NGA ISMAIL QEMALI TE EDI RAMA

Mjerim i madh për Shqipninë me u katandisë nga niveli i Ismail Qemalit te Edi Rama!
nga Irhan Jubica
E nisun rreth 15 vjet ma parë, nji prej shfaqjeve ma vulgare të humorit banal në ekranet shqiptare, mund të ketë pasë qëllim me demaskue dhe me tallë dukunitë negative të shoqnisë. Mirëpo mjetet e përzgjedhuna prej shkruesve, prej trupës, e sidomos prej regjisorit që ma vonë u shpall “Mjeshtër i Madh” rezultuen fatale për shoqninë shqiptare. Në vend që me përqeshë dukuni, situata dhe individë, ata në fakt, krijuen sterotipa të neveritshëm dhe të dhunshëm të cilët vazhdojnë me i shërbye si modele referimi nji pjese të mirë të shoqnisë shqiptare, sidomos rinisë, e madje edhe fëmijëve të kopshteve, të cilët edukatoret i organizojnë për me imitue çka kanë pa nji natë ma parë në televizion. E ashtu si bari i keq që lëshon rrâjë gjithkah, disa individë prej asaj trupe u shkëputën tue mbjellë edhe në ekranet tjera të njajtin vulg banal dhune të neveritshme.
Personalisht i kam refuzue prej ma shumë se 13 vitesh këto shfaqje, mirëpo ndonjiherë, e keqja, së cilës ia mbyll derën, paska aftësinë me hy’ nga dritarja: prototipat, fjalori, gjestet dhe situatat e asaj shfaqjeje të shëmtueme të realitetit shqiptar, janë ba gjithnji e ma të pranishme në ekranet televizive, tashma ndërmjet ushtrisë së laborantëve që bajnë analiza të përnatshme të gjendjes politike, ekonomike e sociale të Shqipnisë, e madje edhe të vendeve të tjera, apo të rajoneve të ndryshme të botës. Ndër shëmtitë e para të kësaj natyre ka qenë ajo e neoliberalit Naim Çili dhe Erion Veliajt, kur ata i kishin llogoret përballë, ndërsa të tjerat përfshijnë seanca të Kuvendit që nga koha kur drejtohej nga nënkryetarja agresive e PD e deri tash që drejtohet nga ish-ministri i Brendshëm i 2 Prillit 1991, ndërkohë që në studiot televizive fjalorin e rrugës e zavendësuen grushtet e drejtuesve të sindikatave të korruptueme, me vdekjen e të cilave, kryeministri i majtë Edi Rama u mburrej investitorëve të mundshëm italianë në Shqipni.
Në këtë terren pra, të arrogancës dhe dhunës verbale, por edhe fizike, e cila ngrihej në kult nga tufa e pafundme e kangëtarëve injorantë paralelisht me lulëzimin e investimeve të ekonomisë kriminale të drogës e trafiqeve të tjera, Shqipnia e fillimit të shekullit XXI iu nënshtrue Edi Ramës, sikurse i dorëzohet turma e spektatorëve të asaj shfaqjes banale të përmendun ma sipër, aktorit që e interpreton kryeministrin e Shqipnisë. Prej atëherë e deri te nxjerrja e gjuhës jashtë, ai, pra Rama, shfaqet gjithnji e ma shumë si kryeministër i “Portokallisë”, e jo si kryeministër i Shqipnisë.
Mjerim i madh për Shqipninë me u katandisë nga niveli i Ismail Qemalit, Fan Nolit, Ahmet Zogut, Rexhep Mitrovicës, Hasan Prishtinës, Mustafa Krujës, e madje po deshët edhe Mehmet Shehut, Enver Hoxhës e Adil Çarçanit, Fatos Nanos, Aleksandër Meksit, Pandeli Majkos e Sali Berishës, te niveli i Edi Ramës.
Në mesin e 33 kryeministrave që kanë drejtue 56 qeveritë shqiptare (nga të cilat 23 qeveri ishin të PKSH, PPSH dhe trashëgimtares së saj PS) përgjatë 107 viteve të ekzistencës së shtetit (ku 59 vjet drejtuen PKSH, PPSH dhe trashëgimtarja e saj PS), Edi Rama asht kryetari që shkatërroi ligjërimin politik dhe në përgjithësi diskursin publik. Shfrenimin mendor e shpalosi së pari në një miting elektoral të PSSH, në fillim të viteve 2000, kur nga mikrofoni ulërinte në mes të sheshit Skënderbej epitetin e ish-presidentit të opozitës së atëhershme: “O Dokto-oooo-ooooo-ooooo-or!”, dhe e vazhdoi ma tej në komisionin hetimor për projektin e fasadave ministrore, kur tha se nuk kishte “bir k…” për me ia futë atij duert në xhep. Ai u përsos si manipulues profesionist i turmave sidomos gjatë grevës së urisë në çadrën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në vitet e opozitarizmit përballë kryeministrit të Gërdecit, ndërsa paralelisht kishte kultivue fidanishten e mashtrimit me aktivistë si Erion Veliaj & Co, që ende shihen në një video të 21 Janarit 2011, tue ly’ me ngjyrë të kuqe kokën e nji protestuesi. Prej kamerave, por sidomos në mesin e protestuesve të tjerë, dihet se çfarë efekti ka gjaku i nji protestuesi për me ndezë shpirtin e revoltës deri në sakrificën ekstreme të turmës, tashma të njoftun të asaj dite (edhe pse, 6 vjet mbas ardhjes në pushtet, ai nuk arriti me mbajtë premtimin për drejtësi ndaj viktimave, fatin e të cilëve e kishte nji nga kauzat thelbësore të fitores më 2013). Aftësia e tij për me manipulue u shfaq edhe nji herë në dekorin musolinian të ceremonisë së vjetshme kryeministrore për viktimat e 21 Janarit. Mirëpo përkimi me liderët absolutë të Boshtit të së Keqes së Luftës së Dytë Botnore nuk mbetet vetëm te dekori i fushatës së fundit elektorale që mëton me u fshehë mbas flamurit kombëtar, tue heqë dorë prej simbolikave dhe sloganeve të projektit të dështuem të “Rilindjes”: njajtë si “Mein Kampf”, Rama e shkroi “Kurbanin” pak kohë para ardhjes në pushtet, ndërsa përgjatë viteve të qeverisjes së tij, absolutizmi i nisun në zyrat e Bashkisë së Tiranës, u ba ideologji dhe praktikë pune e çdo institucioni qeveritar. Paranoja për me shfaqë vetëm atë anë të imazhit të qeverisë dhe të tijin si kryeministër që vetëm ai mendon se duhet, e çoi Ramën në sajimin e ERTV, nji praktikë e pashembullt refuzuese ndaj gazetarisë si medium për komunikimin ndërmjet pushtetit dhe publikut. Përpara, por edhe gjatë kësaj kohe, ai asht shfaqë në disa rrjete sociale tu’ komunikue me publikun përmes nji gjuhe jo vetëm banale dhe arrogante, por edhe përçmuese deri në racizëm. Nji ndër kulmet e këtij racizmi ishte qëndrimi ndaj qytetarëve të Kukësit që protestuen kundër taksës së Rrugës së Kombit. Tu’ ia kalue edhe fjalorit rrugaç të Sali Berishës për “horra e lavire bulevardi”, racizmi i Ramës u shpërfaq edhe ditët e fundit pas protestave që u paraprinë tubimeve të tij me banditë dhe forca speciale të policisë në Shkodër, Kukës e Elbasan. Mbasi ma parë i kishte quejtë shpellarë – si beniamini i tij Veliaj – pjesëmarrësit në protestat antiqeveritare të muejve të fundit në Tiranë, Rama e uli edhe ma shumë nivelin e ligjërimit politik, jo vetëm tu’ mos folë në nji fushatë zgjedhore për asnji bilanc punësh të kryeme apo premtimesh të reja të kandidatëve për votimet e 30 Qershorit, por tue përdorë fjalë dhe insinuata denigruese ndaj nji përfaqësuesi opozitar në Elbasan, të cilat përkojnë krejtësisht me qëndrimet seleksionuese racore të nazizmit hitlerian. Rama iu drejtue nji qytetari tu’ e konsiderue atë “një gabim njerëzor” i cili “me siguri është krijuar në një moment që Zoti nuk e ka pasur mendjen”. Në një vend tjetër të botës, e ndoshta në çdo vend të botës, nji kryeministri kishte me i mjaftue vetëm kjo deklaratë që jo vetëm me kërkue falje publike, por ndoshta me u dënue nga gjykata, e pse jo, edhe për me dhanë dorëheqje. As që mundet me u përfytyrue kryeministri i ndonji shteti europian tu’ iu drejtue me këtë fjalor shfarosës një qytetari të vendit të tij!
Shfrenimi ma i fundit mendor i Ramës ndaj kundërshtarëve politike, e madje edhe ndaj Presidentit të Republikës përmes nji fjalori ordiner, nuk asht fundi i botës për shqiptarët, nji pjesë e madhe e të cilëve, përfshi autorin e këtij shkrimi, nuk kishin me e votue kurrë Ilir Metën si president nga populli. E liga bahet ma e randë kur shfrenimi i mendor i kryeministrit nuk kursen gazetarët dhe asnji qytetar të Shqipnisë, kur dëshmohet, si në rastin e përgjimeve të botueme nga “Bild”, se shfrenimi mendor asht nji epidemi që ka mbërthye jo vetëm kriminelët, përdhunuesit dhe trafikantët e emnuem prej Ramës si deputetë, ministra, kryebashkiakë, shefa policie dhe administratorë ndërmarrjesh publike, por krejt sistemin që ai instaloi në Shqipni.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top