Orientalizëm presidencial

Enis SULSTAROVA

 

ORIENTALIZËM PRESIDENCIAL

Enis Sulstarova

Enis Sulstarova

Presidenti Moisiu foli mbi tolerancën fetare të shqiptarëve para një publiku të përzgjedhur britanik të Forumit të Oksfordit. Mirëpo, teksti i fjalimit në Shqipëri u lexua dhe u kritikua si sulm ndaj identitetit fetar të myslimanëve shqiptarë dhe ndaj tolerancës fetare në vend. Mendoj se ky paradoks është i shpjegueshëm me anë të asaj që në shkrime të tjera e kam quajtur “orientalizëm shqiptar”. Sipas kritikut të njohur palestinezo-amerikan, Eduard Said, orientalizmi është një ligjërim që e sheh botën të ndarë në dy pjesë armiqësore ndaj njëra-tjetrës, Perëndimit dhe Lindjes. Perëndimit i atribohet një thelb pozitiv dhe Lindjes një thelb negativ. Në ligjërimin orientalist, thelbi perëndimor përmban qytetërimin, përparimin, modernitetin, dijen, paqen, mirësinë, virtytin, arsyen, shkencën, kurse lindja të kundërtat e këtyre: barbarinë, prapambetjen, primitivizin, padijen, luftën, keqësinë, vesin, irracionalitetin, bestytëninë. Saidi thotë që orientalizmi modern ishte pjesë e aparatit kolonial evropian për të sunduar mbi vendet e tjera dhe megjithë përfundimin e kolonializmit, klishetë e orientaliste enden nëpërmjet masmediave dhe vazhdojnë të informojnë gjykimin e perëndimorëve mbi pjesët e tjera të botës.

Orientalizmi shqiptar u lind së bashku me kombin shqiptar. Rilindasit, bashkë me artikulimin e idesë së kombit, artikuluan edhe idenë e përkatësisë evropiane dhe perëndimore të shqiptarëve përballë armikut aziatik turk. Me krijimin e shtetit shqiptar orvajtjet e elitave politik dhe intelektuale për modernizimin e shoqërisë shqiptare sipas modeleve perëndimore sollën “oksidentalizimin” e identitetit shqiptar me anë të mohimit e elementeve kulturore që, sipas tyre, lidheshin me “orientin” dhe periudhën osmane. Në këtë prizëm u gjykua edhe feja myslimane ndër shqiptarët. Mehdi Frashëri e shtronte problemin në këtë mënyrë: “Çështja qëndron kështu: Islamizimi a e ka penguar popullin shqiptar në udhën e përparimit apo jo? Përgjigjja është po”. Gjatë viteve të komunizmit, megjithë demonizimin e perëndimit kapitalist prej ideologjisë zyrtare, orientalizmi si frymë vepronte në funksion të ndërtimit të “Shqipërisë së re socialiste” dhe të luftës kundër “mbeturinave” të “botës së vjetër”: “obskurantizmit fetar”, “reaksionarëve”, bejlerëve, “klasave të përmbysyra” etj. Në përpjekjet e Shqipërisë bashkëkohore për integrimin në BE, grupe politikanësh dhe intelektualësh laikë propagandojnë “ribashkimin” me perëndimin me argumentin se thelbi i shqiptarëve është i krishterë dhe si i tillë është një thelb evropian dhe perëndimor. Faktorin islam te shqiptarët e minimizojnë ose e paraqesin si nje “islam evropian”, me fjalë të tjera, i pëlqyeshëm për shijet e perëndimorëve.

Fjalimi i Presidentit të Shqipërisë përputhet plotësisht me orientalizmin bashkëkohor shqiptar. Kjo sepse në pjesën e parë të tij shprehet shqetësimi se shëmbëlltyra në perëndim e mërgimtarëve të dëshpëruar shqiptarë të viteve 1990 nuk është e njëjtë me atë të princave shqiptarë të shek XV, që mërgonin në perëndim pas një lufte të ashpër në mbrojtje të atdheut dhe Evropës prej pushtimit osman. Nëse perëndimi mërgimtarët shqiptarë të atëhershëm i priste plot mirënjohje, mërgimtarët e tanishëm i sheh si dëshmues të “një Shqipërie të dhunshme, të vrazhdë, rrezikuese. Shumë shpejt në mjediset politike dhe shkencore të Perëndimit doli pyetja: A ekziston një Shqipëri tjetër, një Shqipëri me fytyrë evropiane, një Shqipëri nga e cila mund të gjendeshin vlera të mbijetuara të qytetërimit?”. Pra, teksti thelbëzon shëmbëlltyrën e një perëndimi si mishërim i qytetërimit. Megjithëse kanë kaluar pesëqind vjet, del se perëndimi ka mbetur po ai dhe shqiptarët e sotëm i gjykon sipas kritereve të shqiptarëve të para pesëqind vjetëve. E shprehur ndryshe, perëndimi pyet: “A u kanë mbetur shqiptarëve pas pesëqind vjetësh pushtimi turk dhe pesëdhjetë vjetësh komunizëm ndonjë shenjë e qytetërimit të dikurshëm perëndimor?”. Presidenti ynë përgjigjen e gjen te toleranca fetare si vlerë që e ngre popullin shqiptar në një shkallë me perëndimin. Mirëpo, duke qenë se pikënisja e tij është një perëndim i tanishëm në thelb i njëjtë me perëndimin e krishterë të shek. XV, atëherë ai ndjen nevojën që shqiptarët t’i afrojë sa më shumë të jetë e mundur me krishtërimin. Kjo është arsyeja pse në pikëpamjen e shtrirjes kohore, të gjithë shqiptarët pa përjashtim i quan të krishterë, kurse sipas rrethanave të tanishme ata janë të krishterë dhe myslimanë. Vallë a nuk mjaftojnë pesëqind vjet të depërtimit të islamit ndër shqiptarët që ky i fundit të merret në konsideratë edhe në analizën vertikale-diakronike? Sa shekuj të tjerë duhet të kalojnë për ta bërë këtë?

Pjesa e fjalimit të Presidentit që ka ngjallur më shumë reagime janë fjalitë: “…islamizimi në Shqipëri nuk është fe burimore, as fe e përhapur në kohën e origjinës, as besim residencial, por një dukuri e ardhur dhe e trashëguar në gjuhën dhe liturgjinë e atij faktori që e solli. Islami në Shqipëri është një islam me fytyrë evropiane. Si rregull është një islamizëm i cekët. Tek çdo shqiptar, pak po të gërmosh, do të zbulosh thelbin e tij të krishterë”. Po të merren në analizë del shumë lehtë në dukje mosqëndrueshmëria e këtyre tezave. Në ç’kushte një fe quhet burimore për një komb? Nëse zanafillën e shqiptarëve e shtyjmë deri tek ilirët apo pellazgët mitikë, asnjë fe monoteiste nuk është fe burimore shqiptare, sikurse edhe për evropianët e tjerë. Duke qenë se islami në orientalizëm identifikohet me lindjen dhe me Azinë dhe krishtërimi identifikohet me perëndimin dhe me Evropën, Presidenti ynë e ndjen të nevojshme të thotë se islami në Shqipëri ka fytyrë evropiane. Se ç’kuptohet me “fytyrë evropriane” nuk del e qartë, por fjalia pasardhëse flet për një islam të cekët. Kjo do të thotë se islami i mirëfilltë akoma shihet si fe aziatike dhe jo universale, mirëpo në kontakt me Evropën, ai është holluar, është thjesht një mbulesë, pa rrënjë të ngulitura identitare te shqiptarët. Kjo pohohet në fjalinë pasardhëse, ku thuhet qartë se po ta gërvishësh pak mbulesën myslimane, te çdo mysliman shqiptar do të shfaqet bukur e pastër thelbi i krishterë. Duke e pranuar të mirëqenë tezën e përplasjes së qytetërimeve, perëndimit e orientit, Presidenti Moisiu duket sikur i thotë publikut britanik: Mos kini frikë, fundja shqiptarët në thelb janë të gjithë të krishterë, sikurse ju. Mbulesa myslimane është sipërfaqësore, e cekët, rrethanore, sinkronike, e përkohshme dhe ajo mund të hiqet lehtë, ndërsa krishtërimi është vertikal-diakronik, thelbësor e i qëndrueshëm. Nuk është çudi që ka patur reagime për shkelje të tolerancës fetare prej fjalimit të Presidentit dhe që veçanërisht besimtarët myslimanë ndjehen të fyer.

Shkruesit orientalistë të fjalimit e kanë futur institucionin e Presidentit të Republikës në një lojë të rrezikshme politike. Fjalimi u shkon për shtat fundamentalistëve fetarë që duan patjetër t’i veshin një thelb fetar identitetit shqiptar, paçka se e bëjnë këtë gjë nën flamurin e integrimit evropian. Duhet t’i shmangemi grackës së thelbëzimit fetar si të BE po ashtu edhe të identitetit shqiptar. Shqiptarët duan të integrohen në BE, jo sepse kjo e fundit bazohet në vlerat e krishtërimit, por sepse ajo është premtimi për një bashkëjetesë paqësore e shumëkulturore e popujve të Evropës, sepse ajo respekton diversitetin, garanton liritë dhe të drejtat universale të njeriut dhe ofron mundësi për mirëqenie.

Shumëfetaria është tipar dallues i identitetit shqiptar, toleranca fetare ka qenë kusht i domosdoshëm i mbijetesës së shqiptarëve si etni dhe komb. Ajo buron nga kushtet historike ku janë gjendur shqiptarët, prandaj është diçka gati e natyrshme ndër shqiptarët dhe nuk mund të jetë mall eksporti ndër popuj e rrethana të tjera. Evropa perëndimore e mësoi vlerën e tolerancës fetare pas luftrash të përgjakshme fetare. Gjithashtu ajo po mëson se si të kapërcejë qasjet evrocentriste dhe orientaliste në marrëdhëniet me popuj dhe kultura të ndryshme. Shqiptarët janë realitet evropian, pjesë e gjeografisë dhe historisë së Evropës. BE shqiptarët do t’i pranojë jo për shkak të “rrënjëve” të tyre të krishtera, por pasi të plotësojnë standardet politike, ekonomike dhe shoqërore, sikurse edhe vendet e tjera. Përkundër asaj që besojnë orientalistët shqiptarë, feja islame as nuk e dëmton shëmbëlltyrën e Shqipërisë në botë as nuk mund të jetë pengesë për modernizimin dhe përparimin e mëtejshëm të vendit.

Vënë nën:Orientalizmi shqiptar, Shqiptarët dhe Islami Tagged: amerikan, Eduard Said, Islami, Orientalizmi, shqiptarët

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top