PËR NJË HISTORI TË SHPRONËSIMIT INTELEKTUAL

Një shkrim i vogël, për një shqetësim potencialisht shpërthyes: Shpronësimi intelektual në vitet e regjimit totalitar (1945-1990), i shoqëruar ose jo me vjedhje.

Sot flitet rëndom për plagjiaturën në artikuj dhe punime për mbrojtjen e gradave shkencore – ku autori përvetëson a kopjon punën e botuar të një kolegu zakonisht të huaj.

Më pak flitet për plagjiaturën në rrjedhë dhe si efekt të shpronësimit intelektual – ose, nëse duam ta formulojmë kështu, si pjesë e “luftës së klasave.”

Punimet në dorëshkrim të studiuesve dhe dijetarëve të ndryshëm, të shpallur si armiq ose elementë të padëshiruar nga regjimi, që përfundojnë më parë në duart e policisë (sigurimit të shtetit) dhe pastaj “shfrytëzohen” gjerësisht nga studiuesit dhe dijetarët e tipit të ri, me bashkëfajësinë ose të paktën kontributin e organeve të dhunës.

Në Shqipërinë e viteve 1930 dhe deri në fund të Luftës II Botërore, por ndoshta edhe disa vjet më pas, ka pasur veprimtari të gjerë kërkimore (akademike) individuale, në lëmin albanologjik: gjuhësi, histori, filologji, folklor, etnografi, botanikë, zoologji, antropologji, gjeografi.

Një pjesë e këtyre studiuesve u persekutuan pastaj politikisht nga regjimi totalitar – u internuan, u burgosën, disa edhe u pushkatuan. Një pjesë tjetër u larguan a u arratisën nga Shqipëria, pa i marrë dot me vete punimet dhe dorëshkrimet e tyre.

Njëlloj si pronat e tyre materiale (të luajtshme dhe të paluajtshme), që përfunduan në duart e shtetit, edhe krijimtaria e tyre akademike e pabotuar a në dorëshkrim përfundoi e sekuestruar. Elitat kulturore të padëshiruara nga regjimi u shpronësuan edhe intelektualisht.

Ku shkoi mundi i tyre? Pjesërisht mbase humbi dhe u shkatërrua; pjesërisht u riciklua nga elita e re intelektuale besnike ndaj regjimit, së cilës iu dha akses në pasuritë që u ishin rrëmbyer “armiqve” – p.sh. arkivi personal i një studiuesi të pushkatuar, ose të arratisur.

Gjithnjë kanë qarkulluar thashetheme, zëra, zhurma për eksponentë të elitës së re, që shkëlqyen në karrierë me punën e të tjerëve – një lloj plagjiature që kishte bekimin institucional të kohës.

Këto insinuata – sepse të tilla kanë qenë – mbështeteshin edhe në kontrastin midis mediokritetit intelektual të “dijetarëve” në fjalë në veprimtarinë e tyre rutinë, dhe shkëlqimit të veprës së tyre të botuar rishtas. Ose të një punimi të vetëm dinjitoz, që u ka siguruar famën; dhe që është pasuar pastaj nga gjithfarë kakërdhish dhe kryeartikujsh te “Zëri”.

Si hallkë ndërmjetëse në kalimin nga punimi dorëshkrim në veprën e botuar dhe “ndërrimin” e autorit në rrugë e sipër, Sigurimi i Shtetit përfitonte – në raste të tilla – edhe duke vendosur kontroll të plotë ndaj vjedhësit të pronës intelektuale, teksa ia lehtësonte këtij ngjitjen në karrierë.

Shpronësimi i veprës së tjetrit ndiqej edhe nga krijimi i idhujve të rremë – intelektualëve të tipit të ri; në një proces fshehtazi të dhunshëm, që mund të karakterizohet edhe si ndërrim elitash dhe ku të rinjve u shkojnë jo vetëm prestigji dhe titujt e të vjetërve, por edhe veprat e këtyre të fundit.

Shpesh sekuestrimi i dorëshkrimeve do të jetë përligjur si nevojë e procesit hetimor: “le të shohim se çfarë mendonte dhe shkruante ky armik i pushtetit.” Por më tej një pjesë e këtyre dorëshkrimeve nuk e gjente rrugën deri në sallën e gjyqit – duke u shkarkuar anash, në ndonjë hambar “të së ardhmes.”

Është përfolur gjerësisht, nga “populli”, për vjedhjen masive të studimeve të kryera nga intelektualë të orientimit katolik në Shkodër – murgj e priftërinj, por jo vetëm. Janë përmendur edhe emra studiuesish nga Tirana, Elbasani, Korça dhe Gjirokastra, të cilëve “u kanë humbur” veprat (përfshi këtu edhe përkthime masive). Edhe pse, çfarë u ka humbur këtyre realisht, është e drejta e autorit; ndërsa veprat njëfarësoj u janë ruajtur nën emrin e Tjetrit: mishi u është tretur, por kocka ka mbetur.

Sikurse janë përfolur emrat e ca të tjerëve, për vepra që “s’i kishin bërë vetë”; dhe që, në presidiumet e të pompuarve, uleshin krah për krah me profesorët “pa vepra”.

Thashethemet dhe zhurmat, në vetvete, nuk shërbejnë për të konfirmuar vjedhjen dhe aq më pak vjedhësit vetë; por ndoshta mund të ndihmojnë për të ngjallur vëmendjen e opinionit, ndaj kësaj faqeje të padenjë të historisë sonë intelektuale. Tek e fundit, edhe sikur hulumtimet të shpien thjesht në zbulime dorëshkrimesh të vyera për kulturën, që u janë rrëmbyer e sekuestruar dje viktimave të diktaturës, por që nuk janë shfrytëzuar më pas nga plagjiatorët, sërish shqetësimi do të rezultonte i përligjur.

Përndryshe, publikimi i të dhënave, vitet e fundit, për fatin e trishtuar të figurave intelektuale të persekutuara politikisht nga regjimi, nuk mjafton; nëse nuk shoqërohet me shqetësim për fatin e punës së tyre intelektuale të pabotuar – dhe me gjasë të përvetësuar prej të tretëve oportunistë, me bashkëfajin e Sigurimit të Shtetit dhe të krejt regjimit[1].

Nëse ka pasur vjedhje të tilla, si pjesë e shpronësimit intelektual, atëherë le të mbajmë parasysh se përfituesve prej tyre ende u nderohen botërisht emrat, si nderi i dijes kombëtare: ca prej historianëve, gjuhëtarëve, etnologëve, filologëve dhe kështu me radhë, që zënë kryet e vendit në traditën albanologjike dhe akademike në Shqipëri, mund të dalë në shesh se ia detyrojnë lavdinë e tyre një kompleksi krimesh – me bashkëpunimin e Sigurimit të Shtetit dhe të krejt aparatit represiv të regjimit.

Po si ta vërtetosh këtë akuzë, duke e nxjerrë nga konteksti i thashethemeve banale dhe i rrezikut për baltosje njerëzish të pafajshëm? Aq më tepër në një periudhë si e sotmja, ku çdo orvatje për të shkruar historinë intelektuale të “dijes” në totalitarizëm vjen e ndotur me subjektivizëm, instrumentalizim dhe amatorizëm brutal?

A mund të shpresojë njeriu te një rivlerësim të figurave dhe autoriteteve të dijes në Shqipëri gjatë viteve 1945-1990, sipas këtij kriteri specifik, për të identifikuar dhe, eventualisht, bërë publikë emrat e të gjithë atyre që kanë mjelë dhe kushedi vazhdojnë sot e kësaj dite të mjelin punët e tjetërkujt?

Për fat të keq, vështirë se kjo mund të realizohet, në kontekstin e sotëm etik; sepse kulturës sonë i mungon, në këtë moment, një autoritet i nevojshëm për të gjykuar të shkuarën dhe për të verifikuar autorët e dyshuar për krime të shpronësimit intelektual; sikurse mungojnë institucionet shtetërore, me aq prestigj sa të garantonin objektivitetin e procesit; dhe, më në fund, kuraja civile e një persekutori të penduar (nuk po them plagjiatori, nuk jam aq optimist), për t’iu rrëfyer publikut dhe për ta hapur plagën në publik. Ata që dinë diçka, druhen të flasin, nga frika se do t’i masakrojnë sakaq me ad hominem; duke preferuar që t’ua lënë të paprekur sundimin intelektual vjedhësve të djeshëm. Shqetësimi, hë për hë, do të mbetet i burgosur në monologët e brendshëm të atyre që ende besojnë, sado në parim, tek etika dhe drejtësia.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe botimi në media të tjera. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.


[1] Në histori, të paktën në historinë e ideve, nuk janë aq njerëzit që ngrenë peshë, sa çfarë bëjnë njerëzit; dhe pikërisht nga ky këndvështrim humbja e një intelektuali shoqërohet me një lloj të ndryshëm dhimbjeje, në krahasim me humbjen e një kasapi. Të gjithë jemi të pazëvendësueshëm, sepse jemi unikë në individualitetin tonë; por disa prej nesh janë më të pazëvendësueshëm se të tjerët.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top