OVIDI I RUMUNËVE

Poeti romak Publius Ovidius Naso, i njohur thjesht si Ovidi, hyn te më të njohurit poetë të letërsisë klasike – falë veprave si Metamorfozat dhe Ars Amatoria.

Ka bërë një vend në kujtesën e kohërave edhe si “shenjti mbrojtës” i shkrimtarëve të internuar; meqë për shkak të një gabimi të pasqaruar kurrë, u syrgjynos prej perandorit August në Tomi, një ngulim grek buzë Detit të Zi (që sot përkon me qytetin e Konstancës).

Kur në internim, Ovidi shkroi një cikël elegjish (Tristia) dhe një numër letrash në vargje (Epistulae ex Ponto), edhe ato në formë elegjiake.

Te këto të fundit, ai përmend edhe një këngë që ka shkruar në gjuhën e vendit, për nder të perandorit August dhe të familjes perandorake; dhe një këngë tjetër për nder të Tiberit.

Në gjuhën e vendit? Kjo mund të ketë qenë gjuha e fisit të getëve. Vetë Ovidi e identifikon atë si një nga dy gjuhët kryesore që fliteshin në zonën ku e kishin internuar – duke qenë tjetra sarmatishtja, gjuha e sarmatëve.

Romakët ndonjëherë i ngatërronin getët me gotët. Përkundrazi, sot mendohet se getët dhe dakët kanë qenë shumë të afërt mes tyre, në mos dy popuj që flisnin të njëjtën gjuhë.

Përkundrazi, sarmatët njihen ndryshe edhe si skithë, dhe mbahen për të afërt me persët (iranianët): gjuha e tyre mbijetoi në gadishullin e Krimesë deri në fund të shekullit XIX – dhe mund të ketë lënë gjurmë edhe në disa fise të Afganistanit të sotëm (pashto); nga ana tjetër, me skithët iranianë pretendojnë të kenë lidhje etnogjenetike një numër popujsh, nga keltët e Skocisë dhe të Irlandës, te polakët dhe serbët.

Gjithsesi, dhe pavarësisht nga saktësia historike, fiset vendëse të zonës ku e syrgjynosën Ovidin i kanë mbajtur rëndom për skithë – siç e konfirmon, mes të tjerash, edhe emri i një pikture të Delacroix-së, Ovidi mes skithëve (Ovide chez les scythes) – por këta “skithë” nuk ishin veçse një trajtë më konkrete e një populli që jetonte përtej portave të Europës në Lindje.

Ndërkohë, ideja se Ovidi sqimatar dhe urban kish jetuar për vite mes getëve (dakëve) dhe kish dhënë e kish marrë me një kulturë “barbare”, nuk mund të mos u dukej tërheqëse të gjithë atyre intelektualëve dhe dijetarëve rumunë, që përgatitën Rilindjen e kombit të tyre.

Siç vë në dukje studiuesi Theodore Ziolkowski, tek i cili jam mbështetur për të dhënat në vijim (shih shënimin bibliografik në mbyllje), poeti dhe përkthyesi Vasile Aaron shkroi biografinë e parë të plotë të autorit të Metamorfozave, duke shpjeguar se ai vetë, si rumun, nuk rridhte prej getëve dhe sarmatëve të pagdhendur, por prej romakëve, njëlloj si Ovidi.

Romantikët rumunë u joshën nga imazhi i poetit nga Roma, që harton vargje në gjuhën e getëve dhe ua lexon ato vendësve të pagdhendur dhe të ashpër.

Pasi Dobruxha (Dobrogea) iu bashkua shtetit rumun në 1878 dhe kur arkeologët provuan se Konstanca moderne ishte vazhdimi i qytetit-port të Tomit, menjëherë qytetarët e atjeshëm ia ngritën sakaq një monument poetit nga Roma.

Me kohë, letërsia dhe kultura rumune e përvetësuan Ovidin si poetin e parë rumun, ngaqë ai pat shkruar edhe në latinishte – gjuha mëmë e rumanishtes, edhe në getishte – gjuha e stërgjyshëve të rumunëve.

Që nga ajo kohë, Ovidit në Rumani iu kushtuan statuja, pjesë teatrale dhe simfoni; universitete, sheshe dhe rrugë morën emrin e tij; festivale kulturore dhe çmime letrare u organizuan nën hijen e tij.

Studimet kushtuar Ovidit, veprës së tij dhe romanitetit ballkanik të periudhës së internimit të tij ndihmuan për të krijuar një traditë të pasur të latinistikës në Rumani.

Aq erdhi dhe u pasurua kjo traditë, saqë studiuesit rumunë ndihmuan për ta çuar përpara “ovidiologjinë” edhe në krejt Europën.

Poeti romak ishte i destinuar, nga historia, për të luajtur një rol në ngjizjen e Rumanisë moderne – si përfaqësues nga më të shndritshmit e kulturës dhe artit klasik, ai megjithatë kaloi një pjesë të jetës në shoqëri të vendësve, aq sa edhe mësoi gjuhën e tyre dhe shkroi vargje në atë gjuhë.

Kështu, ai do t’u shërbente rumunëve dhe për të rivendosur lidhjet e tyre me familjen e madhe të romanitetit europian; edhe për të nxjerrë në pah unicitetin e tyre, si pasardhës të dakëve.

Pati edhe nga ata studiues dhe shkrimtarë modernë (Marin Mincu) që e vështruan Tomin e lashtë, vendin ku e internoi perandori Ovidin, si alternativë kulturore ndaj Romës së korruptuar; dhe si një vatër kozmopolitane ku gërshetoheshin fillesat greke apolloniane dhe getike-orfike (vetë Orfeu e kish prejardhjen nga malet e Trakës).

Askush veç Ovidit nuk mund ta kish luajtur këtë rol themeltar në kulturën moderne rumune, dhe në mitologjinë për kombin rumun si sintezë të romanitetit ballkanik dhe autoktonisë dake. Ovidi e çon Rumaninë në Europë, por ky rol prej Moisiu të kombit i lejohet vetëm falë hapjes së tij ndaj popullsisë vendëse.

Për fat të keq, ose për ironi – nëse mund të shprehemi kështu – jo vetëm që veprat e Ovidit në gjuhën getishte nuk kanë mbijetuar; por edhe vetë syrgjyni ose internimi i tij në Tomi janë vënë në dyshim nga një numër historianësh; kryesisht ngaqë mungojnë dëshmitë e tërthorta; në kuptimin që historianë që kanë shkruar për periudhën augustiane, si Taciti ose Svetonius-i nuk e përmendin fare.

Shënim: të dhënat për pritjen e Ovidit në kulturën rumune moderne i kam nxjerrë nga vëllimi Ovid and the Moderns, nga Theodore Ziolkowski (Cornell University Press, 2004).

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top