NJË PIKTURË – SA NJË JETË

nga Teuta Toska

(për një lexim të “Dy rrugë” të K.Idromenos) 

Në Galerinë Kombëtare të Arteve këto ditë mund të marrësh pjesë në një ngjarje të rrallë kulturore: ekspozita e njërit prej piktorëve më të mëdhenj të pikturës shqiptare, Kolë Idromenos. Të jepet mundësia që ato kryevepra aq të njohura, të cilat i sheh aq shpesh në libra shkollorë, guida turistike, pulla poste, fletëpalosje veprimtarish dhe në internet në imazhe me cilësi të mirë ose jo, të mund t’i shikosh nga afër, të dallosh përmasat e vërteta të pikturës, ngjyrat e vërteta, penelatat, dritëhijet, mijëra hollësi mjeshtërore të padukshme nga ekrani i teknologjive të ndryshme. Kështu, ke mundësi të jesh përballë krijimit në marrëdhënien e vet më të mirë: ti, vepra e artit, hapësira ku ajo rri dhe autori si mosprani, por me gjurmën e vet.

Më interesuan veçanërisht në këtë ekspozitë pikturat dhe skicat që kishin një përmbajtje fetare, të krishterë. Është fort e rrallë në pikturën shqiptare të kemi subjekte të tilla, të konceptuara për të dhënë një mesazh etik fetar. Në 4 prej tyre subjekti biblik (a i krishterë, a katolik) është fare i qartë. Flasim për “Dy rrugë[1]”, “Kur hyn dreqi në shtëpi”, “Betimi në rrenë” dhe një “Skicë për tablo”. Këto imazhe herë krijojnë pamje nga Vendi i Dënimit të Përjetshëm (“Betimi në rrenë” dhe “Skicë për tablo”), herë janë shfaqje e realitetit të padukshëm shpirtëror a frymëror, i cili ndodh përkrah realitetit të dukshëm prej të gjithëve në këtë botë, para vdekjes së njeriut. Për shembull, te “Kur hyn dreqi në shtëpi” po përshkruhet, sipas meje, një skenë ekzorcizmi[2]: piktori “na hap sytë” për të parë atë që ndodh përtej asaj që mund të shohim me sytë fizikë në realitet, na shfaq të dukshmen dhe të padukshmen[3]: gruaja e lebetitur duarmbledhur nga tmerri, një fëmijë i tmerruar edhe ai, që i kapet tek beli; një grua tjetër, në gjunjë, e tmerruar edhe ajo, me lot në sy. Që të dyja shohin të demonizuarin, d.m.th. njeriun e pushtuar nga demonët. Ngjyra e lëkurës së trupit të tij është e njëjtë me atë të demonëve. Edhe figura e priftit, me kryq në dorë dhe me shikimin lart në qiell, duke u përgjëruar në lutje, i përket realitetit të dukshëm. Ndërsa 7 figurat e tjera që popullojnë pikturën janë shfaqje e shpirtërores së padukshme. Engjëlli në të bardha, në krah të priftit, që me njërën dorë ka kapur të demonizuarin dhe me tjetrën tregon qiellin. 6 figurat e tjera janë shpura e Dreqit: ngjyer në të zezë, në kafe të errët, jeshile të errët – (1) Vdekja me kosë në njërën dorë dhe në tjetrën një sahat xhepi; (2) një demon që shënon me gisht në një libër (Librin e veprave të liga); (3) një tjetër që mban në dorë një qese me para, gjerdan fishekësh dhe pushkë; (4) një qenie demoniake fare afër kokës së të demonizuarit, që tregon me gisht nga gruaja dhe fëmija; (5) një qenie tjetër demoniake me kokë qeni, që tregon edhe ai me gisht nga gruaja dhe fëmija, si për të treguar arsyen e dënimit (6) një dragua, që mban lidhur me zinxhir personazhin kryesor të tablosë në qendër të saj: të demonizuarin.

E njëjta gjë ndodh edhe te “Dy rrugë”, pikturë tek e cila dua të ndalem. Kjo pikturë më ka interesuar posaçërisht sepse është një rast i përveçëm në historinë e pikturës shqiptare, ku kemi një bashkim kaq të fortë, një “martesë” kaq të qartë dhe me ngarkesë kaq të madhe estetike mes shqiptares dhe simbolikës së krishterë, biblike. Autorë të ndryshëm kanë lexuar dhe analizuar në këtë pikturë elementet artistike, estetike, etnografike, historike, fetare, të mjedisit historik dhe gjeografik shkodran etj. Por, pavarësisht nga tipologjitë e ndryshme të leximeve dhe interpretimeve, desha të qëndroj tek leximi më i dukshëm, më i qartë edhe kryesori i kësaj pikture, dhe, duke qenë një njohëse e mirë e tekstit biblik, desha të rendis simbolikën biblike që qëndron pas zgjedhjeve të subjektit të Idromenos, dhe për rrjedhojë të bëj një lexim thuajse etik.

Nuk synoj ta shteroj këtë lexim, edhe pse mendoj se vepra e artit në thelb është një enigmë, një mister i bukur, e cila të magjeps pikërisht edhe prej procesit të zbulimit të saj, që mund të jetë gjithnjë i ndryshëm, në secilën prej shtresave të saj (niveleve të tekstit) dhe se misteri i saj është pjesë e qenësisë estetike të saj.

Realiteti që përshkruhet këtu është ai tokësor, i kësaj bote, ndodhte atëherë dhe ndodh edhe tani. Në pjesën më të madhe të sipërfaqes së pikturës nuk është Ferri e Parajsa, Qielli apo Gropa e Zjarrit. Idromenoja po na “hap sytë” për të parë realitetet e padukshme të së përditshmes, ashtu si ndodh me ngjarjen që rrëfehet tek 2 Mbretërve 6:17, kur profeti Elise u lut që Zoti të hapte sytë e shërbëtorit të vet. “Atëherë Zoti ia hapi sytë të riut dhe ai pa; dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta rreth e qark Eliseut”.

Ajo shpalos përpara nesh një realitet të padukshëm, një realitet shpirtëror, ku ndodh lufta mes Perëndisë dhe Djallit, e zbërthyer edhe në prani të engjëjve dhe demonëve; një realitet ku shfaqet dukshëm kontrasti mes së mirës dhe së ligës me skena që i paraqesin njerëzit në vepra të së mirës, në virtyte të krishtera, dhe në skena që rrëfejnë vepra të së ligës, mëkate. Në disa prej këtyre skenave të së keqes njerëzit shoqërohen nga demonë, në ato të së mirës prej engjëjve (edhe pse në rrugën për parajsë shfaqet aty-këtu ndonjë demon).

Piktura është konceptuar si një tekst i përbërë nga shumë mikrotekste, ose si një tablo me shumë nëntablo ose skena brenda saj. Një skenë paraqet një ose disa personazhe dhe rrëfen (inskenon) kryesisht një mëkat ose virtyt. Secila prej skenave është një mikrobotë, një tablo më vete. Kam numëruar 17 skena në rrugën e parë dhe 17 në të dytën.

Ndryshe nga pikturat e tjera të famshme të Idromenos, në këtë pikturë ka shumë lëvizje. Edhe kur personazhet e shumta të saj janë duke qëndruar, ata janë të përfshirë në tërësinë e lëvizjes që e dallon të gjithë panoramën e cila shpaloset përpara nesh. Shikuesit të tablosë i duhet të lëvizë në çdo centimetër të saj për të përfshirë dhe për t’u përfshirë në ngjarjet që rrëfehen aty. Edhe këtë nuk mund ta perceptosh nga ekrani i asnjë mediumi. Duhet të jesh përballë saj. Të lëvizësh ti kësaj radhe. Jemi përballë një pikture me kaq shumë narrativë.

Siç edhe mund të kuptohet nga titulli që kanë zgjedhur për pikturën, makrostruktura e saj na paraqet dy rrugë, ose më mirë një rrugë që gjarpëron përpara nesh, por me dy drejtime: që shkon në ferr, që e ka drejtimin për poshtë, në thellësi të tokës, edhe që shkon lart në qiell, në parajsë, me drejtimin për lart. Tek Fjalët e Urta 15:24 shkruhet: “Njeriun e matur rruga e jetës e çon lart në mënyrë që të evitojë Sheolin poshtë”.

Kundërvënia topologjike në pikturë lart-poshtë i përgjigjet kundërvënies biblike lart-poshtë, edhe asaj etike mes së mirës dhe së keqes. Lart është rruga për në mal: vendi ku njeriu ka takuar Zotin në Bibël, dhe ku Krishti ka marrë për një çast Natyrën e Vet Hyjnore (në Malin e Transfiguracionit, në praninë e Pjetrit, Jakobit e Gjonit). Lart është qielli, nga ku Krishti u mor dhe do të vijë. Poshtë për kundërvënie është i Ligu dhe vendi i tij, Sheoli, Hadesi, Ferri.

“Rruga” a “rrugët” është një metaforë aq e pranishme nëpër gjithë tekstin biblik. Bibla herë flet vetëm për një rrugë dhe herë për dy rrugë. Rruga, ajo e vetmja është e dallueshme, e shquar, në kuptimin e vetë jetës, zhvillimit të saj, bashkimit që ndodh mes ekzistencës së njeriut dhe kohës që kalon, e lidhur me mënyrën se si ai “lëviz” moralisht në këtë qenësi të tij. Ajo e duhura edhe e vërteta është Krishti, edhe ai njëjtësohet me këtë rrugë. Te Gjoni 14:6 ai thotë: “Unë jam udha…”.

Por Bibla flet shpesh për dy rrugë: rruga e mirë, rruga e jetës dhe, nga ana tjetër, rruga e së keqes, rruga e vdekjes. P.sh. tek Jeremia 21:8 shkruhet: “Dhe këtij populli do t’i thuash: Kështu thotë Zoti: Ja, unë vë para jush rrugën e jetës dhe rrugën e vdekjes.”

Por teksti që e ka formësuar pikturën në tërësi është, sipas meje, ai që lidhet po me një thirrje të Krishtit. Tek Ungjilli sipas Mateut 7:13-14, në atë që njihet si Predikimi në Mal (edhe te Luka 13:24) Jezusi po u flet dishepujve, por edhe turmës që ka përballë: “Hyni përmes derës së ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e hapur është udha që të çon në humbje, edhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Sepse e ngushtë është dera dhe shtrënguar është udha që çon në jetë. Dhe pak janë ata që e gjejnë!”.

Krishti po flet për një vendim moral që njerëzit e marrin në këtë botë. Pra, nuk jemi ende as në ferr apo në parajsë. Dyert janë pjesë e kësaj bote, edhe pse të padukshme[4]. Autorët e ndryshëm që kanë shkruar për këtë pikturë flasin për “një frymëzim dantesk të Idromenos”[5]. Por Dantja rrëfen në Komedinë Hyjnore një udhëtim brenda në Ferr dhe në Parajsë. Skenat e përshkruara nga Dantja janë ato të strukturës së Ferrit e Parajsës. Te “Dy rrugë” skenat qendrore janë jashtë dy Vendmbërritjeve të Fundit të njeriut.

Simbolika e këtyre dy vargjeve nga Mateu na bën të kuptojmë makrostrukturën zotëruese të kuadrit që ka dashur të na japë Idromenoja, dhe mbi të cilën ka vendosur narracionin dhe narracionet e tij: dera e gjerë, udha, njerëz që hyjnë nëpër të, dera e ngushtë, udha e “shtrënguar” dhe njerëz të paktë që ecin nëpër të. Kemi në këtë pikturë metafora biblike që bëhen realitet, ose më mirë që merren si mjete për të na paraqitur të vërtetën dhe për të na shpjeguar realitetin.

Dy dyert janë vendosur aq afër njëra-tjetrës në pikturë. Afërsia e tyre ndriçon kontrastin e madh mes tyre. Dera e hyrjes për në ferr është e gjerë, një strukturë arkitekturore madhështore, një ngrehinë e zezë, si një hark triumfi, me dekore force (figurat e demonëve që e qarkojnë atë, të vendosur në qëndrim gati për sulm) dhe fitoreje (3 flamujt e kuq dhe kurorat me lule).

Në këmbët e saj ka hare e gëzim dhe vargonj njerëzish që shtyhen për të hyrë. Vargu i njerëzve vjen nga dy drejtime: zbresin nga lart dhe vijnë edhe nga prapa portës. Dera tjetër, ajo e ngushta, është një ndërtim i thjeshtë prej guri. Duket e bardhë. Më fort se një derë, përngjan me një altar gurësh. Hyrja e saj është aq e ngushtë, sa mund të hyjë vetëm një njeri dhe ky mund të kalojë nëpër të vetëm trupin e tij: asgjë tjetër s’mund të mbartë. Mbi këtë ndërtim të thjeshtë është një kryq. Dera, kjo derë që shpie në qiell është një figurë e Krishtit. Ai ka thënë te Gjoni 10:9: “Unë jam dera”. Kryqi i thjeshtë mbi të duhet ta kujtojë shikuesin e pikturës se hyrja nëpër atë derë është përmes Krishtit.

Dy njerëz që i janë drejtuar derës së ngushtë kanë mbi supe nga një kryq: një grua e mbuluar që ndodhet në prag dhe një burrë që bëhet gati të hyjë. «Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ”Në qoftë se dikush do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.» (Mateu 16:24)

Marrja e kryqit dhe ndjekja e Krishtit, drejtimi për nga Ai është një simbolikë që na shoqëron përmes Rrugës së Mirë. Ua shohim kryqin qartë dy prej tyre, të cilët janë ndalur dhe e kanë lëshuar ose po bëhen gati ta lëshojnë përtokë. Këta dy udhëtarë të lodhur kanë afër një demon që po i nxit ta lëshojnë ose të kthehen mbrapsht. Madje, duket se në këmbët e demonit dhe të burrit që ka lëshuar tashmë kryqin e vet fillon një shteg që të nxjerr në udhën e gjerë që çon në ferr.

Ky shteg është si figurë e një mësimi etik se gjithnjë ka rrezik ta braktisësh Rrugën e Mirë, të kthehesh është gjithnjë e lehtë. Ky shteg është edhe barra e rëndë e gjendjes së lirisë që njeriu e gëzon në këtë jetë: lirisë për ta zgjedhur e ndryshuar kurdo e deri në vdekje drejtimin e jetës së vet.

Kryqi duket edhe tek tre udhëtarë që janë fare afër hyrjes për në qiell, fitimtarët, dhe sigurisht një kryq i madh, kryqi i Tij, e dallon Birin nga Ati në mes të Kupës Qiellore.

Peizazhi i Rrugës së Jetës është shkëmbor dhe udha e ngushtë, e zhveshur dhe e vështirë. Vetëm një pemë shfaqet nëpër itinerarin e saj. Ndërkohë që Rruga e gjerë që shpie në ferr është e gjelbëruar dhe madje duket edhe një pyll i dendur, për ta bërë edhe më të kënaqshëm dhe sugjestionues peizazhin. Kuajt, këta shoqërues të njeriut në udhëtime të gjata, kanë ndalur për të pushuar pak nga lodhja e udhëtimit. Kali në Bibël është kafsha që njeriu përdor në luftë. Në këtë udhë të ngushtë, njeriu gjendet në një betejë të padukshme me të ligën. Ka një ndryshim mes kuajve të peizazhit lart, me peizazhin poshtë. Ata poshtë kanë nga një kalorës në shpinën e tyre. Një kalë i bardhë kokulur dhe një kalë gri ecin krah për krah njëri-tjetrit. Kuajt duket se ecin me pahir nën komandën e zotërinjve të tyre.

Kafshët e tjera që shfaqen në peizazhin lart janë delet, të cilat u kundërvihen cjepve që duken afër hyrjes për në ferr. Madje nga pas dy cjepve një njeri po i shtyn ata drejt Zjarrit. Delja është simbol i besimtarit në Bibël, ndërsa cjapi figurë e jobesimtarit, kjo nga një tekst tek Mateu 25:31-33 “Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet. Dhe të gjitha kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë. Dhe delet do t’i vërë në të djathtën e tij dhe cjeptë në të majtën.”

Qentë, gjithashtu, janë kafshë që në Bibël konsiderohen si figurë e jobesimtarit, paganit, të pëgërit[6]. Një tufë me 3 qen i kanosen një malësori me pushkë që ka në krah një tjetër malësor kokëmbuluar, dhe një tjetër qen i zi ka zhytur turirin në shkurren përballë kësaj skene. Ndërsa qeni që duket në Rrugën e Jetës pushon i qetë në këmbët e zotërisë së vet, që po bekohet prej një fëmije në shoqërinë e një engjëlli.

Në qendër, lart, në mes të një qielli me re shtëllungore të zeza shfaqet e bardhë parajsa, poshtë, në qoshe të pikturës, në të djathtë është Ferri, si një hapësirë me flakë zjarri ku qëndron në mes Djalli krahëhapur. Nga flakët e kuqërreme të zjarrit duken koka njerëzish në vuajtje. Është “furra e zjarrit” (Mateu 13:42) ose “liqeni i zjarrit” (Zbulesa 20:14).

Qielli hapet dhe ne kemi mundësi të shohim si e mendon Idromeno parajsën: e populluar nga Zoti dhe shenjtorët, kemi po ashtu trinitetin, me Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë në trajtën e një pëllumbi në mes të qiellit të hapur (si te Luka 3:21-22). Nga pëllumbi dalin rrezet që e bëjnë atë qendrën e energjisë hyjnore. Ndër figurat e para që shfaqen të ulura në parajsë studiuesit kanë dalluar 4 ungjilltarët, sipas objekteve simbol që mbajnë në dorë (nga një libër dhe në këmbët e tyre një shqiponjë, një luan etj). Në këmbë janë engjëjt mikpritës dhe Maria dhe Jozefi, ndërsa mijërat e mijërave që popullojnë qiellin janë të ulur, në prehje.

Piktura nuk duket se jep ndonjë lëndë a të dhënë historike: dhe është e natyrshme – ka për subjekt një temë të përjetshme. Edhe prania e piktorit në një grup miqsh që po zbaviten të ulur, me violinë në dorë, nuk duket se ka si qëllim t’i japë pikturës kontekstin historik.

Duke qenë se tema e pikturës është gjykimi etik për jetën njerëzore, nuk mund të mungonte aty vetë autori, me një prani të dytë të tijën, përveç asaj së parës me “gjurmën” e tij – e gjithë piktura. Kësaj here prania e Idromenos është e dukshme. Prania e parë lidhet me thelbin e tij, piktorin, e dyta me një nga dukjet e jetës së tij: kënaqësitë e tij të paspunës. Është si një kundërvënie mes qenies së tij dhe pasioneve të tij të fshehta. Ndoshta duke i rrëfyer kështu në publik, po bën aktin e gjykimit të jetës së vet, e kështu aktin e pastrimit.

Por, sipas meje, e vetmja e dhënë historike, që i vendos krejt ngjarjet në një kohë dhe hapësirë të caktuar, që e merr pikturën nga tema e saj e pakohësisë, përjetësisë, dhe e hedh në një kohë dhe hapësirë të caktuar, është prania e një çifti fare të ndryshëm në veshje e dukje nga gjithë popullata e pikturës. Ky çift afër derës, me qëndrimin gati të hyjnë në derën e gjerë është, siç edhe dihet tashmë, Edit Durhami, e shoqëruar nga një zotëri francez a anglez[7].

Vendosja e këtyre figurave është një çelës për të marrë një mesazh tjetër nga ai i dukshmi, ai i drejtpërdrejti, nga mesazhi fetar. Hyrja e tyre nëpër këtë derën e gjerë, që përkon me ardhjen e tyre në Shqipëri, duket se i jep pikturës një kontekstualizim të plotë: dera e gjerë dhe rruga për në ferr, bëhet hyrja për në Shqipëri, dhe e gjithë panorama e rrugës për në ferr është një Shqipëri në miniaturë.

Në këtë pikë, piktura jo vetëm merr funksionin e një shpalljeje të një mesazhi etik, fetar, një ungjilli të paraqitur përmes paraqitjes me imazhe reale të metaforave, virtyteve, mëkateve, veseve, urdhërimeve, të cilat bëhen ngjarje në këtë pikturë, një realitet i shpirtërores, një “zbulesë”. Por autori po bën edhe një gjykim tjetër që lidhet me vendin e tij: Shqipëria ishte një vend i drejtuar në rrugën për në ferr në kohën kur Perandoria Osmane ishte duke u shpërbërë.

Kolë Idromeno, përveçse na jep një mesazh etik të krishterë, realizon një vepër arti, e cila mund të lexohet në mënyra të ndryshme në kohë të ndryshme: ajo mund të lexohet njësoj sot, për shkak se mesazhi etik i krishterë ka natyrë të pandryshueshme, mund të lexohet si shenjë e kohës së vet: te veshjet, personazhet, qëndrimet, dukjet, sjelljet e tyre, peizazhi etj.; por për shkak të shumësisë së pashembullt të skenave që përmban brenda një skene të madhe, ajo mund të bëhet objekt i shumë leximeve të tjera. Ekspozimi i saj dikur në Muzeun Ateist të Shkodrës tregon për fuqinë interpretuese të saj, shumëllojshmërinë e qasjeve estetike që mund të marrë shikuesi, mbi të gjitha për magjepsjen dhe soditjen (etike-estetike) që shkakton sa herë je para saj. Flet, gjithashtu, edhe për udhët e pahulumtueshme të Providencës Hyjnore, që nuk e lë Veten pa dëshmi pikërisht aty ku duket e pamendueshme, në vendkultin e mohimit të Tij.

 

(c) 2019, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Ose “Rrugët e jetës”.

[2] https://en.wikipedia.org/wiki/Exorcism_in_the_Catholic_Church

[3] Për një rast të ngjashëm në pikturë shiko “Shën Françesku i Borxhas në shtratin e vdekjes së një të papenduari” i Francisco Goya-s http://www.artchive.com/artchive/G/goya/goya_borja.jpg.html

[4] Besi Bekteshi shkruan se këto dy porta janë: “…porta e purgatorit e cila është e vogël, në krahasim me portën e ferrit që është gjigante dhe tipizuese si diçka turke.”, gjë që s’mund të jetë e vërtetë, sipas interpretimit biblik të vargut. (Guximi i rilindasit Idromeno, në kryeveprën “Dy rrugët e jetës, Postuar: 20/10/2013)

[5] Eleni Laperi («Kolë Idromeno – i pari i tragjedisë së pikturës realiste shqiptare» dhe «‘Dy rrugët’ si çlirimi i Kol Idromenos»), Besi Bekteshi (tek artikulli i cituar më sipër); Suzana Varvarica Kuka («“Dy rrugët” e Idromenos: Të mahnitesh, por edhe të dyshosh»). Të gjithë artikujt lexohen në internet.

[6] Tek Filipianëve 3:2 Pali shkruan: “Ruhuni nga qentë, ruhuni nga punëtorët e këqij, ruhuni nga të prerët”. Tek Zbulesa 22:15 ndërsa tregohet se cilët do të mbesin jashtë Qiellit dhe pranisë së Zotit, shkruhet: “Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe kushdo që do dhe zbaton gënjeshtrën”.

[7] Studiuesit e përmendur më lart thonë se ai është Konsulli francez në Shkodër Aleksander Degrand. Ndoshta bëhet fjalë për H.W.Nevinson-in, një korrespondent britanik gjatë Luftës së Parë Botërore. Sevastia shkruan në “Kujtimet e paharruara”, botuar në “Yll’i mëngjesit” në 1917 dhe rrëfen për ngjarjet e Luftës së Parë Ballkanike (1912). “Kur i afronem portës, ç’të dëgjonj? Disa njerëz që flasin anglisht. Më një grimë herë, furtuna e brendëshme zu të qetësohet. Pyes cili është? Dhe kur u sigurova se zëri ishte zë gruaje, hapa portën dhe ç’të shoh? Miss Durham dhe zoti H.W.Nevinson, miqtë e mij të vjetër!” Durhami nuk ka udhëtuar vetëm, apo jo?

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.