PARZMORJA PREJ DRURI

Një reagim i sotëm publik i Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani më bëri të mendoj për mënyrën si komunikojnë institucionet publike në atë vend. Çështja që është bërë shkas për këto shkëmbime – ose pronësia ndaj një trualli të kontestuar – nuk ka lidhje me çfarë do të shkruaj më poshtë. Përkundrazi, sa […]

TAGJI PËR ROSINANTËT

nga Paskal Stafa Ngjan pothuajse e kotë dhe përpjekje e pamundur të marrit me marritë dhe gafat e medias shqiptare, mullinjtë e erës të të cilës fabrikojnë përditë e më keq, me progresion në rënie, tagjinë për Rosinantët e saj. Mirëpo, nga ana tjetër, dikush duhet të marrë përsipër vullnetarisht detyrën aspak mirënjohëse të kalorësit […]

Në pritje të “Tom à la ferme” nga Xavier Dolan

tom-at-the-farm-poster

Nga: Lediona Kasapi

Pas tre dramave “Je tue ma mere”, “Les amours imaginaires” dhe “Laurence Anyways”, Xavier Dolan do të prezantohet në Festivalin e 70-të të Venecias me një thriller psikologjik. Pas tre premierave në Kanë, filmi i tij i ardhshëm do të debutojë në Venecia. Tashmë filmi është renditur zyrtarisht mes filmave brenda konkurimit për 2013.

Dolan dhe Michel Marc Bouchard (autori i dramës) kanë përshtatur skenarin për filmin. “Tom à la ferme” do të jetë një film ndryshe nga ata që kemi parë deri tani nga Dolan.

Në këtë thriller psikologjik, “Sindroma e Stokholmit” që vërtitet në qendër të filmit, prodhon dhunë, fshehtësi, gënjeshtra. Një i ri shkon në fshat për një funeral. Aty askush nuk e njeh. Askush nuk i di lidhjet e tij me të ndjerin.

I vendosur thellë në rrethinat e Kebekut, “Tom à la ferme” tregon atë ndryshimin e madh mes natyrës se fshatit dhe betonit te qytetit , të reflektuar edhe tek njerzit që banojnë në njërën anë apo në anën tjetër.

Përshtypja e parë, si lexon plotin e thjeshtuar , është se ky film duket pak më “i errët” krahasuar me filmat e tjerë të regjisorit riosh 23-vjecar. Në thelb të të tre filmave paraardhes ka nga një dramë njerëzore të zakontë (nga ato që të bie rasti ti hasësh thuajse përditë tek vetja apo tek njerzit rreth e rrotull). Ka dy-tre personazhe dhe gjithë drama përcillet permes ndërveprimit të tyre. Kurse “Tom à la ferme” duket se do të jete më gjithëpërfshirës. Nese dy filmat e parë “Je tue ma mere” dhe “Les amours imaginaires” janë gati-gati autobiografikë, ku personazhet kryesorë nuk mbajnë më shumë se 25 vite mbi supe, me “Laurence Anyways” bëhet një farë thyerje (dhe rritje e regjisorit). Megjithëse “Laurence Anyways” është më pak i vlerësuari ndër tre filmat e deritanishëm të Xavier Dolan.

 “Tom à la ferme” do të jetë një sprovë edhe për vetë regjisorin. Të presim dhe të shohim nëse ky film do t’i pasojë suksesit të “Je tue ma mere” dhe “Les amours imaginaires” apo do të jetë një tjetër “Laurence Anyways”. Nëse ndodh kjo mundësia e dytë, atëherë ndoshta Xavier Dolan bën mirë të vazhdojë të krijojë filma gjysëm autobiografikë edhe për pak kohë dhe më vonë le ta provojë sërish me ndonjë zhanër tjetër.

Në pritje të “Tom à la ferme”, unë ju sugjeroj të shihni “Je tue ma mere” (ju që nuk e keni parë, kuptohet) …për të kuptuar se pse ka kaq shumë pritshmëri ndaj këtij artisti riosh homoseksual.

*Pas prezantimit të “Je tue ma mere” në Festivalin e Kanës 2009, e gjithë salla ka duartrokitur e brohoritur për plot tetë minuta (jo dhe aq keq, apo jo?!) ;)

Filed under: Kinema, Lart & Poshtë Tagged: filma, lediona kasapi, xavier dolan

Branko Merxhani

“Rroj me ëndërën e një vendi, njerëzit e të cilit janë më parë të tij dhe pastaj të vetes së tyre. Gjysma e ditës është e tyre dhe gjysma tjetër është e shoqërise. Njeri s’mendon të vjedhë këtë gjysmë të drejtë. Njeri s’mendon që e lau borxhin e tij kundrejt shoqërisë vetëm se ia pagoi taksat taksidarit. Qytetari këtu jep më shumë dhe kërkon më shumë. Punon arën, mban dyqanin hapët, mundohet në zyrë dhe kështu nxjerr bukën. Stomaku i tij s’është kurrë i sbrazët. Po prapë s’thotë se u-ngos. Ndjen uri në shpirtin e tij. Për këtë çdo ditë fal disa orë edhe për një punë shoqërore, punon bashkë me të tjerët për të tjerë..”

“ Rroj me ëndërën e një vendi, në të cilin tërë djalëria togje-togje po vepron përmbrenda kuadrit të një pllani shoqëror dhe edukatif. Njëri nga këto djem nuk breth andej-këndej pa punë si njonë që s’di ç’të bëjë. Në mes tyre s’ka asnjë njeri të hequr më nj’anë si të lënë në mëshirën e fatit. Cdo pjestar i brezit të ri, n’orët e lira të shkollës ose të punës, rron mbrenda në rrethin e një instituti kultural. Këtu e gjen ushqimin për mendjen e tij. Këtu kënaq etjen e shpirtit të tij. Horizonti i intelektit të tij dita-ditës zgjerohet më tepër. Këtu djalëria s’ushqehet me instinktet negative të shoqërisë së njerëzvet të shpërndarë. Të gjithë janë bashkuar, si djemt e një familjeje, rreth e rrotull disa parimeve të caktuara. Qëllimet e tyre janë të caktuara, nevojat e tyre janë të bashkëta. Nishjani i tyre është një. Dhe besojnë se njëri s’mund të shpëtojë pa tjetrin, pa shokun që ka në krah, pa gjith të tjerët. Brënda në të gjithë është dhe nderi. Një fill i vetëm është asnjë. S’është asgjë. Eshtë zero. Një hiç. Një gërmadhë. Rrojnë të gjithë të bashkuar, si vëllezër, të zënë nga dora fort. Rrojnë me ideale dhe për ideale.”

Filed under: Ata që na kanë shpëtuar jetën, Në rrënjët penës shqiptare Tagged: branko merxhani, si shkruanin paraadhesit tane

Stadium Arcadium

Nga Enera Hiver

Sot ka diell.

Fytyra ime

ngrohet nën të

e një gëzim

zë vend

siç

gëzoja

kur të shihja

herëve të para.

Dëgjoj

Stadium Arcadium,

një pasqyrë në hënë,

thuhet në këngë

e mendja mi kalon limitet.

Mos më shih ashtu,

se unë e lirë

s’kam lindur

Koha më hedh

zinxhirë

që nuk më lënë,

e limite të llastuara

shpesh

gëlojnë.

E zakonshmja

më mërzit.

Ky qytet

shpesh herë;

e dua të iki,

të rend.

Por, larg teje jo!

Nën këtë diell

nën këtë tingull

ku ekzistenca e zinxhirëve

shkrin

Unë shpërbëhem

në njëmijë e një pjesë

bashkë me to,

e çdo qelizë kapërcen

kufijtë e gjallimit.

Mjafton një Stadium Arcadium

në vend të pasqyrave

për t’u parë.

E di?

Dielli duhet të lindë

dhe netëve të errëta.

Bëje të lindë!

Se

ditës

nuk i duhet një diell.

Natës, po!

Filed under: Lart & Poshtë, Letërsi Tagged: enera hiver, poezi ne shqip, shqip.autore te rinj

Vitet

to-go-where-man-with-luggage92

“To go Where? Man with Luggage”, ©Alberto Sughi

Nga: Cesare Pavese

Përktheu: Renato Kalemi

Prej atij që kam qenë atëherë nuk ka mbetur më asgjë: ende jo burrë, isha një fëmijë. E dija prej kohësh, por gjithçka ndodhi në fund të dimrit, një mbrëmje e një mëngjes. Ishim bashkë, thuajse të fshehur, në një dhomë që shihte për nga shëtitorja. Atë natë, Silvia më tha se duhej të largohesha, ose do të largohej ajo – nuk kishim ç’të bënim më bashkë. Iu përgjërova që ta provonim sërish; isha shtrirë përkrah saj dhe e përqafoja. Ajo më tha: – E për çfarë? – Flisnim me zë të ulët, në errësirë. Pastaj, Silvian e kapiti gjumi, ndërsa unë e  mbajta njërin gju ngjitur me të sajin, deri në mëngjes.

Mëngjesi u shfaq siç qe shfaqur gjithmonë, dhe bënte shumë ftohtë; Silvias i kishin rënë balluket përmbi sy dhe nuk lëvizte. Unë shihja kohën teksa kalonte në gjysmëhije, e dija se kalonte dhe vraponte, dhe se jashtë kishte rënë mjegulla. E gjithë koha që kisha kaluar me Silvian në atë dhomë, ishte si një ditë-natë e vetme, e cila po mbaronte tani në mëngjes. Atëherë e kuptova se nuk do dilnim kurrë së bashku në mjegullën e freskët. Do bëja mirë të vishesha e të ikja pa e zgjuar. Por, tani kisha në mendje ta pyesja edhe për diçka tjetër. Prita, duke u përpjekur të merrja një sy gjumë.

Kur u zgjua, Silvia më dhuroi një buzëqeshje. Filluam të flisnim. Ajo tha: – Është bukur të jesh i sinqertë si ne. – Oh Silvia, – i pëshpërita – çfarë do të bëj kur të dal që këtej? Ku të shkoj? – Për këtë doja ta pyesja. Ajo qeshi sërish, lumturisht, pa e lëvizur kokën nga jastëku. – Budalla, – më tha – do shkosh ku të duash ti. A nuk është bukur të jesh i lirë? Do të njohësh shumë vajza, do bësh ç’të duash. Diçka, për të cilën të kam zili. Tani mëngjesi mbushte dhomën dhe veçse shtrati kishte ruajtur pak ngrohtësi. Silvia priste e duruar. – Ti je si një prostitutë, – i thashë, – dhe gjithmonë ke qenë e tillë. Silvia nuk i hapi sytë. – Ndihesh më mirë tani që e the? – më tha.

Atëherë u mbështeta sikur ajo të mos ishte aty, vështroja tavanin dhe qaja në heshtje. Lotët më mbushnin sytë dhe më rridhnin poshtë faqeve. Nuk ia vlente që ajo ta dinte këtë. Ka kaluar shumë kohë, dhe tani e di se ato lot të heshtur qenë e vetmja burrëri që tregova me Silvian; e di se qaja jo për të, por sepse kisha parashikuar fatin tim. Prej atij që isha atëherë nuk ka mbetur më asgjë. Mbeti vetëm se e kisha kuptuar kush do të isha në të ardhmen.

Pastaj, Silvia më tha: – Tani mjaft. Duhet të ngrihem. U ngritëm bashkë, të dy. Nuk e pashë teksa vishej. U ngrita shpejt në këmbë, në dritare, shihja lulet që çelnin. Pas mjegullës fshihej dielli, ai diell që kishte përshkuar kaq herë dhomën. Edhe Silvia u vesh shpejt, dhe më pyeti nëse do t’i merrja me vete gjërat e mia. I thashë se më parë doja të bëja një kafe, dhe ndeza furnelën. Silvia, e ulur në cepin e shtratit, nisi të bënte thonjtë. Më parë i kishte bërë gjithmonë në tavolinë. Dukej e menduar dhe flokët i binin vazhdimisht mbi sy. Atëherë bënte një lëvizje me kokë dhe çlirohej prej tyre. Unë u vërdallosa nëpër dhomë të mblidhja gjërat e mia. Bëra një grumbull mbi karrige, kur për një çast Silvia u ngrit dhe vrapoi të hiqte kafenë që po derdhej.

Pastaj nxorra valixhen dhe futa teshat. Ndërkaq, brenda përpiqesha të mblidhja të gjitha kujtimet e këqija që kisha me Silvian – kotësitë, gjendjet e mërzitshme, fjalët acaruese, rrudhat. Këto po merrja nga dhoma e saj. Ajo çfarë lija ishte një mjegull. Kur mbarova, kafeja ishte gati. E pimë në këmbë, pranë furnelës. Silvia diç tha, se do të shkonte tek një tip për të folur për një punë. Pas pak, lashë filxhanin dhe u largova me valixhen. Jashtë mjegulla dhe dielli të qorronin sytë.

Filed under: Lart & Poshtë, Letërsi Tagged: cesare pavese, perkthime ne shqip, perkthyes te rinj, proze, renato kalemi

Nuk ka pragmatizëm që mund të justifikojë mungesën e votës së protestës!

Ajo që sot promovohet si pragmatizëm e na shitet si i tillë është ajo vazelina që zbut kufirin mes të keqes dhe të mirës! Pragmatizmi i momentit është ai i suvllaqit që do hamë sepse na ka marrë uria shumë, edhe pse sërish në vaktin tjetër do të na duhet të shndërrohemi në lypsarë. Duke menduar për të keqen e vogël e të madhe nuk duhet të harrojmë se kush e krijoi të keqen e madhe, atë e krijoi dhe kjo që na shitet më e vogël, atë e krijuam dhe ne që vijojmë të “pragmatikojmë”! Krasitja e kushtetutës sipas orekseve të njërit dhe tjetrit mbase vërtet mënjanoi disa parti të vogla që e hanin bukën kot por mbi të gjitha legjitimoi oligarkët e politikës, dhe ne do vijojmë të dëgjojmë më shumë për parti që personifikohen me emër e mbiemër sesa të majtë e të djathtë. Bëni një kërkim në google në shqip nuk do habitesha se më shume rezultate do ju dalin me emrin Berisha sesa Partia Demokratike, më shumë rezultate do ju dalin me emrin Rama sesa me emrin Partia Socialiste. Këta zotërinj kanë patur mjaft shanse për të qenë konstruktiv si përshembull moslejimin e mandateve të treta për kryeministër. Kanë pasur shansin të reformojnë partitë e tyre por sot keni akoma parti që kanë të njëjtin lider që nga formimi 20 vjeçar.

Mosndëshkueshmëria brenda partive ka sjellë liderat e ujit të ndenjur, ka sjellë liderat që hedhin rrënjë. Ka mbytur demokracinë brenda saj, me lista të mbyllura, me pseudozgjedhje brenda partiake ku akoma fitohet me 90% por mbi të gjitha ka sjellë kulturën e babës!
Thua të jemi kaq fëmijë sa të kemi nevojë për babë në këtë shoqëri! Mbi të gjitha ka sjellë mungesë shprese tek e ardhmja pasi dhe ndonjë formacion i ri partiak kopjon, ose të paktën frymëzohet, nga e njëjta mënyrë funksionimi, dhe krijohet po në të njëjtën formë lideri apo logoja që bëhet lider, sepse kërkon pushtet. Ata nuk i bashkon një kauzë pikësëpari dhe, në mënyrë lineare kohore, të zhvillojnë organigramën dhe lidershipin e duhur. Berishizmin e kemi mirëmbajtur ne pragmatikët, ndaj unë nuk habitem as kur dëgjoj për trysni në administratën publike nga Berisha dhe servilët e tij, e as kur dëgjova se në të famshmen grevë urie të atij që e thirri por nuk u bë pjesë e saj, se punonjës të asaj kohe të bashkisë detyroheshin që të shkonin dhe qëndronin në këmbë direkt pas pune për 4 orë të tëra, dhe ata pa ngrënë.

Është një bashkësi e tërë vlerash që ka rënë në tokë dhe është zëvendësuar me servilizëm, pazare, frikë dhe apati. Kjo kastë politike pingpongu ku edhe pse bëhet fjalë për zgjedhje të reja ke sërish dy ngelsa real që konkurrojnë, flet vetë. I njëjti film me të njëjtët aktorë, të njëjtin skenar e mbase do të ketë të njëjtin përfundim pra PAZARE paszgjedhore! Pyetja që kam është kush do e masë impaktin real që i sjell shoqërisë kjo politika e pingpongut? Duke e ditur se popullsia jonë është kaq e vogël sigurisht po prodhohet një shoqëri pragmatiste! Është normale të mos edukohesh siç duhet se ta ka “garantu baba” pozicionin, është normale të thyesh rregullat e qarkullimit me Benzin tënd sepse ke lek te korruptosh policin. Është normale të mbyllësh gojën sepse ndryshe të hoqën nga puna etj. etj. Kur del te besh aksione vullnetare konsiderohesh budalla, kur organizon protesta paqësore sërish do të të shajnë pragmatistët ose sepse mendojnë se je OJQ-iste ose sepse mendojnë se ke interesa të fshehura etj, etj sikurse ishte protesta e fundit qe ideova bashke me një mik ndaj erdoganizmit shqiptar. Diku lexova se paska qenë e orkestruar …

Duke qenë se jam vetë një profesioniste në botën e biznesit si menaxhere për një kompani shërbimesh, mu kujtua këshilla nga një eksperte e karrierës, më tha: “momenti ku ti arrin suksesin maksimal në një kompani ku ti je e punësuar është momenti ideal për tu larguar, ndërruar ambient (kompani) pasi pas këtij momenti ka direkt një rënie si në motivim, si në performancë.” Liderat që kemi ne ka kohë që janë në majë, kanë krijuar oazin e dështimit të vazhdueshëm njeri brenda vetë partisë që drejton tjetri partinë e ka fosile por mbi të gjitha dështime të vazhdueshme në gjyqësor, në arsim, shëndetësi, integrim dhe sigurisht do të tregohem naive po përmenda atë që quhet mbrojtje e industrisë fëminore (industritë strategjike për një vend). A do të prodhojmë ndonjëherë lidera që vërtet do i vlerësojmë pasi na kanë frymëzuar me lidershipin e tyre, jo, jo, nuk po kërkoj Bill Klinton-a po të paktën një lidership që nuk është kaq shkatërrues për shoqërinë e tij.

Na pret një e ardhme amorfe po nuk reaguam. Mirë që fenë nuk e kemi pas qejf ndonjëherë si komb e prandaj nuk e kemi te unifikuar, pa me thoni ne cilat themele do të zhvillohet kjo shoqëri nëse në këtë moment kritik nuk reagohet por “pragmatikohet”?

Ec votojmë për të heq Nanon, ec të votojmë për të heq Berishën, ec të votojmë për të heq Ramën, ec të votojmë për të heq Bashen! Do votojmë ndonjëherë për të sjellë diçka në vend që të votojmë thjesht që të heqim dikë, besoj se duhet filluar nga vota e protestës! Mbase për herë të parë do të kemi ushtruar një votë të sinqertë e cila nuk është e blerë e as në trysni, e cila kërkon vërtet një fillim të ri pikësëpari në vetë qelizën e të bërit politikë! Një popull që nuk proteston është si një organizëm i sëmurë që nuk do të diagnostifikohet, momenti më i mirë për të protestuar është ai i votës tënde!

“Asgjë nuk mund të krahasohet me nevojën e kurajos. Forcojeni veten nëse mundeni me optimizmin e Lakanit kur lexon tek ai se: ‘Deshira, apo ajo që quhet e tillë (Lakan flet këtu për inkoshienten subjective) mjafton të provojë faktin se nuk do të kishte sens për jetën krijimi i frikacakëve”, Jacques Lacan, ‘Kant avec Sade’, in Ecrits, 782. Marrë nga : Alain Badiou, Ethics, (New York: Verso 2001), p.56

Zoti kryetar i Bashkisë!

Zoti kryetar I bashkisë,
E dimë mirë se nuk jetojmë në një kryeqytet normal Europian ku procesi I inspektimit të bashkisë mund të kryejë në mënyrë proaktive nga vetë punonjësit e ketij departamentit përkatës te bashkise, e dimë se është luks për ne.

Por nuk arrijmë të kuptojmë se si edhe në rastet kur janë vetë qytetarët që denoncojnë keto ndërtime pa leje, keta efektivë nuk marrin masa. Këtyre qytetarëve nuk u kthehet asnjë përgjigje, injorohen në mënyrë të pa shpjegueshme pavarësisht se ata mund tu kenë marrë në telefon apo dërguar emaile me fotot e këtyre ndërtesave të paligjshme në lulëzim duke indikuar dhe adresën e saktë apo identitetin e abuzuesit.
Un zoti Basha nuk e kuptoj edhe deklaratën tuaj te fundit ku thoni se këto ndërtesa nuk do të legalizohen. Piksëpari kjo nuk nënkupton se këto të fundit nuk do te prishen.
Un zoti Basha nuk e kuptoj se përse duhet të lejohet procesi I ndërtimit pa leje deri ne fund te mbarimit te ndertimit apo thuajse fundit të ndërtimit të këtyre ndërtimeve pa leje?
Përse duhet që qytetarë të shumtë të zgjohen me zhurmën e matrapikut për nje kohë të pacaktuar me ditë të tëra, kush I dëmpshpërblen për këto kosto ?
Le të presupozojmë se do ti shembni këto ndërtime pa leje, më thoni pak përse qytetarët duhet të durojnë sërish ndotjen akustike e mjedisore përreth tyre me pluhurin që do I kaplojë kur këto veprime do të bëhen pikërisht si pasojë e papërgjegjësisë suaj?
E fundit zoti kryetar I bashkisë ka të bëjë me dëmin ekonomik, le ta marrim të mirqenë se ju do i shembni këto ndërtime pa leje, më thoni pak përse lejoni që burime financiare të shkojne dëm në këtë mënyre?

Un si qytetare kërkoj që: Së pari të penalizoni jo vetëm me heqje nga puna por dhe me gjykim dhe marrje masash ne baze te rregullores ( që besoj se ju do ta keni) ata që abuzuan ne mënyrë active ( duke marre leke) apo passive duke mbyllur një sy.
E dyta marrje masash direkte që këto ndërtime jo vetem të shemben por çdo veprim I tillë I ardhshëm të penalizohet që në fillesat e tij!

Nëse jo, duke parë se në këtë vend nuk ka drejtësi, duke ditur se I vetmi mjet ndëshkues I qytetarëve ndaj jush është vota, ju siguroj se nëse nuk merrni masa, nuk do keni te humbura vetëm zgjedhjet locale që do bëhen pas dy vjetësh por dhe ato të përgjithshmet ku ju tashmë pretendoni se do riktheni të djathtën në pushtet!

P.S Në protestën e organizuar dje kundër ndërtimeve pa leje këto ishin fjalët që I thashe kryebashkiakut, pasi ridëgjuam me anë të regjistrimeve të bëra premtimet e kryebashkiakut të sotem në fushatën e 2011.

Baton Haxhiut, nipit të haxhive

Alban ÇULI

BATON HAXHIUT, NIPIT TË HAXHIVE

Alban Çuli

Alban Çuli

Baton Haxhiu, me nje mbiemer si titullar fetar qe e mbart ne identitetin e tij kudo qe identifikohet, nuk i ka ngel asgje prej prejardhjes nen lekure, mbase edhe ate e konsideron si relike fatkeqe, qe ia kane trasheguar gjysh pas gjyshi. Dhe mbase ky i mallkon dite e nate per fatkeqesine identitare prej “haxhiu”, dikur figure e nderuar sot tek Batoni duhet te jete nje fatkeqesi e trasheguar. S’ke c’ben Baton, do te te duhet nje gjyq i vogel civil per ta hequr nga kartat identifikuese se je nip dhe sternip haxhinjsh, por nuk mund ta heqesh dot nen lekure shtate pash ate prej te cilit e trashegon “haxhiun”.

Do te te duhet te veprosh, ashtu sic kane vepruar Hoxha dhe Shehu ne Shqiperine komuniste, qe permes anatemimit te fese dhe stigmave fetare t’u benin qefin bolshevikeve ruse dhe atyre lekureverdhe te Kines, t’u tregonin atyre se “platforma” te cilen ata aplikonin ishte ne sherbim te “atdheut” dhe “njeriut modern”.

Po ti kujt ia ben qejfin?

“Shamia”, gjate sistemit komunist te Titos ne Kosove dhe Hoxhes ne Shqiperi, mbeti ne sirtar, nje ender per t’u bere realitet pas shume mundimesh, persekutimesh dhe shtypjes qe impononte sistemi, te cilin ti Baton e shan dhe e kritikon deri ne qelizen e fundit, ndersa sot ti,… cfare ti? Ti vazhdon te njejtin orientim enverist dhe titist kundrejt fese, po me te njejten gjuhe, gjuhe komuniste e mbetur relike qe pas kolapsit qe pesoi sistemi. E kur ti shnderrohesh ne hallken e ketij zinxhiri cfare mbetet qe ta titullosh veten?

Ti flet per Islamin politik, e ku e di ti se cfare eshte Islami politik? Terminologji idiotesh per te justifikuar mendimin destruktiv qe e propagandojne ose e veprojne njejte me paraardhesit enveriste dhe titiste, por tashme jo lindor por perendimor.

Po cfare ndryshimi ka Lindja dhe Perendimi tek njeriu, kur ta imponojne sjelljen?

Ti dhe lloji yt prej sharlatani qe flet per laicizmin, per kete lloj laicizmi qe ti e trumpeton ne menyre absurde eshte ai laicizem, qe kur refuzon njerezit fetare dhe kur ua kushtezon atyre qe te mos jene pjese e struktures per edukim, ose permes edukimit, nuk permban gje tjeter vetem se koncepte perjashtuese. Dhe kur perjashtuesi pretendon se te qenit fetar eshte shkaktar i prishjes se shoqerise, perpjekja e tij per te rrenuar fene behet (tashme e shnderruar) intuitivisht. Ne kete menyre ua imponon te tjereve qe te bien dakort me te rreth normave dhe rrethanave qe ai i ka konceptuar per fene.

Ne realitet, ky lloj laicizmi qe trumbeton ti Baton, ne vetvete eshte koncept fondamentalist, ne te njejtin kuptim me te cilin atribuohen islamiket, te cilet nuk njohin asgje pervec vetes se tyre dhe refuzojne te tjeret. Per me teper, ky lloj koncepti eshte ne graden me te larte te ekskluzionizmit dhe fondamentalizmit. Dhe megjithate pretendon se i pranon te tjeret dhe nuk u imponon dogmen apo doktrinen qe e mbart. Kjo eshte kontradiktore dhe nuk mund te kete prej teje nje angazhim karshi “pranimit” te supozuar. Keshtu qe duhet t’u rikthehesh edhe nje here koncepteve demokratike dhe liberale per te pare se cfare nuk funksionon ne konceptet e tua ne lidhje me sistemet, qe te mos shkelesh parimet humane.

Te jesh i sigurt, Baton, se askush nuk ka nevoje per buzeqeshjen tende dhe askush nuk mbetet pa gje nese ti zemerohesh. Ajo qe shqeteson komunitetin, te cilit ne menyre emerore i perket, jane absurditetet qe leshohen permes penes tende sociologe. A thua valle se shqiptaret jane aq injorante sa brockullat e leshuara prej teje ti marrin si aksioma matematikore. Per me teper jane ofenduese t’u drejtohesh shqiptareve se edukimi i tyre evropian duhet te realizohet permes shikimit te filmave dhe kinematografise. Per pjesen tjeter te emrave nuk eshte domosdoshmeri, kur teorite e tyre socio-filozofike i kane plagjiature te Ibn Haldunit, Sadrit, Averroes etj. e vjen ti e u shet shqiptareve dengla kopjace te kultures evropiane, si kulture shekullore, perndryshe shqiptaret kane kulture shqiptare.

Eshte ne interes te kombit shqiptar te tregojme kulture dhe civilizim, ate kulture te pranimit, qe ne Perendimin e skajshem, ate te Shteteve te Bashkuara aplikohet ne menyre korrekte. Ti Baton me ateizmin tend, gati komunist, jeto si te duash dhe sillu si te duash ne te dashurat Shqiperi dhe Kosove, por hiqi syzet dhe shiko, leri njerezit e thjeshte, te varfer, qe paguajne taksat e majme te shteteve tona, te jetojne si shqiptare besimtare nese ata me vullnetin e plote deshirojne te jene te tille, te edukohen, sepse injoranca dhe analfabetizmi i femrave me shami nuk i sherben askujt, as ty Baton. Shqiperia dhe Kosova eshte e te gjithe shqiptareve dhe nuk mund te dalin batoner te betonojne ne shtet ateizmin e tyre ekstrem ne emer te laicizmit, atij fundamentalist.

Vënë nën:Shqiptarët dhe Islami Tagged: Baton Haxhiu, Enver Hoxha, Islami, Kosova, Perëndimi, Shqipëria, Tito

40 vite në gjurmët e Hasan Tahsinit

40 VITE NË GJURMËT E HASAN TAHSINIT

Hoxhë Hasan Tahsini

Hoxhë Hasan Tahsini

Laurant Bica, doktor i Shkencave Filozofike, i ka kushtuar jo pak, por 40 vite të jetës së tij studimit të figurës së Hoxhë Hasan Tahsinit. Pas kaq vitesh, gjithë materialet e mbledhura, brenda dhe jashtë Shqipërisë, i ka përmbledhur në një botim me tre vëllime, të titulluar “Profesor Hasan Tahsini”. Laurant Bica i ka kushtuar 40 vite të jetës së tij studimit të një prej figurave më në zë të Rilindjes Kombëtare. Hoxhë Hasan Tahsini ka bërë për vete doktorin e shkencave, Laurant Bicën. Në 40 vite ka mbledhur materiale jo vetëm në bibliotekat e Shqipërisë, por edhe ato të Stambollit e më gjerë. Ka studiuar materiale të ndryshme burimore, ka shkruar artikuj, e mbi të gjitha e ka dashur shumë… Sepse kështu duhet të ndodhë me një personazh, ndryshe është e pamundur të qëndrosh kaq gjatë me të e ta studiosh në çdo hap. Prej një muaji, Luarant Bica ka botuar në tre vëllime gjithçka. I ka titulluar “Profesor Hasan Tahsini”. Në këto tre vëllime, mes të tjerave, Bica bën edhe një përshkrim të figurës së Hasan Tahsinit si intelektual, në fushën e kulturës, në lëmin e ideologjisë, në sferën politike, aftësitë e tij si shkencëtar e si njeri. Lurant Bica del në përfundimin se Hasan Tahsini ishte për kohën e tij dhe jo thjesht vetëm për të, një nga njerëzit më të dijshëm që përdori diturinë dhe shkencën si armë për zgjimin, lartësimin dhe të mirën e njerëzve të kombit të vet. Ai shkruan se, ndër rilindësit tanë shqiptarë, ai prin në krye të karvanit të tyre.

Z. Bica, përse i keni kushtuar vëmendje kaq të veçantë një figure si Hoxhë Hasan Tahsini?

Janë disa arsyet që më kanë bërë të merrem me këtë figurë: e para, vendi që ai zë në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, qoftë si prekursor i saj, dhe për madhësinë e përmasat e tij, që janë disi të veçanta në raport me rilindësit e tjerë për ndihmesën që ka dhënë. Arsyeja e dytë ka të bëjë me faktin që Hasan Tahsini ishte nga çamëria dhe është një figurë sa me përmasa kombëtare, aq edhe një përfaqësues i denjë i kësaj krahine. Ashtu sikurse nuk duhen lënë pa përmendur edhe përmasat perandorake, europiane e botërore të tij. Arsyeja e tretë është fakti që kjo figurë ka qenë pak e njohur, për të mos thënë e panjohur fare për ne. Këtë gjë e bënte akoma më të vështirë edhe fakti që veprat e tij ishin në osmanishte, një gjuhë e vjetër dhe e rëndë. Kjo e panjohura më shtyu akoma më tepër dhe gjithnjë më tërhiqte vëmendjen. Doja të dija akoma më shumë për këtë klerik që i kishte dhënë jetë një lëvizjeje laike e iluministe si Rilindja. Kjo më intrigonte. Ka dhe një arsye të katërt, që ka të bëjë me faktin se përse unë zgjodha një personalitet të Rilindjes. Kjo ka të bëjë me formimin tim, si dhe me faktin që Rilindja ishte një periudhë e veçantë në historinë tonë. Aty duhen kërkuar themelet e pavarësisë, aty duhen kërkuar edhe themelet e shtetit shqiptar.

Keni publikuar tashmë një botim me tre vëllime, një punë e madhe e me siguri edhe e lodhshme. Por sa kohë jeni marrë me studimin e kësaj figure?

Unë kam rreth 40 vjet që merrem me këtë studim. Kam nisur të kërkoj e të hulumtoj mbi të duke nisur që nga arkivi, bibliotekat e Tiranës, Shkodrës, Elbasanit, Korçës, e gjithashtu kam kërkuar edhe në Stamboll, ku unë kam qëndruar 12 vjet.

Me këto tre vëllime, keni thënë gjithçka mbi Hasan Tahsinin?

Ky botim është vetëm fillimi dhe do të thosha se është një vepër bilanc. Bën bilancin e së kaluarës deri më sot. është një vepër me karakter të dyfishtë, sepse është edhe vepër përgjithësuese: unë merrem me jetën, veprimtarinë e tij dhe botëkuptimi. Në këtë kuptim ka përgjithësim. Por ndërkohë, vepra përmbledh në vetvete dhe i paraqet lexuesit një varg materialesh të panjohura. Përkthime nga origjinali turqisht apo osmanisht, përfshi vepra e artikuj enciklopedikë, ashtu sikurse edhe përkthime nga gjuhë të ndryshme. Shumicën e përkthimeve i kam bërë vetë e të tjera janë përkthyer nga Esat Myftari dhe Stefan Vuçani.

Si janë të ndara këto tre vëllime, çfarë përfshihet në to?

Në vëllimin e parë përfshihet teza ime e doktoratës dhe një pjesë tjetër me titullin “Pas 22 vjetësh”, ku unë flas për kërkimet e mia për Hasan Tahsinin, sidomos në Stamboll etj. Në vëllimin e dytë përfshihen artikujt e mi të shkruar gjatë këtyre 40 viteve sipas ndarjes tematike, përkthimet nga osmanishtja dhe turqishtja e re, të bëra nga miku im, i ndjeri Vasfi Samim Visoka, një pjesë tjetër është Hasan Tahsini në dokumente zyrtare akademike etj. Po këtu është një pjesë që ka përkthime nga tetë vende të botës, kryesisht nga Europa dhe Amerika e Veriut, dhe në fund është një grup disi i veçantë që flet për kontributin e madh, nuk e teproj të them të jashtëzakonshëm, dhe standardet e tij akademike. Në vëllimin e tretë, në të cilin dallojnë dy pjesë kryesore, bëhet fjalë për ndihmesën që kanë dhënë tahsinologët e ndryshëm në Shqipëri dhe jashtë saj, si në Kosovë, Maqedoni, çamëri, në Turqi, dhe sillen studime dhe artikuj të tyre sigurisht më të rëndësishmit. Ndërsa pjesa e dytë, që titullohet “Një buqetë krijimesh letrare për Hasan Tahsinin”, përmban krijime në poezi dhe prozë kushtuar atij. Në krijimet në poezi, ka poezi origjinale të Tahsinit, vjersha folklorike mbi të, dhe poezi nga poetë çamë dhe jo çamë mbi këtë figurë. Në prozë ka meditime, anekdota, ka dhe krijime të mirëfillta letrare të frymëzuara prej tij. I gjithë libri me tre vëllimet e veta, është një përpjekje për ta vendosur këtë figurë krahas rilindësve të tjerë, për të cilët është shkruar mjaft qysh herët. Në këtë drejtim, me Hasan Tahsinin, në krahasim me atë se çfarë është shkruar për të tjerët, jemi disi të vonuar.

Çfarë mendoni se duhet bërë më tepër për këtë figurë?

Mendoj se ka ardhur koha që ky personalitet i madh i kombit të rivlerësohet dhe të mos mbetemi vetëm te titulli i nderuar “Mësues i Popullit”, që i është dhënë në të kaluarën. Prandaj duhet që në Shqipëri, nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, t’i jepet titulli “Akademik” pas vdekjes. Ishte ndoshta i vetmi në Rilindje që kishte 3 doktorata: për shkencat fizike, natyrore dhe juridike. Të ngrihet një shtatore para universitetit apo në një nga sheshet kryesore të Tiranës, siç edhe e meriton kjo figurë; presidenca t’i japë titullin “Nderi i Kombit”. Por edhe në Turqi mendoj se duhen ndërmarrë disa hapa: në medresenë ku jetoi e punoi, që sot është një librari, të vendoset një tabelë ku të shkruhet: “Këtu ka punuar rilindësi osman dhe shqiptar, Hoxhë Hasan Tahsini”. Mendoj se do ishte mirë sikur me rastin e 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar në vitin 2012 të sillen eshtrat e tij në atdhe. E nuk duhen harruar edhe veprat e tij në osmanishte, të cilët duhen përkthyer në shqip. Mendoj se kështu të paktën do të shlyejmë një pjesë të borxhit që u kemi rilindësve tanë të mëdhenj dhe majës së tyre, profesor Hoxhë Hasan Tahsin Efendiut.

Përse për këtë figurë është shkruar shumë pak në krahasim me të tjerë rilindës?

Për vështirësitë që ka pasur, por ndoshta edhe për çështje politike në lidhje me çamërinë. Mund të kenë qenë shumë faktorë. Por është dhe një arsye tjetër: kjo figurë ka rënë në dorë të atyre që nuk janë interesuar shumë për të. Mendoj se ky punim e mbush deri diku boshllëkun që ka qenë në studimet në lidhje me këtë figurë. Këto tre vëllime mund të shërbejnë si burim për libra të rinj.

Vënë nën:Personalitete të rëndësishëm Tagged: Akademia Shkencave, Amerika, Esat Myftari, Europa, Hoxhë Hasan Tahsini, Kosovë, Laurant Bica, Maqedoni, Rilindje Kombëtare, Shkenca Filozofike, Shqipëri, Stambolli, Turqi

Pse ngjarja e Përmetit është një ngjarje kombëtare?

Mentor NAZARKO

 

PSE NGJARJA E PËRMETIT ËSHTË NJË NGJARJE KOMBËTARE?

 

Mentor Nazarko

Mentor Nazarko

Ngjarja e Përmetit është, pa diskutim, nga ngjarjet më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar për nga implikimet që bart dhe precedentët që mund të vendosë në ecurinë e mëtejshme të këtij tranzicioni, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në atë të jashtëm. Pse e themi këtë? Dhe cilët janë disa prej këtyre precedentëve? Në një shikim të ngushtë, në Përmet kemi veprimin e vendosur, megjithëse të vonuar, të institucionit të Përmbarimit, që është një funksion publik por me administrim privat, në zbatim të një vendimi gjyqësor të të gjitha shkallëve, përfshi dhe Gjykatën Kushtetuese.  Kemi vendosjen e drejtësisë në vend, kur një institucioni kulturor, në varësi të pushtetit lokal, po i kthehet prona në tërësinë e saj, ndërsa mëtonjësit pretendojnë se kjo pronë u takon atyre, pasi kanë zotëruar dikur 14% të truallit të dikurshëm. E gjitha luhet në Përmet, një qytet me traditë të madhe kulturore, bashkëjetese fetare, me histori që lidhet me fqinjin jugor (Lufta Italo-Greke mbolli shumë varre ushtarësh që sot janë grupuar në varrezën e Këlcyrës). Kisha ortodokse ka pretenduar territorin ku është ngritur Pallati i Kulturës pa dhënë prova të besueshme në gjykatë apo dhe sot para opinionit publik, dhe ky ngjan versioni i vërtetë. Edhe sprova e sotme video (e vonuar e kryepeshkopit) për të provuar drejtësinë e pretendimit të kishës, nuk është mbushamendase. Me përfytyrimin mbi gjykatat e sotme duhet menduar se vendimi i tyre ka qenë i drejtë. Më lehtësisht në disa nivele, ato do vendosnin në favor të kishës (për më shumë ndikimi grek në Jug të vendit ka qenë shumë i madh në periudhën e vizave dhe është akoma mjaft i madh) sesa në favor të një institucioni të dobët dhe pa mbështetje qendrore, si Bashkia e Përmetit. Ngjan e pabesueshme dhe hipoteza e interesave ndërtimore në një zonë si Përmeti, ku nuk ka presion të madh për të ndërtuar, për shkak të mungesës së kërkesës për banesa në një zonë aq të varfër dhe të largët nga Tirana dhe zonat e mëdha urbane ku ka stok të madh apartamentesh të pashitura. As hipoteza e bilardove dhe kumarit që don të rifusë në luftë Greqinë me Shqipërinë.
Pikëpyetjet më të mëdha për atë çka ndodh janë pse Greqia vendosi të reagojë kaq shpërpjesëtueshëm ndaj veprimit të Përmbarimit, në të cilin me shumë gjasë nuk ka asnjë frymëzim të partive të mëdha, respektivisht shumicës së vjetër dhe asaj të re? Në sipërfaqe duken se janë disa arsye që lidhen me kontekstin kohor dhe hapësinor kur ndodhi kjo ngjarje. Rikthimi i pronës te Pallati i Kulturës do të ishte ndëshkim ligjor i linjës uzurpatore të Kishës Ortodokse Autoqefale të udhëhequr nga peshkopi grek Janullatos, i cili megjithëse paraqitet si akademik, ka vënë dorë, mban apo sulmon me forcë nëpërmjet të besuarve të tij një institucion kulturor. Nuk është në frymën e Ungjillit reagimi i dhunshëm i njerëzve të Kishës, megjithëse si përgjigje ndaj dhunës së policisë private, që mund të ishte më e përmbajtur, më e kujdesshme. Pra, ky rikthim i ligjshëm i pronës është një goditje e madhe për imazhin e kryepeshkopit. Ai shënon një dobësim të fuqisë së tij në rrafsh vendor, brenda Kishës, apo në një zonë si Përmeti. Greqia s’mund ta pranojë këtë ndryshim, këtë cenim të imazhit apo forcës së “njeriut të saj”, në krye të Kishës Ortodokse të shqiptarëve. Ndërkohë, kemi diçka tjetër shumë të rëndësishme: Greqia ka synuar historikisht të ruajë paternalizmin e vet mbi Kishën Ortodokse shqiptare dhe Janullatos as që është kujdesur të na qetësojë se është jashtë këtyre synimeve. Kryepeshkopi është përfshirë publikisht në çdo ndërmarrje të Greqisë në Jug të vendit, në shkolla të reja greke, në hapje varrezash dhe tani në Përmet. Nëse kryepeshkopi do kishte ndjeshmërinë e duhur për vendet e shenjta të ortodoksisë shqiptare, do duhet ta kishte dhe për kisha të tjera të vjetra me karakteristika autentike shqiptare. Përkundrazi, kryepeshkopi është përfshirë dhe në zhvarrimet e Kosinës, ku prifti sharlatan i Përmetit ka qenë aktor kryesor si dhe sot në krye të të paguarve nga jashtë qytetit të urtë që dhunuan rojet e policisë private. Greqia po reagon brenda kësaj qasjeje paternaliste, megjithëse në Përmet nuk ka minoritet grek dhe për sytë e botës reagimi i saj është tërësisht i pamotivuar. S’kemi asnjë qëndrim europian për atë që ndodhi në Përmet, me gjithë përpjekjet e Greqisë për ta nxjerrë problemin jashtë Përmetit dhe Ballkanit. Që Greqia nuk ka legjitimitet në këtë ndërhyrje, u duk dhe kur ajo shtoi si motive dhunimin e dy shtetasve grekë në ngjarjet e Përmetit apo një guriçkë në oborrin e Konsullatës së Gjirokastrës. Mund të ketë dhe një shpjegim tjetër në reagimin e shpërpjesëtuar dhe të pamotivuar grek në lidhje me rastin e Përmetit që po përkthehet masivisht në bllokimet në kufi, diçka që ngjan tërësisht ballkanike. Greqia është nervoze ndaj afrimit të maxhorancës së re me Turqinë, dhe nëpërmjet futjes së rastit të Përmetit në problematikën dypalëshe apo të BE-së, synon të afirmojë pozitën imponuese ndaj shtetit shqiptar si në këta 20 vjetët e fundit. Ndoshta Greqia synon ta kompleksojë maxhorancën e re në kuadër të riaktivizimit prej saj të ndonjë problemi historik sipas skemës: që ti të mos kesh gojë të hapësh për diçka, po filloj unë i pari të kërkoj!

Precedentët që krijohen në Përmet

Siç e thamë në fillim të shkrimit, në Përmet, veçanërisht nëse do të pranohet rikthimi i dhunshëm i kishës në Pallatin e Kulturës, do vendoseshin disa precedentë të rrezikshëm për shtetin shqiptar. Për marrëdhëniet dypalëshe, marrëdhëniet e shtetit me komunitetet fetare, për ato midis vetë komuniteteve fetare, ato të qytetarëve me shtetin etj.
Precedenti i parë do të ishte zyrtarizimi përfundimtar i të drejtës së Greqisë për të pasur rolin paternalist ndaj Kishës Ortodokse shqiptare, që në letra është autoqefale. Pra, nëse ky rol pranohet në Përmet, ai do të pranohet kudo dhe për çdo rast.
Precedenti i dytë lidhet me shkeljen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që prapë ka brenda Greqinë. Nëse Shqipëria e shkel këtë vendim për kishën e Përmetit, atëherë do duhet ta shkelë në tërësinë e vet edhe për kufijtë detarë, për të cilët priten negociata të reja.
Precedenti i tretë është ai që lidhet me marrëdhëniet e komuniteteve fetare me shtetin. Praktikisht me sjelljet dhe deklaratat e padenja të kryepeshkopit, njerëzve të tij në Përmet, të të ashtuquajturve besimtarë, udhëheqja e komunitetit ortodoks shqiptar rezulton më problematikja, më arrogantja në marrëdhëniet me shtetin shqiptar. Nuk kemi parë kryesues të komuniteteve të tjera të bëjnë deklarata si ato të Janullatosit, megjithëse për shembull Komuniteti Mysliman është pronari më i madh i pakompensuar në territorin shqiptar. Asnjeri prej tyre nuk ka akuzuar pjesëtarë të feve të tjera për veprime të caktuara të autoriteteve shtetërore, siç bëri kryepeshkopi, që megjithatë, iu desh të mobilizonte “besimtarë” nga Gjirokastra dhe Greqia për të ripushtuar Pallatin e Kulturës. Nëse shteti shqiptar do t’ua njihte të drejtën ortodoksëve për të uzurpuar paligjshmërisht një pronë që nuk i takon, atëherë komunitetet e tjera, në veçanti ai mysliman, që ka pasuri të mëdha, kanë plotësisht të drejtë për të uzurpuar pronat që regjimi komunist u ka marrë padrejtësisht dhe që asnjë qeveri e tranzicionit nuk ua ka rikthyer. Komunitetet e tjera do ndiheshin të frustruara dhe në raport me vetë komunitetin ortodoks në lidhje me këtë çështje, dhe s’do kishte asnjë çudi që të kishim dukuri të ngjashme dhe në rrethe të tjera. Madje kryepeshkopin sikur e mëson shejtani në fryrjen e zjarrit mes komuniteteve, ndërsa në një material videoje dje bënte një farë paravolie, ndërsa i referohej Kuranit…
Ky precedent i uzurpimit do legjitimohej dhe për qytetarët e tjerë të zakonshëm në shkelje të vendimeve të gjykatave apo jashtë tyre.
Për të gjithë këto arsye, por dhe për të tjera, në Përmet është në lojë sot dinjiteti i shtetit shqiptar përballë Greqisë, por dhe forca dhe autoriteti i tij në shkallë vendore. Maxhoranca e re, e cila me të drejtë nuk po reagon duke mos e përfshirë rastin e Përmetit në problematikën dypalëshe, siç edhe është qëllim i Greqisë, duhet ta kuptojë se prej këtij qyteti të vogël mund të kemi një pikë kthese pozitive në marrëdhëniet me fqinjin. Prej Përmetit duhet të dilet përfundimisht nga historia e koncesioneve të mëdha që qeveritë e mëparshme i kanë bërë Greqisë, e cila s’ngopet kurrë dhe gjithmonë mund të bëjë shantazh nëse nuk i tregohet vendosmëri. Nuk duhet retorikë antigreke, por vendosmëri në zbatimin e ligjit dhe tregim pa fjalë i kufirit të veprimit të Greqisë në marrëdhëniet dypalëshe. Duhet reciprocitet, siç veproi shefi i Policisë Kufitare të Gjirokastrës, dhe atëherë kemi tjetër pamje.
Rasti i Përmetit, pasi të respektohet ligji, duhet zgjidhur me konsensus. Kisha mund ta rimarrë Pallatin ekzistues të Kulturës vetëm pasi të ndërtojë një pallat të ri kulture. Ndërkohë ka ardhur koha e zgjidhjes përfundimtare të marrëdhënieve të shtetit me komunitetet fetare. Duhet miratuar një ligj për fetë sipas një modeli perëndimor, në përputhje me frymën e Kushtetutës. Ky ligj duhet të jetë jashtë ndikimit të Greqisë, e cila është përpjekur sistematikisht të ndërhyjë në tekstin e tij, duke sjellë si pasojë mungesën e një baze ligjore. Mbi këtë bazë dhe të Kushtetutës duhen miratuar marrëveshje të vërteta të detajuara me bashkësitë fetare në përputhje me praktikat më të mira të Shqipërisë në kohën e mbretërisë, apo të vendeve të tjera. Komuniteteve fetare i duhen rikthyer dhe kompensuar të gjitha pasuritë, por ama ato duhet t’u nënshtrohen detyrimeve për të shkëputur lidhjet informale me shtetet e tjera, siç po ndodh sot kur një polic kufitar grek merr shpagim për kishën e Përmetit ndaj një gazetari apo turisti shqiptar që don të pushojë me çmime të lira në Greqinë ende në darën e krizës ekonomike.

Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/08/23/pse-ngjarja-e-permetit-eshte-nje-ngjarje-kombetare/

Vënë nën:Mesele kombëtare Tagged: Greqia, Janullatosi, kisha, Kisha Ortodokse Shqiptare, Kur’ani, Përmeti, Shqipëria

Shqiptarja dhe palestinezi

Ali OLLONI

 

SHQIPTARJA DHE PALESTINEZI*

(Zakonet, barazia, bashkëjetesa dhe botëkuptimet – në familjen arabo-shqiptare)**

wedding rings

Shqiptarët që sot jetojnë në Republikën Arabe të Sirisë (kryesisht në lagjet e njohura Divanije dhe Kadem të Damaskut) kanë një varg problemesh.

– Çifuti s’po na lë rehat! – thonë disa që me interesim e përcjellin situatën në Lindjen e Afërt.

– Na dogji malli për “memleketin”! – shtojnë ata që në tre dekadat e para të këtij shekulli e lanë vendlindjen dhe ia mësynë Shamit të shenjtë (Damaskut).

– Kur të vdesim, s’ka kush na kjanë! – pohojnë bindshëm të moshuarit që njërën këmbë e kanë nën dhe e tjetrën mbi të.

– S’mbeti gjë prej nesh. U përziem me arabët, hë mos zot më keq! – plotësojnë të tjerët që në familjet e tyre u erdhën vashat arabe ose që në familjet arabe u martuan vashat e tyre.

 

Provokimi kohor

 

Secili njeri në botë, në momente të ndryshme, mbledh forcën dhe tenton t’i përgjigjet provokimit të kohës. Nëpër kohëra, edhe shqiptarët e Sirisë tentuan të mbesin shqiptarë por ç’e do: gjeneratat e reja dëgjojnë pak fjalë shqipe, kryesisht rreth sofrave të tyre, kurse që nga fëmijëria e hershme ata lozin, mësojnë, ushqehen, edukohen, punojnë dhe vdesin – arabisht!

Në Republikën Arabe të Sirisë, familjet e përziera arabo-shqiptare janë të shpeshta. Njëra prej tyre është edhe familja që e krijuan Faiz Sadidini dhe Faiza Arnauti.

(Më 1912, hoxha i Isniqit nga Peja, bashkë me të shoqen dhe djalin e lëshojnë Pejën dhe, bashkë me një familje të Jabuçit – ia mësyjnë Shamit. Në Damask, hoxha përjeton çastet më të vështira të jetës: i vdes bashkëshortja e pastaj edhe djali. Më vonë, ai martohet me Zymryte Osmanin, të bijën e Haxhi Rexhep Osmanit nga Prishtina, e cila, kur i shkoi familja në Damask, ishte vetëm 9 vjeçe. Nga martesa e dytë e hoxhës me Zymryten, lindën tre djem dhe dy vajza. Vajza e madhe, Faiza Arnauti, derisa ishte nxënëse (në të pesëmbëdhjetat) u martua me palestinezin Faiz Sadidinin. Këto pak të dhëna i regjistruam që lexuesi ynë ta kuptojë më mirë prejardhjen e Faizëz).

 

Jemi rritur bashkë

 

Një mbrëmje prilli (të këtij viti) ishim mysafirë (unë e Abdulatif Arnauti) në familjen e Faiz dhe Faiza Sadidinit, në familjen e një palestinezi dhe një shqiptareje.

Faizi u lind më 1936 në Safadi të Palestinës. Pas gjimnazit, ai kreu edhe fakultetin juridik. Një kohë, në një shkollë private, ishte drejtori i saj. Më vonë filloi të merret me tregti. Edhe sot tregton.

Faiz Sadidini dhe Faiza Arnauti u martuan para 11 vjetëve. Në martesën e tyre u lindën dy djem. Bashkëshortët thonë se janë shumë të lumtur.

– Në martesat e përziera, feja luan rolin vendimtar – tenton të na bindë çifti i përzier arabo-shqiptar. Të rralla janë martesat mes të rinjve të feve të ndryshme. Sadidinët pohojnë se zakonet i kanë gati të njëjta (kryesisht mendonin për ato fetare). Kjo, sipas tyre, ishte një rrethanë më e lehtë për bashkimin e tyre.

– Jemi rritur bashkë në Damask, me të gjitha adetet dhe zakonet islame – thotë Faiza.

 

Në shërbim të burrit

 

Kuptojmë se në rastet kur shfaqen probleme në familjet e përziera, ndërmjetësojnë lidhja kombëtare e martesave dhe lidhja fetare, të cilat kanë shumë kompetenca.

Faiza nuk është e inkuadruar. Ajo po rritë dy çunakë dhe kujdeset për burrin e për punët e shtëpisë.

– Jam në shërbim të burrit, fëmijëve dhe të shtëpisë. Në punët e rënda bashkëshorti im më ndihmon mjaft – thotë ajo.

Më vonë u llafosëm edhe për inkuadrimin e femrave, për shkollimin e tyre, për barazinë me meshkujt, jo vetëm në botën arabe.

– Problemet e barazisë janë prezentë kudo – shton Faiza – si në Amerikë, si në Europë, si në botën arabe. Ka shumë faktorë që e kushtëzojnë atë. Kur femra del nga shtëpia e niset për në punë, duhet pyetur: ç’e shtyn atë që një pjesë të mirë të kohës është larg nga bashkëshorti, nga fëmijët, nga shtëpia? Në njërën anë është nevoja familjare, e në tjetrën, për të mos i përmendur të gjitha – kërkesa që femra ta tregojë personalitetin e saj. Mendoj se në Europë femrës i duhet të punojë.

Unë nuk kam nevojë të punësohem. Personalitetin tim e tregoj me punët në suazat e familjes.

Na interesoi, pastaj, pozita e femrave të tjera, e femrave shqiptare dhe arabe të Republikës Arabe të Sirisë.

 

Punësimi dhe personaliteti

 

– Në pesë dekadat e fundit, edhe këtu – në Republikën Arabe të Sirisë – po shkollohen bashkë, djemtë dhe vajzat – ndërhynë Faizi.

– Shumica po i kryejnë shkollat e mesme e numri i atyre që po i vazhdojnë studimet nuk është i vogël.

– Mes shqiptarëve – shton e shoqja – sidomos në vitet e fundit, nuk ka vajzë që nuk shkon në shkollë. Ato sot janë në të gjitha shkallët e shkollimit.

Një pjesë të madhe të klasës punëtore në Republikën Arabe të Sirisë e përbëjnë femrat e inkuadruara nëpër fabrika të ndryshme, në arsim, në administratë e deri në ministri.

– Femra me shkollë ka më shumë kimet, ka dije dhe ka vlerë. Edhe barazia e saj me meshkujt është në nivel. Të pashkolluarat e kalojnë jetën me ngushtica, nga më të ndryshmet. Por, pos punësimit, mendoj se femra e sotme ka ku ta shprehë personalitetin e saj – tenton të na bindë palestinezi.

Kështu e kuptojnë bashkëjetesën dhe barazinë ata që zakonet dhe botëkuptimet mbi jetën i lidhën mes vete: Faiza Arnauti dhe Faiz Sadidini.

 

P. S. Faiza Arnauti ishte shumë e re kur u martua me Faiz Sadidinin nga Palestina. Ajo e dëgjon bashkëshortin, i rritë fëmijët dhe kujdeset për shtëpinë. Është 26 vjeçe, 11 prej të cilave në martesë; për familjen e re mendon si prindërit e saj. Ajo di vetëm një fjalë shqipe “Mirëmëngjesi” të cilën e thotë edhe në pikë të natës!

 

/Orientalizmi Shqiptar/


* Ky artikull është botuar për herë të parë në gazetën “Rilindja”, në Prishtinë, më 20.06.1978.

** Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, botim special për Arnautët, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

Vënë nën:Arnautët Tagged: arabët, Arnautët, Palestina, shqiptarët, Siria