PARTISANSHIP

Mjaft të mendosh dy minuta, për dallimet mes PS-së dhe PD-së në Shqipëri, për të mos thënë pushtetit dhe opozitës dhe, aq më pak, të majtës dhe të djathtës (me LSI-në si variabile impazzita), për të kuptuar se këto dallime, të përkthyera në gjithfarë kundërvëniesh dhe antagonizmash, nuk kanë aq lidhje me programet e tyre, ose arsyet formale të ekzistencës së tyre kushtetuese, sa ç’kanë me interesat private të grupeve të pushtetshme, personalitetet e liderëve, historinë (Luftën Na-Çl dhe luftën e klasave) dhe gjeografinë (tribalizmi, Veriu dhe Jugu).

Përndryshe, fare mirë mund të kish ndodhur që Rama, sa për të sjellë një shembull, të gjendej në krye të PD-së dhe Basha në krye të PS-së; nuk ka asgjë në profilin e këtyre dhe në historinë e tyre politike, që t’ua përcaktojë pozicionimet politike të tanishme.

Lufta politike, që në Tiranë ka marrë trajta groteske, është doemos shprehje konfliktesh të tjera – si kudo gjetiu; por në Shqipëri, vend me ekonomi parazitare, që nuk krijon pasuri, ajo veçanërisht ka të bëjë me kontrollin ndaj parasë publike. Askush nuk mendon se mundimet titanike të krerëve dhe të kupolave të Partive, për të qëndruar në pushtet ose për të marrë pushtetin, kanë ndonjë raport çfarëdo me idealet politike, misionet dhe synimet e palëve.

Partitokracia nuk mjafton, për ta shpjeguar se çfarë po ndodh; aq më tepër që shumica e qytetarëve politikisht të rreshtuar, me opinione gati automatike për të gjitha çështjet në konflikt, nuk janë në fakt të organizuar në partitë politike dhe nuk kanë “jetë partiake”. Për shqiptarin e rrugës, të jesh i PS-së ose i PD-së është çështje identiteti, që shkon më thellë se rutina e përditshme dhe angazhimi qytetar. Në kuptimin që ti je me PS-në jo sepse të bind ajo që thotë, bie fjala, Rama në ERTV; por të bind ajo që thotë Rama në ERTV ngaqë je me PS-në. Ti je militant jo sepse beson në një gjakim politik, por beson në një gjakim politik sepse je militant.

Për këtë arsye, militantët dhe qytetarët “e angazhuar” në përgjithësi i marrin opinionet nga mediat përkatëse si të ishin uniforma të shpërndara falas, nga magazina partiake. Në kuptimin që ti je i PS-së ose i PD-së dhe prandaj qëndrimet e tua duhet t’i mbash ashtu siç të orientojnë vatrat propagandistike të njërës palë ose të tjetrës. Propaganda synon që të mos lërë asnjë hapësirë, tek ti, për mendimin kritik; por, edhe kur dështon, përpiqet të të bindë që çdo stepje e jotja, çdo distancim, çdo zhgënjim i shprehur publikisht shkojnë në favor të anës tjetër.

Në anglisht kanë një fjalë për këtë dukuri: partisanship. Në trajtat e veta ekstreme, partisanship-i i bën njerëzit të parashikueshëm, në mos të mërzitshëm; duke ua anuluar individualitetin dhe duke i kthyer në megafonë të palës së tyre. Njëlloj si me fanatikët fetarë, edhe me këta lloj “partizanësh” nuk mund të flasësh, sepse këta nuk janë pykë, e kanë humbur aftësinë për gjykim moral të pavarur; dhe dallimin mes së mirës dhe së keqes e kanë projektuar mbi dallimin midis grupit të tyre dhe grupit kundërshtar. Kur bëhen bashkë, ata të PS-së nga njëra anë, ata të PD-së nga ana tjetër, përplasjet mes tyre, debatet, mosmarrëveshjet dhe konfliktet vetëm sa i shërbejnë riprodhimit të grupeve.

Dasitë politike kanë marrë me të shpejtë ngjyrime të forta etike; çfarë nuk i lë vend pluralizmit, si faktor plehërues i ideve dhe i debateve. Për militantin, ata të palës tjetër nuk janë thjesht “ndryshe”, por janë edhe të dënueshëm, të papranueshëm, të dëmshëm. Në rrethanat kur konfliktet politike nuk zhvillohen më rreth ideve, alternativave dhe projekteve, por rreth personave në pushtet (liderëve), atëherë e keqja, si hije metafizike, mishërohet dhe funksionon si motivim kryesor, në teatrin e përditshëm të politikës.

Kjo nuk do të thotë se politikë nuk bëhet më; përkundrazi, krerët e forcave politike kanë treguar dhe me siguri do të konfirmojnë edhe më pas se janë gati për kompromiset deri edhe më të paimagjinueshme, për të realizuar synimet e tyre praktike (pushtetin). Por ky lloj komunikimi ndodh gjithnjë në fshehtësi, larg syve të militantëve. Ideja është që konflikti politik në nivelet elitë, edhe kur ndodh vërtet edhe kur vihet në skenë, duhet të ushqejë përçarjen poshtë dhe të riprodhojë mëritë reale të militantëve të secilës palë. Me fjalë të tjera, interesat praktike, pragmatike dhe shpesh meskine të protagonistëve të jetës politike përkthehen si kundërvënie dhe antagonizma reale, ose forma mirëfilli të urrejtjes, poshtë në bazë. Sido që ta rrotullojnë zyrat e public relations, në rrethanat e ndarjes më dysh dhe të partisanship-it total, politika ka më shumë nevojë për urrejtjen që mbahet gjallë poshtë në bazë, se ç’ka nevojë për simpatinë, përkrahjen dhe pjesëmarrjen.

Partisanship ka kudo: unë e kam dëshmuar drejtpërdrejt edhe në Itali edhe këtu në SHBA, ku ndarjet mes së majtës dhe të djathtës, përkatësisht demokratëve dhe republikanëve janë thjesht aksiomatike, në raport me çdo shtjellim të diskursit dhe të komunikimit politik. Ajo çfarë e dallon Shqipërinë, nga këto vende të tjera, është mungesa e buffer-it, ose e shoqërisë civile; ose e idesë se ka jetë edhe përtej konfliktit pseudo-homerik mes Ramës dhe Bashës. Prandaj edhe te ne pluralizmi është ende i dënuar të përjetohet – dhe të realizohet – si antagonizëm; dhe qytetarët të mos mund të komunikojnë dot mes tyre në publik, përveçse në hapësirën primordiale të përçarjes (dasisë); madje e sidomos atëherë kur do të ishte në interesin e tyre absolut, që të bashkëpunonin.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top