OPOZITA E MOHUAR NË SHQIPËRI

nga Armend Mazreku*

Në një shkrim të botuar në mbarim të Luftës II Botërore, intelektuali, filozofi dhe novelisti i famshëm francez, Jean-Paul Sartre, shkruante provokueshëm se populli francez kurrë nuk kishte qenë “më i lirë se sa gjatë pushtimit gjerman.”[i] Me këtë, natyrisht, ai nuk nënkuptonte që pushtimi gjerman ishte një gjë e mirë që u kishte ngjarë francezëve – përndryshe, i gjithë kontributi i tij në kuadër të Rezistencës franceze; i gjithë aktiviteti i tij intelektual i mbas-Luftës II Botërore; dhe e gjithë vepra e tij letrare e filozofike nuk do të kishin kurrfarë kuptimi.

Ajo që kishte në mendje me këtë teoremë politike; dhe, siç në të vërtetë, e sqaron edhe vetë në artikull, ishin dy gjëra tejet të vlefshme: E para, që, gjatë pushtimit gjerman, terrori nazist kishte depërtuar aq thellë në indin shoqëror francez sa edhe gjesti ose veprimi më i vogël kundër tij merrte peshën e angazhimit solemn politik. Siç pohonte edhe vetë Sartre:

Për shkak se venomi nazist u zhyt në mendjet tona, secili mendim i duhur kundër tij ishte një pushtim në vetvete. Për shkak të një policie të gjithëpushtetshme, që përpiqej të na mbante gojën mbyllur, çdo fjalë merrte vlerën e një deklarate parimesh. Për shkak se ata na gjunjëzuan, secili nga gjestet tona kishte peshën e angazhimit solemn [politik].[ii]

Dhe gjithashtu, por jo më pak e rëndësishme, që, gjatë okupimit gjerman, francezët ishin të lirë ngase duke qenë në zgrip të “çastit asgjësues” – siç i referohej ndryshe vdekjes Georges Bataille – secili gjest bëhej mishërim i lirisë autentike. Siç deklaronte edhe vetë:

[M]izoria e armikut na çoi në skajet e kësaj gjendje [vdekjes], duke na detyruar kështu që t’i bëjmë vetes pyetje që kurrë nuk do t’i bënim në kohë paqeje. Të gjithë ne…e pyesnim veten me ankth: “Nëse më torturojnë, a do të jem në gjendje të hesht?” Kësisoj, çështja themelore e lirisë u shtrua para nesh, dhe ne u sollëm në prag të njohjes më të thellë që njeriu mund të ketë për vetveten.[iii]

Mbaj mend që, në vitin 2011, në një “tribunë” me studentë e aktivistë politikë në Kosovë, ligjëruesi i Filozofisë Politike dhe Estetike, Orgest Azizi, i pat bërë një lexim të mrekullueshëm kësaj teoreme të famshme të Sartre-t në kontekst të Idesë së Universitetit në botën shqiptare, ku me të drejtë konstatonte se, shqiptarët e Kosovës, por edhe ata që jetonin (jetojnë) në Shqipëri e vise tjera në Ballkan, kurrë nuk kanë pasur më shumë Universitet se sa gjatë kohës së sundimit serb. Siç thoshte edhe vetë, “Kurrë nuk kemi pasur aq shumë, aq intensivisht Universitet, sesa në kohën e sundimit serb, sesa në kohën kur ai ishte i ndaluar.”[iv]

Pra, në kohën kur Universiteti i Prishtinës ishte i ndaluar, sipas Azizit; “kur pushtuesi serb deklaronte se s’ka Universitet, se diplomat e Universitetit të Prishtinës nuk vlenin gjë dhe njerëzit që e popullonin atë nuk ishin studentë,” Universiteti, në këndvështrimin e tij, ishte pikërisht “një vend mirëfilli politik dhe studenti një figurë politike absolute.”[v] Siç sqaronte më tej Azizi:

Në vitet ’90 pushteti serb shpallte [që] s’ka universitet në Kosovë. Komuniteti politik i studentëve dhe profesorëve përgjigjej: Ne jemi Universitet dhe universiteti është vendi me intensiv i ekzistencës politike të Kosovës, ikona e kësaj ekzistence dhe vendi i artikulimit të saj. Sot, pushteti vendas na thotë se ka, në republikën e Shqipërisë dhe të Kosovës, universitete plot, publike e private: e Ne përgjigjemi: në hapësirën shqiptare sot s’ka Universitet. Universiteti është i munguar, i mohuar, i pabanuar e papopulluar, apo edhe aktivisht i ndalur. Fakti që shumë institucione, banesa e pallate mbajnë në ballinë të tyre një emër të tillë, jo vetëm nuk është kundër-argument, por është vetë shenja e sa më sipër, është kushti i bjerrjes së Universitetit në Idenë e vet.[vi]

Duke u bazuar në këto dy konstatime-teorema politike të Sartre-t dhe Azizi-t, në një mënyrë të përngjashme, besoj, do të mund të konstatonim edhe ne për opozitën në Shqipëri: që më shumë ka pasur Opozitë gjatë pushtimit nazi-fashist dhe sundimit komunist, sesa që ka pasur e ka në periudhën e “pluralizmit politik.”

Ndonjë lexues, ma ha mendja, do të ma tërheq vërejtjen sakaq:

  • Ore, ke shkalluar nga mendja ti?
  • Po si guxon të postulosh që më shumë ka pasur Opozitë gjatë pushtimit nazi-fashist e sundimit komunist, sesa që ka tani që kemi mbi një qind parti politike, me qindra e mijëra organizata jo-qeveritare, me dhjetëra portale e gazeta, televizione, e çka jo tjetër?

Sa i përket pjesës së parë të pyetjes, më lejoni të siguroj akësecilin që, për fat të mirë, nuk kam harlisur akoma mendërisht; kurse sa i përket pjesës tjetër të pyetjes – që si guxokam të shpall që në Shqipëri ka më pak Opozitë tani, krahasuar me kohën e pushtimit nazi-fashist dhe sundimit komunist – do të përpiqem të sqaroj në vijim të shkrimit. Por, paraprakisht, nëse më lejohet, do të doja të qartësoj se çfarë (nën)kuptoj kur them që një subjekt i caktuar është Opozitë e sistemit; sepse, me sa kam parë e dëgjuar kohëve të fundit, kam përshtypjen se shënjues të tillë: të-qenit-në-opozitë, të-qenit-opozitë, dhe të-bërit-opozitë sikur nuk kuptohen mirëfilli nga ana e politikanëve, gazetarëve dhe analistëve.

E para, siç dhe rëndom përdoret në vokabularin liberal-parlamentar, presupozon hapësirën formale dhe të rezervuar për të gjitha ato parti politike që nuk arrijnë të fitojnë pushtetin dhe, si rrjedhim, ngelin në-opozitë. Normalisht, edhe partitë në-opozitë do të duhej të pozicionoheshin ideo-politikisht kundër partisë/ve në pushtet. Por, duke qenë se konfliktet ideopolitike janë fashitur tashmë si rrjedhojë e rendit hegjemonik neoliberal; dhe duke qenë se partitë politike në Shqipëri (dhe në vende të tjera) qëndrojnë pothuajse për gjëra të njëjta sa i përket politikës, ekonomisë, shtetit, dhe shoqërisë, atëherë e vetmja arsye pse thuhet që një parti është në-opozitë, është për të treguar që ajo nuk është në pushtet. Përndryshe, duke përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje në Kosovë – e cila menjëmend është subjekt i vetëm politik shqiptar që ka artikuluar një kritikë shoqërore, ekonomike e politike – të gjitha partitë e tjera, në-opozitë a pushtet qoftë, janë parti të sistemit.

Në kontrast, të-qenit-opozitë, nga ana tjetër, nënkupton subjektin politik (jo domosdoshmërisht partinë politike) që, përveç që është në-opozitë, pozicionohet edhe ideo-politikisht në marrëdhënie polemike, agonistike, antagonistike, ose konfliktuale me sistemin në fuqi. Për shembull, nëse një parti e djathtë ose konservatore është në pushtet, dhe ajo mbërrin të shtrijë hegjemoninë e vet, siç do të thoshte filozofi i famshëm Italian, Antonio Gramsci, në sferën eko-sociale, politike dhe kulturore; dhe nëse, në anën tjetër, kemi një forcë, parti, organizatë, lëvizje a bllok të majtë që pozicionohet ideologjikisht kundër rendit hegjemonik që ka etabluar partia e djathtë, atëherë mund të themi se kjo e fundit, së bashku dhe me forcat e tjera progresiste në shoqëri, është menjëmend Opozitë e sistemit.

Megjithatë, për të qenë Opozitë e sistemit nuk është e thënë të jesh brenda institucioneve të sistemit; këtë punë mund ta bësh fare mirë edhe duke qëndruar jashtë. Shembuj të tillë kemi Lëvizjen Vetëvendosje në Kosovë, nga viti 2005 deri në vitin 2010, dhe Organizatën Politike në Shqipëri – e cila, edhe pse akoma jo një lëvizje politike, lirisht mund të thuhet se është e vetmja organizatë politike anti-sistem në Shqipëri. Po ashtu, përveç formacioneve socio-politike, Opozitë e sistemit mund të jenë edhe poetë, artistë, shkrimtarë, intelektualë, studentë, etj. Rrjedhimisht, mund të jesh Opozitë e sistemit duke mos qenë fare parti politike në-opozitë, sikundër që mund të jesh në-opozitë dhe të mos jesh fare Opozitë e sistemit (p.sh., Partia Demokratike në Shqipëri momentalisht, Lidhja Demokratike e Kosovës (kur ishte në opozitë), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kështu me radhë).

Ndërkaq, nëse një parti parlamentare është në-opozitë, dallon nga pikëpamja ideologjike me partinë në pushtet; dhe, krahas kësaj, realizon aksione radikale kundër një sistemi të caktuar politik, shoqëror, ekonomik, etj., atëherë mund të themi se ajo është jo vetëm në-opozitë, jo vetëm opozitë, por edhe bën opozitë. Shembull emblematik i një subjekti të tillë, mendoj është prapë Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë. (Siç dihet, në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura në vitin 2010 dhe 2014, ajo nuk mbërriti të bëhej partia e parë në vend; dhe, si rrjedhim, mbeti në-opozitë. Megjithatë, ajo që e ka dalluar Lëvizjen Vetëvendosjen gjatë kësaj kohe, nuk është fakti që ajo mbeti në-opozitë – sepse, më parë, siç e dimë, në-opozitë kanë qenë edhe Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kështu me radhë; por fakti që ka qenë edhe Opozitë e sistemit, edhe ka bërë Opozitë (duke ndërmarrë aksione radikale në kundërshtimin e koordinatave të sistemit politik dhe ekonomik në Kosovë).

Prandaj dhe kur them që në Shqipëri ka më pak Opozitë tani, sesa gjatë pushtimit nazi-fashist e sundimit komunist, kam parasysh mungesën e organizatave, partive, lëvizjeve, etj., që ideopolitikisht i kundërvihen sistemit ekzistues ekonomik, shoqëror, politik, kulturor, e të tjerë. Po, parti politike kemi sa të duash, por, siç thashë më lart, të gjitha ato janë parti të sistemit – çka do të thotë se qëndrojnë për gjëra të njëjta. Për shembull, të gjitha, pa përjashtim, kanë privatizuar e shitur pasurinë publike.

Të gjitha, pa përjashtim, kanë plaçkitur e shkatërruar pasuritë publike.

Të gjitha, pa përjashtim, kanë shkatërruar shtetin social e demokratik.

Të gjitha, pa përjashtim, janë parti të korrupsionit, drogës e krimit të organizuar.

Të gjitha, pa përjashtim, janë parti klienteliste.

Të gjitha, pa përjashtim, janë parti oligarkike.

Të gjitha, pa përjashtim, janë parti kleptokratike.

Të gjitha, pa përjashtim, janë parti servile ndaj ndërkombëtarëve.

Të gjitha, pa përjashtim, duan integrime euro-atlantike.

Të gjitha, pa përjashtim, kanë kapur institucionet e pavarura, agjencitë e pavarura, mediat e pavarura, e kështu me radhë…[vii]

Në kontrast, në kohën e pushtimit nazi-fashist, ta zëmë, ekzistonin me dhjetëra organizata e parti politike – të cilat, përveç që i kundërviheshin Partisë Fashiste të Shqipërisë dhe pushtimit nazi-fashist në përgjithësi, dallonin njashtu ideologjikisht me njëra tjetrën. Për shembull, Partia e Legalitetit angazhohej për rikthimin e monarkisë në Shqipëri. Partia e Ballit Kombëtar, më në krye Mit’hat Frashërin, propagandonte idenë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm (edhe pse, nga perspektiva e komunistëve, Partia e Ballit Kombëtar dhe lëvizje të tjera nacionaliste shiheshin si bashkëpunëtore e pushtuesve nazi-fashistë). Dhe, natyrisht, komunistët – të cilët, përveç luftimit të pushtuesve nazi-fashistë, donin që regjimi komunist të etablohej në Shqipëri, dhe të mos lejonin që Shqipëria të përqafojë kapitalizmin, liberal-demokracinë, ose të orientohej kah Perëndimi.

Pra, edhe pse nën pushtimin nazi-fashist, formacionet e kohës (me përjashtim të Partisë Fashiste të Shqipërisë) i kundërviheshin hapur sistemit nazi-fashist; dhe, veç kësaj, ndanin botëkuptime të ndryshme ideopolitike – në lidhje me atë se si Shqipëria do të duhej të organizohej e orientohej politikisht, ekonomikisht, ndërkombëtarisht, e kështu me radhë.

Më pas, siç e dimë, me mposhtjen e forcave nazi-fashiste nga ana e Aleatëve, komunistët eliminuan të gjitha forcat e tjera politiko-shoqërore të kohës; dhe, kësisoj, etabluan sistemin një-partiak në Shqipëri, ku askush nuk lejohej të ushtronte ndonjë aktivitet në kundërti me regjimin e kohës. Megjithatë, dhe pavarësisht kësaj, sistemi komunist nuk arriti kurrë të eliminonte tërësisht Opozitën, meqë shumë poetë, shkrimtarë, artistë, priftërinj, hoxhallarë, pasunarë, të varfër, studentë, intelektualë, komunistë idealistë, organizata e lëvizje ilegale, i kundërviheshin hapur e fshehtas këtij sistemi. Jo rastësisht, ta zëmë, mbi 34 mijë ishin arrestuar, burgosur e dënuar për arsye politike; rreth 60 mijë të tjerë ishin internuar në kampe përqendrimi; rreth 1 mijë të tjerë kishin vdekur nga torturat në burgje; rreth 300 të tjerë kishin humbur aftësitë mendore; dhe mbi 5 mijë të tjerë ishin vrarë.

Sigurisht, shumë nga këta kanë qenë edhe të pafajshëm. Megjithatë, ky shpjegimi që “viktimat” e komunizmit ishin të gjitha të pafajshme më është dukur gjithmonë i tejthjeshtëzuar. Sepse, në sistemet totalitare – të cilat, siç e dimë, kontrollojnë çdo aspekt të ekzistencës njerëzore – secili mendim, secila ëndërr, secila poezi, secila vepër, secili gjest… merr kuptim politik dhe, rrjedhimisht, është i dënueshëm nga sistemi totalitar. Madje, mendimi im është që, duke i viktimizuar “viktimat” e sistemit totalitar, ne, në një mënyrë ose tjetër, jemi duke thënë që ata kanë vdekur e përvuajtur pa asnjë arsye, duke bërë kështu zhvlerësimin e gjithë heroizmit të tyre për t’u përballur me sistemin komunist të kohës.

Në këtë kuptim, dhe po t’i referohem sërish asaj çfarë thoshte mrekullueshëm Azizi, do të mund të thonim edhe ne për opozitën në Shqipëri: përgjatë viteve 1945-1991, pushteti i kohës deklaronte që s’ka opozitë në Shqipëri; komunitete të ndryshme njerëzish i kundërpërgjigjeshin: Ne jemi Opozita e sistemit totalitar, e Partisë Komuniste, e Real-Socializmit, dhe Diktatorit Hoxha. Ndryshe, pse duhej që sistemit komunist të persekutonte mbi 34 mijë njerëz politikisht; të internonte mbi 60 mijë të tjerë në kampe përqendrimi; të mbyste rreth 1 mijë të tjerë nga torturat në burgje; dhe t’i vriste e pushkatonte mbi 5 mijë të tjerë?

Sot, ndërkaq, politikanë, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, analistë, e të tjerë si soji i tyre, na thonë se ka opozitë në Shqipëri. Ne i kundërpërgjigjemi: Sot, në Republikën e Shqipërisë nuk ka Opozitë. Po, ka plot parti politike, organizata jo-qeveritare, medie, e kështu me radhë, po Opozitë nuk ka. Sepse, siç e përmenda më parë, të gjitha qëndrojnë për gjëra të njëjta.

Prandaj dhe qëndrimet e shpeshta të tipit: “Nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën,” “mirë shumë që edhe opozita do të garojë në zgjedhje,” janë qëndrime menjëmend idiotike; sepse, fakti që Partia Demokratike nuk qeveris me vendin më, por simotra e saj – Partia Socialiste – nuk e bën atë domosdoshmërisht Opozitë. Sigurisht, ajo është në-opozitë, – nëse me këtë kemi parasysh hapësirën e rezervuar për partitë që nuk kanë arritur të fitojnë shumicën parlamentare në kohën e zgjedhjeve të përgjithshme. Por, të qenit në-opozitë, dhe të qenit Opozitë, nga siç e thashë edhe më lart, janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.

(*) Armend Mazreku ka mbaruar studimet e Magjistraturës në SHBA dhe aktualisht është doktorant per Filozofi/Teori Politike në Universitetin e Torontos, Canada.


 

[i] Jean-Paul Sartre, “The Republic of Silence,” te The Aftermath of War, trans. Chris Turner (London: Seagull Books, 2008), pp. 3-6.

[ii] Po aty.

[iii] Po aty.

[iv] Orgest Azizi, “Ideja e Universitetit” (ligjëratë, Biblioteka Kombëtare Universitare, Prishtinë, Kosovë, 19 Mars, 2011). E qasshme në: https://www.youtube.com/watch?v=OAU2CkxDZus.

[v] Po aty.

[vi] Po aty.

[vii] Ky është një problem i madh i demokracive liberale në përgjithësi, sepse, në vend që të krijojë ndarje të njëmendta ideopolitike: i majtë vs. i dajthtë, konservator vs. liberal, krijon kësi lloj ndarjesh formale: Pozitë vs. Opozitë, që nuk kanë kurrfarë përmbajtje reale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *