NJË DISKUTIM LINGUISTIK I LIRISË SË FJALËS (II)

Pushtetin e vet mbi qytetarët, shteti totalitar e realizon jo vetëm drejtpërdrejt, por edhe duke ndërhyrë në sistemet e produksionit ligjërimor, për të kushtëzuar mendimin. Kësisoj, mendimi i lirë rrezikon të bëhet i pamundur, sepse subjektit ligjërimor do t’i mungojnë mjetet për ta realizuar.

Një hap kritik drejt realizimit të kësaj distopie është konsolidimi i të folurit me parafabrikate – ose ndërtime gjuhësore që shkojnë përtej togfjalëshave terminologjikë dhe frazeologjikë. Këto ndërtime janë quajtur tradicionalisht klishé, vetëm se roli i parafabrikateve ndryshon nga ai i klisheve: të parat synojnë ta fortifikojnë a korracojnë ligjërimin totalitar, ndërsa klishetë mjaftohen t’i referohen rutinave ligjërimore, për mbështetje ose manierizëm.

Në Shqipërinë totalitare, folësit publikë erdhën duke e përvetësuar këtë lloj ligjërimi duke filluar nga vitet 1960, krahas me normalizimin e arsimit publik masiv dhe krijimin e një “arkivi” intertekstual të shqipes së pushtetit – ose arritjes së një numri kritik dokumentesh, aq sa të mundësohej intertekstualiteti në masë. Me përvetësim, në këtë kontekst, kam parasysh aftësimin e folësve për të dalluar çfarë duhej thënë nga çfarë nuk duhej thënë, jo me kritere të përmbajtjes (“nuk mund të kritikosh Enver Hoxhën në publik”) por me kritere formale (“rroftë KQ i PPSH me shokun Enver Hoxha në krye” është forma standard; “jetë të gjatë udhëheqësit Enver në drejtim të KQ të PPSH” do të ngrejë shumë vetulla nga shumë anë). Këtë aftësi dallimi mund ta quajmë edhe “kompetencë diskursive”, në analogji me terminologjinë e Chomsky-t për rrafshet e produksionit gjuhësor.

Të shohim një shembull të nxjerrë nga një dokument publik çfarëdo:

Partia jonë, vazhdimisht, i është përmbajtur me vendosmëri vijës së luftës të klasave dhe e ka zhvilluar këtë luftë me konsekuencë si kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm, ashtu edhe në gjirin e popullit e në radhët e saj. Në procesin e kësaj lufte është grumbulluar një përvojë e pasur revolucionare, me vlerë të madhe teorike e praktike.

(nga parathënia e vëllimit “Dokumente kryesore të Partisë së Punës të Shqipërisë”, vëllimi VII, 1976-1980).

Edhe analiza më e shpejtë e këtij paragrafi do të dallojë cilësorët e shumtë, si “vazhdimisht”, “me vendosmëri”, “me konsekuencë”, “e pasur”, “të madhe”, të cilët shpesh janë pleonastikë; por edhe një obsesion me mbulimin e plotë të territorit diskursiv (“si… ashtu edhe”; “teorike e praktike”). Këto dy karakteristika – cilësorët pleonastikë dhe totalizimi mund të abstragohen si rregulla të gramatikës diskursive të totalitarishtes, ose të tilla që të lejojnë të formulosh – me rrugë shabllone – diskurse të ngjashme, njëlloj të pranueshme:

Kolektivi ynë punonjës, i mobilizuar i tëri për të realizuar para afatit Planin e pestë 5-vjeçar dhe i frymëzuar nga mësimet e çmuara të Partisë dhe të Shokut Enver Hoxha, ka arritur suksese të mëdha si në sasinë e prodhimit të letrës së ambalazhit, ashtu edhe në cilësinë e letrës së ambalazhit të prodhuar, duke garantuar furnizim të rregullt dhe konstant të tregut me këtë artikull…

[Këtë shembull e sajova unë.]

Që nga momenti kur folësit publikë dhe dëgjuesit e tyre e kanë përvetësuar këtë lloj “zhargoni” totalitar, riprodhimi i skemave përkatëse, në kontekste të ndryshme, merr përparësi ndaj përmbajtjes që përcillet – dhe vetë ligjërimi publik e merr vlerën si një tërësi aktesh ligjërimore, synimi i të cilave është (ri)konfirmimi; në kuptimin që folësve nuk u kërkohet të thonë ndonjë gjë të madhe, por vetëm të provojnë se e zotërojnë zhargonin dhe janë gati ta riprodhojnë, kur kjo t’u kërkohet. Ashtu ligjërimi publik priret të marrë format e një tërësie të organizuar ritualesh.

Përballë këtyre ritualeve, mendimi i lirë nuk mund të mbrohet dhe as të kultivohet; sepse subjektit vijnë dhe i mungojnë mjetet e duhura, sikurse i mungon edhe hapësira komunikative. Brezat e rritur dhe të arsimuar në shkollat publike të regjimit nuk do të ishin më në gjendje ta artikulonin mendimin e tyre lirisht, dhe aq më pak të praktikonin ligjërimin subversiv. Pakënaqësitë, të cilat natyrisht ekzistonin, gjenin shprehje nëpërmjet emocionit, refuzimit, ose akteve jo-gjuhësore (p.sh. arratisja). Edhe kur dikush guxonte dhe vinte në dyshim versionin zyrtar të së vërtetës (“Beqirin e dënuan kot”), do ta kishte të vështirë të arrinte në përfundimin se regjimi totalitar funksiononte në mënyrë të tillë, që Beqiri gjithnjë do të dënohej kot. Ato pak thërrmija dhe spore virale që arrin të depërtonin përmes, të themi, radiove të huaja, nuk kishin shans përballë trysnisë konformuese të zhargonit totalitar; sidomos ngaqë ky i fundit riprodhohej nëpërmjet akteve (të folurit).

Të folurit me parafabrikate sa vinte dhe integrohej me kompetencën diskursive standard, sidomos në rrethanat kur diskursi totalitar nuk kish ndonjë konkurrencë serioze nga diskurse të llojeve të tjera dhe gëzonte hegjemoni të plotë, të paktën në sferën publike. Me fjalë të tjera, koercioni në ligjërim do të vepronte edhe nga poshtë, nëpërmjet rregullsive të gjuhës, edhe nga lart, nëpërmjet rregullsive të ndërtimit të diskursit me parafabrikate duke e ngushtuar në maksimum hapësirën e lirisë së fjalës; teksa folësi i shqipes publike do të detyrohej të fliste (të paktën) dy gjuhë njëkohësisht: shqipen dhe totalitarishten.

Çdo gjë që themi, pavarësisht nga konteksti dhe regjistri, gjithnjë u referohet gjërave që janë thënë më parë: për fjalët a njësitë leksikore kjo tingëllon truizëm, meqë këto i marrim zakonisht të gatshme dhe vetëm rrallëherë na qëllon të shtiem në përdorim një fjalë të re, të krijuar rishtas, ose që nuk i përket kontekstit a regjistrit; por e njëjta gjë ka vlerë edhe për togfjalëshat frazeologjikë dhe terminologjikë, të cilët sillen si të ishin njësi leksikore unike – vras mendjen nuk përftohet në ligjërim e sipër, duke kombinuar foljen vras dhe emrin mendjen, por ofrohet i gatshëm nga kompetenca leksikore; çfarë vlen edhe për terminologji (nomenklaturë), të tillë si makinë larëse, sapun rroje ose këpucë me qafa. Edhe proverbat nuk përftohen gjatë të folurit, por vijnë atje në trajtë citimesh: i zoti e nxjerr gomarin nga balta, sa herë që përdoret rishtas, u referohet instancave të mëparshme kur është përdorur. Kështu funksionojnë edhe klishetë (parafabrikatet): të frymëzuar nga mësimet e Partisë dhe të shokut Enver Hoxha është një formulë që përcillet nga një tekst në tjetrin, por pa përcjellë ndonjë urtësi a të vërtetë eksperienciale si proverba, meqë funksioni i saj është para së gjithash të shprehë konformim. Autori i kësaj formule nuk ka rëndësi, madje nuk duhet të ketë rëndësi; përsëritja dhe referimi marrin përparësi ndaj origjinës.

Si i ndërtuar që është me parafabrikate, ligjërimi totalitar publik është tejet intertekstual, sepse jo vetëm që e tregon haptazi borxhin që u ka ligjërimeve të mëparshme, por edhe e bën këtë nëpërmjet citimit, shpesh eksplicit, të një autoriteti (“shoku Enver Hoxha ka thënë…”); në më të shumtën e rasteve, folësi nuk synon të thotë gjë të re, por vetëm të përsëritë atë çfarë konsiderohet unanimisht si normale. Kësisoj, ligjërimi vetë priret të zbrazet nga përmbajtja (“tha”) dhe të reduktohet në një akt performativ (“foli”); fort të ngjashëm me votën në favor ose përshëndetjen me grusht ose duartrokitjet gjatë një kongresi. Refuzimi për ta kryer këtë akt, nga një subjekt që pritet ta kryejë, është po aq armiqësor, në mos edhe armiqësor, se ligjërimi potencialisht subversiv. Dikush që thotë diçka të gabuar mund edhe të “(ri)edukohet”; por dikush që hesht ka shpallur grevë ligjërimore (“një dreq e di se ç’bluan përbrenda”).

Gjatë vitit 1990, kur regjimi në Tiranë ishte në grahmat e fundit, u shfaqën edhe shenjat e para të krisjeve strukturale, në këmishën e hekurt totalitare të ligjërimit publik. Ndodhën ngjarjet e korrikut, kur me mijëra qytetarë u futën me forcë në oborret e ambasadave, për të kërkuar të largohen nga Shqipëria dhe që andej bërtitën LIRI DEMOKRACI. Regjimi Alia u dorëzua para trysnisë diplomatike ndërkombëtare dhe i lejoi kundërvajtësit të largohen, me shpresë se ashtu do të mund të jetonte edhe pak; por ndërkohë organizoi edhe një miting “madhështor” në sheshin Skënderbej, në mbështetje të “vijës së Partisë”, dhe ku folësit e njëpasnjëshëm nuk munguan të riprodhojnë të njëjtat klishe dhe parafabrikate si në mitingje të tjera të mëparshme (business as usual). Pak ditë më pas, në qendrat e punës u organizuan mbledhje kolektivi rutinë, për të “dënuar” aktin e arratisjes së atyre mijëra kryesisht të rinjve. U thanë, nga autoritetet, gjëra që pritej të thuheshin, dhe që askush nuk ua vinte më veshin, teksa të gjithë shihnin orën. Një e tillë mbledhje u thirr edhe në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë ku punoja unë. Të ikurit u qortuan me përtesë si të gënjyer në mos si tradhtarë të atdheut, si të provokuar dhe të nxitur nga agjenturat e huaja, si njerëz që u kishin kthyer shpinën të afërmve të tyre dhe familjeve, si bukëshkalë – me retorikë e kopjuar nga materialet e gatshme që shpërndanin Komitetet e Partisë së Rajoneve. Dhe këtu befas ndodhi diçka e papritur: e mori fjalën një punonjëse e Institutit, Lola K., një grua që askush nuk e kish njohur ndonjëherë si rebele, por që tani i kishin ikur të dy djemtë me ambasadat; “asgjë nuk është e vërtetë nga këto që thoni,” tha ajo. “Djemtë e mi janë dy azganë, dhe guxoni të ma thoni në fytyrë, nëse mendoni ndryshe!” Heshtje, tronditje, krizë, përpjekje për ta ftuar folësen të pushonte, të mos vazhdonte më. Lola, me kundërshtimin e saj aq spontan prej nëne, kish thyer një nga tabutë më jetëgjata, në historinë e ligjërimit publik totalitar: kish arritur të thoshte diçka haptazi, faqe të gjithëve, që nuk i kish rrënjët në ligjërime dhe shtresëzime të mëparshme, nuk rimerrte ndonjë rutinë dhe as i referohej ndonjë citati të liderit. I thanë: jo, prit, nuk mund të flasësh kështu, je e tronditur prandaj, mos e thello edhe më, e kështu me radhë; por ajo e mbaroi fjalën e vet të shkurtër dhe u ul, flakë e kuqe në fytyrë. Për mua, më shumë edhe se vetë incidenti i ambasadave, fjalët e guximshme të Lolës ishin shenja – aq e pritur – se ngrehina logokratike e regjimit totalitar në Shqipëri nuk do ta kishte të gjatë (Lolës vetë nuk do t’i ndodhte asgjë, asnjë reperkusion politik, për sfidën e saj aq “skandaloze” ndaj autoritetit: regjimit i kishin rënë dhëmbët; por ajo pat zgjedhur të vringëllinte darët, e vetëdijshme se po rrezikonte shumë).

(fund; fillimi këtu)

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet kopjimi: kundërvajtësit do të ndiqen ligjërisht.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top