NJË SKANDAL QINDVJEÇAR

Illiers-Combray është një komunë franceze që nuk është quajtur gjithnjë kështu. Deri në vitin 1971 ajo njihej thjesht me emrin Illiers. Në fëmijërinë e tij Marcel Proust-i ka kaluar aty shumë kohë, te tetoja e tij Elisabeth Proust-Amiot (teto Leonija). Në kujtimet që ai do të sjellë te Du côté de chez Swann (vëllimi i parë i “A la recherche du temps perdu), ky vend del me emrin Combray. Në vitin e largët 1971, komuna vendosi që emrin fiktiv të kujtimeve të autorit t’ia bashkojë emrit të saj të origjinës. Sot, në çdo dokument dhe hartë ajo quhet: Illiers-Combray. Nuk di të ketë një rast të tillë të dytë.

Në kërkim të Marcel Proust-it

Për një ceremoni të tillë ripagëzimi viti 1971 u zgjodh sepse përkonte me qindvjetorin e parë të lindjes së Proustit, Por këtë vit, 2019, kemi një qindvjetor tjetër, atë të dhënies  së çmimit Goncourt. Nga 11 deri më 19 maj në Illiers-Combray do të zhvillohet një numër i madh aktivitetesh, si vizita në Château de Villebon (që te romani Në kërkim… del me emrin Guermantes), do të përshkohet një itinerar ku vizitorët do të ndjekin gjurmët e autorit, ndërkohë që aktorë të njohur do të lexojnë pjesë nga romani ku përshkruhen pikërisht këto vende, do të kalohet në  Méréglise, pastaj është parashikuar një ndalim në Tansonville, ku mund të shihet prona e Charles Swann dhe ku, siç thonë organizatorët mund të imagjinohet një takim me Gilberte-ën (emra këto që i njohin mirë lexuesit e veprës së Proust-it ), por në asnjë rast pa lënë pas dore edhe shijimin e ndonjë “madeleine”, emri i së cilës është i lidhur përgjithnjë me atë të autorit të madh, do të jepen pjesë teatrale, do të çelen ekspozita me objekte që prekin veprimtarinë e tij etj, etj….

Skandali

Përpara se lexuesit e veprës së tij të vihen në kërkim të Marcel Proust-it, veprimtari kjo së cilës mund t’i kthehemi në një rast tjetër, është vendi të thuhet se përkujtimi i dhënies së çmimit Goncourt nuk është pa lidhje me faktin se në kohën e tij ai u cilësua si një skandal i vërtetë. Pra, në thelb ky është edhe përvjetori i një skandali që ka përmasën e madhështisë së autorit të tij.

Pas disa projekteve letrare që ai i braktisi pa u shkuar deri në fund, M. Proust-i nisi më 1907 veprën e tij madhore À la recherche du temps perdu (Në kërkim të kohës së humbur), shtatë vëllimet e së cilës u botuan midis viteve 1913 (Du côté de chez Swann) dhe1927.

Vëllimit të  dytë À l’ombre des jeunes filles en fleurs (Në hijen e vajzave të porsaçelura) i u dha çmimi Goncourt më 1919, ndërkohë që Proust-it i kanë mbetur fare pak vite për të jetuar? Ai do të vdesë më 18 nëntor 1922, krejt i rraskapitur nga një brokit i mjekuar keq.

Ku ishte origjina e skandalit, çfarë i kritikonin autorit bashkëkohësit e tij? Kësaj teme T. Laget i ka kushtuar një libër të tërë (Proust, Prix Goncourt, une émeute littéraire ), rezultat i një pune kolosale kërkimesh nëpër arkiva dhe shtypin e kohës, por që u ndihmua edhe nga botimi kohët e fundit i korrespondencës së M. Proust-it.

Pak a shumë i kritikojnë gjithçka, shkruan ai. Kritikojnë faktin se ai është mjaft i vjetër (48 vjeç), se është mjaft i pasur (dhe se 5 000 frangat e çmimit do të qenë më të dobishme për një autor më nevojtar), se është tepër mondan dhe e kalon kohën nëpër sallone (në të vërtetë ai ka kohë që nuk lëviz shumë nga shtrati), se flet shumë (romani ka 400 faqe), se është shumë i çmendur…

Dhe pothuaj të gjithë kanë ndonjë opinion se kujt i duhet dhënë çmimi. Natyrisht, për këtë luan shumë rol edhe gjendja e vendit menjëherë pas L1B. Ishin ende të nxehta plagët. Franca numëronte pothuaj 2 milion të vrarë dhe 4.5 milion të plagosurve. Nuk kishte familje që të mos ishte prekur nga një masakër e tillë. Dhe në këto kushte pjesa më e madhe e njerëzve ishte e mendimit se çmimi duhet t’i jepej shkrimtarit Roland Dorgeles për romanin Les Croix de bois (Kryqet e drunjtë), që fliste për sakrificat e ushtarëve në front. Për më tepër autori vetë kishte luftuar katër vjet nëpër llogore.

Në këto rrethana, juria ndihej nën një presion të fortë, për të vendosur në linjën e frymës patriotike që ishte e pranishme në të gjitha nivelet e opinionit publik.

Këto ishin rrethanat kur më 10 dhjetor 1916, juria u mblodh në një nga sallat e restorantit Drouant (aty ku mblidhet edhe sot e kësaj dite) dhe pas tre turesh votimi shpalli fitues veprën e Marcel Proust-it.

Ndërkohë, ky flinte. Zakonisht zgjohej aty te ora katër pasdite, por shërbyesja e tij besnike dhe e devotshme Céleste (Albaret) nxiton ta zgjojë dhe i jep lajmin. Ai e dëgjon dhe pastaj shqipton një nga frazat më të shkurtra të jetës së tij: “Ah!”

E megjithatë, skandali vetëm sa ka filluar. Shtypi nis një sërë insinuatash rreth orientimit të tij seksual, duke lënë të kuptojë se “miqësia e veçantë” që Proust-i ka me Lucien Daudet, ka ndikuar së tepërmi te vendimi i jurisë, meqë në këtë të fundit bën pjesë edhe vëllai i tij, Léon Daudet (që të dy bij  të A. Daudet, po nuk gabova).

Më tej autori do të vuajë një fushatë të tërë shpifjesh, të denjë për fake news që përcillen nëpërmjet rrjeteve të sotme sociale. Kështu u fol gjatë “proustitution” (vëreni analogjinë me prostitucion) apo për “Goncourtisans” (theksi vihet te kurtizan… ) etj.

Thuhet se Marcel Proust-i nuk ishte indiferent ndaj kësaj përbaltjeje. U trishtua së tepërmi. Por mbi të gjitha kishte frikë se shpifjet dhe stuhia e polemikës së padenjë që u ngrit do të linte në hije vetë veprën e tij, do ta nxirrte atë në plan të dytë. Siç ndodh rëndom në kësi rastesh kur “autori zëvendëson veprën”.

Por nuk ndodhi.

Vajzat e porsaçelura nuk i bënë hije çmimit Goncourt. Ai mbetet me i vlerësuari çmim në botën frankofone dhe ajo që ndodhi vetëm se shtoi shkëlqimin e tij. Skandali i ngritur më 1919 sot cilësohet si pjesë e lavdisë së tij, si provë e shkruar në gur e paanshmërisë së vendimeve që merr.

 

 

 

 

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.