O Ç’U KËNAQËM!

nga Edon Qesari

Ditët e fundit, falë përpirjes masive që pëson çfarëdolloj thagme që hidhet në rrjet, qarkulloi një video në të cilën, përmes intervistash televizive, u bë e qartë me zë e me pamje se cilësia e njohurive që zotërojnë disa studentë të universiteteve – ç’është e vërteta njohuri mjaft fillestare, së paku për fushat që janë pjesë e studimeve të tyre – është jashtëzakonisht e ulët.

Kuptohet se gazi i shkaktuar ishte i madh – aq i madh madje sa, për nga përmasa, ia kaloi dhe mufkave që çdo student i intervistuar mundi të këpuste në atë rast. Çka, le të themi, riktheu gjërat në balancë, sepse kur masa e atyre që tallen është më e lartë se e të tallurve do të thotë se, në përgjithësi, bota i shëmbëllen të parëve, e hiç të dytëve. Këta të fundit kanë pasur veç fatin e keq të lënë kokrrën e namit; se të gjithë ata që tallen janë plotësisht në gjendje t’u përgjigjen saktë pyetjeve para të cilave lumëmëdhenjtë studentë djersitën, e se të gjithë duhet të jemi më të qetë ngase pakica e të paditurve u pikas dhe u turpërua publikisht. E fundja, kujt t’i djegë le ta mbajë! Secili është përgjegjës për veten e vet.

Përndryshe, vënia e gishtit mbi disa studentë të shkencave humane që nuk dinë të bëjnë dallimin mes Fishtës dhe Kadaresë, e se përgjigjen më shumë prej sikletit se prej zellit, është veçse një tregues – mjaft i trashë, ta themi! – i një botëkuptimi harbut dhe liberal, pas të cilit gjykimi dhe paragjykimi bie vetëm mbi individin. Ky dhe vetëm ky është për t’u tallur dhe mëshiruar nëse është hajvan – e veç ky është për t’u ngritur në kupë të qiellit nëse thyen rekorde virtyti. Gjithë të tjerët janë spektatorë që ngrohen në diell, e që hanë kokoshka duke soditur sesi nënnjerëz e mbinjerëz puqen mes tyre.

Pak vetë, shumë pak, e shtrojnë çështjen e shtyllave që qëndrojnë në themel të gjithë hatasë që na ka zënë, e ku janë të përfshirë jo vetëm të tallurit – ose hajvanët e intervistuar – por sidomos ata që tallin, këta mjeshtër të ngrënies së kokoshkave. Pasi nëse ka pakicë, e cila ndan gjithashtu fajin por së paku nuk ngelet me kaq, është ajo e atyre që para se t’u drejtojnë gishtin të gjorëve që e bënë Migjenin autor të “Lahutës së Malcis” ndalen së paku të shohin derexhenë që i rrethon, që nga dita e lindjes, këta studentë që dalin nga shkolla më të zbrazet se ç’hynë; këta të ngratë që nuk i vë re njeri si i marrin provimet, si i kalojnë testimet, si mbushin radhët e maturave dhe diplomimeve, si hyjnë e dalin nga praktikat profesionale, por mjaftohen duke marrë nga një firmë që i mbarështohet vulës së pagesës që kanë kryer (për arkën e biznesit, shtetit dhe kiametit).

Shumë pak marrin në shqyrtim, llafi që bie, se pjesa më e madhe e këtyre bërrylave të intervistuar – e akoma më tepër shumicës dërrmuese të bërrylave që fshihen apo që qëndrojnë pas kamerës – janë shprehi e drejtpërdrejtë familjesh dhe rrethanash tej-familjare ku nuk gjen vend kultura e studimit, kritikës dhe e thellimit, por sundon ajo e zhvatjes së mundësisë, qoftë dhe nëpërmjet miklimit apo mashtrimit; janë pjesëmarrës në një maskaradë arsimore që simbolikën e vet e ka tek tekstet mësimore të fillores (të cilat i pajtohen ofruesit më të mirë dhe i pasohen gomëfshirësit më të shkathët) e deri tek bar-kafenetë në cepat e universiteteve që gëlojnë nga pedagogë; janë mësuar që të vegjël, që në familje, që në rrethet fillestare shoqërore dhe në shkretinë mësimore, se baza e vetme morale që gjen zbatim në këtë shoqërinë tonë është e përkufizuar nga fraza “ti futu njëherë se pastaj e rregullojmë atë punë” (e kështu merren provime, dëftesa, diploma, certifikata, internshipe, aplikime, grante, punësime e deri leje lindjeje); janë, pa e zgjatur fare, zgjatime të një vorbulle politike dhe shoqërore në të cilën mjafton që gjysmën e pyetjeve që iu bënë gjysmës së studentëve t’u drejtohet pjesëtarëve të institucioneve, publike apo private qofshin, më të larta politike, kulturore, ekonomike dhe mediatike (nga Parlamenti e deri tek emisioni shembullor i Çanit) për të zbuluar se janë dyfish më injorantë dhe të zhytur në fekale se ata me të cilët bota e rrjetit u gajas mbrëmë.

Dhe mos harroni se aty ku i kanë rrënjët ata studentë, aty kemi zënë ngrohtë të gjithë. E po aty klloçka jonë do të pjellë vezët. të rinjtë – njëherazi mburravecë dhe të ndrydhur për shkak të mendjelehtësisë dhe të pamundësisë për të arritur ato modele që u ka servirur shkolla apo vetë televizioni – kanë prirjen e pashmanshme për të përqafuar rrugaçërinë, si dhe për të qenë të plogët e deri të palumtur (që s’është faj më i vogël).

Sidoqoftë, ka dhe plot arsye të tjera – gjithmonë tej-individuale dhe drejtpërsëdrejti të shkaktuara nga këneta socio-ekonomike në të cilën gjallojmë dhe nga kultura hegjemone e llufitjes që na ka përlarë. Megjithatë e lëmë me kaq, pasi asnjë nga ato përgjigje nuk përbënte vërtet një risi. Së paku për askënd që i ka buzëqeshur fati të vozisë në sistemin universitar shqiptar. Do të ishte e mjaftueshme për të kuptuar se padituria e studentëve nuk ishte e papritur dhe se “risus abundat in ore stultorum”, siç do të thoshte latini. Gjë që vlen për të qeshurit po njësoj si të përqeshurit.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top