PELLAZGJISHTJA FITON TERREN

A ka mbetur ndonjë mbishkrim gjëkundi në botë, që t’i ketë shpëtuar “deshifrimit” nëpërmjet shqipes?

Lajmet e kohëve të fundit të bëjnë të mendosh.

“Shekulli” njoftonte dje se “gjendet shkrim më [i] lashtë i gjuhës shqipe se Formula e pagëzimit”.

Autori i këtij zbulimi, me përmasa epokale, është gazetari Albert V. Nikolla, i cili e ka prezantuar zbulimin vetë.

Sipas tij, dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe nuk është Formula e pagëzimit, por shkrimet hetite. “Do të mjaftonte një vështrim i shkurtër në fjalorin shpjegues hetitisht-anglisht dhe në transkriptimet e bëra shkrimeve të kësaj gjuhë, që është më e vjetër se gjuha sanskrite, për ta kuptuar këtë të vërtetë,” u thotë ai lexuesve të “Shekullit.”

Por nuk është ky zbulimi. Nikolla ka vënë në shënjestër një mbishkrim përndryshe të mirënjohur në gjuhën maobite, “i cili çuditërisht është i shkruar nga shkronja pellazge”.

Ja një shembull si procedon autori:

Në Shkrimin maobite, flitet për mbretin Balak, që përshkruhet në Testamentin e Vjetër të Biblës. Emri i gjuhës Maobite, është bashkimi i fjalëve të një fjalie Gege: Ma-o-bi-te, (ma=mba, o bi= është mbi, dhe te=të) (në kuptim semantik : është mbi të( mbi gurë e shkruar=lavdia).  Asnjëherë nuk thuhet se për deshifrimin e shkrimeve të lashta, të gjitha studiuesit kanë njohje dhe përdorin gjuhën gege…

Nikolla e ka fjalën për atë që njihet si “Stela e Meshës” (e ngritur nga Mbreti Mesha i Moabit), të shkruar në gjuhën moabite, me alfabetin fenikas.

Gjuha moabite, ose moabitishtja, mbahet si dialekt i hebraishtes; njëlloj si motra e saj, paleohebraishtja, ajo shkruhej me një variant të alfabetit fenikas.

Nikolla, që sipas biografisë së botuar në fund të shkrimit të tij në “Shekulli” ka mbaruar për gjuhë-letërsi në Tiranë dhe pastaj ka bërë një specializim pranë “Institutit danez të mediave”, për t’u certifikuar si gazetar profesionist, nuk duket të jetë specializuar gjëkundi as për epigrafi, as për historinë e gjuhëve semite (dhe as për indo-europianistikë), siç edhe duket nga ato që shkruan (përfshi edhe përdorimin e termit gjuha gege).

Interpretimet e tij, po të gjykosh nga çfarë ka dhënë si shembull, por edhe nga ideja për ta krahasuar shqipen e sotme drejtpërdrejt me hebraishten e tremijë vjetëve më parë, janë tipike për amatorët pellazgologë, që kohët e fundit po e ngrenë zërin më fort dhe janë duke u organizuar seriozisht.

Shumë nga këta studiues nuk duket se arrijnë ta vënë re se “kontributet” e tyre nuk kanë mirëfilli lidhje as me shqipen, as me historinë e saj; por me historinë e gjuhëve të tjera, të cilat nga ana e tyre nuk kanë nevojë për ato kontribute.

Në rastin konkret, Nikolla kërkon të lexojë me anë të shqipes gjuhë si hetitishten ose moabitishten, të cilat jo vetëm nuk kanë ndonjë lidhje gjenetike mes tyre (njëra indo-europiane, tjetra semite), por edhe tashmë janë lexuar prej dijes.

Për Stelën e mbretit Mesha (emrin e këtij të fundit autori i shkrimit te Shekulli e shpjegon me shqipen “meshë”), më shumë se leximi dhe interpretimi i saj, përbën problem autenticiteti – meqë ka dijetarë që e mbajnë për falsifikim.

Një tjetër mister – këtë herë në nahijet tona – është se çfarë pikërisht i shtyn këta njerëz të mirë por të papërgatitur, që t’u përvishen mbishkrimeve historikisht të vështira, nga zona gjeografike kaq të larguara prej nesh (e që nuk i rrok dot me metodën “mjafton një vështrim i shkurtër”).

Pasioni amatorial për të shpjeguar, deshifruar dhe interpretuar enigma epigrafike anembanë botës nëpërmjet shqipes mund të jetë shenjë e një aberracioni kognitiv që i ka rrënjët në komplekset tona të inferioritetit.

Megjithatë, të gjitha kulturat duket se i përjetojnë dukuri të tilla – që me sa duket lidhen edhe me pamundësinë, e disave prej nesh, që ta pranojnë arbitraritetin e shenjës gjuhësore dhe pluralitetin e gjuhëve.

Çfarë e dallon kulturën shqiptare në këtë moment është jo vetëm guximi i rinuar i amatorëve, ose bindja e tyre se “arritjet” e tyre studimore dhe hipotezat e tyre mund t’ia komunikojnë tashmë haptazi publikut të gjerë; por edhe gatishmëria (do ta quaja abuzive) e mass-mediave dhe disave që mbahen për “intelektualë publikë” për t’u bërë jehonë këtyre “zbulimeve” marramendëse, sikur të vinin nga instanca akademike ose të paktën profesionale.

Duke vepruar kështu, këto media – përfshi edhe televizionet që i marrin këta autorë në studio dhe i vënë të flasin për “gjuhën kozmike” – dezinformojnë lexuesit e tyre jo vetëm drejtpërdrejt, por edhe duke krijuar idenë e gabuar se dija – historike, linguistike, epigrafike – procedon vërtet në këtë mënyrë, ose nga një zbulim “madhështor” te tjetri.

Përfshirja e Formulës së pagëzimit në këto fantazi grandioze dëshmon edhe ambicien – sërish tipike – të amatorëve të këtij lloji, për t’ia zënë vendin albanologjisë standard: deri dje krenaria e dijes shqiptare.

Ironia në rastin e tanishëm është se Albert V. Nikolla rezulton i specializuar për gazetari dhe duhej ta kish mësuar, nga Instituti Danez i Mediave, se një media serioze nuk mund të përcjellë pozicione të tilla kaq revolucionare në dijen historike-gjuhësore, pa bërë verifikimet përkatëse.

Nga ana tjetër, mediat – përfshi këtu edhe “Shekullin” – kanë përgjegjësi ndaj publikut dhe dijes, që u hapin dhe u japin vend këtyre amatorizmave; po aq përgjegjësi sa edhe institucionet e dijes përkatëse – nga Universitetet Shtetërore dhe Universitetet Private ku studiohet historia dhe dija albanologjike, te Akademia e Shkencave dhe Qendra e Studimeve Albanologjike, që ngurrojnë të mbajnë qëndrim në publik, duke preferuar të qëndrojnë dorëjashtas.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në media të tjera. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.