Një lutje për Nanat e Kosovës

NJË LUTJE PËR NANAT E KOSOVËS

Hasibe Ismaili

Hasibe Ismaili (Foto e vitit 2004)

Sot në Kosovë të gjithë janë mbledhur të kujtojnë, të kujtojnë e kurrë të mos harrojnë: se pema e lirisë që lartohet çdo pranverë në qiellin e të parëve të këtij trualli, i ka rrënjët thellë, thellë, në tokën që ofshan e përkund të rënët!

Ishte 21 mars, 2004 kur e takova për herë të parë Nanë Hasiben, në Kairo, në shtëpinë e djalit të saj, Beqirit, që asokohe drejtonte agjensinë “Albapress” të Informimit për Kosovën.

 

Më kujtohet, dy shkrimtarë dhe gazetarë të njohur egjiptianë, vëllezër binjakë, të rritur jetimë e të bërë burra e njerëz të nderuar falë nënës së tyre, qenë nismëtarët e një tradite të bukur e fisnike në Egjipt: të caktimit të 21 marsit, ditës “zyrtare” të ardhjes së pranverës, si festë edhe të Nënave.
Me këtë ndjenjë nderimi e përulje për të gjitha Nënat, jo vetëm ato vendase, me një tufë lulesh të freskëta dhe shumngjyrëshe, me të cilat ishin të mbushura ato ditë të gjitha qoshet e rrugëve, vetrinat dhe dyqanet e luleve në tërë Kairon,shkova të vizitoj një nënë shqiptare, kosovare, Nënë Hasibe Ismailin, të cilën ambientet shqiptare të të gjitha moshave e njihnin dhe e quanin “Nëna e madhe”.
Nëna Hasibe priste e përcillte kurdorë njerëz Ato ditë më shumë.
.Me atë mirësinë dhe dashurinë prej nëne, të papërsëritëshme dhe aq të ngjashme e karakteristike për të gjitha nënat.U drejtohej të gjithëve me të njëjtën pyetje, të shqiptuar ngadalë e me butësi: “A keni marrë lajme nga njerëzit tuaj?”
Atë ditë Nëna Hasibe ishte tepër e trishtuar… Në sytë e zez, të lodhur më shumë se nga mosha, nga dhimbja e vajtimi ndër vite, por përsëri të bukur, i kishte mbetur i ngrirë një lot i shndritshëm. Mendova se është prekur nga vizitorët e shumtë që mbushnin shtëpinë e djalit, Beqirit, këtu në Kairo.
Por jo. Nëna ato ditë kishte dëgjuar lajme të dhimbshme nga “shtëpia” e saj, nga Kosova… Se i ndiqte ngjarjet përmes TV përherë.
Ato skena, ata njerëz me “gjakun të valë”, ato sirena të ambulancave, ato krisma armësh, ai tym nëpër shtëpi, ata “djem nënash që i dorëzoheshin dhunës e zemërimit të papërmbajtur”, e kishin tronditur fort zemrën e nënës, tashmë të drobitur e të rrënuar nga pesha e dhimbjes së madhe…
Ato ditë, ajo përkujtonte 5 vjetorin e humbjes së dy djemve të saj -Nuhi e Ismail- viktima të dhunës serbe në Fushë Kosovë.
Dhimbja e saj, e bashkuar me dhimbjen e zinë e mijëra e mijëra nënave kosovare u ngrit e u bë kala’, përmendore, në heshtjen e të cilave përulen të gjithë, i madh e i vogël. Humbja pazëvëndësueshme e bijve të kësaj nëne, përbënte, me atë të të gjitha nënave, një faltore, në shenjtërinë e së cilës, duhet të falen e të luten përunjësisht brezat.
Nuk ka ngushëllim tjetër zemra dhe thinjat e Nënë Hasibes 84 vjeçare, veçse kujdesi për jetimët e njerit djalë( që mbetën që në vogëlinë e tyre, pa nënë)dhe dëshira për t’i parë të gjithë nipat e mbesat, në Kosovë e në Kairo, të rritur, të shkolluar, “të hajrit”, të denjë për emrin e familjes Ismaili.
Nënë Hasibes ia dogjën shtëpinë më 1999 në Fushë Kosovë, ku kishte jetuar, ia shkrumbuan në mes të oborrit, me mijëra libra të djemve, ia shkretuan pajat e nuseve, folenë e nipave!
E lanë aty, në mes të shtëpisë, në mes të flakëve, në mes të kërdisë serbët, ndërsa i plaçkitnin shtëpinë dhe e shtynin me bajoneta….
Por Nëna mbijetoi, siç mbijeton shpresa mbi dhimbjen e pafund, jeta mbi vdekjen.
Ia vranë djemtë, burra e baballarë fëmijësh dhe ajo gjeti forca të jetojë për fëmijët e tjerë, për nipat e mbesat, me kusht që këta një ditë të kthehen e ta ngrejnë sërish, në pranverë, folenë e vjetër të gjyshit, të babës së gjyshit…
Por atë ditë, Nëna Hasibe. kishte një brengë në fytyrë, një dhimbje të thellë në shpirt, një alarm në zë: “Prapë do të ketë luftë në trojet tona?” – pyet ngadalë, me vështrimin të ngulur mbi ekranin e TV. “Prapë plagë e gjak, jetimë të pa shtëpi e katandi, prapë nana pa fëmijë, me duar në gji? Prapë brenga e lot nënash?” – pyet Nëna.
Dhe kur i shpjegoj se nuk do të ketë luftë, se gjakrat e ndezur janë qetësuar, se shkollat nesër do të hapin dyert, se bijtë e Kosovës do ta mbajnë fjalën e dhënë përpara botës, do ta mbajnë amanetin e të rënëve, se mendja dhe zemra dhe shpirti i fortë, i bukur dhe i pastër do të ngrihen mbi të keqen e mbi krismat e plumbave, Nëna sikur qetësohet.
“Amani, bij, -thotë ajo- u thoni djemve të mos nguten. Durimi ka qenë arma jonë ndër shumë e shumë vite. Pse kemi parë e vuajtur shumë, na duhet të matemi më shumë. Për hir të tokës që është larë me gjak ndër breza, për hir të atij vendi të bekuar, për hir të atyre bijve që dhanë jetën për të na dhënë lirinë, për hir të të gjitha nënave që jetojnë për ata e me kujtimin e tyre”! “Për hir të jetës së njomë të këtyre fëmijëve sot që ia shkretuan shpirtin nënave të tyre në Mitrovicë e në tërë Kosovën!
Amani, bij! Gjynah prej Zotit të ketë ende zi’ në Kosovë!””
Lutej e përgjërohet Nënë Hasibe..
Se kishte bij të tjerë në Kosovë. Se kishte nipa e mbesa që dëshironte t’i shohë të bëhen prindër në Kosovë .Edhe nipa jetimë që uron të kthehen, të shkolluar e të mbarë, në Kosovë. Sërish, në shtëpinë e tyre. Ta ndërtojnë folenë e tyre të re, në rrënojat e shtëpisë së gjyshërve.Ashtu siç e ndërtojnë çerdhen zogjtë në pranverë . …
“Dhëntë Zoti –thoshte Nëna-që dhe unë të kthehem e të vdes në Kosovën time, të bukur, të lirë, fisnike, t’i mbyll sytë e të mos shoh më luftë e zi, të mos ndjej më ofshama nënash si sot, por të shkoj e qetë se kam lënë pas paqe, mirësi e ardhmëri!”
Tri pulëbardhave ende të parritura, iu këputën flatrat në Mitrovicë ato ditë marsi të vitit 2004. Tre bisqe të njomë u shkëputën nga pema e lirisë, tri zemra u shkulën nga krahërori i nënave dhe gjithë Kosova ndjeu dhimbje rrënqethëse.
Dhe ne në Kairo, u tronditëm, u ligështuam, u përlotëm dhe me mendje e zemër u ndodhëm aty, ku vaji e dhimbja, e ndali për pak çaste, ligjërimën…
Nesër,pasnesër, të tjera pulëbardha do të dinin të marrin fluturimin me flatrat e lirisë, me vështrimin përpara, vetëm përpara, drejt lartësish e sfidash të kohës.
Dhe ai lot i bukur në sytë e Nënë Hasibe Ismailit më dukej si vesa mëngjesore e luleve në pranverë, një vesë dhimbjeje dhe shprese, për një ditë të re, me diell e me paqe për të gjithë.

Kanë kaluar tashmë 13 vjet kur e takova për herë të parë, Nënë Hasiben.
Shkova ta takoj sërish këto ditë, sërish në shtëpinë e djalit, Prof. Dr. Beqir Ismailit, por kësaj radhe në Kosovë, në Fushë Kosovë. Banonte në një apartament të ri, të një pallati disakatësh, të ngritur këto vite,fare pranë rrënojave të shtëpisë së madhe të familjes Ismaili, që u shkrumbua e rrënua krejt në marsin e tmerrshëm të 1999.

Në Fushë Kosovë, atë ditë u përkujtua 18 vjetori i masakrës serbe, pra dhe i vrasjes mizore të dy djemve të Nanë Hasibes. Ky ishte rasti për t’u mbledhur rreth saj, si dikur, në Kairo, bashkë me familjen e saj, të rritur e shumuar sakaq me nuse të nipave e me vocrrakë, filiza të rinj të familjes Ismaili.
Nanë Hasibja dergjej në shtrat, e përhumbur mes mjegullës së 97 vjetëve të saj, e rrethuar nga dashuria, kujdesi i madh e prekës i bijve, nipërve e mbesave, të afërmve e dashamirëve të shumtë, që i mbushin shtëpinë dhe nuk e lenë të ndahet prej tyre.
I fola Nanës, i mora dorën e bardhë e të lodhur, e përqafova me dhimbsuri,e ledhatova. Si dikur… M’u duk sikur një çast doli nga mjegulla e përhumbja dhe më njohu. Më buzëqeshi lehtas, siç dinte të buzëqeshte vetëm ajo, siç e kam fiksuar në mendje e zemër, gjithë këto vite. Në heshtje, iu drejtova lutjes së saj të 13 viteve të shkuara, kur shkrova për të.

Me një lutje tjetër, prej bije: që Zoti t’ia ruajë të paprekur amanetin prej Nane!
Që fëmijët e saj, qytetarë të nderuar të Kosovës, bijtë e tyre, bijtë e nipat -e bijve të vrarë mizorisht 18 vjet më parë, në prag pranvere- që tashmë janë bërë burra e kanë krijuar familje të tyre, foletë e tyre, fare pranë shtëpisë së rrënuar nga dora vrastare e gjakatare serbe, që e gjithë familja Ismaili, si e gjithë Kosova, të kujtojnë, të kujtojnë e kurrë të mos harrojnë: se pema e lirisë që lartohet çdo pranverë në qiellin e të parëve të këtij trualli, i ka rrënjët thellë, thellë, në tokën që ofshan e përkund të rënët!
Në zemrën, mendjen, shpirtin e të gjithë qytetarëve të Kosovës së lirë e fisnike!
Bekuar jeta,vepra, mirësia e shpirtmadhësia jote, Nanë Hasibe! Ti do të jetosh edhe 100, 200, 1000 vjet, në dinjitetin e çdo Nane që rrit bij për Vendin, për lirinë e ardhmërinë e brezave, për pavdekësinë e të rënëve!

Vjollca Lisi
Fushë – Kosovë, më 27 Mars, 2017

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top