PELLAZGËVE PO UA DORËZOJMË ÇELËSAT

Mora vesh këto ditë se një studiues i quajtur Stavri Trako ka mbrojtur, pranë Departamentit të gjuhës shqipe, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti i Tiranës, doktoratën me temë “Vepra ‘Pellazgjika’ e Jokovu Thomopullu nën dritën e studimeve albanologjike nga Kristoforidhi te Çabej.

Udhëheqës shkencor i kësaj doktorate është prof. dr. Shezai Rrokaj, dekan i Fakultetit Histori-Filologji dhe personalitet i mirënjohur në fushën e mësimdhënies universitare dhe të gjuhësisë.

Nga sa shoh në pasqyrën e lëndës, punimi i Trakos prek një numër çështjesh shumë të vështira të parahistorisë gjuhësore të Mesdheut, përfshi Anatolinë Perëndimore si djep i gjuhëve indo-europiane, marrëdhëniet e shqipes me pellazgjishten, gjurmët e homerishtes në dialektet pellazge, çështje të mbishkrimeve etruske dhe të mbishkrimeve të lashta të Kretës dhe të Qipros, etj.

Nuk e kam lexuar këtë punim dhe nuk mund të shprehem për çfarë trajtohet aty (edhe pse të interesuarit mund ta konsultojnë lirisht në Bibliotekën Kombëtare); por di që tema të tilla lidhen sot disa nga problemet më të koklavitura të parahistorisë gjuhësore të Mesdheut, përfshi këtu hipotezën pellazgjike në përgjithësi, etno-gjenezën etruske dhe leximin e deshifrimin e mbishkrimeve jo-greke në Kretë dhe në Qipro. Numri i specialistëve që merren me këto punë, në universitetet e botës mbarë, është natyrshëm i kufizuar.

Kam lexuar, nga ana tjetër, një intervistë të autorit Trako në lidhje me shqipen si “çelës të disa dialekteve të lashta”, në të cilën ai thotë se mbishkrimet “eteokretase” dhe mbishkrimet pellazgjike të Lemnos-it janë të shkruara “në gjuhën heleno-pellazge e cila ngjan me shqipen e sotme”; dhe se gjuhë pellazgjike ishin edhe “lykishtja, karishtja dhe etruskishtja.” Autori i bashkohet tezës së studiuesit Thomopullu, i cili “ka bindjen se shqipja është çelësi i të kuptuarit të këtyre dialekteve të lashta.”

Nga sa kuptohet prej intervistës – edhe pse nuk është aspak e lehtë – autori bën thirrje që tekstet homerike të transkriptohen saktë, “me ndihmën e gjuhës shqipe.”

Nuk dua të paragjykoj punimin në fjalë pa e pasur në dorë; sepse mund të jetë edhe tërësisht solid dhe ashtu të hapë një faqe të re, me rëndësi të jashtëzakonshme, në të kuptuarit jo vetëm të parahistorisë së shqipes, por edhe të Mesdheut paragrek; duke ndihmuar edhe në shkoqitjen e problemeve të tilla madhore, si gjuha e popullsive para-greke, statusi i pellazgjishtes dhe i etruskishtes dhe deshifrimi i disa prej mbishkrimeve më misterioze në historinë e arkeologjisë dhe të parahistorisë mesdhetare.

Nëse është kështu, ky punim duhet popullarizuar menjëherë, përkthyer në gjuhët e mëdha (anglisht, gjermanisht, frëngjisht) dhe promovuar në nivelin akademik europian dhe më gjerë, me mbështetjen agresive të atyre institucioneve që e kanë gjetur të meritueshëm për gradën e doktorit të shkencave.

Nga ana tjetër, ekziston edhe mundësia – le ta quajmë teorike për korrektesë – që punimi i studiuesit Trako të jetë një gonxhe e shtuar rishtas në buqetën trullosëse të veprave pseudo-shkencore, të cilat përpiqen të shpjegojnë gjithçka me anë të shqipes; dhe që mund të jenë vërtet pjesë e kulturës shqiptare siç janë pjesë e kësaj kulture edhe leximi i filxhanit të kafesë, sakralizimi i fjalës autoktoni ose shpalosja e ngjyrave kuqezi në një stadium futbolli, por që nuk duhet lejuar të jenë pjesë e albanologjisë që lëvrohet në Shqipëri, dhe aq më pak në një institucion me tradita në këtë lëmë, si Fakulteti Histori-Filologji i Universitetit të Tiranës.

Edhe pse ky studiues duket sikur i referohet Çabejt në punimin e vet, më duhet të vërej se Çabej më se një herë ka vërejtur se përdorimi drejtpërdrejt i të dhënave të shqipes së sotme për të kthjelluar enigma gjuhësore të dy-tremijë vjetëve më parë, është së paku një gjest prej amatorësh; ose një lloj folklori akademik, do të shtoja unë.

Aq më tepër që hipoteza e Trakos, se “shumica e fjalëve [shqipe] të rrjedhës latino-romane rezultojnë se janë fjalë vendi” bie ndesh me krejt traditën e konsoliduar të studimeve albanologjike në Shqipëri dhe gjetiu në Europë.

Çfarë më tërheq veçanërisht vëmendjen, është se ky punim doktorate ka pasur për udhëheqës shkencor prof. dr. Shezai Rrokajn, që sikurse e përmenda në krye, është aktualisht dekan i Fakultetit Histori-Filologji; dhe i specializuar në gjuhësinë moderne. Një vështrim i shpejtë në CV-në e këtij studiuesi, e cila është botuar online (një version tjetër këtu) konfirmon se prof. dr. Rrokaj nuk ka ndonjë kompetencë specifike për të drejtuar një punim me temë si ky i mësipërmi; dhe, gjithnjë sipas informacionit të ofruar në CV, ky studiues nuk duket se e njeh as latinishten, as greqishten e vjetër, as të renë; as zotëron ndonjë farë ekspertize çfarëdo në fushat e epigrafisë klasike, filologjisë homerike dhe indo-europianistikës[1].

Në këto rrethana, e kam të pamundur të përfytyroj pse dhe si e ka udhëhequr këtë temë kaq të vështirë prof. Rrokaj; dhe çfarë ka përfituar prej kësaj udhëheqësie doktorandi Trako. Në fakt, nuk më rezulton që të ketë sot në Shqipëri asnjë studiues në gjendje të ofrojë udhëheqësi shkencore, për një temë që mëton të kontribuojë në deshifrimin e mbishkrimeve etruske, eteokretase dhe qipriote në parahistori nëpërmjet shqipes, një gjuhë e dokumentuar me shkrim jo më herët se shekulli XV; çfarë do të thotë se një doktoratë e tillë në Shqipëri as që duhej të ishte mbrojtur, pavarësisht nga vlera e saj intrinseke dhe/ose ideologjike.[2]

Kur studime të tilla – shpesh asgjë më shumë se “studime” – kapërcejnë gardhin mbrojtës të institucioneve akademike serioze, atëherë ka vend për t’u alarmuar. Përpjekje për ta vendosur shqipen në kërthizë të gjuhëve europiane [si kthim në një lloj gjeocentrizmi të markës arbërore] sidomos duke argumentuar primatin e saj ndaj greqishtes së vjetër ka pasur dhe do të ketë; sepse kjo, më tepër se një kapriçio ose fryt i megalomanisë ose thjesht padijes, është një patologji me natyrë “kognitive” të cilën e kanë kaluar edhe të tjera kultura; sikurse nuk mungojnë përpjekjet dëshirëmira për ta lidhur shqipen me sanskritishten, gjuhën e shumerëve ose edhe për ta vendosur në bazë të greqishtes së vjetër. Përtej inkompetencës, misticizmit kaba dhe zellit të sinqertë të autorëve të këtyre hipotezave, punimet e tyre vuajnë nga gabime metodologjike elementare; pa çka se ndonjëherë janë përfshirë edhe në programe leksionesh në universitete private dhe janë duartrokitur dhe përshëndetur histerikisht në mediat.

Por Universiteti i Tiranës është diçka tjetër; i vetmi, nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri, që ka një traditë të shquar për të mbrojtur dhe çuar përpara, në lëmin e historisë dhe parahistorisë së gjuhës shqipe: atë të Xhuvanit, Çabejt, Sh. Demirajt, Domit dhe Topallit, mes të tjerësh; dhe sërish i vetmi prej të cilit pritet t’u garantojë punëtorëve të ardhshëm të shqipes një vizion racional ndaj gjuhës sonë, historisë dhe së tashmes së saj. Më turbullon shumë fakti që kjo traditë sot po vihet në pikëpyetje, për të mos thënë më tepër, nga ekscentrikët; me bekimin e vetëdijshëm të titullarëve të këtij institucioni, duke filluar nga dekani prof. dr. Shezai Rrokaj.

Do t’i ftoja ish-kolegët e mi studiues dhe pedagogë, në Tiranë dhe gjetiu, që nuk kanë thënë asgjë deri më sot, të ngrenë zërin publikisht ndaj këtyre prapësive, nëse ndajnë të njëjtin opinion me mua; dhe t’i mbrojnë nga përdhosja të paktën ato institucione publike, të cilat kanë bërë punë të mirë, në mos të shkëlqyer, në të kaluarën edhe të afërt. Aq më tepër që, për lajthitjet dhe përdhosjet, nuk dua kurrsesi të bëj me faj autorët e studimeve në fjalë, të cilët tek e fundit kanë të drejtën e tyre të çojnë përpara, me sa dhe si munden, ato hipoteza që atyre u duken bindëse. Në të vërtetë, fajin ndaj publikut dhe traditës dhe dinjitetit tonë intelektual si shoqëri dhe si komb doemos e kanë ato organe dhe instanca, që janë duke e legjitimuar këtë lloj “dijeje” deri në nivelet akademike më të larta.

© Peizazhe të fjalës dhe autori. U lutem të interesuarve për këtë temë që, në vend që të kopjojnë shkrimin sa më lart dhe ta përplasin në faqe të tjera për të përftuar artificialisht sherr, të sillen si gazetarë dhe të gjejnë e të intervistojnë palët e përfshira në këtë mesele, duke filluar nga Dekani i Fakultetit Histori-Filologji, për ta bindur që t’i shpjegojë publikut se ç’e ka shtyrë të udhëheqë një punim doktorature, nga një fushë për të cilën ai nuk ka treguar kurrë më parë ndonjë interes si studiues.


 

[1] Shtoj se prof. dr. Rrokaj as gjuhën shqipe nuk e ka studiuar si disiplinë në nivel universitar (meqë i ka kryer studimet e larta në Francë, ku edhe ka mbrojtur masterin për “strukturalizmin klasik në gjuhësi”).

[2] Megjithë përpjekjet që bëra, nuk arrita të marr vesh nëse në komisionin vlerësues të kësaj doktorate kishte apo jo ndonjë specialist me ndonjë farë kompetence për gjuhësinë parahistorike, gjuhët klasike, epigrafinë klasike dhe historinë e greqishtes së vjetër, përfshi greqishten homerike.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top