrë në tekst dhe kanë shtuar fjalën Krisht mbase që teksti të bëhet më i kuptueshëm. Por nëse është kështu atëherë pse nuk shtohet fjala Krisht edhe tek Gjoni, 1,1, “Εν ἀρχῇ ἦν ὁ Λόγος, καὶ ὁ Λόγος ἦν πρὸς τὸν Θεόν, καὶ Θεὸς ἦν ὁ Λόγος” por përkthehet Λόγος e greqishtes vetëm si Fjalë? “Në fillim ishte Fjala. Fjala ishte me Perëndinë. Fjala ishte Perëndi.” (përkthimi së bashku). Origjinali ka lidhëz këtu por nejse. Mirëpo Λόγος në greqishten e epokës nuk është vetëm fjala, është edhe arsyeja, edhe logjika, edhe fjala, madje në kontekste të tjera është edhe llogaria apo premtimi. Këto dy të fundit i kanë shkarë përkthyesit/ve.

Ndonjëherë njohja e cekët e greqishtes, e kombinuar me morale viktoriane, krijon pasazhe të çuditshme. Tek I Kor. 7,36 kemi “Εἰ δέ τις ἀσχημονεῖν ἐπὶ τὴν παρθένον αὐτοῦ νομίζει, ἐὰν ᾖ ὑπέρακμος, καὶ οὕτως ὀφείλει γίνεσθαι ὃ θέλει ποιείτω· οὐχ ἁμαρτάνει· γαμείτωσαν.”. Përkthimi së bashku ka: “Por, nëse dikush shikon se do të sillej në mënyrë të pahijshme ndaj të fejuarës së tij (ose virgjëreshës), sepse digjet nga dëshira (ose sepse ajo ka arritur pjekurinë) dhe mendon se duhet të martohet, le të bëjë si të dojë, le të martohet, nuk mëkaton.” Përkthim dhe interpretim jo thjesht i dështuar dhe i gabuar, i rrezikshëm. Kush digjet? Ai apo ajo? Akoma më keq në anglisht: “If anyone thinks that he is not behaving properly toward his fiancee, if his passions are strong, and so it has to be, let him marry as he wishes; it is no sin. Let them marry.” (NRSV, Metzger). Ky Metzger që ka qenë edhe autoritet.

Cili është kuptimi i pasazhit? Shën Pali thotë këtu se nëse në një çift të fejuarish, femra ka një epsh seksual, dhe djali mendon se i sillet në mënyrë të pahijshme pasi nuk i përmbush kërkesat e saj, atëherë (mashkulli) le të bëjë siç do femra. Pra le të kryejnë marrëdhëniet e të martohen. Nuk mëkaton. Fjala e vështirë këtu e greqishtes është υπέρακμοςAkmi (ose latinizuar acme) grekët quanin pjekurinë dhe dëshirën seksuale të femrës. Hyperakmi është një “superdëshirë” le të themi. Acme madje në botën romake ishte edhe një nofkë që përdorej shpesh nga prostitutat, shoqërueset apo konkubinat, për arsye që kuptohen besoj.

Gabime ndodhin edhe ngaqë teksti shkëputet nga tradita e krishterë dhe interpretimet që kanë dhënë Etërit e Kishës; dhe s’ka sesi të mos ndodhi kështu kur përkthime të tilla konceptohen nga protestantë. Një shembull i tillë është pasazhi i Gjonit, 8,25 “ἔλεγον οὖν αὐτῷ· σὺ τίς εἶ; καὶ εἶπεν αὐτοῖς ὁ ᾿Ιησοῦς· τὴν ἀρχὴν ὅ τι καὶ λαλῶ ὑμῖν”. Përkthimi së bashku ka: “Ata i thanë: «Kush je ti?». Jezui u përgjigj: «Që në fillim jua kam thënë se kush jam.” Mirëpo përkthyesi/t ka/në dështuar. Plotësisht. Nëse kishin lexuar interpretimin e Joan Gojartit mbi këtë pasazh do dinin ta përkthenin saktë këtë shprehje idiomatike të greqishtes. Çuditërisht NRSV i Metzger-it përkthen saktë por në fakt nuk është ndonjë origjinalitet i ekipit të tij. Në gjuhën angleze përkthimin e saktë e sollën Dëshmitarët e Jehovait të cilët nga ana e tyre e kishin marrë nga një botim grek i viteve 1960. Përkthimi i saktë pra në anglisht është: “They said to him, “Who are you?” Jesus said to them, “Why do I speak to you at all?”.

Nuk dua të zgjatem më tej në gabime sepse s’kanë fund por dua t’i jap lexuesit dy sqarime. Në një koment në pjesën e parë të shkrimit thashë se nuk jam autoritet i fushës. Është e vërtetë sepse kisha në mendje një teolog; gjë që nuk jam. Por i qasem temës nga disiplina ime të cilën nuk e kam zbuluar pasi shkruaj me pseudonim. Kështu që të shkruaja Tannhäuser, historian, apo filolog, PhD, nuk do ishte thjesht qesharake, do ishte jashtëzakonisht kitsch. Temën e konceptova si lexues i thjeshtë por aktiv i Biblës që mund të konsultohet direkt me origjinalin. Pra nëse një lexues i thjeshtë gjen kaq gabime atëherë pse nuk e merr përsipër këtë ndërmarrje në teolog? Sqarimi i dytë ka të bëjë me atë që thashë se nuk jam përkthyes. Nuk u tregova krejt i sinqertë pasi edhe tani që shkruaj po përkthej pasi gjuha ime amtare është greqishtja. Kontakti im i fundit me shqipen e shkruar, përveç kësaj faqeje, ka qenë viti 2009 kur plotësova formularin për kartën e identitetit. Kështu që tregoni pak mëshirë.

(c) 2019, autori

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top