NGA FILMI TE PSEUDO-KUJTESA

Duke lexuar një ese për mendimin leninist (Leninthink, nga Gary Saul Morson), vura re jo pa u habitur se po i jepja Leninit, në imagjinatën time, pamjen dhe manierizmat e personazhit përkatës në serialin rus Trotsky, të transmetuar nga Netflix, që e kisha ndjekur para pak muajsh. Me gjasë, edhe përfytyrimi im për Leninin si figurë politike ishte ndikuar nga seriali – duke iu mbivendosur përfytyrimeve të tjera të miat, trashëguar vagullt nga propaganda në fëmijërinë dhe rininë time totalitare.

Ironikisht, Lenini vetë e kish kuptuar që herët forcën e një arti si kinemaja, për të plazmuar imagjinatën e masave: “Filmi për ne është më i rëndësishmi i arteve” pat thënë, duke pasur mbase parasysh aftësinë e kinemasë për t’u përcjellë të njëjtat imazhe dhe për t’u ngjallur të njëjtën imagjinatë masave, të përfaqësuara simbolikisht nga publiku në errësirën e sallës.

Kjo do të kuptohet më mirë në krahasim me letërsinë, ku gjithsekush që lexon, i jep tekstit formën dhe frymën e imagjinatës së vet.

Vetëm pak ditë më parë, gjatë një leksioni të Elsa Demos te Galeria Kombëtare e Artit, Tiranë, ndoqa disa pasazhe të filmit Malet me blerim mbuluar (1971), të Dhimitër Anagnostit; dhe gati u habita, kur vura re sa ikonike dukeshin pamjet në ekran, në raport edhe me përfytyrimin tim spontan, për vitet e Luftës II Botërore në Shqipëri.

Ka shumë filma të tillë, nga ato vite, të prodhuar nga Kinostudioja Shqipëria e Re; synimi i tyre i deklaruar ishte të edukonin masat punonjëse, duke u përcjellë këtyre versionin zyrtar të Luftës Nacional-Çlirimtare, të përpunuar në ofiçinat propagandistike të PPSH-së.

Filma të tillë, “me partizanë dhe gjermanë dhe ballistë” ndiqeshin shumë; dhe një pjesë e tyre ishin krijuar me art dhe shije, nga regjisorë profesionistë; sikurse luanin atje aktorë të shquar, të dashur për publikun. Historitë që rrëfenin këta filma nuk ndryshonin shumë nga historitë që gjendeshin në letërsinë e kohës me temë të ngjashme – me një dallim të vogël/të madh, që kish të bënte me imagjinatën.

Nëse versioni zyrtar i çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore qarkullonte njëlloj, si në botimet historiografike të Akademisë, ashtu edhe në tekstet e shkollave, në letërsinë e realizmit socialist, në memorialistikë, në teatër e gjetiu, filmi dallonte nga format e tjera të propagandës, sepse ia jepte publikut të gatshëm përfytyrimin për periudhën e Luftës. Vepronte kështu ngjashëm edhe me pikturën e skulpturën e realizmit socialist nga njëra anë, edhe me teatrin (dhe në një farë mase operën dhe baletin) nga ana tjetër, por dallonte prej këtyre ngaqë ishte masiv dhe ngaqë sa herë që shfaqej, mbetej identik me vetveten[1].

Prandaj ndoshta nuk e teproj po të them se filmat artistikë të Kinostudios Shqipëria e Re, me temë nga Lufta, jo vetëm kanë riprodhuar me besnikëri versionin zyrtar (propagandistik) të historisë së asaj periudhe, të miratuar nga kupola e PPSH-së; por edhe u kanë dhënë shikuesve të brezave më të rinj mjetet për ta përfytyruar atë kohë në hollësi dhe për ta përjetuar si ishte pjesë e kujtimeve të tyre vetjake.

Me fjalë të tjera, filmat e realizmit socialist u dhanë brezave më të rinj, në Shqipëri, një kujtesë në thelb fiksionale (dhe shpesh të sajuar, në mos të rreme), për një periudhë historike kyçe. Edhe pse marrëdhëniet e atyre filmave me realitetin historik gjithnjë ndërmjetësoheshin nga synimet propagandistike të regjimit (që i financonte mu për këtë arsye), brezat e rinj induktoheshin, në atë masë që i ekspozoheshin ekranit të madh, për t’i dhënë historisë pamjen dhe formën e sugjeruar nga filmi.

Ky efekt nuk ka pushuar së vepruari, me gjithë rivështrimin kritik që i është dhënë Shqipërisë së viteve të Luftës, nga historiografia e pas 1990-ës. Publiku, që ende vazhdon t’i shohë këta filma dhe t’i shijojë si produkte “kombëtare” (në kundërvënie me telenovelat turke, indiane dhe meksikane) ende i përfytyron ngjarjet e mëdha të viteve 1939-1944, që i dhanë formë Shqipërisë moderne, në bazë të modeleve të Kinostudios “Shqipëria e Re” – sepse nuk ka alternativë; dhe ende identifikohet me personazhe dhe heronj, të luajtur nga aktorë të mirë dhe tërheqës, por që në thelb përçojnë ideologjinë e produkteve tipike të realizmit socialist.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopjuesit do të ndiqen ligjërisht.


[1] Një pjesë teatrale mund të vihet në skenë, dhe në fakt vihet, nga regjisorë dhe aktorë të ndryshëm me skenografi të ndryshme. Filmi është produkt i mbyllur, shumë shumë mund ta krasitësh.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top