Rreth një treni që fishkëllen natën, ose efikasiteti i tregimit

(Tregim shumë i shkurtër nga Murakami Haruki shkruar në vitin 1995. Pjesë e marrë nga “Majmuni-merimangë i natës” . Përkthim i lirë nga italishtja.)

Vajza ka një pyetje për t’i drejtuar djalit : “Sa shumë më do?”
Ai mendohet për një çast, më pas, qetësisht, përgjigjet, “ Si një tren që fishkëllen natën “.
Ajo pret në heshtje që djali të vazhdojë më tej. Duhet padyshim të ketë një histori pas një pohimi të tillë.
“Nganjëherë, në mes të natës, zgjohem”, fillon, “Nuk e di se sa është ora saktësisht. Ndoshta dy ose tre. Realisht nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është se gjendem në mes të natës dhe jam krejtësisht vetëm, nuk ka asnjeri vërdallë. Dua që ti të përpiqesh të imagjinosh mirë situatën. Gjithçka përreth është tërësisht në errësirë. Nuk shikohet dhe nuk dëgjohet asgjë. Nuk arrihet të dëgjohet as tik-tak-u i akrepave të orës. Për aq sa di, ora mundet dhe të ketë ndalur. Papritur kuptoj që jam i izoluar, në një largësi të pabesueshme nga çdokush që njoh, nga çdo vend i njohur. Kuptoj se askush mbi këtë planet nuk do më dojë më, askush nuk do më flasë më, pasi jam shndërruar në tipin e njeriut të cilin askush nuk dëshiron ta mbajë mend. Mund të zhdukem dhe askush nuk do e vinte re. Ndjehem sikur dikush t’më kishte shtyrë me forcë brenda një arke me faqe të trasha prej hekuri dhe t’më kishte hedhur në thellësitë e detit. Presioni është aq i fortë sa më dhemb zemra, ndjehem sikur të isha duke shpërthyer, për t’u ndarë në dysh – e ke parasysh këtë ndjesi ? “
Vajza tund kokën në shenjë pohimi. Mendon se e kupton atë që ai thotë.
Djali vazhdon. “ Mendoj se është një nga eksperiencat më të dhimbshme që një njeri mund të eksperimentoje në jetë. Ndjehem kaq i trishtuar dhe dhemb aq shumë saqë deshiroj vetëm të vdes, flas seriozisht. Ose jo, nuk është kështu, nuk është se dëshiroj të vdes: mund të them se gjendja nuk ndryshon, ajri brenda në arkë pakësohet aq shumë sa do të vdes me të vërtetë. Nuk është vetëm një metaforë. Është realiteti. Kjo do të thotë të zgjohesh vetvetiu në mes të natës. Po më ndjek ? “
Vajza tund përsëri kokën në shenjë pohimi pa thënë asgjë.
Djali pret një çast.
“ Dhe papritur, nga larg, dëgjoj një tren që fishkëllen. Zhurma është tmerrësisht larg. Nuk di as shinat ku mund të jenë. E ke parasysh? Është kaq e dobët sa mezi dëgjohet. Di vetëm që bëhet fjalë për një tren që fishkëllen. Nuk kam asnjë dyshim. Kështu në errësirë, pa lëvizur, dëgjoj atë që arrij të dëgjoj. E dëgjoj përsëri. Dhe zemra nuk më dhemb më. Akrepat e orës fillojnë të lëvizin. Arka prej hekuri nis të ngjitet lart, ëmbëlsisht dhe ngadalë, drejtë sipërfaqes së detit. Dhe gjithe kjo falë fishkëllimës së trenit. Një fishkëllimë kaq e dobët sa mezi dëgjohet. Dhe ideja është se, unë të dua aq shumë, sa ç’dua fishkëllimën e atij treni.”
Kështu historia e shkurtër e djalit mbaron. Dhe vajza fillon të tregojë historinë e saj.
Përktheu Alfred Bushi

Filed under: Letërsi Tagged: murakami haruki

Hajt mo ..

Sot bleva tre gazeta per te lexuar, me pelqen ti blej tre cdo dite nderkohe qe pjesen tjeter e shikoj online. Perkatesisht bleva gazeten Panorama, Shqip, dhe Mapo. Po shikoja me sy kritik kopertinat e ketyre gazetave ne lidhje me zgjedhjet qe u zhvilluan dje ne France. Duke anashkaluar hapsiren e kushtuar ne kopertine, ajo qe me trishtim konstatoj eshte gazeta ne print e cila ne vend qe te reflektoje lajmin ne menyre analitike thjesht e percjell ate sikurse mund ta percillte cdo media vizive. Panorama: “Holande presindenti i ri i Frances, Sarkozy pranon humbjen” Shqip: ” E majta fiton ne France, e djathta ne Greqi” Mapo:Ne France fiton Hollande, Greqia ne duart e komunisteve e neonazisteve. nderkohe disa nga te perditshmet Europiane e boterore: Daily Mail ne Britanine e madhe titulli kryesor i saj: Au-revoir Austerity! Vijon me nje artikull kritik ne lidhje me influencen qe do te kete zgjedhja e Hollande ne BE.. etj etj Itali: L’Unità,: ” Maj Francez, dhe frike ne Europe” Serish megjithese me nje qendrim tjeter vijon nje shkrim analitik ne lidhje me efektet e kesaj zgjedhje. Página 12, Argjentine: “La vie en rose” siper te thene ja tani u zgjodh nje kamp qe e shikon teper te lehte menyren si do menaxhohet gjendja aktuale financiare e ekonomike e Frances .. ABC, Spanje: Hollande fiton ne France, ne Europe fiton frika me kete zgjedhje.. Die Tageszeitung, Gjermani: “La France en rouge” epo e thene ndryshe Franca e kuqe , vijon serish me nje analize perspektive Merkeliane por duke e cilesuar fitoren e Holande mbi te gjitha nje deshtim te Sarkozy’s. 24 Heures, Zvicer“Le droit de décevoir“: “E drejta per te zhgenjyer” serish nje informacion i percuar me analize. Frankfurter Rundschau, Allemagne“Frau Merkel, j’arrive”: Nje kryeartikull cinik per Merkel ku pikerisht perdoret gjuha Franceze per te thene ” Frau Merkel, Po vij” Today, Singapor“France-Greqi, lufte e perbashket ” Vijon shkrimi si per te thene qe rezultatet jane pergjigje ndaj masave te ashpra financiere qe jane marre ndaj ketyre kombeve. Sabah, Turquie“Revolucioni i Kuq” : Karta politike e BE-se eshte e shokuar.. El Periódico de Catalunya, SpanjeHollande, sikurse Omar Sy…serish nje analize ku vihen ne pikpyetje reformat shtrenguese financiare dhe pergjigja e votuesve. Perse e bera kete krahasim.. e para sepse vete nga menyra si percohet nje info ne te perditshmet shqiptare qofte dhe ne titull tregon anen mekanike te menyres si funksionon shtypi i shkruar ketu edhe pse emrat e gazetave vete jane interesante dhe pretendojne profesionalizem. Per te shkruar kete koment iu referova “Courrier International.

Let me be a baby, let me be a child!

Mania e bukurise.. foto seduktive te te rriturve, por ajo qe me shqeteson eshte kur shikoj foto vogelushesh te ketij profili .. eshte e turpshme dhe provokative . Mesojini femijet tuaj te jene femije , stop me fotot seduktive qe ne 6 vjec! Ne fakt ka nje perplasje botekuptimesh, brezash, injorance te botes informative nderkohe qe ju mendoni se e keni te sigurt vajzen apo djalin tuaj meqe eshte ne shtepi thjesht prane kompjuterit duke shpresuar se po e mbroni nga bota e jashtme. E verteta eshte qe ekspozimi i tyre ne net, ne menyre te pakontrolluar aty ne shtepi mund te jete me i rrezikshem se aty poshte pallatit, per me teper stop me idealizimin e bukurise, po i ekspozoni ne mos ne menyre indirekte ndaj atyre qe neser mund ti shfrytezojne, me teper po i infiltroni detajin e asaj qe eshte siperfaqesore dhe me vlere te shkurter , pse jo neser do shihni para jush disa snobe ne karaktere! Sa per median ne Shqiperi me shkaterruse nuk behet, me botoksa e me liftings hajde dhe po e pertypim, po kur vjen puna e emisioneve per femije fokusimi tek ‘ ebukura’ tek interpretimet e kengeve me ‘dashuri’ mrena ouffaa!

Firdeusiu dhe Shah-name-ja e tij nëpër botë

Shahrouz FALAHATPISHEH

 

FIRDEUSIU DHE SHAH-NAME-JA E TIJ NËPËR BOTË

 

Shahrouz Falahatpisheh

Shahrouz Falahatpisheh

Përmbajtja e artikullit:

» Hyrja

» Rreth rëndësisë së Firdeusit dhe Shah-Name-së së tij

» Retrospektiva dhe burimet e tregimeve të Shah-Name-së

» Studimi i figurës së Firdeusiut në botë

 

Hyrja
I urti Abul-Kasim Hasan Pur-Ali Tusi, i njohur si Firdeusiu, sipas mendimit të shumicës të studiuesve të sotëm, mendohet të ketë lindur në vitin 940 në fshatin Bazh (Paz i sotëm), në qytetin Tus të provincës Khorasan. Fëmijërinë e kaloi në periudhën e sundimit të qeverisë të dinastisë Samanian, të cilët mbështesnin fuqimisht letërsinë perse. Firdeusiu vdiq në vitin 1020 në qytetin tij të lindjes dhe u varros në kopshtin e vajzës së tij. Sot ky vend është shndërruar në një ndër pikat më të rëndësishme kulturore dhe turistike të Iranit, ku, për çdo vit, e vizitojnë me qindra mijëra vizitorë, që rikujtojnë me respekt dhe nderim të thellë këtë poet madhështor, i cili ringjalli emrin dhe kulturën iraniane.

Firdeusiu është një ndër poetët dhe epopeshkruesit më të mëdhenj të letërsisë perse dhe botës. Shah-Name-ja, e cila është edhe kryevepra e tij, përmban afro 60 mijë vargje dhe mund të cilësohet e barabartë më “Iliadën” e Homerit grek. Unesco e ka shpallur Shah-Name-në e Firdeusiut si një nga 3 veprat më të shquara në botë.

Rreth rëndësisë së Firdeusit dhe Shah-Name-së së tij
Rëndësia e Firdeusit qëndron në faktin se ai, me krijimin e veprës së tij, i dha përjetësinë jo vetëm gjuhës, por mbarë kulturës dhe historisë së popullit iranian. Në kohën kur gjuha perse rrezikohej të zhdukej dhe kultura e qytetërimi iranian rrezikonte të harrohej dhe të fashitej, pas hyrjes të dhunshme të të huajve brenda territorit iranian, Shah-Name-ja e Firdeusiut mori përsipër rolin e ringjalljes dhe të mbrojtjes së kësaj kulture dhe të këtij qytetërimi. Iranianët e sotëm, mbijetesën e gjuhës perse dhe dokumentimin e të kaluarës së tyre historike ia dinë për nder Shah-Name-së së Firdeusiut.

Gjuha është biografia e njerëzve, vetë historia; nëse do të heqim gjuhën, nuk do të mbetet pothuajse asgjë nga personaliteti, bindjet, kujtimet dhe mendimet tona të formalizuara përmes gjuhës. Pa gjuhën merr fund edhe ekzistenca e vetë njeriut, nuk do të kishim as histori, as kulturë e qytetërim. Gjuha është rezervë e spikatur e mendimeve, ndjenjave, krizave, kundërshtive, urrejtjeve, ujdive, besnikërive, dhe motiveve të cilat luajnë rol thelbësor në manifestimin e identitet kulturor të njerëzve.

Firdeusiu kishte një gjuhë dhe natyrë të butë, fjalët e tij nuk përmbanin ironi, mashtrim dhe shtirje dhe bënte të pamundurën për të mos përdorur fjalë jo të hijshme dhe të pamoralshme. Ai ishte atdhetar i flaktë, kishte dashuri të madhe për tregimet dhe traditat e lashta historike. Për Firdeusiun, katër janë elementët bazë të vlerave themelore, mbi të cilat e ka shkruar edhe Shah-Name-në. Këta katër elementë janë: kombësia iraniane, mençuria, drejtësia dhe besimi fetar. Ai tregimet e tija i ka ndarë në këto katër elementë.

Kjo është edhe arsyeja që “Shah-Name”-ja ka mbrojtur traditat e vërteta kombëtare të popullit iranian. Ndoshta, po të mos ishte kjo vepër e madhe, shumë prej elementëve pozitivë të kulturës të stërgjyshërve tanë, do të ishin zhdukur nga stuhitë e ngjarjeve të ndryshme dhe prej tyre s’do të kishte mbetur asnjë shenjë.

Firdeusiu, me krijimin epopesë së tij madhështore, mbajti të gjallë në formën më të mirë kulturën iraniane përballë invazionit të huaj. Rëndësia e Shah-Name-së nuk qëndron vetëm në aspektin letrar dhe poetik të saj, ajo, para se të jetë një vepër tregimesh, është një vepër thelbësore, ku çdo varg dhe çdo fjalë e saj i ka rrënjët në thellësitë e dëshirave të një populli të lashtë, popull i cili, në të gjitha etapat e historisë, ka qenë ndriçim për popujt e tjerë dhe gjithmonë ka kundërshtuar të keqen dhe dhunën.

Shah-Name-ja është një tregim i betejës ndërmjet të mirës dhe djallëzores dhe heronjtë e saj janë luftëtarët e përhershëm në botë. Lufta e figurave të tilla si Kaveh me Zahak, gjakmarrja e Manuçehrit prej Salam dhe Tur, vdekja e Siavashit për shkak të komplotit të Sudabesë e të tjerë personazhe flasin për këtë betejë. Ideologjia e Firdeusiut është mbrojtje e përhershme ndaj të mirës kundër dhunës dhe korrupsionit.

Në tregimet e Shah-Name-së, Irani, i cili konsiderohet vend i lirisë, gjithmonë është në rrezikun e vazhdueshëm të agresionit të fqinjëve. Bukuria dhe madhështia e Iranit bëhen shkas për xhelozi dhe fatkeqësi të ndryshme. Për këtë arsye heronjtë e këtij vendi ngrihen në mbrojtje të atdheut të tyre të dashur me të gjithë forcën tyre. Disa prej heronjve të Shah-Name-së, janë shembuj të epërm të atyre njerëzve të cilët gjithë jetën e kaluan në shërbim të atdheut. Heronj të tillë janë Feriduni, Sijavashi, Kejhosro, Rustam, Gudarz dhe Tus. Kurse personalitete të tjera, si Zahak, Salm dhe Tur, janë figura të së keqes dhe degradimit. Ata janë misionarë të Ahrimanit (djallit), të cilët kanë marrë përsipër detyrën e shkatërrimit dhe prishjes të botës. Shumica e tregimeve të Shah-Name-së e ftojnë lexuesin të jenë vigjilent dhe të nxjerrë mësime nga jeta.

Portretet paraqesin një rëndësi tjetër tejet të veçantë në Shah-Name-në e Firdeusiut. Poeti duke portretizuar ngjarjet dhe aventura e tregimeve, së bashku me tekstin, i paraqet lexuesit edhe një pamje totale të ngjarjeve. Poezia e Firdeusiut karakterizohet edhe nga një muzikalitet i veçantë që konsiderohet si pjesë e elementëve kryesorë të poezisë së tij, e cila tek lexuesi krijon ndjesinë e epopesë.

Retrospektiva dhe burimet e tregimeve të Shah-Name-së
Duhet të dimë që rrënjët e tregimeve të Shah-Name-së nuk janë sajesa të Firdeusiut, por janë ngjarje të cilat kanë ndodhur në lashtësi në mesin e popullit iranian. P.sh., në librat e gjuhës Pahlavi, që i përkasin periudhës para hyrjes së Islamit në Iran, i kushtohet rëndësi heroizmave dhe heronjve të Shah-Name-së. Po ashtu edhe në librin fetar Avesta, që i përket fesë Zoroastriane, flitet shpesh për personazhet e Shah-Name-së. Por, në përgjithësi, mund të thuhet që burimet kryesore të Firdeusiut në shkrimin e kësaj vepre janë dy të cilat do ti sqarojmë më poshtë.

Burimi kryesor ku u mbështet Firdeusiu në shkrimin e tregimeve të tij ishte libri “Shah-Name” me autor Ebu Mansurin, e cila ishte shkruar në prozë, ku flitet për historinë e Iranit antik. Libri origjinal është zhdukur dhe prej tij ka mbetur vetëm parathënia prej 15 faqesh, e cila gjendet në disa prej faqeve me dorëshkrime të Shah-Name-së. Përveç kësaj Shah-Name-je, ka ekzituar edhe një tjetër Shah-Name në prozë, e quajtur Shah-Name-ja e Ebu Mujid Balkhi, për të cilën mendohet të jetë shkruar para Shah-Name-së së Ebu Masurit, por, për shkak se tashmë kjo vepër nuk ekziston, nuk mund të japim asnjë mendim rreth saj.

Më vonë, një poet i quajtur Dakiki Tusi (bashkëkombës i Firdeusiut) filloi të vjershërojë tregimet kombëtare iraniane, duke u mbështetur në Shah-Name-në në prozë të Ebu masurit. Ai u ngarkua me mision nga Nuh Bin Mansur Samani, mbret Sasanian, që të vjershërojë Shah-Name-në e Ebu masurit, e cila ishte shkruar në prozë. Por ai nuk e mbaroi dot punën e nisur, për shkak se u vra. Puna e tij u quajt “Goshtasb Name”.

Pas kësaj, Firdeusiu, në moshën 40 vjeçare, filloi punën e lënë në mes nga bashkëkombësi i tij, Dakiki. Firdeusiu e përmend për mirë emrin e Dakikit në Shah-Name-në e tij dhe rreth 1000 vargje të tija, që flisnin për historinë e Iranit antik deri në shfaqjen e Zarathustrës, i fut në Shah-Name-në e tij. Për një periudhë afro 30 vjeçare Firdeusiu krijoi rreth 60 mijë vargje epike, duke përfunduar kështu Shah-Name-në e tij në vitin 1010.

Gjithashtu, burime të tjera ku u mbështet Firdeusi në Shah-Name-në e tij mund të përmendim edhe librin tejet madhështor në fundin periudhës të dinastisë Sasaniane (dinastia e fundit mbretërore në Iran para ardhjes së Islamit) me titull “Hotaje Namag” (“Zoti i letrës”), i cili, në një kuptim, konsiderohet si burimi historik, zyrtar i Shah-Name-së.

Me hyrjen e Islamit në trojet iraniane, një historian iranian i quajtur Ruzabeh Daduvijeh, të cilin arabët e quanin Abdullah Ibn Mukafa, e përktheu në gjuhën arabe këtë vepër historike. Kjo vepër cilësohej si një ndër burimet e të gjithë historianëve të shekujve të parë të erës islame. Libri “Khotaje Namag” në Shah-Name është quajtur “Letra e Mbretërve”. “Khotaje” është një fjalë e gjuhës Pahlavi që jep kuptimin “Zot” e që nënkuptonte mbretin. Këtu është e nevojshme të theksojmë që më herët se Dakiki apo Firdeusiu, mbi epopenë kombëtare iraniane ka shkruar edhe një poet tjetër i quajtur Masoudi Maruzi. Fatkeqësisht, prej Shah-Name-së së tij sot kanë mbetur vetëm disa vargje. Por, mesa duket, në kohën e Firdeusiut ishte shumë i njohur.

Tregimet e Shah-Name-së, të cilat sot cilësohet si mite, në atë kohë që janë shkruar konsideroheshin ngjarje të vërteta historike. Pra, Firdeusiu ka vjershëruar historinë dhe epopenë kombëtare iraniane dhe jo mitet e tyre.

Studimi i figurës së Firdeusiut në botë
Firdeusiu gëzon famë dhe respekt botëror. Shah-Name-ja e tij është përkthyer në 30 gjuhë të botës dhe në shumë katedra të Orientalistikës janë kryer studime të shumta rreth kësaj vepre, ku mund të përmendim rastet si më poshtë:
Fakulteti i Lindjes së Mesme në Universitetin Leningrad (aktualisht Shën Petërburg) në Moskë, Instituti i Lindjes së Mesme dhe instituti i Gjuhësisë në vartësi të Akademisë së Shkencave të Rusisë, katedra e Studimit të figurës së Firdeusiut në Gjermani, së bashku me librat “Kultura e Shah-Name-së së Firdeusiut” me autor Fritz ëolf, “Epopeja Kombëtare e Iranianëve” me autor Teodor Noldke, “Historia e letërsisë Iraniane” me autor Jan Ripka, apo “Mazdak; Historia e lëvizjes sociale në periudhën e Sasanianëve” me autor Otogar Klima. Përveç këtyre mund të shtojmë edhe veprat e autorëve të tjerë si Hamer Purgeshtal, Fridrish Ruket, Helmut Rihter, Hans Hajnrish Sheder, Oto Fon Mostler, Fritz Majer, Volter Hintz, Hans Robert Romer, Bertold Shpuler, Karl Jan, Vilhelm Ajlers si dhe të tjerë studiues të Lindjes të Mesme dhe iranologë gjermanë. Po ashtu, katedra të tjera të studimit të figurës dhe veprës së Firdeusiut janë hapur edhe në universitetin Firdeusi në Iran, Armeni, Taxhikistan, Afganistan, Kazakistan, Uzbekistan, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe, Ukrainë, Pakistan, Itali, Jemen, Arabi Saudite, vendet e Azisë Qendrore dhe të rajonit të Gjirit Persik, Egjipt, Indi, Kinë, Japoni, Francë, Angli dhe SHBA.

Po ashtu libra dhe dorëshkrime me vlerë ruhen në bibliotekat e Napolit, Romës, Firences, Bolonjës dhe Parisit, të cilat shfrytëzohen nga studiuesit e Lindjes së Mesme dhe studentët e interesuar të kësaj pjese të orientalistikës. Nga mesi i këtyre librave të vyer mund të përmendim kopjet e para të dorëshkrimeve të Shah-Name-së së Firdeusiut të identifikuara nga profesor Anxhelo Mikele Piemonte. Ky grup dorëshkrimesh me vlerë, që janë sjellë nga Kajro në Itali nga Girolamo Kiti, sot ruhen në bibliotekën kombëtare të Firences.

Dr. Fathullah Muxhtabai, studiues i shquar i Shah-Name-së së Firdeusiut, thotë kështu lidhur me Firdeusiun dhe trashëgiminë kulturore iraniane: “Trashëgimitë kulturore tona në botë janë të veçanta. Shtrirja shumë e gjerë e Persisë antike u bë shkas që kultura iraniane të mbërrijë nga kufijtë e Kinës e deri në malet Kaukaz dhe të kalojnë brigjet e lumit Eufrat. Gjatë periudhës islame këto rajone kanë mbajtur lidhjet e tyre kulturore me Iranin, ose kanë qenë nën ndikimin kulturës iraniane”. Firdeusiu është i veçantë. Këtij poeti të madh i dedikohet ekzistenca e iranianëve dhe identitet tonë kombëtar.

Firdeusiu ringjalli historinë tonë dhe forcoi lidhjen tonë me të kaluarën, duke bërë një lidhje midis Iranit pre islamik me Iranin e sotëm. Nëse nuk do të ishte kështu edhe ne do të kishim harruar identitetin tonë kombëtar dhe kulturor, ashtu sikurse edhe ka ndodhur me disa popuj të tjerë.

Hans Hajrish Sheder, iranolog gjerman, në fjalimin tij të mbajtur me rastin e Kongresit të Firdeusiut, në datë 27 shtator 1934, me rastin e mijëvjeçarit të Firdeusit (lindjes së Firdeusit), që u organizua në qytetin e Berlinit, ngjashmërinë midis situatës të iranianëve në periudhën e Firdeusiut me Gjermaninë e shekullit të 19-të e cilësoi si faktorin kryesor të interesimit të mendimtarëve gjermanë për Shah-Name-në e Firdeusiut dhe përkthimin e saj në gjermanisht. Ai theksoi se sipas fjalëve të shumë letrarëve iranianë, Firdeusiu ka krijuar epopenë me të madhe në botë, pra, Shah-Name-në.

Shah-Name-ja e Firdeusiut është një vepër botërore dhe një kapital kulturor, e cila vlerësohet dhe shfrytëzohet nga shumë popuj të botës. Sot përkthime të ndryshme të kësaj vepre të hershme kanë ruajtur të gjallë Firdeusiun në mesin e popujve dhe kanë shërbyer si faktor për afrimin dhe njohjen kulturore të qytetërimeve dhe kremtimin e mijëvjeçarit të Shah-Name-së të Firdeusiut, duke i dhënë kështu një kuptim të ri vitit 2010, i cili është shpallur, siç dihet, si “Viti Ndërkombëtar i Afrimit të Kulturave” nga ana e Unesco-s.

Fatmirësisht, në Shqipëri ekziston mundësia kulturore që për shkak të përkthimit shumë të bukur, të rrjedhshëm dhe epik të një pjese të konsiderueshme të Shah-Name-së të Firdeusiut nga ana e shqipëruesit të ndjerë Vexhi Buharaja, i cili i ka shtuar në këtë mënyrë dëshmi të reja marrëdhënieve kulturore midis dy vendeve, të përjetësohet kujtesa e Firdeusiut po ashtu edhe të Vexhi Buharasë në kulturat e Iranit dhe të Shqipërisë.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

Botuar në revistën shkencore-kulturore “Perla”, 2010, Nr. 1.

Vënë nën:Iranologji Tagged: Firdeusi, Shah-Name-ja, Shahnameja, Vexhi Buharaja

Historia jonë nëpër shekuj; gjuha jonë, feja dhe beteja me egon

Dr. Mustafa BAJRAMI

 

HISTORIA JONË NËPËR SHEKUJ; GJUHA JONË, FEJA DHE BETEJA ME EGON

Dr. Mustafa Bajrami

Dr. Mustafa Bajrami

Kombi shqiptar përgjatë historisë së vet, po thuaj në mënyrë permanente kaloi nëpër sprovimet më të vështira. Historia jonë është plot përpjekje për ta mbijetuar fatin që kishim dhe të cilin, me sa duket e krijuam edhe më duart tona. Lufta për të mbijetuar është ngjyra e vetme që i përshkon ndoshta gjithë shekujt e ekzistencës sonë. Rrugëtimi i kombit nëpër kohë kaq të vështira, në shpirtin e shqiptarit reflektoi ashpërsinë e personalitetit, ndërsa gjuha e tij, pasqyra e jashtme e karakterit të brendshëm mbeti shenja dalluese kryesore e shqiptarit si individ dhe e kombit si shoqëri.

Gjendemi para një përvoje të periudhës së gjatë dhe të vështirë të kaluarës sonë e cila do një studim të thellë. Qasja duhet të jetë e gjithanshme. Sociologët me gjithë filozofët, teologët, historianët, etnologët, biologët por jo politikanët, duhet të jenë pjesë e këtyre studimeve. Detyrë e këtyre të fundit duhet të mbetet lehtësimi i rrugëve dhe krijimi i kushteve për hulumtime të nevojshme. Gjithanshmëria, sipas nesh nënkupton analizimin e tërësishëm të zhvillimeve politike, fetare, kulturore, shoqërore, ekonomike, sidomos përgjatë shekullit 20. Nuk jemi në dijeni nëse deri më tani është bërë ndonjë studim i këtij lloji. Ajo që kemi lexuar më tepër kishte të bënte me historinë dhe historianët, ku këta të fundit pa të drejtë ngarkohen me punë që nuk janë vetëm të tyre. Ata mund të jenë pjesë e ekipeve të shkencëtarëve për të lexuar drejt të kaluarën dhe së bashku me të tjerët të propozojnë një platforme gjithëkombëtare si mësim për ne dhe për ata që do të vijnë.

 

Roli i fesë në proceset e shoqërisë shqiptare

 

Tani kur nëpërmes këtyre rreshtave bëjmë thirrje për formulime të reja, të qëndrueshme dhe të bazuara mbi nevojën për qasje serioze, qëllimisht “propozoj” lajthitjen nga prekja e atyre detajeve të historisë që kanë ngjyra konfrontimesh. Sot është më se e rëndësishme ndërtimi i marrëdhënieve të reja mes nesh. Pranojmë faktin se aty këtu kishte mangësi përgjatë kryerjes së detyrës nga pushtetarët, ndërsa një numër i intelektualëve, të rënë nën ndikimin e politikave ditore anuan dhe ende anojnë panevojshëm andej kah peshon politika. Për fat të keq, edhe njerëzit e fesë çaluan në kryerjen e detyrës që i ngarkon feja dhe nevoja kombëtare. Përçarjet e aty-këtushme mes proveniencave fetare tek shqiptarët mund të kenë buruar pikërisht nga keq-interpretimet e fesë. Falë Zotit ato përçarje nuk ishin të përmasave fizike dhe vëllavrasëse. Feja urdhëron në bazë të normave, principeve dhe mësimeve hyjnore, jo në bazë të interesave të njerëzve që thirren në emër të saj. Puna në të mirë të njeriut dhe shoqërisë është alfë dhe omegë e tri feve që kanë shqiptarët. Islami i jep rëndësi të madhe kontributit ndaj vendit, shoqërisë dhe shtetit. Përndryshe si të arsyetojmë disponimin shqiptar që për dështimet e veta akuzojnë faktorin e jashtëm, që në fakt, nuk është ashtu. Konstatimi i gabuar që rrjedh nga vullneti i ideologjive të brendshme të cilat për interesa të veta sakrifikonin dhe sakrifikojnë interesin e përgjithshëm të shoqërisë nuk pinë ujë karshi leximit të drejtë të së kaluarës së hidhur në të cilën kombit tonë iu vunë themelet e kësaj të sotme të rëndë dhe me kaq shumë sfida.

Deri më sot, me sa shihet, pak është punuar në studimin edhe të psikologjisë shqiptare. Nuk di nëse dikush ka prekur çështjen e nën-vetëdijes sonë si komb; Çka i bashkon shqiptarët në nën-vetëdijen e tyre? Nëse nën-vetëdija gjermane është e përqendruar në punë dhe në ndjenjën e madhështisë nacionale, japonezët udhëhiqen nga nën-vetëdija ekspansioniste, grekët akoma besojnë te jenë pronarë hyjnorë të origjinës së kulturës evropiane ndërsa arabët i përshkon nën-vetëdija pan-islame. Kur është fjala tek ne, me cilën fjali të vetme do të kishim mund të përshkruanim gjenin tonë, atë që ne po e quajmë nën-vetëdije nacionale? Shpresoj të gabohem në konstatimin tim që nën-vetëdija jonë përqendrohet ende në luftën për ekzistencë biologjike si dhe luftimi kundër pushtetit, i huaj qoftë apo i yni.

Çfarë ndihmese mund të ofrojë feja në këto procese? Shtroj këtë pyetje jo për të nxjerrë mësime fetare që do t’iu kishin kundërvu atyre që nuk dinë rolin pozitiv të saj, por për të potencuar faktin se edhe institucionet fetare bartin një pjesë të përgjegjësisë për ndodhitë e sa kaluarës. Ndikimi dhe roli i fesë ishte i madh, mund të jetë edhe në të ardhmen. Është në interesin tonë të zbulojmë tendencat themelore të përvojës fetare që ndihmojnë në vetëdijesimin e shqiptarit për rolin dhe përgjegjësinë që ka ndaj vendit. Këtu nuk dua të flas për kategorinë e njerëzve të fesë mentaliteti i të cilëve nuk është i formësuar sa duhet sa për të kuptuar dinamikat e jetës. Edhe ata ndoshta mund të na hyjnë në punë diku, këtu, fjalën e kam për ata prijës fetarë që kuptojnë drejt Kuranin dhe Ungjillin në të cilët libra historia zë vend meritor. Sociologët dhe shkencëtarë të tjerë duhet të ndihmojnë fenë për të nxjerrë domethëniet e përvojës së dhjetëra profetëve të përmendur në librat e fesë. Kurani posaçërisht përmend ngjarjet e së kaluarës, jo për të treguar përralla por për të vënë në spikamë mësimet që duhet ti marrim nga përvojat e tyre. Nga mijëra pejgamberë që kishte, Kurani përmend 28 por vetëm pesë nga ata i quan “Ulul azmi”, të vendosurit për ndryshime epokale në histori. Tregimet mbi profetët, shumë herë interpretohen gabimisht dhe cekët. Nuk është shpjeguar sa duhet se këta pesë pejgamberë, janë të tillë pikërisht për shkak të rebelimit të tyre ndaj vetive negative në shoqëri, ndaj pushtuesve dhe ndaj pushteteve që shtypnin popujt e atëhershëm. Në rrafshin shoqërorë, roli vendimtar i kësaj pesëshe ishte përhapja e tolerancës dhe dashurisë në shoqëri.

 

Kur’ani dhe Ungjilli; dy mesazhe nga Zoti

 

Do të ishte e tepërt këtu të flasim më shumë për nevojën e shqiptarëve që të kuptojnë fetë e tyre. Këtë nuk e lejon as hapësira ku po botojmë shkrimet tona. Por, është mase e nevojshme të themi se roli i fesë është që njeriun ta bëjë të dashur tek Zoti nëpërmes dashurisë së tij ndaj njeriut dhe shoqërisë. Mjafton që prijësit fetarë ta shpjegojnë fenë drejt. Komunikimi i udhëhequr nga nijetet e mira shqiptarët do ti ndihmonte shumë. Energjitë pozitive do të shtoheshin, elani për punë do të rritej, ndërsa dashuria për njëri tjetrin do të përhapej edhe më shumë mes nesh. Sa bukur tingëllojnë thirrjet e Kuranit për të pranuar njeri tjetrin: “Thuaj: Ne i kemi besuar Allahut, edhe asaj që na u zbrit neve edhe asaj që i është zbritur Ibrahimit, Ishakut, Jakubit, dhe pasardhësve. Edhe asaj që i është dhënë Musait dhe Isait, edhe asaj që u është zbritur të gjithë pejgambereve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi në mes tyre dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar”. (Ali-Imran 84). Sa shumë janë të përafërta me Kuranin fjalët e “Predikimi në mal” tek Ungjilli i Mateut se: “Duani edhe armiqtë tuaj, bekoni ata që ju namin, bëni mirë atyre të cilët ju urrejnë dhe luteni Zotin për ata që ju ndjekin…sepse, nëse duani vetëm ata që ju donë, çfarë shpagimi do të keni dhe nëse Zotin e thirrni vetëm për vëllezërit tu, çka keni bërë më shumë. A nuk jeni duke e bërë atë që e bëjnë të pafetë? (MT, 5,6,44,45,46).

 

Dehje kolektive; të gjithë kundër të gjithëve!

 

Sot, domosdoshmërisht duhet larguar nga kujtesa preokupimet mbi konfrontimin që po bëhet përditshmëri jona. Besimtari modern nuk do që vetëdija e tij religjioze të shqetësohet me konfrontime. Ai edhe ashtu është i lodhur nga disharmonitë e jetës. Ai është i rraskapitur shpirtërisht dhe i shqetësuar. Shqiptarit i duhet paqe dhe më shumë qetësi. Ai do një fe e cila e liron nga frika dhe nga gjendja pezull që është. Jemi duke përjetuar një dramë, ndërsa besimtari nuk do të jetë pjesëmarrës në këtë dramë ironike. Ai po ndjehet keq kur shkruajmë kundër njëri tjetrit. Ai po preket nga mesazhi e dalë prej shkrimeve diskredituese ndaj fytyrave eminente të kombit. Shqiptari po frikohet nga kjo dehje kolektive që buron tek lufta për pushtet. Pjesëtarët e një feje po sulmohen ashpër nga pjesëtarët e fesë tjetër, sulmohen edhe ata që janë të njëjtës fe por që mendojnë ndryshe. Sot shpallesh për heretik e pabesimtar vetëm pse nuk vishesh si tjetri. Çka është kjo ndasi mes sunitëve dhe shiitëve, prej nga këto fetva që këta të fundit shpallen për kafir, kush e bënë këtë dhe nga kush paguhen? Prej nga ideologjia se katolikët si katolikë kanë kontribuar kauzës shqiptare më shumë se të tjerët, dhe e kundërta, prej nga dhe çka nënkupton ajo se myslimanët shqiptarë kanë dhënë më shumë për shtetin se sa katolikët? Gjuha e militantëve të një partie është tepër e egër ndaj militantëve të partisë tjetër. Mungojnë shkrimet për thirrje që ta duam njëri tjetrin. Po shahen pa dallim personalitetet e kombit ndërsa Adem Jashari quajt kriminel? Askush nuk mbeti pa u tejshpuar prej plumbave që dalin nga gojët e shqiptarëve plot vrer, urrejtje dhe armiqësi. A është e mundur e gjithë kjo, shqiptarë?!

 

Intelektualë, zgjohuni dhe vraponi kah idealet e larta

 

Fatmirësisht, si popull ia kemi arritur që me sukses të përballojmë rreziqet të cilat na kërcënonin me zhdukje fizike, mentale dhe kulturore. Tani jemi në momentin kur duhet ti ndërtojmë objektivat e përparimit dhe të konsolidimit si komb i lirë. Edhe pse kemi ende vështirësi të shumta, duke përfshirë edhe lirinë jo të plotë në kontekst të vijës etnike, sot frymojmë më lirshëm se pak vite më parë. Shqipëria dhe Kosova, shqiptarët kudo që jetojnë nuk mund të justifikohen më tutje për mungesë të resurseve dhe kushteve elementare për mundësi të prosperimit. Është momenti që në nivel nacional të diskutohet shumë seriozisht krijimi i një mekanizmi që bashkon trurin e kombit, që mund të quhet Knowledge Village-Fshati i Dijes. Fshati i Dijes do të ishte trupi elitar i ndërgjegjes shkencore dhe intelektuale shqiptare me përfshirje të gjitha profileve studimore në nivel shkencor, me detyrë që në forma analitike dhe sintetike studimore të sjellim të gjitha përfundimet e duhura të cilat do ta përcaktonin mënyrën e të ecurit përpara të kombit shqiptar. Intelektualët, shkencëtarët, dijetarët shqiptarë, kudo që janë dhe kah do që kanë migruar duhet ti rreken punës për atdheun dhe të tregojnë se janë pjesë e botës së qytetëruar. Besoj të kenë mësuar se në garën për jetë marrin pjesë gjitha kombet, por në cak arrin më i përgatituri për jetë, pas tij hyjnë të tjerët ndërsa në fund mbesin ata që nuk ishin të gatshëm të ballafaqohen me sfidat e jetës.

 

Në vend të përfundimit: Njeriu mbi të gjitha

 

Më mbanë shpresa se pranimi i njëri tjetrit dhe toleranca mes nesh do të kuptohet drejt dhe shpejt. Vetëm ashtu mund të përballojmë vështirësitë që kemi përpara. Jeta nuk pret. Besimtari shqiptar duhet të dijë se feja e tij kurrë nuk ka qenë arsye për ndarje apo vrasje. Udhëheqësit makutër fetarë janë ata që përdorin fenë për interesa dhe konflikte mes njerëzve.

Shqiptarë, përpara kemi njeriun. Nuk është me rëndësi si quhet, në çka beson dhe cilës parti i takon. Me rëndësi është se ai është njeri, për të cilin, siç thotë Kurani, u krijua çdo gjë dhe çdo gjë është vënë në shërbim të tij.

 

Ky artikull është botuar në gazetën ZËRI, Prishtinë, më 31. 08. 2013.

Vënë nën:Shqiptarët dhe feja Tagged: feja, kultura, shqiptarët

Ortodoksizmi politik i diplomacisë greke

Shaban MURATI

 

ORTODOKSIZMI POLITIK I DIPLOMACISË GREKE

Greek Orthodox Patriarch of Jerusalem Th

Një problem i ri shfaqet përpara diplomacisë shqiptare në ballafaqimet e saj të tanishme dhe të ardhshme me diplomacinë greke. Është një problem i ri, i paraqitur për herë të parë publikisht nga diplomacia zyrtare e Athinës në muajin gusht të këtij viti. Problemi është ortodoksizmi politik ose instrumentalizmi zyrtar i fesë ortodokse për zgjerimin dhe konsolidimin e influencës së Greqisë në një shtet fqinj.
Ortodoksizmi politik ose përdorimi i ortodoksisë për qëllimet e politikës së jashtme u sanksionua me qëndrimet e shpallura zyrtarisht nga diplomacia greke kundrejt Shqipërisë. Përmeti është eksperimenti i parë diplomatik dhe shtetëror i Greqisë për të sanksionuar proteksionin e Greqisë mbi ortodoksinë shqiptare. Reagimet e diplomacisë greke kundrejt Shqipërisë deri tani kanë qenë për çështje të minoritetit grek në Shqipëri, me synimin për zgjerimin territorial të tij. Por është hera e parë që dilet hapur nga diplomacia me pretendimin e proteksionit të Greqisë mbi ortodoksët e Shqipërisë. Në mënyrë të pashembullt kemi dy deklarata të njëpasnjëshme të Ministrisë së Jashtme greke për Përmetin, kemi një deklaratë të zëvendësministrit të Jashtëm grek në 25 gusht, që kërcënon se do të ketë pasoja për kursin europian të Shqipërisë, kemi thirrjen e ambasadorit shqiptar në MPJ të Greqisë, kemi një demarsh absurd diplomatik në Përmet të konsullit grek në Gjirokastër, për të mos përmendur përpjekjen për të ndërkombëtarizuar Përmetin me vënien në lëvizje të organizatave “vorio-epirote” në SHBA me peticione drejtuar presidentit Obama për Përmetin.
Ngjarja e Përmetit është një ngjarje e brendshme e Shqipërisë, nuk ka karakter fetar, por ligjor, dhe është përballje mes një grupi njerëzish, që nuk duan të zbatojnë ligjet e këtij shteti, dhe institucioneve, që përpiqen për zbatimin e këtyre ligjeve. Diplomacia greke e shfrytëzoi si pretekst për të dalë dhe për të pretenduar të drejtën e ndërhyrjes së saj, jo thjesht dhe vetëm në punët e brendshme të Shqipërisë, por në një drejtim të ri, që ajo nuk e kishte bërë hapur më parë. Ky është përdorimi i ortodoksizmit politik dhe dalja me një rivendikim fetar dhe gjeopolitik në Shqipëri.
Është me interes të nënvizohet se pretendimin për proteksionin grek mbi ortodoksët shqiptare, duke konsideruar çdo ortodoks shqiptar si grek, diplomacia greke e ka paraqitur si tezë, qëndrim dhe politikë të saj qysh në Konferencën e Paqes në Paris, për të kundërshtuar njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për të rivendikuar të drejtën e kontrollit të saj mbi Shqipërinë. Në atë kohë, njerëz të shquar dhe intelektualë të mëdhenj ortodoksë si Mihal Turtulli, anëtar i delegacionit të Shqipërisë, i dhanë përgjigjet me efekte diplomatike e politike se Greqia nuk ka asnjë të drejtë mbi ortodoksët e Shqipërisë. Në një sesion të Konferencës së Paqes, në 27 shkurt 1919, Mihal Turtulli mbajti deklaratën lapidare se “Greqia i ngatërron gjërat. Ajo mendon se të krishterët, siç jam unë, janë grekë. Kjo është e pasaktë. Pretendohet se të gjithë ortodoksët janë grekë. Pse? Rusët, bullgarët, serbët, edhe pse janë ortodoksë, nuk janë grekë”.
Është hera e parë, qysh nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve në vitin 1971, që diplomacia greke del zyrtarisht me pretendimin e vjetër 100- vjeçar të proteksionit mbi ortodoksinë shqiptare. Ky zhvillim i ri duket se ka disa motive , të cilat shkojnë përtej ngjarjeve të Përmetit.
Së pari, me ndërhyrjen zyrtare në një problem shqiptar dhe në një sovranitet shqiptar, ku të dy palët që përplasen janë shqiptarë, diplomacia greke hap siparin e një veprimtarie të re të saj për ligjërimin e së drejtës si protektore e ortodoksëve të Shqipërisë. Deri tani, këtë të drejtë të protektorit e ka rivendikuar kisha greke, kurse tani del diplomacia greke.
Së dyti, duke dalë me qëndrimet dhe deklaratat e njëpasnjëshme zyrtare, diplomacia e Athinës synon që të sanksionojë një formë diplomatike dhe juridike të ndërhyrjes së saj. Është për të ardhur keq, që kryetari i Bashkisë së Përmetit pranoi të takohej me konsullin grek të Gjirokastrës për të diskutuar ngjarjet e Përmetit. Unë nuk kam informacion se kush ia ka këshilluar apo lejuar atij pranimin e demarshit diplomatik grek, sepse me Kushtetutë marrëdhëniet politike me shtetet e tjera nuk i zhvillojnë bashkitë dhe komunat, por drejtohen nga qeveria qendrore dhe Ministria e Jashtme. Me aktin e vizitës së konsullit grek për një problem të pastër brenda shqiptar, është hedhur një hap i gabuar, që mund të krijojë precedentin, që diplomacia greke të shfaqet si palë ose si arbitër në punët e brendshme të Shqipërisë.
Së treti, strategjia e diplomacisë së Athinës nuk është vetëm Përmeti, por shtrirja e së drejtës së funksionimit të ndërhyrjes greke në gjithë territorin e Shqipërisë, sepse në gjithë territorin e Shqipërisë jetojnë qytetarë të besimit ortodoks.
Së katërti, Përmeti mund të shfrytëzohet si shkas që veprimtaria diplomatike greke të shtrihet edhe në arenën ndërkombëtare për të gjetur përkrahje për proteksionin e saj mbi ortodoksinë shqiptare.
Nga vorbulla e kësaj fushate diplomatike drejt Shqipërisë është e kuptueshme se po krijohet një situatë, ose jemi në hapat e para të një situate, ku diplomacia greke mund të shkallëzohet në përpjekje për të patur zërin e saj edhe në institucionet ekzekutive dhe legjislative të shtetit shqiptar, dhe në emër të proteksionit për ortodoksinë të kërkojë statusin e një ndikimi të drejtpërdrejtë mbi funksionimin e shtetit shqiptar.
Natyrisht ka disa faktorë të brendshëm në Shqipëri, që kanë ndihmuar në krijimin e një situate të tillë të pakëndshme kombëtare dhe gjeopolitike, ku diplomacia greke del hapur me pretendimin e proteksionit të saj mbi ortodoksët shqiptarë. Faktori i parë i madh është heshtja e Kishës Ortodokse të Shqipërisë, e cila në emër të Autoqefalisë duhej të ishte e para që të dilte për të hedhur poshtë kujdestarinë e qeverisë dhe të diplomacisë greke për ortodoksinë shqiptare. Faktori i dytë i madh është dobësia e shtetit dhe e diplomacisë shqiptare, të cilët me kompleksin e tyre tradicional të inferioritetit nuk kanë ditur t’i japin përgjigjen e duhur kësaj ndërhyrje të re të diplomacisë greke në punët e brendshme të shtetit dhe të komuniteteve fetare shqiptare. Ka qenë dobësia e shtetit shqiptar, që ka sanksionuar një formë proteksioni grek mbi ortodoksinë shqiptare nëpërmjet legalizimit në protokollin zyrtar të ministrave dhe kryeministrave grekë gjatë vizitave në Tiranë të takimeve të tyre me kryepeshkopin grek të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, në një kohë që ata nuk kanë takuar kurrë as kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe as Primatin Katolik të Shqipërisë. Qeverive shqiptare duhet t’u bënte pak përshtypje se ato nuk kanë pasur asnjëherë kërkesa për takime me kryepeshkopin e Kishës Ortodokse të Shqipërisë nga ministrat dhe qeveritarët e shteteve të tjera ortodokse si Bullgaria, Rumania, Maqedonia, Mali i Zi, Rusia, etj, gjatë vizitave të tyre në Tiranë.
Duhet theksuar se diplomacia greke e ndërmerr këtë uverturë të një politike arkaike të proteksionit mbi ortodoksinë shqiptare në prag të marrjes së detyrës nga qeveria e re e kryeministrit Edi Rama. Duket si një formë presioni e drejtpërdrejtë e diplomacisë greke mbi qeverinë e re për t’i kërkuar të ndjekë vijën servile të qeverive të mëparshme shqiptare në marrëdhëniet me Greqinë. Nuk është e rastit, që edhe përfaqësues të lobit grek në Tiranë ndërmorën në mënyrë të koordinuar sulme kundër politikës rajonale të formuluar nga Edi Rama, duke i kërkuar prioritarizimin e marrëdhënieve me Athinën.
Mesa duket në Athinë ende nuk e kanë mësuar se Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s, dhe në Tiranë deri tani qeveria dhe diplomacia ende nuk janë ndërgjegjësuar se Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s. Asnjë shtet i NATO-s nuk lejon proteksione të komuniteteve të veta fetare kombëtare nga shtetet e tjera. As Greqia nuk do të lejonte një proteksion fetar nga Bullgaria, nga Rumania apo nga Maqedonia. Fetë janë të ndara nga shteti, por nuk janë të ndara nga kombi, dhe ndaj ka edhe kisha kombëtare.
Ortodoksizmi politik i diplomacisë greke pritet të hapë përplasje të reja në marrëdhëniet me Greqinë. Si çdo lloj formë e keqpërdorimit të besimit fetar, që merret me politikë, ky fenomen duhet të marrë një “jo” të vendosur shtetërore qysh në fillim, për të dekurajuar dhe për të neutralizuar vazhdimin e hapave të mëtejshme të presionit dhe të proteksionit të çdollojshëm të diplomacisë greke. Diplomacia shqiptare e bëri këtë 100 vjet më parë. E ka më të lehtë ta bëjë sot.

Burimi: http://www.balkanweb.com/analiza/2689/ortodoksizmi-politik-i-diplomacise-greke-146891.html

Vënë nën:Ballkanologji Tagged: diplomacia, Greqia, ortodoksizmi, politika, Shqipëria

PRITSHMËRI

Mbledhjet e qeverisë Edi Rama – ende e paformalizuar nga pikëpamja institucionale –, në Vlorë e në Shkodër, nxitën interpretime të shumta. Konteksti i veçantë politiko-kushtetues dhe mbulesa e munguar mediatike ofruan terren pjellor për hamendjet nga më të ndryshmet lidhur me qëllimet e mbledhjeve të mësipërme. Natyrisht, mediat e etura për informacion nuk e […]

Fjalorthi politik shqiptar në një fjalëkryq

Fjalorthi politik shqiptar është bërë më në fund një fjalëkryq interaktiv. Ju mund ta zgjidhni atë duke gjetur fjalët në vendin e duhur. Kush e zgjidh i pari, tregon se është shqiptar i mirë. Klikoni te linku për të hapur fjalëkryqin. fjalekryq i plote politik cross Përgjigjet gjenden te fjalori te këto linqe: http://diaryoftirana.com/fjalorth-politik-shqiptar-iv-hyrjet-e-reja/ http://diaryoftirana.com/fjalorth-i-politik-shqiptar-pjesa-iii/ […]

Dhunë, mjerim, injorancë, nder i turpshëm, divorci i shtetit me qytetarin, dhe media që prostituon në kohë krize

Simbolika e ngjarjes së pedofilit Muca me adoleshenten Visha është një tregues I qartë I prishjes së balancave në shoqërinë tonë. Kemi një pedofil që bëhet viktimë, dhe një viktimë që bëhet kriminele e akuzuar tashmë institucionalisht por dhe moralisht. Domethënia reale sjell në pah mjerimin e familjes shqiptare, injorancë dhe mjerimi mentaliteti që ka hedhur degë si një gangrenë. Ngjarje përdhunimesh, vrasje, ngujime, krime në familje, vetvrasje kemi me shumice tashmë. Ato zakonisht etiketohen si ngjarje për motive të dobëta. Duhet të gërmosh pak fare të shohësh se tek keto motivet e dobëta, shpeshhere, qëndron problemi i pazgjidhur i pronës, i asaj vijës së ujit, i asaj rrugës së ndërprerë që i ka dalë pronari, i atij të riut që shkatërron familjen dhe veten nga loja e bixhozit, i atij krimineli që doli nga burgu duke korruptuar prokurorë e gjykatës dhe neser vritet nga qytetari mbi të cilin rëndon shpirtërisht mosdënimi I kriminelit. Por ngjarja Visha – Muca po tërheq më shumë vëmendjen e publikut pasi ka nje jehonë në vetvete, është sa perverse në një shoqëri ku seksi është akoma tabù, aq dhe intensive në rrjedhën që po marrin ‘hetimet’ gazetareske. Kjo ngjarje, në fakt, po prodhon ngjarje te tjera si për shembull ate krenarinë apo nderin në mjerim, po prodhon reagimin e familjes Muca nga tonet morale të asaj ‘kurvës’ adoleshente tek deklarimi I gjakmarrjes duke sfiduar në mënyrë direkte shtetin. Pyes nëse keto deklarime që I kemi dëgjuar kaq shpesh këto kohë po regjistrohen nga organet perkatese te policisë së shtetit duke i shoqëruar këta deklarues te mjerë , por dhe nese ky monitorim bëhet, praktika po tregon gjithnjë e më qartë se institucionet kanë dhënë shpirt me kohë, në lidhje me krimin e mosndëshkimin. Shtetasit e saj sado ti quajmë të mjerë e katunar e kanë kuptuar se nuk ka mënyrë tjetër ndëshkimi. Telenovelat latine filluan të vërshojnë dhe në jetën reale, aty një vetvrasje se e la i dashuri, këtu një deklarim se desh ma mori burrin. Media ndërkohë, një pjesë e madhe saj, sidomos ajo vizuale shet një imazh social ‘wannabe’ , ndërsa shtypi i shkruar ushtron anën mizogjine, duke e vrare dhe njeherë viktimën adoleshente . Sigurisht, në stadin ku ka kaluar kjo ngjarje, është thuajse e pamundur që të mendojmë se as inicialet e adoleshentes nuk duhet të ishin dhënë në media nga vete zëdhënësit e policisë. Media që supozohet të jetë në shërbim të opinionit të gjerë publik sigurisht që për të qenë etike do të kufizohej tek ngjarja e jo tek identiteti i viktimes reale. Në lidhje me imazhin “wannabe” është krijuar qartë disniveli i frikshëm në raportin realitet – model social i promovuar. Sot, vlerë për një femër është fuqia e joshjes, bukuria mbi të gjitha. Nuk do të habitesha nëse ka shumë adoleshente, edhe në zonat më të varfra, ku kursehet në të ngrënë për të investuar në bukuri. Mjerimi dhe varfëria janë motër e vëlla. Mbase, nëse Muca do të kishte pasur më shume financa, do të ndërtonte poligamine në mënyre “etike” dhe ngjarja që po komentoj nuk do te kishte ndodhur, do të varroste pergjithmonë të kaluarën e tij prej pedofili, dhe viktima tjetër, që është viktimë e vetë sistemit social që kemi ndërtuar me bekimin nga lart, do të kalonte ne fazën tjetër të telenovelës latine allashqiptare. Por nje pedofil I varfër guxoi të bënte ate që bëjne të pasurit e sotëm me shumicë, të kesh një dashnore është në modë. Sa e sa studente ‘mirëmbahen’ nga I I dashuri biznesmen! Nga ana tjetër, kemi akoma një detaj pikant që ka të bëjë pikërisht me viktimën e vërtetë, e cila nuk duhet të guxojë të shprehet në familje se u përdhunua, është turp të jesh viktimë veçanëerisht e një përdhunimi nëse je femër, kjo është ndjesi e brendshme e viktimës, ndonjë kërcënim I mundshëm se po foli do bëhet nami thjesht lëmon derën e një vendimi të marrë në heshtje tashmë nga vetë viktima. Pasqyra që na ofrohet në këtë kontekst është ajo e pasojave eksponenciale të krijuara nga qeveritë e mëparshme dhe të tanishme, vetëm se tani u poqën mire frutat dhe po bien në tokë një nga një. Mungesa e investimit të duhur në arsim, në mbështetjen sociale, në mosfunksionimin e drejtesise, kombinuar ketu me vete antivlerat që marketohen nga lart poshtë dhe rritjen e varfërisë bashkë me rezonancat e krizës financiare nga jasht- brenda do na bëjë dëshmitarë të heshtur te kushedi sa e sa krimeve të tjera. Kishim një luftë gati civile në nivel makro në 1997, tani i erdhi koha kësaj luftes në familje, tek qelizat e vetë shoqërisë nivel mikro ky , shteti serish mund të bëjë sehir sepse është i larë sidomos kësaj radhe

Te pakten nje lamtumire dinjitoze

Meqe familja e Aishes paska nderprere morten kur paska marre vesh se viktima ishte shtatzene, pra i paska ‘cnderuar’, le te bejme ne nje funeral simbolik per Aishen! U prehsh ne paqe engjell qe realisht je vitkime e vete shoqerise qe te rrethoi! Pate fund tragjik ti dhe fetusi qe sigurisht nuk arriti de dale ne jete, por te pakten tani je larg ketij makthi social, larg kercenimit per thashetheme, larg prej veshtrimit grushtues te inatosur e mbase dhunes qe mund te ushtronte vete babai yt mbi ty po te ishe gjalle dhe te kish mesuar per shtatezanine tende. Je larg prej opinionit vrases shqiptar qe dhe ne keto momente te ben ty fajtore nderkohe qe je viktime! Do te ndez nje qiri per ty, jo ne kishe e as ne xhami pasi gjithsesi keto institucione ne kete vend ne pergjithesi nuk te kane mbrojtur perkundrazi jane perdorur si arme zgjatuese e autoritetit te pamerituar mashkullor. Neser ora 6 pasdie do ndez nje qiri per ty ne mes te Tiranes pikerisht tek sheshi Skenderbej perballe Hotel Tiranes . Do jem vetem mbase, por do e bej kete per ty pasi realisht ti je viktima e vete shoqerise tone, ndaj dhe ky akt do jete i thjeshte e civil ne qender te Shqiperise per nje problem qe NUK eshte problem per ne. Ju ftoj dhe ju miqt e mij, por nuk jeni te detyruar. Nderkohe nuk ju garantoj pranine e medias e nuk kerkoj protagonizem ! Kush deshiron te vije te beje kete gjest neser prane meje eshte i mirseardhur! Te pakten ti bejme ne nje lamtumire kesaj viktime te vrare tashme ne menyren me cnjerezore si nga dhunuesi dhe nga vete familja! Un jam individ qe dua te reagoj, nuk jam shoqate e nuk jam pjese e ndonje klani partiak! Nuk do gjeni nje stive qirinjsh gati ne kete event , ndaj ju lutem blijini vete sikurse do e blej dhe un timin. Mbi te gjitha eja nese vertet e ndjen se duhet te vish , nuk garantoj media te pranishme e as ndonje mundesi pompoziteti. Nuk mund te tolerojme vrasjen e viktimes per here te dyte ndaj ejani ti themi lamtumiren e fundit nje te pafajshmeje qe u be e fajshme nga vete pedofili kriminel, nga vete familja, nga vete shoqeria dhe nga vete institucionet e shtetit qe kete kriminel e kishin lene te lire! Faleminderit serish per mbeshtetjen Erion Kristo! Faleminderit dhe ju qe doni te jeni neser me ne por nuk mundeni, faleminderit dhe ju qe kaloni kufirin e premtimit ne Facebook