PAVIJONI I SHQIPËRISË, OSE PJESËMARRJA MJAFTON

nga Arnold Skënderaj

Pak ditë më parë ndoqa programin televiziv Exclusive që transmetohet në Top-Channel, me titullin “Tirana e Venecias” e publikuar me datë 30 Shtator të këtij viti. Në të vërtetë, e gjeta në YouTube, disa javë pas shfaqjes së tij në televizor. Tema ishte pjesëmarrja e Shqipërisë në Bienalen e Venecias (La Biennale di Venecia 2018) dhe eksplorimi i pavijonit të vendit tonë nëpërmjet fjalës së gazetares Genta Popa Prodani dhe përshkrimit nga grupi projektues dhe realizues. Grup që në pamje të parë, dukej mjaft i madh por ideatorët arkitektë na paraqiten si pjesa themelore dhe poseduese e konceptit. Gjithashtu nga një imazh i tabelës të personelit realizues të pavijonit, pozicionuar në fillim të saj lexohen emri i Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe emri i Ministres së Kulturës së Shqipërisë, mesa duket shteti duhet të jetë prezent kudo, se pa to asgjë s’ka kuptim, as shfaqja më e thjeshtë.

Gjithsesi qëllimi i shkrimit tim, është shprehja e ndjesisë aspak të mirë, që më lanë shprehitë e të gjithë pjesëmarrësve në të, duke filluar me gazetaren, kuratorin e pavijonit tonë dhe si përfundim arkitektët. M’u krijua ideja që në vetvete qëllimi kishte qenë fare i thjeshtë, mjafton pjesëmarrja në Bienalen multidisiplinore më të famshme në botë dhe kaq! Madje më tepër se kaq, fjalët që po dëgjoja të dala nga goja, e të krijuara në mendjet e ideatorëve më nguliten fuqishëm në tru shprehjen, fol fol se diçka del.

Që në fillim u ndjeva disi i zhgënjyer kur kuptova që nga pavijon përfaqësues shtetëror, pjesëmarrja jonë ishte konvertuar dhe ngushtuar në një ekspozitë fotografike (edhe formate tjera të instalacionit) e kryeqytetit tonë, qytetit vibrant me një jetë vibrante. Kësaj here disiplina e arkitekturës i ishte nënshtruar traktatit të kuratorëve të Bienales, Yvone Farrell dhe Shelley McNamara nën moton “Free Space” (Hapësirë e Lirë) cilësuar nga kritikët si përsiatje teorike tepër e mjegullt. Për të kuptuar sesi vendi ynë përfaqësohet dhe si e ka nxjerrë në dritë idenë, le te ndalemi pak tek fjalët e kuratorit të pavijonit shqiptar, z. Elton Koritari të thëna gjatë intervistës, të cilat po i citoj si më poshtë:

Pavijoni i Shqipërisë, stacion i hapur i projektimit të jep mundësinë e përjetimit fizikisht dhe emocionalisht të urbanizimit të pazakontë të qytetit të Tiranës. Pavijoni fton njerëzit të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me gjithë qytetin, përmes dyerve të vjetra, fotove të qytetit përmes zhurmës dhe tingujve. Kati përdhes frymëzim, si pjesa më e ekspozuar ndaj iniciativave individuale të vetë banorëve.

Këto fjalë na ftojnë më e shumta të krijojmë konceptin fillestar mbi përmbajtjen e pavijonit, ne që nuk jemi dhe nuk kemi mundësi të jemi atje. Ndërsa atyre që kanë mundësi të jenë atje u mundëson të bëhen në mënyrë të drejtpërdrejtë pjesë e qytetit me një të prekur të disa dyerve të vjetra të vendosura aty apo me të shikuarit e pamjeve të varura në tavan. Vetëm ne dimë të bëjmë kësisoj gjërash. Ndërsa për kuratorin kati përdhes i disa godinave të vjetra është gjithë qyteti. Le të vazhdojmë leximin e mendimeve spektakolare të kuratorit të cituara si vijon:

Elton Koritari: Hapësira zero space, është një fenomen lokal i interceptuar dhe i gjetur nga ne, në qytetin e Tiranës, por në të vërtetë këtu në Venecia hyn në një dialog, që është mjaft global. Që në fund të fundit ka të bëjë me një temë të globalizimit mjaft të rëndësishme, që është urbanizimi i botës. Pa patur atë mendjemadhësinë e modeleve, ne duam thjesht të bëjmë të kuptojë publikun e Bienales, se çfarëdo lloj modeli i mundshëm, që ka të bëjë me jetesën e njerëzve dhe arkitektura është aq e rëndësishme, duhet patjetër që të marrë në qendër, njeriun, qytetarin.

Komentet e mia para këtij hulumtimi shkencor në lëmin e teorisë së arkitekturës, kam besimin se ngelin mjaft të varfra dhe kuptoj që ne (ata, ideatorët), jemi gjenialë por edhe të thjeshtë, aspak mendjemëdhenj. Shpalosja e objektivave madhorë vazhdon, që mund të nxisin debat taze në çdo celulë të rretheve intelektuale nëpër glob, fjalët e fundit te kuratorit në intervistë janë si më poshtë:

Elton Koritari: Edhe një objektiv tjetër që ne kemi, është që nga ana tjetër arkitekturën ta kthejmë në qendër të dialogut ne, për publikun shqiptar. Sepse arkitektura në vetvete është lënë pak jashtë, duket sikur herë pas here nxjerret për zonën e qendrës së Tiranës, ose zonës monumentale, e cila ciklikisht kërkon t’i sillet publikut shqiptar, dhe është e drejtë se çdo qytet në botë ka një qendër, por nga ana tjetër, qytetarët e Tiranës projektojnë jetët e tyre, pikërisht aty ku ata jetojnë, në lagjet e Tiranës.

Arkitektura nuk është instrument i ngurtë apo një grumbull librash që mund t’i mbash në duar e me to të ftosh për debat e dialog. Arkitektura në konceptin teorik të saj, me shumë pak fjalë mund të përkufizohet si shkenca që tenton të ndajë dhe organizojë hapësirën në bazë të shijeve estetike dhe rregullave të ndryshme e që shtrihet në periudha kohore të ndryshme duke u shtresëzuar nga ndikimet e secilës periudhë, por një përkufizim të përligjur (të pakontestuar apo pranuar a priori) nuk ka pasur asnjëherë. Praktikisht arkitektura është organizim i mënyrës së jetesës së njeriut  brenda hapësirave të ndryshme, nëpërmjet aftësive të profesionistëve (arkitektëve) të bazuara në rregulla antropologjike dhe ligje institucionale. Është aftësia dhe formimi intelektual i bashkësisë që fillimisht e lejon ose jo, të kuptojë termin arkitekturë dhe pasandaj ta jetësojë çdo ditë atë ose jo, nuk arrihet me dialog kjo punë.

Mungesa e shijes së mirë vazhdon madje në rritje pasi që dëgjon fjalët e lexon mendimet e katër arkitektëve (Florian Pollo, Jurtin Hajro, Dorjan Tytymçe dhe Enri Leka). Më poshtë po citoj të parin (sipas shfaqjes në minutazhin e dokumentarit)  ark. Florian Pollo:

Florian Pollo: Pas viteve 90-të, të gjithë jemi dëshmitarë të asaj, që qytetarët e Tiranës u përballën me sfida të reja dhe me nevoja të reja. Në këtë garë për nevojat e reja të gjithë në fakt ndodhi që donin t’i shisnin diçka dikujt tjetër. Duke marrë në dorë, si të thuash qytetin dhe ekonominë e rregullat e reja që impononte regjimi i ri. Në këtë moment, qyteti pësoi një metamorfozë pasi çdo qytetar donte ta zhvillonte aktivitetin e tij, performancën e tij, në këtë kat përdhe të qytetit. Në njëfarë kuptimi duke hapur dhe e çliruar të gjithë këtë hapësirë për aksesimin e publikut. Dhe tek kati përdhes atje ku ishte një dhomë dite, n’fakt ne sot gjejmë një kafene. Njerëzit mund të shkojnë, atje ku ishte një dhomë gjumi, sot është një këpucar apo dikush që shet mish. Por sot në katin përdhe të qytetit ti ke mundësi, të dhurosh të gjitha nevojat e përditshme, të jetës tënde. Si të thuash, poshtë shtëpisë. Poshtë banesës tënde që për ne ky është një komoditet personal fantastik dhe n’fakt është një pasurim emocional që vjen nga ndërveprimet njerëzore që kanë njerëzit me njëri-tjetrin. Pikërisht në ketë kat përdhes.

Mëse e vërtetë që territori i Shqipërisë pas vite 90-të ka pësuar një ndryshim drastik për sa i përket ndërtimtarisë dhe deri diku të pakorrigjueshëm dhe të pariparueshëm, por nuk është ndryshimi funksional i një kati përdhes të disa godinave ekzistuese që ka dhënë këtë rezultat por janë godinat e reja të ngritura kuturu anembanë vendit. Shkaqet duhet të jenë pjesë e studimeve social-ekonomike, politike e mbi të gjitha demografike. Ndërsa ky produkt i prekshëm na jep mundësinë të kuptojmë gjendjen e përgjithshme të bashkësisë mbarë shqiptare, jo vetëm asaj të Tiranës. Kati përdhe ( kati zero) ndryshoi funksionin e tij primar jo vetëm në Tiranë por në çdo cep të Shqipërisë, e vëren këtë efekt që solli rënia e lirë e institucionit rregullator dhe ngritja po kaq e lirë e vullnetit spontan individual për ndryshim nga ana e njeriut të thjeshtë. Vetëm objektet e ndërtuara para viteve 90-të e patën këtë fat të madh që t’u ndryshohet funksioni i katit përdhes, nga hapësirë që nuk të ofronte veçse aktivitet fiziologjik tashmë të jep mundësinë të fitosh lekë, kurse aktivitetin fiziologjik e zhvendosim, pse jo, disa kate më lart. Objektet e reja të ndërtuara gjatë 27-të viteve të fundit, kryesisht pallate disakatëshe me funksion banimi janë më të shumta në numër se ato të vjetrat ngjyra-ngjyra dhe pikërisht janë të frymëzuara nga pangopja e njeriut dhe rregullat pa rregull të regjimit të ri, nuk mjaftohen me një por, kanë dy kate përdhese, dy kate plot shërbime që të mundësojnë të fitosh lekë.

Pjesës përshkruese të konceptit filozofik të përmbajtjes së pavijonit po i shtoj dhe fjalët e ark. Jurtin Hajro:

Jurtin Hajro: Kat përdhes është ai kat, ku krijohet hapësira më pjesëmarrëse e qytetit. Ku njerëzit përplasen me njëri-tjetrin. Ku ndien aroma të ndryshme të qytetit, tingujt e qytetit dhe ndien e përjeton shumë mirë teksturën urbane të qytetit. Qyteti flet. Qyteti të lejon të nuhasësh, të lejon të prekësh. Të aktivizon ty mënyrën se si ti e përjeton hapësirën ku ti jeton.

Zakonisht njerëzit në të gjithë anët e globit aktivitet më të nevojshme, si shitja apo blerja etj, i realizojnë, ose në ndonjë rast të veçantë nuk arrijnë t’i realizojnë, në nivelin më të afërt me tokën ose te themi në katin përdhes. Nuk besoj, se fjala bie në Tokio njerëzit marrin ashensorin për në katin e 10-të për të blerë mish apo peshk. Aktivitetin ku njerëzit përplasen me njëri-tjetrin me shumë se në një hapësirë të brendshme si p.sh. dhomë dite dikur, bar sot, ta ofron hapësira e jashtme e përbashkët siç mund të jenë trotuaret, parqet e deri tek stadiumet. Gjithashtu besoj që teksturën urbane të një qyteti e hasim në hapësirën e jashtme të tij e jo te pjesa intime e brendshme, por në pjesën që e shohin të gjithë, banorë e vizitorë të atij qyteti.

Pjesë përbërëse e domethënëse e shprehjes artistike që tërheqin vëmendjen e vizitorëve së pavijonit janë edhe disa porta të vjetra të marra nga disa shtëpi të vjetra që mesa duket dhomën e tyre të gjumit nuk e kanë konvertuar në qebaptore, apo në rastin më fatkeq për ata nuk kanë pasur sipërfaqe të mjaftueshme toke, apo numri i madh i trashëgimtarëve nuk të jep rehatinë e dhënies së tokës pasunarit (prej një pelë e merr një felë) për të ndërtuar një pallat me disa kate, ku nga këto kate, një kat përdhes përfitojnë ato pronarët e ish-portës si pjesë e marrëveshjes. Pikërisht janë këto porta që nuk përçojnë aspak në Venecia, Tiranën e katit përdhes, sepse ato u rezistuan ndryshimeve që u përmenden më lart, nuk lejuan që bahçet pas portave të ktheheshin në pikënisje betoni shumëkatësh. Aq më tepër kur këto janë shumë të pakta në numër dhe të përhumbura karshi furisë së ndërtimit që ka kapluar Tiranën, bëjnë të mundur që të humbet edhe më shumë vlera apo rëndësia e peshës kohore që portat mbartin, kur çdo ditë ngrehinat e vjetra (bashkë me mure rrethues) harrohen qëllimisht në emër të mos kujtesës kolektive, dhe babëzisë individuale. Të tjerat që nuk u rezistuan ndërhyrjeve delikate të betonit, nuk kanë ndryshuar katin përdhe por shumë më tepër. Rëndësinë e madhe që këto porta paskan pasur për Tiranën e Venecias e ndeshim në pohimet e mëposhtme të arkitektëve:

Florian Pollo: Pjesë e këtij projekti faktikisht ka qenë edhe ndërveprimi me qytetarët e Tiranës, me ata qytetarë që dhuruan një pjesë nga identiteti i tyre, i familjes tyre, ishin shumë të gatshëm. Unë personalisht jam marrë me kontaktet e shumë prej këtyre banorëve, dhe në të vërtetë ky ka qenë një proces shumë interesant, pasi ne vetëm u përballëm me njerëz që ishin të gatshëm të bëheshin pjesë e këtij projekti. Por na shfaqen menjëherë mikpritjen e tyre. Pra në njëfarë kuptimi dyert na u hapën menjëherë.

Enri Leka: Këtu mund të evidentoj prapë atë që është mikpritja shqiptare edhe karshi shqiptarëve, jo vetëm të huajve dhe entuziazmi që këto familje të cilat na ndihmuan duke na dhënë ato që ishin pjesa më intime e shtëpive të tyre. Ne jemi përpjekur që të mos prekim duke i lënë pak a shumë edhe ato emrat e familjeve, numrin e vet portave sepse objektivi jonë ishte pikërisht ky, që të sillnim në Venecia një gjë që të jetë e prekshme nga Tirana, frymën e Tiranës, Vibrimin e Tiranës.

Dorjan Tytymce: Çka vizitorët gjejnë në këtë pavijon, thelbësisht janë dyer të vjetra të marra nga qyteti i Tiranës. Janë këto 8-të elemente të cilëve ne na pëlqen t’i shohim si dëshmitare të këtij ndryshimi radikal që ka pësuar hapësira zero gjatë këtyre 27-të viteve. N’fakt dyert janë një element shumë familjar, kam përshtypjen për të gjithë vizitorët për të gjithë njerëzit në përgjithësi edhe elementi i parë i bën ata të vijnë, të futen brenda pavijonit dhe të fillojnë pastaj të eksplorojnë atë ç’ka është brendësia e tij më tej.

Në mbyllje më duhet të paraqes edhe fjalët e narratores së dokumentarit (gazetares) që kanë mospajtim në vetvete brenda paragrafit apo edhe ajo kërkon të lërë gjurmë duke dashur të thotë “diçka”, si vijon:

Genta Popa Prodani: Ky zhvillim i katit përdhes të Tiranës, shihet nga arkitektët si rezultat i shumë nismave individuale dhe shumë më pak produkt i planifikimit urban institucional. Ky është dhe objekti i institucionit “Hapësira Zero”. Panoramën më humane të Tiranës. Arkitektët vërejnë se Tirana ndodhet para sfidave madhore, ajo përballet me nevojën e ngutshme për infrastrukturë të përshtatshme nga njëra anë, dhe nga ana tjetër me presionin e globalizimit në epokën e konsumerizmit gjakftohtë. Ndaj edhe Tirana e Venecias, Tirana “Hapësira Zero”, që lindi si një vizion i një grupi arkitektësh për të treguar pjesën më të mirë të qytetit mund të jetë një shpresë dhe inkurajim për më shumë vetëdije dhe kurajo qytetare për fatin e qytetit tonë të përbashkët. Ajo mund të jetë një frymëzim apo thirrje për të kthyer sytë sa më parë nga ato modele të zhvillimit që janë sa më pranë njeriut, nevojave dhe dëshirave të tij, për të jetuar në një hapësirë të lirë.

Nismat individuale dhe në kundërshti me ligjet apo planifikimin urban institucional nuk janë pjesa më e mirë e Tiranës, apo qyteteve shqiptare por se pjesa më reale e peizazhit urban pa fill e krye që haset rëndom gjithandej. Hapësira bëhet më e lirë dhe perceptohet sa më pranë nevojave të njeriut, ashtu siç e dëshiron fjalia e gazetares, nëse ajo realizohet përmes vijave planifikuese nën udhëzimin institucional dhe kurrë të lihet në dorë të nismave individuale, aq më pak të atyre individëve që nuk janë të edukuar rreth parimeve të hapësirës së përbashkët. Shqipërinë e Bienales do ta doja më të madhe se Tiranën e Venecias, ndërsa Tiranën më të çliruar nga nismat individuale te secilit prej nesh. Pavijonin do ta doja “më shumë se pjesëmarrja mjafton”.

P.S :  Ku i dihet Shqipëria mund të ishte përfaqësuar edhe nga sheshi i ri në qendër, thjesht s’do ketë dashtë Lali!

Shënim: Të gjitha citimet janë, saktësisht fjalët e thëna nga pjesëmarrësit në emisionin Exclusive: https://youtu.be/oOajIFVIZkA.

(c) 2018, autori.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.