Nuk ka pragmatizëm që mund të justifikojë mungesën e votës së protestës!

Ajo që sot promovohet si pragmatizëm e na shitet si i tillë është ajo vazelina që zbut kufirin mes të keqes dhe të mirës! Pragmatizmi i momentit është ai i suvllaqit që do hamë sepse na ka marrë uria shumë, edhe pse sërish në vaktin tjetër do të na duhet të shndërrohemi në lypsarë. Duke menduar për të keqen e vogël e të madhe nuk duhet të harrojmë se kush e krijoi të keqen e madhe, atë e krijoi dhe kjo që na shitet më e vogël, atë e krijuam dhe ne që vijojmë të “pragmatikojmë”! Krasitja e kushtetutës sipas orekseve të njërit dhe tjetrit mbase vërtet mënjanoi disa parti të vogla që e hanin bukën kot por mbi të gjitha legjitimoi oligarkët e politikës, dhe ne do vijojmë të dëgjojmë më shumë për parti që personifikohen me emër e mbiemër sesa të majtë e të djathtë. Bëni një kërkim në google në shqip nuk do habitesha se më shume rezultate do ju dalin me emrin Berisha sesa Partia Demokratike, më shumë rezultate do ju dalin me emrin Rama sesa me emrin Partia Socialiste. Këta zotërinj kanë patur mjaft shanse për të qenë konstruktiv si përshembull moslejimin e mandateve të treta për kryeministër. Kanë pasur shansin të reformojnë partitë e tyre por sot keni akoma parti që kanë të njëjtin lider që nga formimi 20 vjeçar.

Mosndëshkueshmëria brenda partive ka sjellë liderat e ujit të ndenjur, ka sjellë liderat që hedhin rrënjë. Ka mbytur demokracinë brenda saj, me lista të mbyllura, me pseudozgjedhje brenda partiake ku akoma fitohet me 90% por mbi të gjitha ka sjellë kulturën e babës!
Thua të jemi kaq fëmijë sa të kemi nevojë për babë në këtë shoqëri! Mbi të gjitha ka sjellë mungesë shprese tek e ardhmja pasi dhe ndonjë formacion i ri partiak kopjon, ose të paktën frymëzohet, nga e njëjta mënyrë funksionimi, dhe krijohet po në të njëjtën formë lideri apo logoja që bëhet lider, sepse kërkon pushtet. Ata nuk i bashkon një kauzë pikësëpari dhe, në mënyrë lineare kohore, të zhvillojnë organigramën dhe lidershipin e duhur. Berishizmin e kemi mirëmbajtur ne pragmatikët, ndaj unë nuk habitem as kur dëgjoj për trysni në administratën publike nga Berisha dhe servilët e tij, e as kur dëgjova se në të famshmen grevë urie të atij që e thirri por nuk u bë pjesë e saj, se punonjës të asaj kohe të bashkisë detyroheshin që të shkonin dhe qëndronin në këmbë direkt pas pune për 4 orë të tëra, dhe ata pa ngrënë.

Është një bashkësi e tërë vlerash që ka rënë në tokë dhe është zëvendësuar me servilizëm, pazare, frikë dhe apati. Kjo kastë politike pingpongu ku edhe pse bëhet fjalë për zgjedhje të reja ke sërish dy ngelsa real që konkurrojnë, flet vetë. I njëjti film me të njëjtët aktorë, të njëjtin skenar e mbase do të ketë të njëjtin përfundim pra PAZARE paszgjedhore! Pyetja që kam është kush do e masë impaktin real që i sjell shoqërisë kjo politika e pingpongut? Duke e ditur se popullsia jonë është kaq e vogël sigurisht po prodhohet një shoqëri pragmatiste! Është normale të mos edukohesh siç duhet se ta ka “garantu baba” pozicionin, është normale të thyesh rregullat e qarkullimit me Benzin tënd sepse ke lek te korruptosh policin. Është normale të mbyllësh gojën sepse ndryshe të hoqën nga puna etj. etj. Kur del te besh aksione vullnetare konsiderohesh budalla, kur organizon protesta paqësore sërish do të të shajnë pragmatistët ose sepse mendojnë se je OJQ-iste ose sepse mendojnë se ke interesa të fshehura etj, etj sikurse ishte protesta e fundit qe ideova bashke me një mik ndaj erdoganizmit shqiptar. Diku lexova se paska qenë e orkestruar …

Duke qenë se jam vetë një profesioniste në botën e biznesit si menaxhere për një kompani shërbimesh, mu kujtua këshilla nga një eksperte e karrierës, më tha: “momenti ku ti arrin suksesin maksimal në një kompani ku ti je e punësuar është momenti ideal për tu larguar, ndërruar ambient (kompani) pasi pas këtij momenti ka direkt një rënie si në motivim, si në performancë.” Liderat që kemi ne ka kohë që janë në majë, kanë krijuar oazin e dështimit të vazhdueshëm njeri brenda vetë partisë që drejton tjetri partinë e ka fosile por mbi të gjitha dështime të vazhdueshme në gjyqësor, në arsim, shëndetësi, integrim dhe sigurisht do të tregohem naive po përmenda atë që quhet mbrojtje e industrisë fëminore (industritë strategjike për një vend). A do të prodhojmë ndonjëherë lidera që vërtet do i vlerësojmë pasi na kanë frymëzuar me lidershipin e tyre, jo, jo, nuk po kërkoj Bill Klinton-a po të paktën një lidership që nuk është kaq shkatërrues për shoqërinë e tij.

Na pret një e ardhme amorfe po nuk reaguam. Mirë që fenë nuk e kemi pas qejf ndonjëherë si komb e prandaj nuk e kemi te unifikuar, pa me thoni ne cilat themele do të zhvillohet kjo shoqëri nëse në këtë moment kritik nuk reagohet por “pragmatikohet”?

Ec votojmë për të heq Nanon, ec të votojmë për të heq Berishën, ec të votojmë për të heq Ramën, ec të votojmë për të heq Bashen! Do votojmë ndonjëherë për të sjellë diçka në vend që të votojmë thjesht që të heqim dikë, besoj se duhet filluar nga vota e protestës! Mbase për herë të parë do të kemi ushtruar një votë të sinqertë e cila nuk është e blerë e as në trysni, e cila kërkon vërtet një fillim të ri pikësëpari në vetë qelizën e të bërit politikë! Një popull që nuk proteston është si një organizëm i sëmurë që nuk do të diagnostifikohet, momenti më i mirë për të protestuar është ai i votës tënde!

“Asgjë nuk mund të krahasohet me nevojën e kurajos. Forcojeni veten nëse mundeni me optimizmin e Lakanit kur lexon tek ai se: ‘Deshira, apo ajo që quhet e tillë (Lakan flet këtu për inkoshienten subjective) mjafton të provojë faktin se nuk do të kishte sens për jetën krijimi i frikacakëve”, Jacques Lacan, ‘Kant avec Sade’, in Ecrits, 782. Marrë nga : Alain Badiou, Ethics, (New York: Verso 2001), p.56

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top