ORA E ÇIFTELISË

Para se dilte në koncert në sheshin Skënderbej në Tiranë, Rita Ora u prit në zyrën e Kryetarit të Bashkisë Veliaj, ku iu dhurua jo vetëm çelësi i qytetit, por edhe një çifteli.

Me këtë rast, kakofonia e mediave të Tiranës përcolli mekanikisht të njëjtën frazë shoqëruese me lajmin, dhe pikërisht se çiftelia qenka:

[I]nstrumenti muzikor që identifikon trashëgiminë e kulturës tradicionale shqiptare.[1]

Po a e identifikon vërtet? Muzikologët vërejnë se çiftelia sot përdoret në trevat e veriut; pra ka një përhapje gjeografike relativisht të kufizuar.

Dhe jo vetëm: emri i instrumentit, çifteli, mendohet të vijë nga turqishtja çifte teli (dy tela), çfarë edhe i përgjigjet ndërtimit që ka instrumenti sot.

Çuditërisht, as turqishtja e sotme as osmanishtja nuk e kanë fjalën (sipas Dizdarit); por turqishtja përdor një çiftetelli që është emri i një ritmi dhe i një valleje nga Anadolli; nga turqishtja fjala ka kaluar edhe në greqishte, si τσιφτετέλι, me të njëjtin kuptim.

Për çiftelinë e shqipes, Dizdari sjell edhe gjëzën: Drû mali, qéf insâni.

Gjithë duke pranuar që emrat e veglave muzikore shtegtojnë njëlloj si veglat vetë, por jo patjetër sipas të njëjtave rrugë, mbetet fakti që të paktën emri i këtij instrumenti është shfaqur vonë në hapësirën shqiptare; pa çka se – mund të spekulojmë – instrumenti vetë mbase i ka rrënjët në një periudhë para-osmane.

Edhe përhapja gjeografike relativisht e kufizuar e çiftelisë nuk na lejon të entuziazmohemi deri atje, sa ta identifikojmë me “kulturën tradicionale shqiptare”.

Që çiftelia është vegël relativisht e thjeshtë, ose me kapacitet muzikor të kufizuar, kjo nuk i jep gjë vetvetiu vjetërsi, dhe as agjenci përfaqësuese mbarëkombëtare.

Nga ana tjetër, nuk kam dëgjuar ende zelltarë që të ngrihen dhe të kërkojnë zëvendësimin e emrit të veglës, ose edhe të veglës vetë, në emër të “purizmit” kulturor, ose nevojës për ta mbajtur kulturën “të pastër.”

Kjo ndoshta ngaqë furinë zëvendësuese në këtë rast e frenon natyra mirëfilli folk e veglës, e atyre që i bien dhe e këngëve që shoqërohen me të.

Me një fjalë, çiftelia është “e mirë”, sepse është “e thjeshtë” dhe sepse i bie “populli”, madje “malësorët”.

Unë nuk di cila vegël muzikore mund të “identifikojë trashëgiminë e kulturës tradicionale shqiptare”; dhe as besoj se për veglat muzikore mund të flitet me këtë lloj zhargoni të drunjtë.

Siç e thotë edhe përkufizimi, çiftelia është vegël, pra një objekt në shërbim të një veprimtarie të caktuar; prejardhja e saj orientale (nëse konfirmohet) dhe e emrit të saj nga osmanishtja nuk pengojnë gjë që rapsodët të shoqërojnë, me çifteli, këngë për kryengritjet anti-osmane të trevave shqiptare.

Kjo ndodh edhe ngaqë pakkush e vret mendjen për origjinën e emrave të veglave muzikore dhe të veglave vetë, jashtë konteksteve akademike. Për veglat rëndësi ka se çfarë mund të bësh me to, jo pazari ku janë blerë a “raca” e mjeshtrit që i ka prodhuar.

Specialistët e muzikës mbase mund të shpjegojnë nëse struktura e çiftelisë – akordimi i saj dhe llojet e notave që mund të përftohen prej saj – e orienton gjë melodinë sipas shkallëve dhe rregullsive të muzikës orientale (osmane, persiane, etj.).

E them këtë sepse jo rrallë ndodh që vegla muzikore të imponojë vetvetiu një lloj të caktuar muzike – p.sh. fizarmonika, akordet e së cilës (dora e majtë) ndjekin modele harmonike të paracaktuara.

Diçka e ngjashme ndodh sot me tastierat elektronike, që vijnë me ritme dhe shoqërime të para-programuara.

Por edhe në qoftë kështu, tradita muzikore orientale është integruar tashmë në muzikën popullore shqiptare, në forma të ngjashme me integrimin e saj në trashëgiminë muzikore të krejt Ballkanit.

Për ta thënë shkurt: çifteli për Rita Orën? Shumë mirë. Diskursi shoqërues për identifikime dhe trashëgimi? Pa vend.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.


[1] Nuk po i përmend mediat që e kanë përcjellë lajmin kështu (ta kenë marrë vallë nga njëra-tjetra, apo ta kenë marrë të gatshëm?). Të interesuarit mund të bëjnë një kërkim të thjeshtë në Google.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.