NGA PËREMRAT TE PËRGJEGJSHMËRIA

Po dua t’i kthehem një momenti të intervistës së paradokohshme të kryeministrit Rama me Tim Sebastian, në Conflict Zone të Deutsche Welle.

Jemi rreth minutës 18.40, kur po flitet për krimin e organizuar në Shqipëri dhe në Europë dhe për korrupsionin e gjyqësorit në vend.

Dhe krejt befas, Sebastian e pyet të ftuarin:

How many judges have you fired? (Sa gjykatës keni shkarkuar nga detyra?)

Rama kësaj pyetjeje të vështirë i përgjigjet kështu:

God forbid… if the government would fire judges it would be in trouble. It’s not the government that fires judges… (Ruajna Zot… po t’i shkarkonte gjykatësit qeveria, kjo do të ishte gjëmë. Nuk i takon qeverisë të shkarkojë gjykatës…)

Sebastian: Don’t you have corrupt judges? (Po a nuk keni gjykatës të korruptuar?)

Rama: We don’t have corrupt judges. We have a totally corrupt judiciary, which works like a corporation and which works like a for profit industry and we are breaking it down starting from this reform that we’ll pass in fall… (Nuk kemi gjykatës të korruptuar. Kemi një gjyqësor tërësisht të korruptuar, që punon si korporatë dhe që punon si një industri fitimprurëse dhe që ne po e shpërbëjmë, duke filluar që me reformën që do të miratojmë në vjeshtë…

Dhe kështu me radhë.

Më duhet të pranoj që, kur po e dëgjoja për herë të parë intervistën, pyetja e Sebastian-it, se “sa gjykatës keni shkarkuar” m’u duk provokative – meqë, sikur Edi Rama t’i përgjigjej drejtpërdrejt dhe t’i thoshte që “do të shkarkojmë kaq dhe aq”, atëherë do të demaskohej si një lider autokrat, që nuk e ka idenë për ndarjen e pushteteve. Përndryshe, gazetari thjesht testoi reflekset liberal-demokratike të Ramës.

Pastaj më shkoi mendja edhe te një shpjegim tjetër: kushedi Sebastian nuk beson se në Shqipëri ka vërtet ndarje pushtetesh; në kuptimin që demokracia atje është sa për sy e faqe, në një kohë që kreu i ekzekutivit i ka në dorë të gjitha pushtetet, pavarësisht nga ç’thotë Kushtetuta. Në kuptimin që këtë herë në grackë kish rënë gazetari anglez, jo kryeministri Rama.

Në një fazë të tretë, u kujtova edhe që intervista po zhvillohej në një gjuhë të huaj për Ramën, çfarë duhet mbajtur gjithnjë parasysh, kur duam të marrim vesh rrymat e nëndheshme të kuptimit.

Dhe, në rastin tonë, nuk më duket aq pa rëndësi nevoja për të ftilluar se çfarë shënjon pikërisht vetori “you” në pyetjen e Sebastian-it: How many judges have you fired? Në anglishte, you shënjon vetën e dytë edhe në njëjës edhe në shumës – prandaj nuk është menjëherë e qartë nëse Sebastian-i po i drejtohet Ramës vetë, që ka në studio, me cilësinë e kreut të ekzekutivit në Shqipëri; apo ajo you i referohet Ramës dhe krejt sistemit politik në Shqipëri, në kuptimin “ju shqiptarët e sotëm” – në vijim të temës së bisedës, që ka lidhje me dëshirën dhe kërkesën e Shqipërisë për t’iu asociuar Bashkimit Europian.

Natyrisht, Rama e interpretoi pyetjen sikur i drejtohej atij personalisht, si kryeministër ose kryetar i qeverisë; duke e lexuar you-në e Sebastian-it si njëjës. Brenda kësaj kornize interpretative, përgjigjja e tij ishte korrekte: qeveria nuk mund të shkarkojë gjykatësit nga detyra. Madje ai flet për qeverinë në mënyrë abstrakte, ose në vetën e tretë.

Megjithatë, në kontekstin e përgjithshëm të intervistës, duket se Sebastian nuk e trajton mysafirin e vet në studio thjesht si kryeministër të Shqipërisë, por edhe si përfaqësues të këtij vendi – tek e fundit, vullneti për t’u futur në Bashkimin Europian është i Legjislativit më parë, dhe vetëm më pas edhe i Ekzekutivit.

Karakteristikë e një sistemi me ndarje pushtetesh është se këto pushtete janë jo vetëm të mëvetësishme nga njëri-tjetri, por edhe që ato bashkëpunojnë mes tyre. Kreu i ekzekutivit të tanishëm në Shqipëri nuk mund të bëhet me faj për korrupsionin e gjyqësorit; por edhe nuk mund ta shohë gjyqësorin si diçka të huaj, me të cilin i lejohet të merret vetëm kur e akuzon si “të korruptuar” ose “korporatë” ose “industri me qëllim fitimi.”

Në çdo vend tjetër europian, me kushtetutë të ngjashme me të Shqipërisë, ky qëndrim i hapur dhe publik i kreut të ekzekutivit ndaj gjyqësorit do të përbënte motiv për krizë të menjëhershme dhe të thellë.

Nga ana tjetër, në vijim të bisedës, kur Sebastian ngul këmbë dhe thotë Don’t you have corrupt judges?, gjasat janë që përemri you të mos ketë ndryshuar referencë – pra të jetë i njëjtë me atë te “How many judges have you fired”.

Dhe në përgjigje ndaj kësaj pyetjeje të dytë, për gjykatësit e korruptuar, Rama papritur ia ndërron referencën shifter­-it dhe fillon të flasë në vetën e parë shumës:

We don’t have corrupt judges. We have a totally corrupt judiciary…

Po kujt i referohet kjo “we” në këtë rast? Doemos jo qeverisë, sepse pak më lart kryeministri shqiptar e bëri të qartë që qeveria është pushtet më vete nga gjyqësori dhe anasjelltas. Prandaj kjo “we” nuk mund të jetë veçse sistemi politik ose republika, pjesë e së cilës është edhe “the judiciary” ose gjyqësori.

Ndryshimi kaq i beftë i referencës së shifter-it lë vend për interpretim, madje lyp interpretim: duket sikur Rama nuk ka dëshirë të identifikohet me sistemin, kur bëhet fjalë për korrupsion të një dege të pushtetit (gjyqësorit); por identifikohet aty për aty me sistemin, në kontekstin ku ai shqipton një gjykim vlerësues për njërin prej pushteteve: sepse, tek e fundit, kush pikërisht po e quan gjyqësorin tërësisht të korruptuar? Kush po e gjykon gjyqësorin? Kujt pikërisht i referohet kjo we në “we have a totally corrupt judiciary”?

Kryeministri apo një subjekt abstrakt, që përfaqëson sistemin politik dhe maxhorancën morale, me përkrahjen dhe amplifikimin e Perëndimit?

Duket pra sikur Tim Sebastian vërtet nuk e futi dot Ramën në kurthin e cekët të autoritarizmit të nënkuptuar; por vetë kryeministri nuk i shpëtoi dot një kurthi tjetër, duke ndërruar shifter-ët sipas kontekstit, dhe duke tradhtuar një gatishmëri për të përfaqësuar Shqipërinë sa kohë që bëhet fjalë për projeksionin e saj drejt së ardhmes; por jo aq Shqipërinë, me problemet e saj të sotme dhe të trashëguara.

Nuk jam i sigurt, megjithatë, që intervistuesi e kish planifikuar këtë kurth të dytë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.