Ngushtica e Hormuzit “mollë sherri” për një konflikt me përmasa të gjera në Lindjen e Mesme

Atullah REXHEPI

 

NGUSHTICA E HOZMURIT “MOLLË SHERRI” PËR NJË KONFLIKT ME PËRMASA TË GJERA NË LINDJEN E MESME

Atullah Rexhepi

Atullah Rexhepi

Sanksionet e SHBA ndaj Iranit

Dy javë më parë SHBA paralajmëruan blerësit e naftës iraniane se, pas datës 2 maj 2019, nuk do të jenë të përjashtuar nga sanksionet e vendosura kundër Iranit, në rast se vazhdojnë të blejnë naftë nga Irani. Një veprim i tillë i presidentit amerikan ka nxitur reagime të ashpra nga zyrtarët më të lartë të Iranit, duke pasur parasysh se nafta është një nga burimet kryesore i të ardhurave për këtë vend. Zyrtarët shtetërorë iranianë i konsiderojnë të paligjshme sanksionet e SHBA, duke thënë se janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe synojnë drejtpërdrejtë përkeqësimin e jetës së qytetarëve iranianë dhe nuk përkojnë me të drejtën humanitare. Bile aparati diplomatik iranian disa herë ka deklaruar se sanksionet nuk do të jenë kredibile dhe nuk do të arrijnë asnjë synim. Sqarimi i gjithë kësaj situate të mjegulluar do të bëhet nga mënyra e reagimit të partnerëve të Iranit dhe blerësve të naftës iraniane. Pra, vullneti politik i këtyre vendeve do të mund të krijojë situata të cilat do të jenë vendimtare për të ardhmen e rajonit të Lindjes së Mesme. Kur thuhet vullneti politik, mendohet në atë se, disa vende mund të jenë të pavarura dhe nuk do t’i kushtojnë rëndësi presionit dhe kërcënimeve të SHBA në rast se vazhdojnë të blejnë naftë nga Irani. Ndërsa, disa vende nuk do të mund t’i rezistojnë presioneve të SHBA, sepse tregjet e tyre financiare varen nga marrëdhëniet e tyre me SHBA dhe me vende të tjera që janë në të njëjtën vijë me të, kjo sepse sistemi bankar është në duar të Shteteve të Bashkuara dhe nuk i lejon ata të bëjnë transferimin e monedhave.

Kina dhe India e kanë blerë naftën iraniane me monedhat e tyre kombëtare dhe kur Irani ka blerë mallra nga Kina dhe India, një gjë të tillë e ka bërë me rubla ose juan (që janë monedha kombëtare të këtyre dy shteteve). Natyrisht, kjo metodë nuk është e mirë për Iranin, sepse kur ka një klient, privohet nga e drejta për të negociuar për një çmim më të mirë. Në këtë gjendje, Kina nuk duket se do t’i kushtojë rëndësi sanksioneve të SHBA, duke pasur parasysh edhe luftën e saj tregtare me këtë vend, e cila kohëve të fundit ka marrë përmasa shumë të mëdha, kurse India mund të frikësohet nga këto sanksione dhe mund të reduktojë blerjen e naftës iraniane. Si duket, sanksionet më shumë do të dëmtojnë kompanitë apo rafineritë private të Kinës dhe Indisë, ndërsa rafineritë shtetërore me shumë gjasa do të vazhdojnë të blejnë naftën iraniane dhe një gjë e tillë do të prishte planin e SHBA për sjelljen në zero të eksporteve iraniane të naftës. Pa asnjë dyshim se çmimi i naftës në nivel global do të rritet dhe pritet që ndoshta një gjë e tillë të ndodhë edhe brenda vetë SHBA dhe kjo gjë do ta dëmtonte politikën e brendshme të presidentit amerikan Donald Trump. Veprimi i presidentit amerikan për nxitjen e disa vendeve anëtare të OPEC për rritjen e prodhimit të naftës, në mënyrë që të zëvendësojnë naftën iraniane, nuk është pritur mirë nga të gjithë anëtarët e kësaj organizate dhe gjithçka varet nga vendimet e brendshme të saj. Duhet parë nëse OPEC si një organizatë e eksportuesve ndërkombëtarë të naftës, a do të mund të veprojë në mënyrë të njëanshme dhe t’i rezistojë presionit amerikan. Arabia Saudite si një nga fuqitë më të mëdha për prodhimin e naftës brenda OPEC, disa herë ka shprehur gatishmërinë se do të zëvendësojë naftën iraniane dhe do të zbatojë qëndrimet e SHBA kundër Iranit. Nga ana tjetër, Rusia, Azerbajxhani dhe disa vende të tjera, iu kanë bashkuar marrëveshjes për bashkëpunim me OPEC-un për uljen e prodhimit të naftës. E gjithë kjo mund të duket si një politikë edhe e disa vendeve që janë prodhues të naftës, sepse rritja e çmimit, bile edhe rritja e prodhimit të naftës, do të ndikonte edhe në rritjen e të ardhurave të tyre financiare.

Retorika e ashpër e zyrtarëve amerikanë dhe iranianë sa i përket mbylljes së Ngushticës së Hormuzit

Zyrtarë të lartë iranianë kanë deklaruar se në rast se Uashingtoni ndalon eksportimin e naftës së Iranit, atëherë nuk do të përjashtohet mundësia e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit. Këto deklarata të funksionarëve të lartë iranianë, SHBA i ka marrë shumë seriozisht, duke thënë se Amerika do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të kundërshtuar çdo veprim të rrezikshëm nga Irani. Para disa ditësh, Komanda Qendrore Ushtarake e SHBA ka vendosur disa avionë “F 35 A” në bazën ajrore Al Dhafra në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe konsiderohet të jetë vendosja e parë këtyre avionëve të gjeneratës së pestë në Gjirin Persik. Nga ana tjetër edhe Irani ka një prani të shtuar ushtarake në këtë rajon, të cilin e konsideron një venë gjaku jetike për Iranin. Ngushtica e Hormuzit është një rrugë ujore mjaft kritike ndërkombëtare, përmes së cilës kalon gati 1/5 e furnizimeve të naftës bruto në botë. Perspektiva e zvogëlimit të eksporteve të naftës nga Irani dhe paqëndrueshmëria në rajon, kanë shkaktuar kohëve të fundit rritje të çmimeve të naftës dhe mbyllja e mundshme e kësaj ngushtice, do të ishte edhe më shqetësuese për tregjet e energjisë. Ngushtica e Hormuzit për Iranin është një kartë e fuqishme për t’i bërë ballë presioneve të SHBA, sepse në rast se privohet tërësisht nga shitja e naftës, atëherë këtyre vuajtjeve do t’i bashkohen edhe vende të tjera të rajonit në rast të mbylljes së kësaj ngushtice. Prandaj në bazë të së drejtës ndërkombëtare, Irani deklaron se ka të drejta të plota mbi këtë rajon dhe meqë SHBA nuk janë pjesë e një traktati ndërkombëtar mbi Ngushticën e Hormuzit, çdo konfrontim i mundshëm ushtarak SHBA-Iran në këtë rajon, do të kundërshtohej nga ana e OKB. Në rast se Irani mbyllë Ngushticën e Hormuzit, atëherë rihapja e tij do të mund të bëhej vetëm nëse KS i OKB miraton një autorizim për përdorim force dhe siç dihet nga praktika e deritanishme, Kina dhe Rusia si anëtare të përhershme të KS të OKB, nuk do të votonin një veprim të tillë për ta dëmtuar Iranin, të cilin e konsiderojnë si aleat strategjik. Mund të supozohet se SHBA mund të reagojë edhe pa ndonjë autorizim nga OKB për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, por një gjë e tillë nuk duket të jetë një detyrë e lehtë. Edhe SHBA edhe Irani me vite të tëra kanë përgatitur skenare lufte për një gjë të tillë. Forcat iraniane në rajonin e Gjirit Persik disa herë kanë kryer provokime ndaj forcave amerikane dhe situata nuk ka eskaluar asnjëherë. Pra, në rast se do të mund të ketë ndonjë konfrontim ushtarak midis Iranit dhe SHBA, një konflikt i tillë sipas gjitha gjasave nuk do të kufizohej vetëm në Ngushticën e Hormuzit, por përmasat e tij do të ishin shumë më të gjëra se që mund të parashikohen, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por pasojat e një konflikti të tillë mund të ndjehen edhe më gjerë.

 

Burimi: http://ballkanpress.com/ngushtica-e-hormuzit-molle-sherri-per-nje-konflikt-me-permasa-te-gjera-ne-lindjen-e-mesme/

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.