Një libër i harruar për marrëdhëniet amerikano-shqiptare

Dr. Muhamed MUFAKU*

 

NJË LIBËR I HARRUAR PËR MARRËDHËNIET AMERIKANO-SHQIPTARE

Shqipëria dhe ShBA në arkivat e Washingtonit

Shqipëria dhe ShBA në arkivat e Washingtonit

Këto ditë organizohen aktivitete të ndryshme me rastin e 100-vjetorit të Konferencës së Paqes në Paris, e cila ishte një ngjarje jetike për shqiptarët, përkatësisht për fatin e Shqipërisë. Mu në këtë kontekst kemi një kthesë në politikën e jashtme amerikane drejt Shqipërisë, pasi që prania e presidentit amerikan Wodrow Wilson në Konferencën e Paqes kishte ndikim të madh. Si i tillë, viti 1919 ka rëndësi historike për orientimin amerikan nga shqiptarët, përkatësisht për njo-hjen e Shqipërisë dhe shkëmbimin e ambasadorëve e të tjera.

Për këtë temë me rëndësi aktuale për ditët tona, mr. Haris Silajxhiç, i cili punonte atëherë në Degën e Orientalistikës në UP, kishte paraqitur disertacionin e doktoraturës në temën “Shqipëria dhe ShBA-ja në arkivat e Washingtonit” në Degën e Historisë (UP), të cilën e mbaroi në bazë të hulumtimeve në arkivat amerikane. Më në fund, H. Silajxhiq e mbrojti me sukses disertacionin më 1985 dhe e botoi në Sarajevë në gjuhën boshnjake më 1991, pra pasi u kthye në Sarajevë dhe u bë ministër i Punëve të Jashtme (1990-1993), kurse temën e magjistraturës “Lëvizja Kombëtare Shqiptare në shtypin e Bosnjë-Hercegovinës” e botoi më 1995 kur ishte kryeministër i vendit. Libri që na intereson tani për marrëdhëniet amerikane shqiptare u përkthye në shqip dhe doli në Tiranë më 1999, pra në atë vit vendimtar për Kosovën pasi ShBA-ja luajti rolin kryesor për luftën e 1999-s për ta detyruar Serbinë që t’i tërheqë forcat e saj pas masakrave kundër shqiptarëve që u bënë në Kosovë.

Me gjithë rëndësinë që ka ky libër referencial për marrëdhëniet amerikano-shqiptare, nuk u hetua në Kosovë dhe nuk u shfrytëzua në literaturën e paraqitur në dekadën e fundit pavarësisht interesimit të shtuar për marrëdhëniet amerikano-shqiptare. Si i tillë, libri meriton të ribotohet sivjet qoftë me rastin e 100-vjetorit të Konferencës së Parisit ose me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës në saje të rolit vendimtar amerikan.

Libri në fjalë ka 231 faqe dhe përmban 25 kaptina, që përfshin një periudhë kohore prej vitit 1914 e deri në 1939, përkatësisht me mbylljen e Ambasadës amerikane në Tiranë si pasojë e pushtimit italian të vendit. Autori niset prej asaj teze të njohur se amerikanët nuk ishin aq të interesuar, në krahasim me evropianët për atë ç’ndodhte në botë. Vetëm me Luftën Ballkanike 1912-1913, përkatësisht me masakrat në Shqipërinë Jugore e me aktivizimin e mërgimtarëve shqiptarë në ShBA, filloi interesimi amerikan në fushën e ndihmës humanitare me formimin e Fondit për Ndihmë Shqipërisë më 1914 e me praninë e Kryqit të Kuq amerikan, që përfshihen krejt në 5 kaptinat e para të librit.

Kaptina 7 i kushtohet mërgatës shqiptare në ShBA që filloi në gjysmën e dytë të shekullit XIX, por u forcua në fillim të shekullit XX me formimin e “Vatrës” dhe aktivizimin e mërgimtarëve për të promovuar çështjen shqiptare në shtypin amerikan e të tjera.

Pjesa më interesante e librit, me të dhënat burimore të nxjerra prej arkivave amerikane, është ajo që përfshin kaptinat 7-13, të cilat mbulojnë Luftën e Parë Botërore (1914-1918) dhe Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920). Në fillim të dhënat për shqiptarët e Shqipërinë vinin prej ambasadave amerikane në vendet ballkanike e në Turqi, kurse me hyrjen e ShBA-së në LPB në prill të vitit 1917, presidenti Wilson formoi një ekip të madh për të gjurmuar e paraqitur raporte për popujt e Ballkanit dhe hartat e shteteve të reja nacionale pas shembjes se perandorive (austro-hungareze e osmane). Duke marrë parasysh numrin e madh të sllavëve në ShBA në atë kohë (rreth 5 milionë) dhe praninë e tyre në ushtrinë e administratën amerikane, si dhe simpatinë ndaj Greqisë, raportet e paraqitura në lidhje me shqiptarët nuk ishin shumë pozitive, ndaj më shumë preferonin copëtimin e Shqipërisë midis Greqisë, Serbisë e Malit të Zi. Vetëm me përfundimin e LPB-së dhe hapja e Konferencës së Paqes në Paris, qëndrimi i presidentit Wilson atje e kujdesi i tij për një zgjidhje të drejtë, si dhe prania e delegacionit shqiptar ndikuan në mënyrë pozitive që Shqipëria të ruajë kontinuitetin e saj si shtet me kufijtë e 1913-s. Në mesin e këtyre kaptinave është ajo që i kushtohet propozimit për “mandatin amerikan mbi Shqipërinë”, që mori hov në mesin e shqiptarëve, por nuk u realizua në fund.

Pas njohjes së Shqipërisë dhe hapjes së Ambasadës Amerikane në Tiranë kemi 11 kaptina që mbulojnë segmente të ndryshme të periudhës midis dy luftërave (1920-1939) midis Shqipërisë dhe SHBA-së. Kështu, këtu kemi një kaptinë për njohjen e hapjen e Ambasadës amerikane në Tiranë, një kaptinë për “kompanitë amerikane dhe nafta shqiptare 1922-1923”, një kaptinë për “ngjarjet e vitit 1924 në vështrimin e diplomacisë amerikane”, një kaptinë për “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika e Shqipërisë”, një kaptinë tjetër për “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria shqiptare” e të tjera.

Në mesin e këtyre kaptinave na duket më interesante kaptina e fundit, “Diplomacia amerikane dhe fundi i regjimit të Zogut”, përkatësisht për imazhin e Zogut tek amerikanët, si dhe për qëndrimin e ShBA-së ndaj pushtimit italian të Shqipërisë më 7 prill 1939.

Përfaqësia diplomatike amerikane në Tiranë, sipas autorit, kontaktonte shumë shpesh me mbretin Zog dhe në këto takime janë shënuar disa deklarata interesante të tij. Në një rast, ai është shprehur se do të jepte dorëheqjen nga froni “sikur ta dinte se nuk do të ishte më në gjendje të bënte asgjë për të mirën e Shqipërisë”. Një herë tjetër, në një bisedë me ambasadorin amerikan Bernshtajn deklaronte se “në momentin aktual Shqipërisë i duhet monarkia, kurse në të ardhmen do t’i shkonte më shumë një republikë parlamentare”, e të tjera.

Diplomatët amerikanë në Tiranë, sipas autorit, kishin vënë re se Zogu përpiqej të linte përshtypjen e një “monarku të shkolluar”. Ata e pranonin se është inteligjent, por disa deklaronin se ai “anon nga liberalizmi, por është i çorientuar në labirintet e intrigave orientale të këshilltarëve të tij”. Në këtë kontekst, ai vetë pranon se ka diçka të përbashkët me Musolinin, se ai dhe Musolini “kishin ardhur në fuqi në sajë të aftësive të tyre vetjake dhe prandaj nuk e kishin për zakon të dëgjonin ministrat e tyre, dhe në saje të këtij qëndrimi ndodhnin shpesh marrje vendimesh kokë më vete”.

Po në lidhje me Zogun pason qëndrimi amerikan ndaj agresionit italian kundër Shqipërisë më 7 prill 1939 dhe ikja e Zogut për në Greqi. Në këtë kontekst vlen të përmendet se në një bisedë me ambasadorin e fundit amerikan Grant në fund të vitit 1937, Zogu shprehu mendimin se “paqja mund të zgjasë edhe tre-katër vjet dhe se ai këtë kohë kërkon të shfrytëzojë për përparimin e shpejtë të Shqipërisë”. Në anën tjetër, ShBA-ja nëpërmjet rrjetit diplomatik të vet në Evropë kishte informata për situatën në tërësi dhe se “burimet amerikane paralajmëronin qysh njëzet ditë para, sulmet se Italia do të pushtonte Shqipërinë, por ambasadori amerikan vazhdonte të takohej normalisht me Zogun”.

Megjithatë, në takimin e fundit me ambasadorin amerikan Grant në prag të pushtimit italian më 7 prill 1939 u pa se çdo gjë po merrte fund. Në këtë takim Zogu deklaroi se “kishte kundërshtuar çdo propozim të italianëve që, direkt ose indirekt, kërcënonin pavarësinë e vendit”. Kur ambasadori Grant e pyeti Zogun nëse mendon t’i kundërvihet ushtarakisht Italisë ai iu përgjigj në mënyrë pohuese, por shtoi se ai “është i ndërgjegjshëm që ushtria e tij nuk do të qëndrojë dot gjatë”. Në fund, Grant kur e pyeti Zogun nëse ka ndonjë mesazh për Qeverinë amerikane ai iu përgjigj se “është i bindur që demokracitë e mëdha duhet të vendosin që ose të për-gatiten për konfrontim me regjimet totalitare ose të lejojnë që vendet e vogla të gëlltiten një nga një”.

Në raportin e tij për këtë takim të fundit me Zogun nga ambasadori Grant del se Zogu ishte i qetë, por i kishte thënë me hidhërim se italianët zgjodhën për fillimin e ofen-sivës pikërisht kohën kur po pritej që mbretëresha të lindte fëmijën. Grant shton se në “këtë moment pa qartë lotët në sytë e mbretit, i cili la përshtypjen e një njeriu shumë të zhgënjyer që e kishte kuptuar se ishte mashtruar keqas”.

Kështu, pa ndonjë obligim, ambasadori raportoi më 7 prill për ofensivën italiane kundër Shqipërisë, dhe ikjen e Zogut për në Greqi një ditë më vonë. Atëherë Qeveria e ShBA-së e qeveritë tjera evropiane nuk ndërmorën asgjë që ta pengonin këtë agresion. Në të vërtetë, siç konkludon autori (f. 213), jo vetëm ShBA-ja, por të gjitha fuqitë evropiane “nuk luajtën as gishtin”, siç u shpreh atëherë në shtyp perëndimor, me rastin e pushtimit italian një i pavarur e anëtar i Ligës së Kombeve prej themelimit të saj (1920).

Libri në fjalë është dëshmi e një kohe, kur Dega e Orientalistikës në Prishtinë punonte me hov, e doktorantët shkonin aq larg për hulumtime që të ktheheshin më materiale burimore për disertacionet e tyre.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

* Autori është drejtor i Institutit për Studime Orientale, Prishtinë

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.