NJË BUTON PËR NESËR

Të nderuar miq dhe lexues, siç mund ta keni vënë re, sot kemi shtuar një buton dhuratash në faqen hyrëse, për të gjithë ata që do të dëshironin të jepnin një kontribut për blogun tonë Peizazhe të Fjalës. Qëlloi që vendimi për t’ju kërkuar juve, lexuesve, ndihmë financiare, sipas dëshirës dhe mundësive, erdhi vetëm pak […]

KALLKAN DOLLAPËT

“Funksioni i çdo sirtari është të lehtësojë, të aklimatizojë vdekjen e sendeve duke i detyruar të kalojnë përmes një hapësire të përshpirtshme, një faltoreje të pluhurt ku, duke u hequr sikur po i mbajmë gjallë, u lejojmë atyre një interval dinjitoz agonie të errët…” shkruan Roland Barthes te autobiografia e tij mozaike, Roland Barthes by Roland […]

S’ka status. Dukuni prapë!

Kështu na tha Evropi. S’ka status, se s’keni kuptuar gjë. Burg për zyrtarët e lartë të korrupsionit. Privim lirie, e dini c’është? Ndodh kur përputhet zëri me figurën dhe ju duhet të reagoni. Kur ta keni kuptuar, na tregoni fotot nga vendi që meritojnë politikanët tuaj, dhe ejani prapë. Plus, mirë do ishte edhe të mësoni të shkruani e të lexoni sipas shekulli 21. E këtë punë e bëjnë njerëzit, jo partitë. Po gjetët njerëz të aftë, ia hodhët. Po s’keni, s’ka gjë. Vazhdoni me metodën tuaj: hiq një palë përtacë të trashë, vur një palë dembela arrogantë.

SHOLLYWOOD

nga P. Stafa Hollywood-in e dinë të gjithë se çfarë e ku është, Bollywood-in gjith’ e më shumë (për shqipparësit e moshave të thyera: „Vagabondi“: Raxhi dhe Rita…), Nollywood-in më pak, ndërsa për Shollywood-in nuk ka dëgjuar askush, pasi këtë emër po ia vemë ne tani të parët. Për këtë të fundit, ose më mirë […]

Jetë të gjatë “Zanit të Naltë”

Besnik MUSTAFAJ

 

JETË TË GJATË ”ZANIT TË NALTË”

Besnik Mustafaj

Besnik Mustafaj

Zani i Naltë”, revistë shkencore dhe kulturore, botim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, mbushi në fund të kësaj vjeshte 90 vjet. Njësoj si 100-vjetori i “Hyllit të Dritës”, edhe ky 90-vjetor i “Zanit të Naltë” përbën një ngjarje të rëndësisë së veçantë për historinë dhe aktualitetin e kulturës dhe të mendimit shqiptar. Ashtu si “Hylli i Dritës” dhe si shumë gjëra të tjera të mira, të themeluara nga etërit e shqiptarizmës bashkë me pavarësimin e Shqipërisë për të shoqëruar e përkujdesur mëkëmbjen mendore dhe shpirtërore të kombit shqiptar, edhe “Zani i Naltë” pati tragjedinë e vet gjysmëshekullore për shkak të regjimit fashist e mandej atij komunist. Por nuk vdiq, siç nuk vdesin kurrë gjërat e mira e të ndershme, ku mishërohet ndërgjegjja dhe ëndrra për paqe dhe prosperitet e kombit. Qysh në lindjen e saj, kjo revistë u përcaktua si tribunë për “shkencën islame, sociologjinë, psikologjinë, letërsinë, historinë, moralin, literaturën kombëtare”. Me të njëjtin qëllim të lartë, besnikërisht, vjen edhe e rilindur. Ky është një lajm i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët.
Rilindja e kësaj reviste shpreh pa dyshim një nevojë të kohës. Kurrë në historinë e botës sonë nuk është folur e shkruar kaq shumë për Islamin sa sot. Fakt është se në këtë det fjalësh të thëna e të shtypura rreth Islamit, zërat e myslimanëve të vërtetë përbëjnë vetëm ca përrenj, të cilët më së shpeshti përmbyten nga zallamahia pa u vënë re. Do pranuar se një vëmendje kaq e madhe dhe mbarëbotërore ndaj Islamit dëshmon rëndësinë e jashtëzakonshme që ka fituar qytetërimi islam në botën e sotme. Ama do pranuar po ashtu, sado që me keqardhje të thellë, se kjo vëmendje, në pjesën e vet mbisunduese, nuk ushqehet nga një kureshtje dhe dëshirë e ndershme për të kuptuar se ç’është qytetërimi islam, për të ndërtuar pastaj politika kulturore, sociale dhe ekonomike me bartësit e këtij qytetërimi, në interes të përbashkët të njerëzimit, apo për të ndërtuar marrëdhënie diplomatike dhe njerëzore miqësore. Është një pakicë, kam parasysh këtu pa dallim fondamentalistët kristianë dhe myslimanë, të cilët bërtasin aq shumë, sa jo rrallë arrijnë ta turbullojnë arsyen e shëndoshë të njerëzimit të sotëm. “Zani i Naltë” rikthehet për t’iu bashkuar arsyes së shëndoshë, e cila, edhe pse nuk bërtet, është e do të jetë në fjalë të fundit e pathyeshme, sepse ka me vete të vërtetën.
Rilindja e kësaj reviste, parë në qerthullin e familjes sonë shqiptare, tregon se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka tashmë brenda vetes forca intelektuale të bollshme dhe të devotshme si dhe me një nivel shumë të lartë dijesh për të ushqyer një revistë si kjo, ku jo vetëm paraqitet një informacion i pasur e i gjerë shkencor e kulturor, por edhe zhvillohet e do të zhvillohet më mirë në të ardhmen një debat i shëndetshëm idesh dhe pikëpamjesh mbi historinë, besimin, sociologjinë, psikologjinë, letërsinë, moralin dhe në përgjithësi mbi problematikat e mëdha me të cilat përballet kombi. Pra, është një tregues i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët fakti se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka potenciale të tilla dijetarësh, të pjekur, të lidhur, ashtu si paraardhësit e tyre, me fatet e atdheut, të shkolluar mirë, me një mendje të hapur, intelektualisht të ndershëm dhe të gatshëm të shprehen përpara gjithë opinionit publik, duke bërë që “Zani i Naltë”, edhe pse botim me përkatësi ndaj Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, t’i drejtohet me trajtesat e veta krejt shoqërisë shqiptare dhe më gjerë.
Kjo revistë, jam i bindur, ashtu si në zanafillën e saj, do të shërbejë në radhë të parë për të rritur besimin e myslimanëve të sinqertë shqiptarë te feja e tyre e trashëguar tashmë prej brezash. Rritja e besimit te feja e tyre është një nga sfidat më të rëndësishme që ka përpara sigurisht Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, siç është kjo në përgjithësi një nga sfidat më të mprehta për mbarë botën e sotme myslimane. E tillë, kjo revistë nuk drejtohet kurrsesi kundër besimeve të tjera. Përkundrazi. Ashtu siç është në traditën e saj të pasur, kjo revistë vetëm do e pasurojë gjuhën e dialogut në emër të mirëkuptimit me të tjerët. “Zani i Naltë” do të vazhdojë kështu  të shërbejë për të treguar fytyrën e vërtetë të “Islamit shqiptar” si një Islam modern, si një Islam paqtues dhe integrues përkundër të gjitha përpjekjeve të islamofobëve, të cilët përpiqen verbërisht ta dezinformojnë opinionin publik, përpiqen ta diskreditojnë Islamin në përgjithësi dhe “Islamin shqiptar” në veçanti, pa marrë parasysh dëmet e mëdha që mund t’i shkaktojnë kohezionit të shoqërisë tonë.  Islamofobët, veç të këqijave të tjera, ushqejnë drejtpërdrejt terrorizmin islamik. Kjo e vërtetë nuk duhet harruar kurrë. Si të tillë, islamofobët nuk janë vetëm armiq të myslimanëve të vërtetë. Ata janë mirëfilli armiq të njerëzimit.
Duke njohur trashëgiminë editoriale të kësaj reviste gjatë gjashtëmbëdhjetë viteve të jetës së saj para luftës, duke njohur frymën që zotëron në Komunitetin Mysliman Shqiptar në ditët tona, duke njohur personalitetin e drejtorit të saj të sotëm, Dr. Genti Kruja dhe të shumë autorëve që shkruajnë në të, mbetem i bindur se “Zani i Naltë” do të jetë një zë i fuqishëm dhe parimor në përballjen pa kompromis kundër islamofobisë dhe kundër të gjitha fobive të tjera, të cilat i fryjnë zjarrit të urrejtjes dhe synojnë të përçajnë njerëzimin për arsye të përkatësive të ndryshme fetare, etnike apo kulturore. “Zani i Naltë” ka pasur dhe do të ketë për mision mirëkuptimin në emër të jetesës së përbashkët në harmoni.
Në thelbin e vet “Zani i Naltë” u lind 90 vjet më parë si revistë thellësisht atdhetare. Ajo ka ndihmuar haptas në rrënjosjen e dashurisë për atdheun te shqiptarët në përgjithësi, te myslimanët në veçanti, si rruga e vetme për formësimin e vetëdijes dhe të identitetit kombëtar. Është me vlerë ta kujtojmë këtë gjen të “Zani të Naltë”, sidomos në kohën që jetojmë, një kohë e keqkuptimeve të mëdha identitare, kur atdheu jo gjithmonë ka vendin që do të duhej të kishte në mendjen dhe në zemrën e njeriut. Besimi i myslimanit shqiptar te Libri i Shenjtë nuk është nxjerrje në harresë e as nënvleftësim  i shenjtërisë së atdheut. Përkundrazi, është rivlerësim i tij. Le të kujtojmë plot nderim me këtë rast amanetin e Hafiz Ali Korçës: “Zot të na rrojë atdheu e kombësija/ aqë sa të na rrojë edhe gjithçka”. Ky është mësimi i madh që vjen nga themeluesit e “Zanit të Naltë” nëntë dekada më parë për ta vazhduar si trashëgimi të patjetërsueshme ata që e bëjnë sot revistën, me qëllimin për ta shndërruar këtë tribunë para së gjithash në një burim vital të energjisë së atdhedashurisë. Pjesë jetike e dashurisë së shqiptarit për vendin e vet sot është ëndrra e tij europiane. Rilindja e “Zanit të Naltë” i ka rrënjët te brohoritma e studentëve të ngritur kundër diktaturës në dhjetor 1990: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. “Zani i Naltë” do të dijë t’i shërbejë kësaj aspirate madhështore të rinisë shqiptare.
Nisur sa nga trashëgimia e saj, aq edhe nga mendësia e atyre që përkujdesen sot për të, unë jam i bindur se kjo revistë do të shërbejë fuqimisht për të vendosur mbi një bazë edhe më të strukturuar e më intelektuale dialogun e Islamit me besimet e tjera, në emër të interesave të përbashkëta, që janë kohezioni i shoqërisë shqiptare dhe uniteti kombëtar. Në qoftë se kjo do të bëhej një revistë për të ushqyer komunitarizmin, apo edhe më keq, një revistë sektare, atëherë nuk do të kishte vlerë, madje do të bëhej e dëmshme më së pari për myslimanët e mandej për të gjithë shqiptarët. Por “Zani i Naltë” rilindi si një revistë pikërisht në këtë qëllim, për t’i shërbyer hapjes së mendimit të “Islamit shqiptar” dhe të Islamit universal sigurisht, sepse “Islami shqiptar” nuk është jashtë Islamit universal. Dialogun me të tjerët, në emër të interesave të përbashkëta për të bashkëjetuar në paqe e në harmoni, duke sqaruar si keqkuptimet ashtu edhe provokimet, e ushqen vetë Kurani. Ata që rreken të thonë që Islami shqiptar, kaq i hapur dhe mirëkuptues ndaj besimeve të tjera, është një përjashtim nga fryma e Kuranit, ose nuk e njohin Kuranin, ose nxiten nga prapamendime të mbrapshta. Islami shqiptar është plotësisht në frymën e Kuranit. Dhe këtu buron fuqia e tij.
Kjo revistë do të thellojë e pasurojë dimensionin e vet ekumenik, që do të thotë se do të thithë në faqet e veta pa komplekse përjashtuese sigurisht mendimin e njerëzve më të shquar shqiptarë të kohës dhe të traditës, por edhe të mbarë botës, që nuk janë myslimanë doemos. Pra, duke qenë një revistë ndershmërisht ekumenike, ajo do të zgjerojë pareshtur horizontin e vet si tribunë intelektuale mbarëkombëtare dhe universale, por edhe do të justifikojë më mirë përcaktimin që ka qysh në origjinën e saj si një revistë shkencore dhe kulturore. E shpalosur si një revistë thelbësisht ekumenike, ashtu siç është ekumenike vetë jeta e shqiptarit sot dhe në traditë, me informacionet, idetë dhe analizat e veta “Zani i Naltë” do të përbëjë në vazhdimësi dhe në rritje një kontribut origjinal e shumë të çmuar për kulturën shqiptare, por edhe për kulturën e njerëzimit në përgjithësi.

 

Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/12/14/jete-te-gjate-zanit-te-nalte/

Vënë nën: Aktivitete kulturore Tagged: Zani i Naltë

IMF Departure from Albania Raises Political Storm

09 October 2008 An apparent decision to not renew the IMF’s tenure in Tirana has roused the opposition’s anger, while some experts argue the move comes at the wrong time.    By Gjergj Erebara in Tirana Published in Balkaninsight.com 9 Oct 2008 The Albanian government has caused a storm by signaling that it will not renew […]

Gjykata Europiane na jep ultimatum 6 mujor për pronat. Rrezikojmë sanksione

Shqipëria vihet nën regjimin e vendimit pilot. Rrezikojmë sanksione nga Këshilli i Europës Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka edhe 6 muaj afat qeverisë shqiptare që të gjejë një zgjidhje konkrete dhe finale për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave ose në rast të kundërt Shqipëria rrezikon sanksione nga Këshilli i Europës. […]

Jam gabel i Istitutit…

f1_pastrimi1337705958

(sepse edhe mund të tallemi, por duhet të tallemi me seriozitet)

Të rrimë shtrembët e të flasim drejt: pas shumë vitesh heshtje që bie erë komploti, ka ardhur koha që të merremi me kryeveprën letrare shqiptare që, më shumë se çdo poezi a këngë, përfaqëson tragjedinë e dashurisë së humbur. Çdo popull prodhon gojëdhëna trimërie a dashurie: nga Wilhelm Tel te Robin Hood, nga Tristano & Isotta deri te Bewolf. Më në fund, edhe Shqipëria paraqet diçka që ka të njëjtën elegancë, të njëjtën dashuri e tragjedi. Poeti e shpreh dhimbjen e tij në pak rreshta që bëhen të popullit sepse atij i përket, përfundimisht, sa dhimbja aq edhe poezia.

Si të gjitha kryeveprat letrare, edhe në këtë rast autori humbet në kohë. Pushteti popullor, që nuk ngopet me një version, e shkruan dhe e rishkruan. Diku shton një varg, diku heq dy a tre, sipas krahinës dhe moshës të atij që e tregon. Për momentin po qëndrojmë te versioni zyrtar i poezisë. Kanë ikur tashmë kohët e Naimit e Ismailit, kur dashuria, si virtyt, lavdëronte hijet e saj në vargje kristali. Poeti është i drejtpërdrejtë në dhimbje dhe na jep edhe më shumë informacione se sa duam.

           jeta ime rrapa-shtrrapa
          jam gabeli i institutit,
          një dashnore që e pata
          ma shtypi makina e mutit.

Ofelia moderne shpërthen në gjithë dramën e saj, lind e vdes në kujtesën e poetit. Këtu nuk ka nevojë për intriga familjesh në ballkonat e Veronës, për lot a keqkuptime. Heroin tonë e imagjinojmë në mejhane të ndyra tek kujton dashurinë e humbur me raki e kukurec. Dy rreshta dhe lind postmodernizmi tallava.

Ky version, ndryshe nga të tjerët, ka edhe meritën që na ndihmon në identifikimin e poetit. Në sajë të saj, pra, marrin kuptim edhe teoritë sipas të cilave është këngë e Brrakës kënduar në aktivitetet kulturore të ndërmarrjes së Komunales, ku, ma merr mendja, makina hyn e del shpesh. Askush nuk e di, por dashnorja edhe makina po shkojnë drejt fatit të tyre, drejt përplasjes finale. Nëse autori është vërtet “gabel i institutit”, ai dhe dashnorja mund të kenë qenë fare mirë punëtor të Komunales. Në mendjen tonë shikojmë si lind e si lulëzon kjo ndjenjë: pas vitesh vetmi kemi, më në fund arrin dashuria në kohën e stërkaleve.

Autori nuk na ofron mizerjen e jetës së tij. Këtu nuk ka vargje “shumë kam vuajtur” e “shumë kam hequr”.  Jo. Autori, mjeshtër i thjeshtësisë, përdor vetëm një “rrapa-shtrrapa” për të na futur në jetën e tij. Sot shprehje të tilla janë zëvendësuar nga “rronxho-ponxho”, nga ushqimori “çupa-çups” e nga muzikori “koko-xhambo”. Por asnjë nga këto s’e ka fuqinë e rrapa-shtrapa: na kujton një rrotë të prishur që mezi ecën, me njëmi mundime. E nëse e pyesim veten mbi arsyen e kësaj vuajtje  ja që autori – që e dinte që do pyesnim se pse –  na servir “jam gabel i Istitutit”, e menjëherë edhe jeta rrapa shtrrapa merr kuptim.

Drama rritet tek rreshti “një dashnore që e pata”! Për herë të parë shohim një ditë të bardhe në jetën e tij, e ndërsa gëzohemi edhe trembemi. Pse thotë “që e kisha”? Ça të ka ngjarë vallë? Dhe mendojmë për dashurinë e Hamletit, për tragjedinë e Romeos, për ato dashuri që ka kanë njomur sa e sa sy beqareshash. Poeti nuk na kursen, na sulmon me vargun e fundit kur na servir fatin e vajzës. Por nëse dhimbja e Hamletit e Romeos ishte fisnike, dhimbja e tij është banale dhe e kemi të vështirë që të identifikohemi me autorin. Ai është i qartë, na kërkon një pozicion politik: ose jeni me mua, ose jeni me makinën e mutit: nuk ka rrugë të mesme në këtë mes.

Siç ndodh shpesh, të gjithë duan që të marrin meritat e kësaj kryevepre. Ja Tirana që e kërkon sepse, helbete, është kryeqytet e ka Istitutin. Ja aty Vlora që nuk pranon teori përveç asaj të cilës poeti është vlonjate. Kush e di, ndoshta përtej krenarisë poetike, këtu fshihet edhe një strategji turistike: mijëra veta viti për vit vizitojnë rrënojat e Trojës, kërkojnë varrin e Homerit apo vizitojnë atë të Edgar Allan Poe. A është e tepruar të mendojmë edhe një turizëm poetik bazuar mbi autorin e kësaj poezie? Hollandez, danez, gjermon, amerikan që vijnë në Shqipëri për të kërkuar shtëpinë ku ka banuar “Gabeli i Istitutit”, që vizitojnë “Komunalen” dhe që bëjnë fotografi pranë makinës së mutit. Ëndërr apo utopi?

Megjithëse versionet ndryshojnë, disa gjëra janë të sigurta. Në një version psh, këndohet “një dashnore qorre që e pata”. Kështu edhe incidenti merr një kuptim të qartë. Në një version tjetër makina shfaros pesë e gjashtë dashnore, diku tjetër shkruhet

     S’kam mendjen e Ajshtajnit ,
    s’kam lekët e hajdutit,
    po dhe një dashnore që pata,
    ma shtypi makina e mutit.

Lexuesi, me siguri tashmë i emocionuar, mund ta vlerësojë vetë ndryshim midis dy versioneve. Unë nënvizoj vetëm atë “dhe” te rreshti i tretë. “Dhe” një dashnore na tregon qartë që ajo ishte e vetmja rreze dielli në jetën e tij.

Nuk i përkas krahut ekstremist që mendon se “Makina e mutit” është e të njëjtin nivel me vepra  si “Ajkuna qan Omerin” apo “Shokë më bini longarë”.  Nuk ka dyshim ama, që lidhja midis makinave dhe tallavasë lind këtu, dhe në vite transformohet duke mbajtur tre element konstante: poeti, dashnorja, makina. Por ndryshimi, mbi të cilin do duhen studime antropologjike urgjente, është që me kalimin e kohës makina bëhet aleat dhe përdoret për të kapur dashnore të tjera, të cilat ama mund të jenë edhe kundër. Por fati i tij vazhdon të ngelet mizor, sepse në momentin kur zotëron armikun e vjetër, makinën, zbulon që ka humbur dashnoren, a thua se s’duhet të ketë kurrë një ditë të bardhë në jetën e tij. Kujtojmë këtu“sa më bëhet qejfi/ prishe mercedezin”  apo “me alfaromeo të buzëqesha”. Nën këtë këndvështrim “Makina e mutit” është zanafilla profetike dhe pasardhëse e denjë e të gjithë rrymës poet-makinë-dashnore.

Por lexuesi i vëmendshëm s’mund të mos mendojë për rrymën ludistë, të cilës padyshim edhe kjo poezi i përket. Një konfirmim të tërthortë e gjejmë në versionin tjetër ku “makina” bëhet “karrocë” dhe kënga vazhdon me ankim kundrejt saj. Me kalimin e viteve populli mund ta ketë përditësuar për ta bërë më aktuale duke kaluar nga karroca në makinë. E të gjithë falënderojmë që ka përcjellë deri te ne kryevepra të tilla.

Filed under: Letërsi Tagged: gabel i istitutit, këngë popullore, poezi, rrapa shtrapa

Përpjekje për një klub shqiptarësh

Ali OLLONI

 

PËRPJEKJE PËR NJË KLUB SHQIPTARËSH*¨

Damasku

Bisedat e përzemërta me shqiptarët e Sirisë nuk do të ishin të plota pa reporterin që kërkon ngjarjet autentike, atmosferën dhe veten në to, po qe se nuk i dëgjon të gjitha “kambanat”, po qe se nuk llafoset me të gjithë ata që, nga situatat e ndryshme dhe në kushte të ndryshme, qenë të shtrënguar që në periudhat e ndryshme kohore të lënë atdheun e tyre.

Ata që e kanë studiuar mirë historinë e popullit tonë, e dinë se një pjesë e tij është e shpërndarë nëpër botë dhe se kjo pjesë kërkoi “vendin nën qiell” për shumë arsye. Në shkrimet tona të lira për shqiptarët e gjallë që jetojnë në Republikën Arabe të Sirisë, shpesh e kemi përmendur fenë si ndër arsyet kryesore që një grusht shqiptarësh u nisën në rrugën e largët para pesë-gjashtë dekadash. Kujtojmë se do t’i hynim pikërisht fesë në hak, po qe se nuk i përmendim edhe rrethanat e tjera nën të cilat shqiptarët u rrokën në jetën jashtë vendlindjes.

Një mbrëmje prilli, ia mësymë një rrugice të lagjes Divanije të Damaskut, në banesën e Shefqet Gavoçit. Në portën e shtëpisë na pret vetë Shefqeti, si të gjithë shqiptarët. E flet gjuhën, sikur të kishte shkuar sot në Damask. Për një moment, në të hyrë pushojnë zërat e fëmijëve dhe të grave. Ngjitemi shkallëve të gurta dhe futemi në një dhomë gjysmë të errët, në të cilën janë dy shtretër dhe disa fotografi nëpër mure.

Përshëndetemi me prezantime të herëpashershme e më të dendura.

Shkodrani është i bukur dhe temperament. Ndonëse i shtyrë në moshë, Shefqet Gavoçi të jep përshtypjen e njeriut vital me plot optimizëm për jetën. Furtunat e mëdha të jetës kishin lënë pak gjurmë në shëndetin e tij (apo kështu ndoshta duket secili njeri, në shikim të parë).

Kohërat kur qeni nuk e ka njohur të zonë

Shefqet Gavoçi lindi në Shkodër, më 1918. Është i katërti djalë i hoxhës që i kreu studimet në Shkodër e në Turqi, i Sulejman Gavoçit, luftëtarit të dalluar në luftërat kundër turqve që qenë zhvilluar prej Shkodrës e deri në Tuz.

Në rininë e hershme, familja e hoxhës e dërgon djalin në Egjipt. Në universitetin e Al-Az’harit ai kryen studimet në gjuhën arabe dhe merr diplomën e shkollës së lartë.

– Më 1946 erdha në Damask të Sirisë – tregon sot Shefqeti – ku e kisha edhe babanë, i cili pati ardhur këtu që nga momenti kur Italia fashiste e pushtoi Shqipërinë.

Sipas fjalëve të Shefqet Gavoçit, familja e tij kishte autoritet në Shkodër dhe në tërë vendin por, e ndjekur nga zogollistët, u detyrua që ta lëshojë Shkodrën. Kështu, në fillim shkoi në Bejrut të Libanit e pas një muaji në Damask të Sirisë.

– Në kohën kur familja ime ishte në Siri, unë isha në Egjipt. Atje bëheshin demonstrata të mëdha kundër hyrjes së Italisë në Shqipëri. Legata italiane na ftoi të gjithëve për të na dhënë disa ndihma, mirëpo unë isha i vetmi që refuzova ndihmat e tyre.

E gjatë duket (dhe është) biseda me Shefqet Gavoçin.

– Nëpër kohëra – thotë ai – nuk e ka njohur qeni të zonë. Ndaj, i biem pak më shkurt.

Marrim vesh prej tij se më 1951, në Siri ka ardhur një delegacion i shqiptarëve mërgimtarë për të shikuar kushtet e punës dhe të jetës së shqiptarëve. Me atë rast, qeveria e atëhershme siriane premtoi një vend të caktuar për të gjithë shqiptarët brenda shtetit, me një pjesë të tokës punuese dhe me një ndihmë të përkohshme prej 5000 lirave siriane.

Mirëpo, meqë kishin bërë kërkesa të tilla edhe emigrantët palestinezë, premtimet për shqiptarët nuk realizohen, dhe kështu nuk u plotësua asnjëra prej kërkesave.

Shpirtrat e shqetësuar

Në vitet pesëdhjetë, shqiptarët gjallëruan si mundën e si ditën: dikush si punëtor krahu, dikush si drejtues lokomotive, nëpunës, zanatçinj, punëtorë lulishtesh, oficerë etj.

Shqiptarët e Sirisë nuk janë tubuar vetëm kur kanë kërkuar ndihma të ndryshme nga qeveria. Apelit të tyre për të themeluar një klub, i cili daton që nga viti 1948, iu përgjigjën gati të gjithë shqiptarët. Ata dhanë sipas takatit, kush më shumë e kush më pak, dhe kështu themeluan “Klubin bamirës të shqiptarëve në Damask”.

Qëllimi kryesor i këtij klubi është hapja e një shkolle shqipe, me qëllim që të mos harrohet gjuha shqipe.

Shefqet Gavoçit i kujtohet mirë se ndër gjeneratat e para e kishte nxënës edhe Abdulatif Arnautin.

– Qeveria na e lejoi themelimin e klubit, siç ia pati lejuar dhe çerkezëve dhe armenëve, por na diktuan shpejt dhe na penguan shumë. Klubi dhe shkolla shqipe falimentuan shpejt. Asokohe isha nënkryetar i klubit.

Kuptojmë se posa janë qetësuar shpirtrat e reaksioneve të grupeve të tjera etnike që kanë jetuar në Siri kundër organizimit të shqiptarëve, të vetëdijes së tyre për gjuhën dhe zakonet, Shefqet Gavoçi ka vazhduar me të “vjetrën”, ka pritur momentet dhe sërish ka filluar punën me kurse të ndryshme të mësimit të gjuhës shqipe nga ana e të rinjve dhe të moshuarve që me arabishten flinin e zgjoheshin.

– As vetë nuk e di se kah më vinte që të fillojë punën shkolla shqipe, pavarësisht nga kushtet të cilat ekzistonin – shton ai.

Pas llafosje së gjatë me bashkëbiseduesin, ai, si të gjithë mësuesit e zellshëm, kërkon mjete konkretizimi. Ndaj, na fton të hyjmë në një lokal tjetër. Në fund të oborrit, Shefqeti e hap portën e një salle të shtruar me minderë të thjeshtë dhe me një tablo të vogël shkrimi.

Kosovarët po “harrojnë”

– Sot, në mungesë lokali, këtu, në shtëpinë time, punon shkolla shqipe, ku fëmijët e shqiptarëve dhe ata që e kanë harruar gjuhën, mësojnë gjuhën shqipe, shkrim-këndimin amtar. Ashtu, thjesht, sipas takateve tona.

Një muaj të enjteve dhe një muaj të xhumave (të premteve) në këtë shkollë vijnë 16 vijues të rinj, lexojnë pjesë gazetash, shkruajnë nga pak dhe flasin shqip.

– Po na mungojnë tekstet – shton Shefqeti. Sa herë që kanë ardhur kosovarët këtu, na kanë premtuar tekste shkollore, por ja, kur po kthehen në Kosovë po “harrojnë”.

Në minderet e lokalit mësimor është “Rilindja” dhe “Zëri”, të para një muaji. Nga një shkrim prej tyre, Shefqeti iu jep vijuesve dhe, pasi ta kenë lexuar, u kërkon sqarime, kuptimin e shkrimit. Pas orës së mësimit, iu jep gazetën me vete dhe, dorë më dorë, për disa ditë, botimet tona kalojnë gati nëpër të gjitha duart e shqiptarëve dhe atyre që duan ta ruajnë gjuhën amtare.

– Një qëllim e kemi, të mos humbasë gjuha jonë – flet shkurt Shefqet Gavoçi.

Zaten, shqiptarët e Sirisë kanë zë të mirë në tërë vendin, dallohen në punë dhe duhen prej të gjithëve. Nga pak iu kanë prishur punë grupet e tjera etnike meqë kur refuzoheshin kërkesat e tyre, në po atë “thes” hynin edhe kërkesat e shqiptarëve.

Shqiptarët e Sirisë na bindin duke thënë: çerkezët, armenët e grupet e tjera etnike bashkëpunonin me okupatorët e Sirisë, kurse shqiptarët ranë me armë në duar kundër çdo kolonialisti që ia mësyu Sirisë.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

* Ky artikull është botuar për herë të parë në gazetën “Rilindja”, në Prishtinë, më 05.08.1978.

¨ Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, botim special për Arnautët, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

Vënë nën: Arnautët Tagged: Damasku, Serbia, Shkodër, Shkodrën

DUKUNI NJË HERË NGA JAVA

Ka diçka që nuk më shkon, në arsyen e sjellë nga kancelarja Merkel, për refuzimin e statusit Shqipërisë. Siç lexova te Shqiptarja.com, Merkel paska thënë që “duhet të vendosen ligje të mëtejshme për reformat.” E kontrollova këtë edhe në origjinal, siç e kish përcjellë Die Presse: Zunächst müssten weitere Reformgesetze beschlossen werden, forderte die Kanzlerin. […]

Eduard Said, mërgimi i një intelektuali

Enis SULSTAROVA

 

EDUARD SAID, MËRGIMI I NJË INTELEKTUALI

Edward Said

Edward Said

Në Shqipëri intelektuali është një nga kategoritë shoqërore më të abuzuara. Shumëkujt i pëlqen ta gëzojë këtë status, ta thërrasin “intelektual”, por me sa më pak mund e djersë dhe duke e pasur fjollë me të fuqishmit. Rënia e vlerës kulturore e simbolike e intelektualit vihet re me mbipopullimin e kategorisë, që sjell edhe zhvlerësimin peshës që ka çdo intelektual më vete. Partitë politike kanë filluar të garojnë se cila do ta bëjë më të gjatë listën e intelektualëve që i mbështesin për këtë ose atë çështje dhe që harrohet brenda disa ditëve. Mbi 100 intelektualë firmosën para ca kohësh një peticion, teksti i të cilit ishte një turp i vërtetë dhe duhej t’i kishte bërë të skuqeshin. Kur fillon e mendon për ndonjë intelektual publik, që mbron në vijimësi dhe me vetëmohim ndonjë “çështje të humbur”, që si Don Kishoti përpiqet të ruajë një frymë idealizmi në kohën tonë të maskarenjve, të vijnë në mendje dy ose tri emra, jo më shumë. Ndoshta kaq intelektualë, pra zëra moralë që i thonë të vërtetën në sy pushtetit, ka pasur dhe ka çdo brez njerëzor i një shoqërie, sepse të guximshmit janë të rrallë dhe shumica është gjithmonë në anën e më të fortit, e gatshme që të vërë aftësitë intelektuale në shërbim të pushtetit për ndonjë përfitim ose privilegj: ka disa që u vardisen kryetarëve të partive për ndonjë vend deputeti, të tjerë kanë kërkesa më modeste drejtorësh dhe ndonjë tjetër nuk lakmon diçka më shumë se ndonjë dekoratë ose çmim të republikës, që t’i dëshmojë tërë botës që është intelektual dhe çfarë intelektuali se! Intelektualë kemi shumë, por mbrojtës të vërtetës, që është detyra e intelektualit, kemi shumë pak!

Që të vëmë pak rend në këto shënime për intelektualin, ky i fundit mund të përkufizohet në dy mënyra. Mënyra e parë është “strukturore”, sepse e kupton intelektualin si një shtresë ose kategori të shoqërisë moderne. E thënë thjesht, shoqëria moderne varet shumë nga prodhimi i dijes dhe përdorimi i saj. Sot ne kemi nevojë për inxhinierë, mjekë, fizikanë, mësues, juristë, shkrimtarë, poetë, filozofë, artistë, gazetarë etj. dhe për këtë qëllim shumë individë arsimohen dhe specializohen në këto fusha. Të gjithë këta quhen intelektualë. Zgjerimi i arsimit dhe lindja e shoqërisë pasmoderne të shërbimeve dhe informacionit, e ka bërë këtë kategori gjithmonë e më të gjerë e të kudondodhur, ndërsa e ka zvogëluar statusin e saj. Mënyra e dytë për ta përkufizuar intelektualin është si formues dhe mobilizues i opinionit shoqëror për nga vetë kapitali kulturor dhe aftësitë që ai ka në një fushë të caktuar. Edhe nëse specializimi i tij është në një fushë të dijes, intelektuali ka për detyrë të jetë përgjithësues në ndërhyrjet e tij publike për të orientuar dhe drejtuar qytetarët për çështje që kërkojnë interesimin dhe angazhimin e tyre. Sipas një thënieje të njohur, të Zhan Pol Sartrit, ai specialist që punon për krijimin e bombës atomike është thjesht një shkencëtar, por kur ai shqetësohet për efektet që mund të sjellë krijimi i tij për njerëzimin dhe merr vendimin që të firmosë një peticion kundër përdorimit të armëve bërthamore, atëherë ai kthehet në një intelektual. Gjithashtu zgjerimi i mundësive të ndërveprimit publik të qytetarëve, si pasojë e formave të reja të teknologjisë së informacionin e ka rutinizuar punën publike, që më parë e kryente intelektuali. Opinionisti mund të na flasë përnatë nga disa ekrane televizioni njëherësh; shumëkush mund të botojë opinionet e tij si libra, artikuj shtypi ose para mikrofonit të gazetarit në rrugë; shumëkush mund ta verë emrin ose pseudonimin e vet në komentet për një artikull të një gazete virtuale, poshtë ose krahas emrit të autorit; gjithkush mund të komentojë ngjarjet publike në rrjetet sociale virtuale dhe çdonjëri mund të ndërmarrë një fushatë për nënshkrime peticioni në Facebook, për çfarëdolloj çështje ose teme që t’i vijë ndërmend. Të gjithë që i përdorim këto teknologji jemi bërë mobilizues të opinionit dhe nga pak intelektualë.

Për pasojë, dallimi i intelektuali nga qytetarët e tjerë tashmë nuk është sipas asaj që ai bën, por sipas etosit universal, stilit të tij dhe guximit që ai ka. Intelektuali është një kritik i rendit shoqëror dhe denoncues i padrejtësive, në emër të parimeve universale. Intelektuali tregon problemin, mendon për zgjidhjen, mobilizon, ushtron presion, por edhe i udhëheq të tjerët për zbatimin e kësaj. Atij i duhet të zbresë në rrugë, të komunikojë me njerëz nga shtresa të ndryshme, të përpiqet bashkë me ta. Intelektuali nevojitet që të jetë një misionar dhe një shembull për t’u ndjekur nga të tjetër. Dhe për këtë kërkohet guxim e vetëmohim. Sigurisht që po ta shohim në këtë mënyrë, detyra e intelektualit duket e rëndë, por nuk është e pamundur. Në shtetet ku ekzistojnë liria e shprehjes dhe ajo e organizimit kolektiv, detyra bëhet më e lehtë. Aty ku këto liri nuk ekzistojnë, detyra bëhet më e vështirë, madje e rrezikshme, sepse fillimisht intelektuali duhet të luftojë për këto liri. Në pamundësi për të luftuar në vendin e vet, beteja e intelektualit zhvendoset në mërgim. Bota e lirë është plot me shkrimtarë të mërguar prej botës së robëruar, që vazhdojnë të shkruajnë dhe të mbrojnë kauzën e tyre edhe pse regjimet e vendeve të tyre ua kanë penguar ose minimizuar kontaktet me publikun e gjuhës amtare.

Intelektuali i vërtetë nuk e ndan jetën e tij nga veprimtaria publike. Ai jeton për çështjet publike dhe këto janë për jetike për të. Edhe pse i zhytur në çështje që e shqetësojnë shoqërinë e tij, popullin, kombin ose njerëzimin, intelektuali, në mënyrë që të vazhdojë ta luajë rolin e vet kritik, është njëkohësisht i distancuar nga grupimet e ndryshme. Po të përdorim një metaforë të një ikone të intelektualizmit, kritikut palestinezo-amerikan Eduard Said, intelektuali është gjithnjë i mërguar. Pozita e të mërguarit ishte për Saidin sa një fat që iu imponua, por aq edhe një zgjedhje që ai e përqafoi për të qenë në gjendje të mbronte idetë e tij dhe për të mos bërë kompromise kur vinte puna te e vërteta dhe te e drejta, në emër të asnjë lloj përkatësie përveçse ndërgjegjes së tij.

Saidi, të cilin këtu po marrim këtu si përfaqësues të intelektualit, ishte si të thuash i përgatitur qysh herët për një jetë mërgimtare. Ai u lind në Jerusalem gjatë mandatit britanik. Feja që trashëgoi nga familja ishte protestantizmi, gjë që i bënte të ndjeheshin disi të veçuar jo vetëm midis çifutëve e arabëve myslimanë, por edhe midis arabëve të krishterë të zonës. I ati mbante edhe nënshtetësi amerikane dhe kishte degë të sipërmarrjes së tij edhe në Egjipt. Familja e Saidit ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe ai mund të konsiderohej i privilegjuar në shanset e jetës.  Saidi qysh herët u largua nga Jerusalemi për t’u shkolluar në shkollat elitare evropiane në Egjipt dhe më pas në SHBA. Në këtë vend ndoqi karrierën akademike dhe u bë profesor i letërsisë së krahasuar në Universitetin e Kolumbias të Nju Jorkut, një nga institucionet arsimore më të njohura atje.

Pas krijimit të Izraelit dhe luftërave të tij me shtetet arabe, që u pasuan nga mërgimi i palestinezëve, familja e gjerë e Saidit u shpërnda nëpër Lindjen e Mesme, kurse familja bërthamë në SHBA. Saidi u bë një i mërguar, edhe pse nuk përjetoi skamjen, pasigurinë e arbitraritetin e kampeve që po përjetojnë prej disa brezash shumica e palestinezëve. Edhe në statusin e mërgimtarit, fati i Saidit dallonte. Edhe pse qytetar amerikan dhe i mbrujtur qysh herët me kulturën elitare evropiane, gjëra këto që i mundësonte një karrierë akademike dhe një jetesë komode në SHBA, Saidi zgjodhi të mos identifikohej me politikën e jashtme të vendit të tij të ri, e cila përkrahte fuqishëm Izraelin, por të solidarizohej me çështjen palestineze. Ai u bë zëri më i njohur në SHBA i çështjes palestineze dhe u zgjodh për ca kohë si anëtar i pavarur i parlamentit palestinez në mërgim. Kjo zgjedhje e vuri atë në një pozitë të veçuar me pjesën më të madhe të kolegëve akademikë, me vetë politikën zyrtare të shtetit, me lobin e fuqishëm çifut dhe me pjesën më të madhe të opinionit publik. Ai nuk u lëkund në pozicionet e tij as përpara etiketimeve si “profesori i terrorizmit”, sulmeve verbale ose kërcënimeve me vdekje që mori disa herë. Saidi nuk mund të mos ndjehej i mërguar edhe nga atdheu i tij i dytë.

Angazhimi i Saidit me çështjen palestineze ishte një zgjedhje për tërë jetën. Mirëpo, kjo për të nuk do të thoshte aspak përkrahje për Arafatin dhe OÇP-në kurdoherë dhe në çdo rast. Pas marrëveshjes së Oslos të vitit 1993 për krijimin e Autoritetit Palestinez, Saidi u bë një nga kritikët më të mëdhenj të Arafatit, për shkakun se ai besonte se në negociata Arafati ishte dorëzuar para kërkesave të izraelitëve. Ai e akuzoi Arafatin se më shumë mendonte për pushtetin dhe pasurinë e vet sesa për popullin palestinez. Në vitin 1996 ai, madje, deklaroi se Arafati “nuk është president, por realisht zbatuesi me mjete të tjera i pushtimit ushtarak izraelit”. Në atë kohë, Saidi u etiketua si i çmendur, luftënxitës, i paarsyeshëm etj. Atij iu ndalua hyrja në territorin e kontrolluar nga Autoriteti Palestinez dhe librat e shkrimet e tij nuk u lejuan të qarkullonin. Atë e mërguan nga vetë populli i tij, sepse zgjodhi që të thoshte të vërtetën, sado e dhimbshme dhe e papëlqyer të ishte ajo. Dështimi i marrëveshjes së Oslos ndodhi vërtet siç e parashikoi ai dhe palestinezët e zhgënjyer shpërthyen Intifadën e Dytë. Gjithashtu, Saidi ka kritikuar diktaturat dhe korrupsionin e regjimeve arabe në Lindjen e Mesme, qofshin laike ose fetare, por kjo nuk e ka penguar aspak që njëherazi të denoncojë atë që ai i quante politikë të jashtme imperialiste amerikane në Lindjen e Mesme dhe mënyrat degraduese e raciste me të cilat paraqiteshin arabët me mediat perëndimore. Mbi përkatësitë e tij arabe dhe amerikane ai vuri luftën intelektuale për drejtësinë dhe të vërtetën. Besnik ndaj pasionit të tij për një jetë intelektuale, ai u ndje gjithmonë pa një vend ose “jashtë vendit” (Out of Place), siç e ka titulluar autobiografinë e vet.

Edhe pse i angazhuar thellësisht me çështjen e popullit palestinez, në atë mision që ai e quante “nacionalizëm mbrojtës”, ai asnjëherë nuk i mohoi të drejtat e popullit çifut dhe asnjëherë nuk i përkrahu teoritë dy-lekëshe të komplotit botëror sionist. Ai vazhdimisht shprehej se “palestinezët ishin viktimat e viktimave”. Kjo shprehje nderonte vuajtjen e kundërshtarit dhe njëherazi ishte një akuzë ndaj kundërshtarit: si mundeshin çifutët, pasi kishin pësuar jo shumë kohë më parë përzëniet, mërgimin dhe masakrat, tani të bënin të njëjtat gjëra ndaj një populli tjetër? Si mundej populli që u kthye në tokën e tij të lashtë të mos e lejonte fqinjin që të kthehej në vendin e tij? Nga gjysma e dytë e viteve të ’70-ta, si anëtar i parlamentit në mërgim, ai këshillonte që lëvizja palestineze ta njihte shtetin e Izraelit, por u kritikua për këtë nga Fatah-u dhe organizata të tjera të OÇP-së, një hap që ato vetë do ta merrnin vite më vonë. Fillimisht ai i ishte përkrahës i planit të dy shteteve sovrane, por pasi e vizitoi Izraelin dhe Palestinën në vitin 1992, ai u bë kampion i idesë së një shteti dy-kombësh, laik e demokratik për çifutët dhe palestinezët. Një shtet palestinez plot me enklava çifute dhe i rrethuar me mure e tela me gjemba nuk mund të jetë funksional. Saidi thotë se “Palestina historike” është e humbur, por po kështu është edhe “Izraeli historik”, sepse palestinezët janë brenda tij dhe nuk mund të zhduken. Prandaj, herët a vonë do të jetë i nevojshëm një rregullim i përbashkët i përshtatshëm për të dyja kombet, jo për t’i ndarë, por për t’i bërë që të jetojnë bashkë. Nga fundi i jetës, atë harmoni që nuk arriti ta shikonte në politikën e Lindjes së Mesme, u përpoq që ta krijonte në muzikë. Së bashku me dirigjentin çifut Daniel Borenboim më 1999 themeloi orkestrën Divani Perëndim-Lindje, ku muzikantë çifutë dhe palestinezë luajnë së bashku muzikë klasike.

Sikurse ai i bënte thirrje publikut perëndimor që të mos e shikonte Orientin ose fenë islame si diçka monolite, por kështu publikut arab e mysliman i kujtonte se nuk ka një Perëndim armiqësor ndaj tyre, se Perëndimi është shumë më i larmishëm se sa politikat e shteteve të caktuara perëndimore në Lindjen e Mesme: “Nuk mund ta denoncosh imperializmin amerikan (ose kolonializmin sionist) nga sallat e Bejrutit apo Kajros, pa e kuptuar se Izraeli dhe Amerika janë shoqëri të ndërlikuara dhe jo gjithmonë janë me të vërtetë të përfaqësuara nga politikat e trasha ose mizore të qeverive të tyre”.

Saidi mbeti i mërguari i përhershëm. Edhe një nga veprat e tij e fundit i kushtohet veprës së Frojdit, një tjetër figurë e mërguar, mbi Moisiun dhe lindjen e monoteizmit, vepër që trajton kthimin e çifutëve të lashtë nga mërgimi egjiptian. Përvojën e tij të mërgimit, Saidi e ktheu në një etos dhe e integroi në meditimet që në vitin 1994 i botoi mbi rolin e intelektualit (Representations of the Intellectual). Sipas tij, intelektuali ka detyrën ta synojë universalen, që do të thotë t’i kapërcejë siguritë që i jep formimi, gjuha, kombësia e vet, për të rrokur përvojat dhe këndvështrimet e kulturave të tjera. Gjithashtu, universalitet do të thotë që intelektuali të përdorë të njëjtat kritere gjykimi si për kulturën dhe vendin e vet, po ashtu edhe për ato të vendeve të tjera. Prandaj, për t’i qëndruar besnik rolit të vet, intelektuali duhet të përpiqet me veten që të pezullojë ose të largohet disi nga detyrimet që ushtrojnë përkatësitë kulturore, kombëtare, klasore, profesionale, gjinore, familjare etj. Ky është “mërgimi metaforik” i intelektualit që përmend Saidi, sepse, siç shkruan te libri Përfaqësimet e intelektualit, “detyra parësore intelektuale është kërkimi për një pavarësi relative nga trysni të tilla. Prandaj unë e karakterizoj intelektualin si mërgimtar, si të mënjanuar, si amator dhe si autor i një gjuhe që ia thotë të vërtetën pushtetit”.

Statusi i mërgimtarit nuk do të thotë që intelektuali nuk solidarizohet. Saidi thotë se intelektuali e ka për detyrë të solidarizohet me grupet e pafuqishme që kanë nevojë për zërin e tij, për përfaqësimin e tij dhe se çdo akt përfaqësimi është një akt solidarizimi. Mirëpo, intelektuali nuk duhet ta vërë solidaritetin përpara kritikës, pra të heshtë përpara padrejtësisë, dhunës ose gënjeshtrës, sepse kështu e kërkon interesi i grupit ku ai bën pjesë.

Intelektuali duhet të mërgojë në skajet e shoqërisë dhe të kulturës për të formuluar këndvështrimin e tij kritik, por atij i duhet të udhëtojë sërish në qendër, në mainstream, për të bërë të mundur që kritika e tij të dëgjohet. Fjala e tij duhet thënë në mënyrë strategjike, aty ku ka më shumë peshë dhe krijon efektin më të gjerë. Saidi vetë nuk do ta kishte ndërruar Nju Jorkun me asnjë vend tjetër, sepse ky metropol kozmopolit atij i jepte mundësitë, të cilat diku tjetër nuk do t’i kishte, për të ndikuar mbi opinionin botëror. Diku ai ka shkruar se vija e frontit palestinezo-izraelit nuk është në Lindjen e Mesme, por në televizionet amerikane, sepse aty mund ta bësh për vete publikun e vendit më demokratik dhe më të fuqishëm të botës dhe aty ke shansin për të ndikuar në rrjedhat e politikës botërore.

Përveç metaforës së mërgimit, Saidi përdor edhe atë të “amatorizmit” për të cilësuar punën e intelektualit. Me këtë ai kërkon të na kumtojë se intelektuali duhet të dalë nga kufijtë e profesionit të tij, prej disiplinës, prej paradigmave teorike, të cilat i ka mësuar dhe ushtruar në punën e tij dhe të ndjekë, me pasionin e amatorit, çështjet publike dhe të mbajë qëndrim për to, pa u frikësuar prej akuzave se nuk qenka “specialist” ose “ekspert” për gjërat që thotë. Për fat të keq, në kulturën e përgjithshme shqiptare është ngulitur kuptimi “joserioz” për fjalën “amator”. Mirëpo, mjafton t’i hedhim një sy Fjalorit të Gjuhës Shqipe për të parë se amator është “ai që është i dhënë pas diçkaje me endje dhe dashuri”. Kjo është ideja e amatorizmit që propozon Saidi: zgjedhja e lirë e një çështjeje publike dhe ndjekja e saj me pasion, guxim dhe mendje të hapur për të mësuar dhe hetuar mbi atë. Intelektuali publik duhet ta mërgojë “ekspertizën” prej vetes, sepse ndonëse ajo është e nevojshme për përparimin në dije, ajo është edhe një mjet i pushtetit për të kontrolluar mendjet dhe vullnetet e njerëzve, për t’i mbajtur ata të painteresuar për çështjet përtej kufirit disiplinor dhe, në fund, për t’i ndarë qytetarët nga njëri-tjetri. Shpeshherë problemet publike paraqiten nga pushteti si probleme teknike që kuptohen e zgjidhen vetëm nga specialistët e fushës dhe kjo bëhet pikërisht që pushteti t’i realizojë qëllimet e veta pa dhënë llogari përpara publikut. Pushteti me këtë tregon mospërfillje ndaj njerëzve të thjeshtë “që nuk marrin vesh nga kjo punë” dhe është detyra e intelektualëve, sidomos e atyre që janë specialistë për problemin në fjalë, që të marrin rolin e “amatorit” dhe t’ua shpjegojnë çështjen dhe rrezikun që ai i mbart publikut në terma të kuptueshëm dhe ta bëjë këtë të reagojë.

Amatorizëm për Saidin do të thotë edhe që intelektuali punën e tij e hap ndaj një publiku më të gjerë sesa rrethi i ngushtë i specialistëve/ekspertëve të fushës. Ai shkruan në Përfaqësimet e intelektualit se është përpjekur të ruhet prej grackave të profesionalizmit dhe censurës politike. Saidi ka refuzuar të punojë si analist vetëm në një media, sepse kjo do të thoshte që të mos u drejtohej mediave të tjera. Ai ka refuzuar të përgatisë dokumente politikash për qeverinë dhe, në vend të kësaj, ka zgjedhur auditoret e universiteteve. Në krahun tjetër, ai kapitalin e tij të intelektualit e ka dhënë sa herë që i është kërkuar për të përfaqësuar grupe të shtypura që u mohohen liritë dhe të drejtat nëpër botë. Kjo nuk do të thotë se ka pasur gjithmonë të drejtë, se ndonjëherë nuk ka arritur të shquajë se në një botë aspak ideale ka edhe veprime arbitrare që e ndihmojnë viktimën. Kështu, Saidi ishte i rezervuar për ndërhyrjen perëndimore në Kosovë në vitin 1999 pa mandatin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sepse me të drejtë ai vërente se po këto shtete që e bombarduan Jugosllavinë nuk kanë pasur vullnetin për ta bërë Izraelin që të zbatojë një sërë rezolutash të OKB-së për tërheqjen prej territoreve të pushtuara dhe kthimin e refugjatëve. Mirëpo, e ligjshme ose jo, ndërhyrja ndërkombëtare e ndërpreu gjenocidin serb në Kosovë. Serbia mund të hiqej si viktima e radhës e arbitraritetit të Amerikës, por nuk mund ta fshihte nga opinioni botëror atë po u bënte shqiptarëve. Sidoqoftë, edhe pse mund ta ketë gjykuar gabim këtë rast, Saidi së paku tregoi guximin vetjak për të shkuar kundër rrymës. Sepse, vetëm zgjuarsia dhe përdorimi i shkathët i gjuhës e i penës nuk mjaftojnë për të qenë një intelektual.

Vënë nën: Gjeopolitikë Tagged: Albania, Arafat, Izrael, Jerusalem, konflikti Palestinë-Izrael, OÇP, Palestinë