PËR DEBAT

Do të doja të hap një diskutim me ju, për diçka që më gërryen prej kohësh, por që nuk i jap dot dum vetë, sidomos ngaqë më mungon përgatitja, por edhe informacioni i mjaftë.

Pikërisht, kërkoj përgjigje për pyetjen: A ka krizë kushtetuese në Shqipëri?

Dhe kur pyes kështu, nisem në radhë të parë nga parimi i ndarjes së pushteteve.

Cili është statusi i pushtetit gjyqësor sot në Shqipëri, përkundrejt konsolidimit në mos zgjerimit të kriminalitetit të organizuar, të lidhur me trafikun e drogës; dhe përpjekjet e dokumentuara dhe të përfolura të bandave kriminale për të ndërhyrë në politikë?

Kam përshtypjen se gjyqësori është goditur rëndë nga vetting-u, tejet rëndë, dhe i është nënshtruar madje gjunjëzuar ekzekutivit, edhe pse nuk ka as provë as arsye që ekzekutivi të ketë ndonjë epërsi kushtetuese a morale ndaj gjyqësorit. Për shembull, vetëm para pak ditësh, u njoftua në lajme se policia kish ushtruar kontroll në banesat e tre gjyqtarëve (pasi këta morën një vendim të diskutueshëm). Mua kjo më duket ngjarje pa precedent, e cila u jep një sinjal alarmant (avvertimento) të gjithë atyre gjyqtarëve që duan të ruajnë pavarësinë nga ekzekutivi, në ushtrimin e veprimtarisë së tyre – nëse do të më thoni se të tillë nuk ka (nuk ka më), le të kemi aq guxim sa të kthehemi te kadilerët dhe pleqësitë e Kanunit

Për t’u shënuar edhe se Gjykata e Lartë nuk funksionon prej një viti dhe se Prokurori i Përgjithshëm e ka statusin ende të përkohshëm (pa shtuar që zgjedhjen e tij Opozita e pat quajtur “putsch kushtetues” atëherë).

Nga ana e vet, legjislativi është gjymtuar tashmë rëndë, me djegien e mandateve nga ana e deputetëve të Opozitës – edhe pse nuk e kam të qartë nëse mandatet mund të digjen vërtet, si mandate, nga pikërisht ata që janë betuar kur i kanë pranuar; dhe nëse djegësit duhet të mbajnë apo jo përgjegjësi para ligjit (dhe para zgjedhësve të tyre).

Pavarësisht nga ky incident i fundit, sa kohë që PS-ja ka pasur dhe shfrytëzuar brutalisht shumicën aritmetike në Kuvend, ky i fundit po shërbente kryesisht si teatër batutash dhe argalisjesh javore, teksa lubrifikonte dhe kalonte çdo ligj që i kërkohej nga ekzekutivi – përfshi edhe ligjin famëkeq, ad hoc, për ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe truallin përreth.

Si kurrë më parë në historinë e parlamentarizmit shqiptar, diskursi i përfaqësuesve të popullit në Kuvend nuk ka qenë kaq i varfër dhe i mjeruar; kaq i sheshuar në ide, arsyetime dhe retorikë; kaq i zbrazur nga kultura dhe etika, kaq i mbytur me batuta dhe personazhe filmash të Realizmit Socialist, sa ky i këtij legjislacioni. Për këtë mbajnë përgjegjësi të dyja palët, edhe ajo në pushtet edhe Opozita, sikurse mbajnë përgjegjësi qytetarët që i votuan këto figura kur iu kërkua.

Gjykata Kushtetuese nuk funksionon edhe ajo që prej një viti, gjithnjë besoj për arsye të vetting-ut, çfarë i ka hequr ekzekutivit një pengesë serioze për të realizuar planet dhe dëshirat e veta.

Me fjalë të tjera, mekanizmi i checks and balances sikur ka dalë jashtë përdorimit – në kuptimin që kryeministri Rama sot ka shumë më tepër liri faktike veprimi dhe vendimi se ç’ka, bie fjala, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump; çfarë nuk është gjë e mirë për Ramën.

Presidenti i Republikës, Meta, si Kryetar i Shtetit, të cilin e prisja të përvishte mëngët gjatë kësaj krize, është mënjanuar dhe merret me gjëra të dorës së tretë. Në vend që të funksionojë si rakordues i tre pushteteve, ai është reduktuar (e kanë reduktuar?) në një figurë protokollare, që shpërndan medalje tunxhi, shkon në varrime dhe shkëmben qoka me ambasadorët. Në një kohë që bashkëshortja e Presidentit ose “zonja e parë (!)” ka marrë në sy të udhëheqë Opozitën në orvatjet për mua donkishoteske për ta rrëzuar kryeministrin Rama me dhunë!

(Madje duke e tërhequr zvarrë, siç thotë.)

Qeverinë Kryeministri Rama po e trajton si oborrin e lodrave të veta, duke vendosur në poste ministeriale njerëz anonimë, pa eksperiencë pune, pa prestigj dhe ndonjëherë asgjë më tepër se projeksione të prejardhjes së tyre. Këto veprime arbitrare ia miraton rregullisht parlamenti dhe, kur Presidenti fillon të bëjë ndonjë protestë të vogël, menjëherë përfundon i shtyrë mënjanë, siç ndodhi me zv. Ministrin e Jashtëm, Cakaj.

Animoziteti personal midis disa pak figurave të ekspozuara, si Rama, Basha, Berisha, Balla, Paloka e ndonjë tjetër, e kanë kthyer dialogun dhe debatin politik në farsë, e cila edhe në qoftë e shtirur, mbetet e padenjë për qytetarët, shtetin dhe institucionet. Unë nuk e di ku përpunohet diskursi politik sot në Tiranë, por nuk do të doja të më konfirmonin që kjo ndodh në Facebook dhe në talk shows televizive.

Dhe, në çdo rast, me tërheqjen e Opozitës nga institucionet, Rama do të tundohet gjithnjë e më tepër të veprojë arbitrarisht, meqë nuk ka kush t’i bëjë më rezistencë, as në parim.

Arbitraritet nuk do të thotë doemos autoritarizëm: tek e fundit, Ramës i duhet edhe të përligjë sjelljet e veta përballë miqve dhe këshilltarëve të tij në Europë dhe gjetiu. Por kohët e fundit edhe këtyre po u lëviz toka nën këmbë – çfarë duket se i ka dhënë zemër Opozitës, të paktën në afat të mesëm, duke e inkurajuar të guxojë edhe veprime drastike, si dalja në rrugë dhe djegia e mandateve.

Tani, nëse këto që kam shkruar qëndrojnë, atëherë ka krizë kushtetuese në Shqipëri, apo jo? Dhe a nuk po shprehet kjo krizë kushtetuese në prirjen e qëndrueshme, shumë-vjeçare, për t’i gjymtuar dhe neutralizuar pushtetet e pavarura (legjislativin, gjyqësorin, përfaqësimtarinë), në favor të pushtetit ekzekutiv, si një artifakt të induktuar nga sistemi vetë, sipas parimit të shtegut të rezistencës më të vogël (least resistance path), që i detyrohet mendësisë politike primitive të elitave, dhe jo doemos ndonjë patologjie autoritariste të Ramës vetë?

Mendimi juaj më intereson, edhe për të korrigjuar çdo pasaktësi që më ka shpëtuar më lart, edhe për të komentuar për të gjitha shfaqjet e krizës, por mundësisht duke iu ruajtur teorive të komplotit dhe deklaratave të tipit “ata janë shitur të gjithë”.

Qëllimisht i kam lënë mënjanë problemet ekonomike të qytetarëve dhe të Shqipërisë dhe katastrofën e ikjes së shqiptarëve në mërgim nga këto shënime (sikurse kam lënë jashtë Kosovën dhe problemet e saj sot), për t’u kufizuar vetëm në aspektin kushtetues të krizës – meqë kam frikë se, çfarë po ndodh, po vërteton jo vetëm që klasa politike shqiptare nuk e ka kuptuar mirëfilli thelbin e kushtetutës (filozofinë e kushtetutës), por edhe që vetë sistemi që kemi adoptuar – përfshi ndarjen e pushteteve, pluralizmin, checks and balances, sovranitetin popullor, mbikëqyrjen juridike, barazinë e qytetarëve para ligjit, republikanizmin – nuk përkon me realitetin politik dhe social në Shqipëri; është një gjë eksperimentale, e transplantuar që trupi i shoqërisë shqiptare tashmë e ka flakur (rejected).

Ndonjë jurist mbase do të gjejë kohë për të ma hedhur poshtë këtë frikë që kam për një authoritarian drift të sistemit; meqë përndryshe do të duheshin rishikuar shumë gjëra, duke filluar nga Kushtetuta. Dhe natyrisht, shpresoj që ky debat t’u interesojë dhe t’u shërbejë të gjithëve.

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.