PALLATI ME ÇATI, POSHTË KULLËS PA KRYE

Nga Eda Derhemi

Foto pa pallatin Kaceli

Një si kërkim, një si mall, një si rënkim i shtyn tiranasit e emigruar të tërhiqen pashmangshëm nga çfarë ka ngelur prej Tiranës së tyre. I përfytyroj që enden rrugëve si të zombifikuar nga mosgjetja e vetes dhe e së shkuarës, të varur e të hutuar për të kapur si kafshata mbijetese ato pak pika e vija me erë të njohur njeriu e me erë Tirane. Jam edhe unë në kërkim periodik e të përhershëm.  Në një farë mënyre, copa të tuat vdesin kur nuk e gjen të shkuarën.

Tirana ku duket qartë pallati Kaceli

Herë i kuptojmë, herë nuk i vemë re, ose lodhemi dhe adaptohemi; por kulturalisht segmente të pacaktuara të kujtesës dhe identitetit i kemi të mpira ose krejt të vdekura, frymëmarrja kulturore e qytetarit në qytetin që ka një të shkuar dhe një identitet formuar ngadalë e natyrshëm, pengohet nga ajri i prishur, nga filli i këputur. Tiranasit e emigruar, si të distancuar në hapësirë e shkëputur në kohë, janë thjesht ata që e ndiejnë këtë kalbje më fort e më dukshëm, por i njëjti proces përjetohet në forma individuale nga të gjithë qytetarët e Tiranës, qytetit që është arratisur nga vetja dhe nga njerëzit. Ndoshta për ata që s’i janë larguar ndryshimit të padëshiruar, trauma është edhe më e madhe e më e thellë, sepse, më e paanalizuar; gjithsesi, njeriu në fund bën paqe me ambientin, edhe me më të padëshirueshmin: paqe me dhimbje, paqe të ndërgjegjshme ose symbyllazi. Ose, paqe firauni.

Tirana e Vjetër, parë nga dritaret e katit të pestë të Kacelve

Një ndër ato pak ndërtesa që sa herë vij më bën të them se jam në vendin tim, është Pallati i Kacelve[i], dikur me specifikimin e rregullt publicitar e krenar mbi murin e vet perëndimor “Vllazën Kaceli”. Nuk kisha menduar kurrë sa isha e re e bridhja rrugëve të shtrembëta të Tiranës se kjo ndërtesë sot do bëhej kaq e rëndësishme për mua. Vitet e fundit i ngjitem Sahatit edhe dy herë në ditët kur vij në qytetin tim, shoh Malin e Dajtit që është aty ku e pata lënë, shoh edhe pallatin e Kacelve, dhe them me vete: jam aty ku më ka rënë koka. Akoma e kam lidhjen fizike me Tiranën, e akoma orientohem. Vij shpesh, edhe tri herë në vit ndodh. E prapë s’e gjej Tiranën. Një frikë më fërgëllon brenda se do vijë dita kur, nga Sahati, të shoh poshtë Xhaminë e Ethem Beut, më pas Bankën dhe Ministritë, dhe t’i pëshpëris vetes me ose pa turp: këto janë më të vjetrat ndërtesa që na kanë ngel në kryeqytet. Bën vaki këtë pallat e ndjek me pasion të pajustifikuar edhe pse ndoshta nuk e prisja të mbetej në këmbë mu në lule të vendit, në një Tiranë kaq të ngatërruar, të pasigurtë, e ku asgjëje prej muri e tullash nuk i dihet jetëgjatësia a statusi.

Jo se pallati Vllazën Kaceli më ka krijuar dobësi ndonjëherë për vlera të veçanta kur isha e re. Ndoshta ngaqë nuk jam arkitekte, dhe nuk gjykoj teknikisht. Por duket qartësisht solid dhe njëkohësisht ftues, i menduar mirë dhe i rregullt, i fuqishëm dhe i pastër si ndërtesë; kam lexuar se është ndërtuar sipas modelesh revolucionare arkitekturetë kohës. Për brendësitë e pallatit do shkruaj më pas. Mua faqet e Lindjes dhe Perëndimit pa dritare nuk më pëlqenin hiç kur isha e vogël. Tani e di se ishin ashtu që të lidheshin me të tjera pallate që do projektoheshin në krah[ii], duke lejuar dritën të ndriconte hapësirat e banuara. Por ky pallati me çati, ndoshta i pari i Tiranës, i rri mirë dhe i ngjit asaj; dhe i ka ndenjur mirë edhe kur u ndërtua që në 1930[iii].

Është pallat që i ka dhënë një gur simbolik të pakrahasueshëm skyline-it të Tiranës parë nga qendra, si në fotografi si në pikturë. Pa të, nga gjithë fotot e pikturat e vjetra të qendrës së Tiranës, do kishim të ngelura sot veç Xhaminë dhe Sahatin pranë saj, dy qendra të pabanuara, dy simbole ideologjike të fesë dhe pushtetit, por pa jetë qytetarësh, pa kulturë e histori përditësie, pa gjak në to. Sepse çfarë tjetër kish gjak, u zhduk. Tirana me harqet e panumërt të Pazarit të Vjetër dhe rrugëve përreth që na bënin siç na takon të jemi vend Mesdhetar e ballkanas, harqe që u japin vibes dhe lidhje qyteteve të vjetra italiane, kroate e turke, u zëvendësuan me linjat kryesisht drejtkëndore musoliniane dhe sovjetike[iv]. Harkun si tipar të Tiranës mund ta konsiderojmë të vdekur, sepse kurrë nuk e zëvendësuam pasi e prishëm. Bashkë me të vdes edhe ngadalësia filozofike e sharmi oriental, Tirana me dyqanxhinjtë ngjitur bythë më bythë e me tendat valëvitëse njëra pas tjetrës të dyqaneve një- a dykatëshe, nën të cilat e kaloje rehat gjithë rrugën 28 Nandor a Rrugën e Barrikadave. Edhe ato janë zhdukur e s’janë zëvendësuar. Për të mos egërsuar qytetin duhej ruajtur kjo harmoni mes gjallërisë dhe energjisë së një qyteti të ri në moshë, sot të mbipopulluar, dhe të shkuarës së tij kulturore me jetë të ngadaltë, medituese, qejflie, të gjelbër e afër tokës në lartësi fizike dhe në shpirt. Ashtu si mbi Tiranë duhej ruajtur hapja e plotë ndaj malit të Dajtit. Veç ai, i bukur, duhej të bënte hije mbrojtëse mbi qytetin tokësor e të mësuar me malin.

Mes një Tirane të vjetër e të qetë, pa kakofoni arkitekture sido që e varfër, rrinte miqësisht edhe pallati Vllazën Kaceli. Tani, i vetmuar e stoik. S’do t’ia dijë? Shihni fotot e rrugës 28 Nandor dhe të Pazarit të Vjetër, si para ndërtimit të Pallatit Vllazën Kaceli, si pas tij. Pallati ngjit fare mirë. Shihni edhe si duket Tirana e vjetër nga maja e pallatit Vllazën Kaceli. Shihni më pas edhe foton e sotme me kullën absurde nga pas! Ajo kulla nuk i rri hiç mirë as pallatit, as Tiranës! Mendoni që e gjithë zallamahia e Teatrit Kombëtar bëhet vetëm e vetëm sepse duhet që më shumë kulla të tjera të ndërtohen po aty, e t’i shtohen binave pa kuptim që ndërkaq ia qijnë paq e pa lejë qiellin Tiranës, e ua përçudnojnë skyline-n e natyrshëm qytetarëve. Mendojeni tani atë pallatin e Kacelve të gëluar nga 5-6 kulla-lubi përreth. Pallati Vllazën Kaceli vdes kështu edhe pa e shembur fare.

Disa fotove të vjetra që shihen nuk ua di vitin ekzakt të fotografimit. Por ato foto tregojnë gjallërisht historinë e një Tirone të harruar në forma, por që mbetet e gjallë në mendjen dhe kujtesën e njerëzve, se nuk është e largët në kohë – sidomos si kujtesë shpirtërore e kulturore, jo veç si listë a qartë fotosh konkrete në memorien që kontrollohet prej racionales. Fotoja ku pallati Vllazën Kaceli nuk ekziston, duhet të jetë e para 1928-ës. Në të tjerat, ky pallati i pamungueshëm rri hijshëm e me modesti të fisme. Dritaret e brendshme të dy faqeve “quasi-kallkan” ishin të reja për Tiranën, por krejt të pranueshme, madje i bënin zejtarët zanotçi e katunarët e Tironës ta admironin e të nënqeshnin me qesëndinë e butë dhe ironinë tipike pozitive qytetase, po ashtu si edhe tregtarët e rinj e intelektualët e saj, me zgjidhjet artitekturore t’mençme t’kaurrit ene ’taljonit! Shi, shi, shi! Ku i ka shku menia! Nuk kam ende të dhëna të mjafta, por besoj se koncepti i “pallatit” me apartamente banimi të ketë hyrë pikërisht me këtë ndërtesë në Tiranë – pallat me apartamente që jepeshin me qira. Ende sot tironasit e vjetër thonë “ke pallati- Kacelve”. Ndërtesa nuk u ndërtua nga nevoja e vllazënve për banesë por me idenë moderne të pallatit qytetas. Një tjetër “pallat” i njohur i Tironës së vjetër është Pallati Kazazve, afër Shkollës së Kuqe, me të njëjtin koncept multi-apartamentesh që të ftojnë shumë familje pa lidhje me njëra-tjetrën. Por ky është ndërtuar shumë pas atij të Kacelve. Osmon Kaceli më tregoi se ata vetë si familje vazhduan të jetonin “ke shpit e Kacelve” tek Pisha, në afërsi të rrugës Tefta Tashko sot. Një tjetër Kacel, i brezit të bijve të “vllazënve”, Buroni, më tregoi se i ati, piktori Sadik Kaceli që qe edhe vëllai më i vogël, jetoi në një apartament në atë godinë gjatë viteve të Luftës, përfshirë luftën e Tiranës, me të shoqen nga familja Basha, me të cilën sa ishin martuar. Prej atyre dritareve, sidomos të katit të sipërm që funksiononte si papafingo dhe shihte mbi gjithë Tiranën e asaj kohe, Sadiku i ri që s’e pat hequr kurrë nga dora aparatin fotografik, ka fotografuar disa foto historike me vlerë të jashtëzakonshme. Ishte mu aty, kur në ditët e Luftës së Tiranës, automatiku gjerman i vendosur në bunkerin në qendër të sheshit sot Skënderbe, kapi rrezatimin e lentes së aparatit të Sadikut nga dielli, dhe e qëlloi me breshëri. Atë foto të gjermanëve në shesh Sadiku nuk e shkrepi dot, por fati e ndihmoi t’i shpëtojë breshërisë së ushtarit gjerman që hyri në dritaren e vogël nga ku Sadiku përpiqej të fotografonte, dhe shpoi një raportor vizatimesh veç pak centimetra larg tij. Raportori blerë në Francë po prej Sadikut, me atë të shpuarën prej plumbit gjerman, ndenji gjatë në familje, kujton Buroni.

E bukura dhe mençuria e ndërtesave të vjetra nuk lidhet me nostalgjinë (që edhe kjo më vete s’ka pse të turpërojë kënd se është arsye morale madhore); lidhet me historinë që ato mbajnë veshur si lëkurën e vet. Është historia ajo që pasohet me mall dhe që plotëson shpirtërisht, jo figura pa jetë. Por kur vret objektin e vjetër, këput lidhjen që mban gjallë historinë, kujtimin, riardhjen. Për historinë e pallatit Vllazën Kaceli do shkruaj më shumë më pas. Ndoshta duhej ta nisja me një figurë tragjike që socializmi e bëri kurban, njërin prej vllazënve, Jonuzin me ide përparimtare që herët, por që shkoi për dhjamë peshku me sebepin e bombës në Ambasadën Sovjetike. Por edhe një grimcëz historie si ajo e Sadikut në baxhë, e paqme dhe fatlume, që unë veç sa gërvishta në sipërfaqen e një ndërtese të vjetër, nxjerr në dritë aq shumë shtresa e ngjyra, aq shumë lidhje e kompleksitete, aq shumë rregullsi e ngatërresa që janë në fakt shpirti historik i Tiranës, pa të cilën qyteti është kallp.

Tirana-deri-dje, ashtu si “bota deri dje”, edhe pse i fshijmë nga faqja e dheut kollaj dhe shpejt pjesë të peizazhit fizik, ia mbulojmë këmbësorit malin e Dajtit, edhe pse ndryshojmë radikalisht (ose jo) atë që quhet “ambient i ndërtuar”[v], që unë për arsye qartësimi të kuptimit, preferoj ta quaj në shqip “peizazh i krijuar shoqërisht”, Tirana e deri-djeshme nuk mund e nuk duhet fshirë e as fshehur[vi], sepse nuk paraqitet vetëm si ndërtesë e ndërtim, por kryesisht si mënyrë jetese dhe praktikë kulturore.

Ideja se qyteti me kulla ndryshon jetën e tiranasit dhe e bën atë papritur moderne, apo se fakti që 200.000 makina sot është shenjë e modernizimit në mendjen e tiranasve, janë qesharakë. Ka vlerë për njerëzit zbukurimi i shesheve[vii], ndreqja e rrugëve, përmirësimi i ambienteve… por jo kullat. Arkitektura ka vlerë edukuese, vërtet; por ndreqja e vrimave dhe shëmtive të Tiranës së tranzicionit nuk mund të justifikojë e as fshehë, si betonimin e saj, si arratisjen kriminale nëpër mal e kodrat përreth, ashtu edhe ngritjen e binave gjigante por meskine që pasurojnë grupe të vogla interesi dhe varfërojnë Tiranën e tiranasve. Ato janë përbindësha që i rrinë keq qendrës së Tiranës, e shëmtojnë dhe i prishin ekuilibrat socialë dhe ekonomikë; i prishin asaj historinë kulturore e shpirtërore. Kullat në Amerikë janë për njerëzit, por në Tiranë janë kundër njerëzve, kulturës së përditshme qytetase, madje edhe kulturës vizionare tiranase, janë kundër estetikës dhe arkitekturës qytetase, janë fyerje për varfërinë e madhe të popullatës, për papunësinë e pamundësinë që qytetari i Tiranës të shohë veten si pjesë e publikes dhe e peizazhit shoqërisht të krijuar në kryeqytet. Kullat nuk justifikojnë veten, edhe sikur pronarët dhe urdhëruesit e tyre të jepnin diçka në shkëmbim; edhe sikur të jepnin shumë. Tirana modernizohet, kur modernizohen njerëzit e saj, dhe kullat nuk përbëjnë asnjë domosdoshmëri në këtë proces. Ato janë brenga dhë lëngimi i Tiranës. Kullat janë thjesht arsenal për një Tiranën armike me Tironën. Kultura e qytetit dhe qytetarëve të tij, ajo që do u jepte perspektivë e vend të munguar edhe aq e aq të sapoardhurve në kryeqytet, merr vazhdimësi e pasurohet nga si Tirana mirëkupton Tironën, dhe nga paqja mes të dyjave.

 

 

Shënime

  1. Ky shkrim është pjesë e një cikli për Tiranën që po shkruaj, teksa vjen e afrohet 100-vjetori i shpalljes së saj kryeqytet.
  2. Falënderoj për ndihmën Osmon Kacelin dhe Buron Kacelin që kam intervistuar përkatësisht me shkrim dhe gojarisht, si dhe tim atë 82-vjeçar, Beqir Derhemin, me të cilin këshillohem për aq emra rrugësh, histori, njerëz e ndërtesa; falënderoj edhe sitin Tirona – komuniteti tironas “Venaliu” që më kanë ndihmuar me foto nëpërmjet FB.
  3. Fotoja e parë mbi shkrim është fotoja që shoqëronte një artikull të Rezarta Delisulës (https://tirona.website/shtepia-e-kaceleve-nga-rezarta-delisula/).

[i] Po e shkruaj në këtë shkrim pa “ë”, pra “Kacelve”, dhe ndonjëherë edhe pa nyjen “i”. Ka edhe një tjetër fis pronarësh pallati, për të cilin do flas në shkrimet në vijim, por jam përqendruar këtu tek emri i vjetër tiranas Kaceli, si emër i lidhur fort e sidomos dukshëm me ndërtesën dhe skyline-in e kryeqytetit, si asnjë tjetër familje në qendër të Tiranës. S’kam dashur aspak të nënvlerësoj emrin tjetër, sigurisht të një familjeje po aq të nderuar.

[ii] Sipas planit Italian të qytetit

[iii] Nëpër disa shkrime thuhet se u ndërtua në 1928-1929, një tiranas i vjetër më tha 1934, një ndër pinjojtë e Kacelve (Osmoni, i biri i të pushkatuarit ndër katër Vllaznit, i të ndjerit Jonuz Kaceli) më tha, më 1930; ndërsa i fundit që intervistova, Buron Kaceli më tha me siguri, 1929. Me sa duket, pallati ndërtohej mes 1929-1930.

[iv] E di që disa ndërtesa sovjetike përgjatë Lanës kanë harqe, dhe janë të lezeçme. Por Pallati i Kulturës, qendror e i zbarët, 15-katëshi, Muzeu Historik i fshijnë sa hap e mbyll sytë nga defteri harqet e pakëta të ngelura nëpër rrëza Tirane. Dhe harqe të vjetra s’kemi më.

[v] Built environment (angl.)

[vi] aq sa na ka mbetur pa humbur-

[vii] Flas këtu për sheshe të tjera dhe jo për sheshin qendror të Tiranës; gjithsesi dua të them, se çfarë i pëlqej më shumë sheshit qendror të ri të Tiranës, janë pikërisht “shkurret” me të cilat qytetarët sot, në fakt, tallen. Bimët e “macchia-s” mesdhetare që në disa pika të Sheshit të bëjnë të ndiesh erën e Himarës, Qeparoit dhe Lukovës, janë çfarë më prek pozitivisht dhe ndaj me ata që mbrojnë me çdo kusht sheshin tonë të mjerë e shëmtaraq.

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.