NJË EMËR NË DY RRUGË

“Çuditem me shqiptarët, kur Skenderbeut i thonë Skënderbe,” thotë shkrimtari dhe pedagogu Ag Apolloni (Skenderbeu nuk ka ë në emrin e tij, se është nga veriu). “Mundohem t’i kuptoj ata të jugut, por këta të veriut ç’kanë? Skënder Luarasi është me ë, sepse është me origjinë nga Kolonja, por Skenderbeu s’ka ë, sepse është nga veriu. Ai s’ka ë as në turqisht: Iskender Bey. Duket sikur e kanë standardizuar me ë, po a standardizohet Skenderbeu?”

Nuk po i jap shumë rëndësi kësaj ndërhyrjeje, për mua të nxituar dhe sipërfaqësore; por po më duket me interes për të hapur një diskutim rreth emrit Skënderbeu në shqipen e sotme. Për të cilin dihet që vjen origjinalisht nga Lindja, meqë është emri që ia dhanë Gjergj Kastriotit osmanët, në shenjë nderimi për bëmat e tij në fushën e betejës. Ajo “Skënder” i referohet emrit Iskander/Iskender, që është edhe forma orientale (osmane, arabe, perse) e emrit Aleksandër.

Në Perëndim, Scanderbeg u shfaq fillimisht si emri “latinisht” i heroit nga Arbëria; dhe ma merr mendja që pak përdorues e interpretonin atë -beg si titullin ushtarak osman; prandaj edhe në një numër tekstesh emri del në trajtën e ri-interpretuar Scanderberg.

E megjithatë, shqipja e sotme Skënderbeu me variantin e vet Skënderbej nuk po më duket vazhdim i trajtës osmane të emrit dhe as krijim i brendshëm i gjuhës, nga emri Skënder + titulli bej. Të kish qenë kështu, titulli do të kish mbetur veçan nga emri, dhe do të kishim Skënder Beu. Prandaj, për mua Skënderbeu është përshtatja, në shqipen e sotme, e një trajte letrare që ka qarkulluar në letrat shqipe, si jehonë a refleks e trajtës latine-mesjetare Scanderbeg, e cila në gegnishten letrare ka dhënë Skanderbeg, siç edhe ndeshet në tekstet e shkruara me variantet letrare të Veriut.

Në shqipen e sotme të njësuar, emri megjithatë përdoret në dy variante morfologjike: Skënderbe, dhe Skënderbej; i dyti më arkaik dhe i rrënjosur në toponimi, në emrin e sheshit qendror të Tiranës: sheshi Skënderbej; ndërsa e para e normalizuar, dhe e përfshirë në lakimin e emrave mashkullorë që dalin me temë në zanore të theksuar. [1]

Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se trajta e sotme e emrit Skënderbe/j/g është produkt i një procesi në thelb letrar a të gjuhës së lëvruar, që e ka pikënisjen në emrin Scanderbeg me të cilin e quante Gjergjin Europa; sikurse edhe emri i përveçëm Skënder, që përdoret rëndom në shqipe (madje edhe mes popullsive jo myslimane), i ruan lidhjet me emrin Skënderbe dhe nuk duhet të rrjedhë drejtpërdrejt nga emri Iskender i osmanishtes. Nga pikëpamja fonetike, Skënderbe i përgjigjet formës Skanderbeg të gegnishtes letrare (dhe tërthorazi, edhe Scanderbeccu të De Radës). Në çdo rast, shqipja duket se ka marrë nga gjuhët europiane formën Scanderbeg (me a); ndërsa emri Skënder është formuar në bazë të formës Skënderbej (sa kohë që nuk më rezulton të ekzistojë, në shqipe, ndonjë Skander si emër i përveçëm; dhe as Skender).

Trajtës SkEndErbeu që sugjeron – nuk di sa seriozisht – Ag Apolloni, do t’i përgjigjej SkËndËrbeu, që e dëgjon ndonjëherë në toskërishte; bëhet fjalë për trajta nëndialektore, aksidentale, mund t’i marrësh në vështrim vetëm për të kuptuar si i përballon ndonjëherë gjuha e folur sfidat fonetike. Përndryshe, po të niseshim nga dialektet, kushedi do të na duhej të merrnim parasysh edhe asimilimin e rregullt të grupit nd > n në gegnishte; por edhe shndërrimet e e-së hundore në atë dialekt; dhe më në fund, faktin që në disa nëndialekte të gegnishtes jugore përdorin formën Skëner (Skner) dhe shkurtimin përkatës Neri.

Por nuk shoh arsye që ta de-standardizojmë emrin e Skënderbeut, pavarësisht nga sugjerimi i Apollonit; dhe jo aq për shkak të nevojës për disiplinë gjuhësore, sa për hir të traditës sonë kulturore.

Sa më lart janë vetëm disa shënime të miat, të hedhura më tepër si premisat e duhura për debatin; nuk e kam studiuar këtë çështje, aq sa të mund të them gjë tjetër me siguri filologjike. Ag Apolloni, në çdo rast, mund të përdorë formën Skanderbeg, e cila e ka një histori në gegnishten letrare; ndryshe nga ajo Skenderbe e tij, që – për mua – dëshmon pikërisht si nuk duhet folur për gjuhën.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi.


[1] Shqipja standard pranon edhe beg/begu, edhe bej/beu; por kjo formë e dytë është e parregullt në sistemin e lakimit; ndërsa beg e ka problematik shumësin. Të mbahen parasysh edhe emra si skënderbegas, nxënës të shkollës ushtarake Skënderbej, ku sërish shfaqet g-ja tematike, njëlloj si te ndonjë mbiemër në onomastikë (Hysenbegasi).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.