NGA KRENARIA NË MIRËNJOHJE

E pranoj që në krye se shprehja “jam krenar që…” është nga ato që më ngrenë qimet përpjetë, duke filluar nga folklorikja “jam krenar që jam shqiptar”; pa folur për të gjithë ata që ndihen kështu, krenarë, për meritat dhe arritjet e të tjerëve, duke e përfytyruar veten si të ishin në të njëjtën skuadër futbolli me fituesin (“jam krenar që Skënderbeu…”). Pastaj se ç’ka diçka prej kaposhi të rrjepur “krenaria”, diçka prej zhgabe pendë-lyrosur, që e kalon ditën duke çukitur kërma; çfarë edhe e bën të tingëllojë kërcënuese, sidomos kur ta thonë në fytyrë, me nëntekstin “po ti pse nuk je krenar?”, të thuash se krenaria është një lloj rituali përkatësie që ti i detyrohesh kolektivit. Pa folur pastaj për ata që ndihen krenarë për gjëra nga më të çuditshmet – që nga prejardhja (“jam krenar që e kam origjinën nga fshati Çezmë e poshtme”, “që kur kam qenë fëmijë e kam pasë pirë qumshtin direkt nga cica e dhisë”, “që Hitleri na ka quajtur racë e pastër…”, “që gjyshi im nga nëna e ka mësuar kompjuterin edhe pse me një këmbë në varr”) te hollësi të tjera absurde (“jam krenar që Shqipëria u rendit e shtata në Eurovision”); dhe ata të tjerët që, gjithë duke qenë fetarë të flaktë, nuk e dinë se “krenarinë” e mbajnë zakonisht si më vdekatarin e mëkateve; dhe më mirë kështu, sepse po t’ua shkulësh ca besimtarëve puplat e krenarisë tribale, nuk u mbetet gjë tjetër në kokë. Nuk e honeps dot, pra, këtë “jam krenar që…”, më tingëllon si konfirmim patologjik inferioriteti; por e kuptoj, megjithatë, që disa prej nesh e përdorin thjesht sepse ndiejnë një emocion të veçantë, specifik, një si rrëmbushje a mallëngjim, që lidhet me përkatësinë te një grup a bashkësi – nga familja e fisi, te grupe e bashkësi të tjera më abstrakte a më imagjinare. Duke shpresuar, pra, se bëhet fjalë më shumë për një keqkuptim si të thuash leksikor, po guxoj të sugjeroj se, në shumicën e herëve kur na vjen të themi “jam krenar që…”, në të vërtetë duam vetëm të themi “jam mirënjohës që…”, ose “ndiej mirënjohje për/që…”; meqë nuk është krenaria ajo që ndiejmë, por mirënjohja. Kujtesa morale e njerëzimit, e pat quajtur mirënjohjen Georg Simmel. Dhe nuk është aq larg mendsh të besosh se, deri edhe ai që shëtit në rrugë me një t-shirt me mbishkrimin “JAM KRENAR QË JAM SHQIPTAR”, kërkon të thotë, në thelb, “JAM MIRËNJOHËS QË JAM SHQIPTAR”; pse mund të ndiesh mirënjohje për diçka a për dikë, pa qenë hiç krenar. E kuptoj edhe se nuk mund ta mësosh dikë që të jetë mirënjohës, as mund t’ia kërkosh; por të paktën mund t’i sugjerosh ta provojë si shprehje: “jam mirënjohës për Nënë Terezën” sikur tingëllon më mirë se “jam krenar për nënë Terezën”; ndryshe nga krenaria, mirënjohja nuk e sjell me vete as sfidën prej kaposhi të rrjepur, as papjekurinë prej pulastreni, as gërvimën prej sorre, as kokën përpjetë si karabushi i qepës; ndryshe nga krenaria, mirënjohja nuk i thotë Tjetrit “jam më i mirë se ti”, por thjesht i tregon se ku është e mira. Nga KRENARIA në MIRËNJOHJE – këtë tranzicion do ta shihja si një model në miniaturë të emancipimit: nga instinktet e qymezit, te kujtesa morale.

© 2019, Peizazhe të fjalës.™

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.