NJË MARIFET ME LISTA

Te një op-ed në “Panorama”, kushtuar kulturës së shtirë të Edi Ramës, Fitim Zekthi e qorton kryeministrin për gjithfarë mangësish në formimin e tij të përgjithshëm, duke vërejtur, ndër të tjera, se retorika e tij është e mbushur me batuta nga filmat e socrealizmit të Kinostudios dhe se, nëpërmjet këtyre, ai njeh edhe historinë e Shqipërisë.[1] Fitim Zekthi pastaj vazhdon:

Ai nuk e njeh historinë e Shqipërisë nga librat, nuk e njeh nga punimet e profesor Ferit Dukës, prof. Nevila Nikës, prof. Dritan Egros, prof. Muharrem Dezhgiut, prof. Kasem Biçokut, prof. Afrim Karagjozit etj. Ai nuk e njeh historinë e Shqipërisë nga punimet e Marin Sirdanit, Branko Merxhanit, Tajar Zavalanit, Vangjel Koçës etj.

Nuk dua të merrem këtu me marrëdhëniet e Ramës me produktet e Kinostudios “Shqipëria e Re” – edhe pse tema kërkon vëmendje. Dua thjesht të ndalem te lista e historianëve që, sipas Zekthit, duhej t’i kish lexuar Rama, për të kompletuar formimin e tij të përgjithshëm, si qytetar, burrë shteti dhe intelektual.

Kanë thënë, për shumerët, se krejt dijen e tyre e përcillnin nëpërmjet listave – jo propozitave (p.sh. historia e familjeve mbretërore nëpërmjet gjenealogjive, etj.). Sot e kësaj dite, në shumë kultura, përfshi edhe tonën, listat janë mjet i preferuar për të fiksuar dhe përcjellë hierarkitë, kanonet dhe autoritetet përkatëse. Lista Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha ka kuptim dhe domethënie tjetër nga lista Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama. Të organizuara sipas kundërvënieve të thjeshta, të tipit prani/mungesë (1:0), dhe sipas sistemesh elementare të renditjes njëpërmasore (kahu), listat shprehin me efektshmëri të madhe raportet të pushtetit (autoritetit) dhe të suksesionit, në kontekste specifike dhe, jo rrallë, edhe performative.

E tillë më duket edhe lista e Zekthit, e cila – pa bujë – e revolucionon krejt kanonin historiografik shqiptar. Studiues si Ferit Duka, Nevila Nika, Dritan Egro, Muharrem Dezhgiu, Kasem Biçoku, Afrim Karagjozi; ose të mëhershëm si Marin Sirdani, Branko Merxhani, Tajar Zavalani, Vangjel Koça spikatin a kanë spikatur në fushat e tyre dhe kanë dhënë kontribute të vyera; por më duket i pashmangshëm dyshimi nëse janë pikërisht këta autorët e kanonit, ose ata që duhen lexuar me përparësi – nga Edi Rama dhe kushdo tjetër me ambicie intelektuale qytetare – për të formuar nocione të shëndosha në lëmin historiografik.

Më e pakta që mund të thuhet, është se lista e Fitim Zekthit është alternative; ku spikatin sidomos emrat që janë lënë jashtë. Meqë nuk po dua të filloj edhe unë me listat e mia, po mjaftohem të vërej se asnjë nga këta autorë nuk mund të konsiderohet si parësor për historiografinë shqiptare; madje ata vetë, jam i bindur, do ta gjenin një cilësim të tillë të ekzagjeruar (çfarë do ta zhvlerësonte edhe më paraqitjen e tyre si të kanonit). Punimet e tyre, të respektueshme dhe kompetente, nuk mjaftojnë “për të njohur historinë e Shqipërisë” – madje as edhe do të bëheshin të mundura, pa kontributin e atyre historianëve, shqiptarë dhe të huaj, që u kanë paraprirë dhe që kanë vënë themelet e historiografisë shqiptare dhe që Fitim Zekthi i ka lënë – besoj jo nga padija – jashtë listës.

Prandaj lista në fjalë revizionon; dhe e bën këtë tinëzisht. Nuk i rrëzon autorët e kanonit historiografik nga piedestalet, por thjesht i zeron; dhe i zëvendëson me të tjerë, si pa u ndier. Unë e kuptoj që kanoni mund të të zërë ndonjëherë frymën; dhe që historiografia shqiptare jo rrallë është ndikuar nga ideologji ekstreme, si enverizmi ose edhe nacionalizmi; por edhe lista e re e Zekthit e sjell një kanon, sado alternativ, me vete; dhe ky kanon njëlloj mund të imponohet.

Nuk di çfarë i bashkon pikërisht emrat që ka sjellë autori i shkrimit te “Panorama”, edhe pse kam përshtypjen që të gjithë këta e kanë sfiduar kanonin e tanishëm akademik, secili në mënyrën e vet. Historiografia shqiptare ka nevojë për ajrim, sikurse ka nevojë edhe për pluralizëm. Por, dhe prandaj, Ferid Duka dhe Kasem Biçoku nuk mund të shtyjnë jashtë kanonit Kristo Frashërin, Pëllumb Xhufin dhe Aurel Plasarin, sa për të mbetur në kategori. Nëse kjo ka lidhje me shijet dhe prirjet ideologjike të Zekthit, sërish nuk e di. Nga autorët e tjerë, Tajar Zavalani ka shkruar gjëra kompetente, por vështirë se mund ta meritojë listën para, bie fjala, një Bernd Fischer-i, një Alain Ducellier-je ose një Oliver Jens Schmitt-i (ky i fundit, madje edhe pa veprën e tij kontroversiale për Skënderbeun).

 

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet kopjimi. Shkelësit do të ndiqen ligjërisht.


[1] Do t’ju lutesha që të mos diskutoni për kulturën e përgjithshme të Ramës, në komentet; ajo temë është e shkrimit të Zekthit, jo e shkrimit tim. Le t’i mbajmë gjërat të ndara, për hir të arsyes.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top