PASURIM JO TEJKALIM

Herë pas here rigjallërohet debati për ripërkthimin, debat që zakonisht merr formën: a duhet ripërkthyer Shekspiri i Nolit? Pengesa që përvijon kjo pyetje lidhet me statusin kryevepër, që u është njohur përkthimeve të Nolit – por modeli zbatohet edhe ndaj përkthimeve veprash të tjera nga përkthyes të tjerë, që mbahen si të shkëlqyera. Që këtej edhe përgjigjja: ato përkthime nuk mund të tejkalohen. Kjo përgjigje mbështetet mbi një supozim të rremë: dhe pikërisht se çdo përkthim i ri synon tejkalimin e paraprijësit, ose – në çdo rast – përmirësimin e tij. Por kush e ka përcaktuar vallë kështu, arsyen dhe motivimin për përkthime të reja? Aq më tepër që përkthimi letrar nuk është transformim gjuhësor në bazë të ndonjë formule heuristike, por më shumë rikrijim i një teksti, në një gjuhë tjetër, në bazë kriteresh pak a shumë subjektive. Në rastin e përkthimeve të Nolit, shumë vjet kanë kaluar e shumë ujë ka rrjedhur, që nga dita kur dolën në dritë; dhe ndërkohë shqipja vetë ka pësuar ndryshime dramatike. Një përkthim i ri do të mund të përligjej edhe vetëm me nevojën për të përditësuar ligjërimin shqip të Shekspirit – dhe për t’i bërë pjesët e tij teatrale më të lehta për brezin e ri. Por, dhe këtu duhet treguar vëmendje maksimale, na duhet të heqim dorë totalisht nga ajo mendësi, sipas të cilës në kulturë e reja zëvendëson të vjetrën dhe se, të themi, një përkthim i ri i Eugjen Onjeginit të Pushkinit do ta rrëzonte përkthimin ekzistues të Lasgush Poradecit. Çfarë do të thotë edhe se na duhet të mësohemi, edhe në fushën e përkthimeve, me kriterin e pluralizmit, i cili sjell me vete edhe mundësinë e zgjedhjes dhe të riprodhimit të lirisë së lexuesit. Për t’u kthyer te Noli – Shekspiri i tij është jo vetëm monument i subjektivitetit letrar nolian, por edhe dëshmi e shqipes së asaj periudhe, të filtruar nga sensibiliteti gjuhësor i përkthyesit. Përveç Shekspirit, ato tekste përcjellin edhe një politikë të ligjërimit letrar, e cila ka doemos natyrë historike. Dhe, në këtë kontekst, le të përmendim edhe Iliadën e përkthyer gegnisht nga Gjon Shllaku – një monument i gegnishtes letrare për mua edhe më i pasur se Lahuta e Fishtës; por që nuk e përjashton mundësinë e një përkthimi të ri të Iliadës, ose më mirë, të disa përkthimeve, ndonjëri edhe në prozë, siç është praktikë e njohur gjetiu në botë. Vetëm përkthime “reader-friendly”, ose të tilla që i drejtohen lexuesit të sotëm mesatar, mund të përligjin ekzistencën e përkthimeve “precioze”, të cilat ruajnë metrin dhe formën dhe ndonjëherë edhe manierizmat e origjinalit. Në këtë vështrim, edhe Komedia Hyjnore e Dantes ka nevojë për një përkthim që të mos jetë aq i vyer sa i Gjeçit, por të jetë më i lehtë për t’u lexuar; dhe që të qëndrojë ndaj këtij të fundit ashtu siç qëndron Eskili i përkthyer prej Kadaresë ndaj përkthimeve përkatëse të Sotir Papahristos. Vetëm se, që të mundësohet kjo, në kuptimin që të bëhet e pranueshme nga “kujdestarët” e kulturës, më parë duhet të heqim dorë nga ideja e “garës” mes përkthyesve dhe bindja se “përkthimi i ri e rrëzon të vjetrin”, të cilat ide mbështeten në një mendësi në thelb primitive. Edhe në përkthim, si lojë me shumë pozitive, pluralizmi veç do ta plehërojë truallin letrar.

© 2019, Peizazhe të fjalës.™

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.