PËR TEATRIN, PREJ NJË PËRKTHYESI

nga Eda Derhemi

Këto ditë kam pritur, me një lloj padurimi dhe ankthi, të reja nga shfaqja teatrale “Maskuar”, dramë e autorit bashkëkohor izraelit Ilan Hatsor, që po shfaqet në teatrin eksperimental Kujtim Spahivogli, pjesë e kompleksit tradicional të Teatrit Kombëtar në zemër të Tiranës. Nuk ka publicitet, as diskutime, as kritikë. Një poster e pak njoftime të përcipta në media, dhe opinione në FB prej aktorëve në dramë.

Për shumë arsye e pres kështu. Së pari, sepse shfaqja “Maskuar” po përdor një hapësirë teatrale zyrtarisht “të mohuar” ose së paku “të diskutueshme” në kuptimin diskursiv dhe real: është në teatrin që është dhe s’është, në një hapësirë surreale; e pres edhe sepse shfaqet në një sallë paralele me destinacionin formal të përkushtuar fillimisht për teatrin, Turbinën. Kësisoj gjithçka që shfaqet në Teatër vihet në opozitë direkte me Turbinën dhe diskursin qeveritar që Turbinën e zbukuron me drita, përkëdheli të ligjëruara, dhe furnizim me shfaqje. Kështu teatri si art popullor bëhet rishtas zëdhënës i Tiranës tradicionale dhe rezistente kundër një Tirane të shërbyer nga lart e të etiketuar si më e mirë, do apo s’do ti. Kështu, një hapësirë teatrore klasike më prestigjioze se Turbina, salla tjetër ku pak më parë përfundoi Festivali mbarëkombëtar teatror [i cilësuar prej të shumtëve si një shfaqje e mediokritetit ku rriten artet tona që katapultohen në skenë në forma skuadronesh për të kompletuar kalendarët zyrtarë ose për të përforcuar ideologji dhe manovra politike e ekonomike], ka një shans të ri t’i tregojë publikut se salla e teatrit tradicional prodhon cilësi. Turbina ka bekimin zyrtar, madje më shumë se bekimin: ka prezencën, publicitetin, mbështetjen e institucioneve. Jam e bindur që Festivali mbarëkombëtar teatror i mbledhur pas 20 vjetësh, me shfaqje që, nga sa lexoj, ishin të përzgjedhura keq, të papjekura e të papërgatitura, është një sajesë e organizuar nga veglat e qeverisë për të konfirmuar dhe normalizuar Turbinën dhe për të mënjanuar e diskriminuar hapësirën në Teatrin e vjetër. Qartësisht ata thonë: mblidhuni këtu, këtu, këtu! “Festë” e pagëzuan festivalin teatror, sado që niveli ishte i trishtuar. Dhe sidomos, mos shkoni ATJE, tek rrënoja propagandistike fashisto-komuniste, shëmtaraqe, që s’i vlen kujt, e që e kanë mbytur minjtë!

Sado transparent, skenari i kësaj “vënieje në skenë” është ngacmues, edhe i dalë boje qoftë. Ndërkaq, është e qartë se zgjidhja e mirë për teatrin që bashkon çdo mendje pa interesa ekonomikë a politikë, do ishte që godina e vjetër të ribëhej duke ruajtur sa më shumë formën dhe kujtesën e saj, Turbina të vazhdonte të funksiononte si skenë multiformëshe spektaklesh të ndryshme, dhe nëse duhej që patjetër ndonjë arkitekt europian me emër, të sillte fluturat e veta moderne në Tiranë, bujrëm[i] edhe atij! Veçse pastaj, për të justifikuar këto hapësira, duhen përgatitur aktorë e regjisorë cilësorë, duhen prodhuar drama e komedi shqip që u flasin shqiptarëve, duhen trimëruar kritikët që kanë frikë të analizojnë, duhen rritur drejtorë trupash që nuk u shërbejnë partive… etj. etj. Ose siç thonë në ca fshatra: ka punë puna!

Më intereson shumë si shkon shfaqja “Maskuar” edhe sepse dy prej aktorëve kryesorë të saj, A. Derhemi dhe A. Trebicka, disa muaj më parë i kthyen krahët Lëvizjes për Mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar, sido që, së paku Derhemi ka qenë energjikisht i lidhur me mbrojtjen e godinës dhe kundërshtar i trajtimit qeveritar të teatrit, kohë para se kjo lëvizje të krijohej. Jam kureshtare sepse nuk isha krejt e qartë për argumentet e grupit fillestar të aktorëve si kundërshtarë të shembjes, dhe as si braktisës të Lëvizjes. Nuk mendoj se i paraqitën ndonjëherë qartë e plotë në krahun racional idetë e veta, sido që emocionalisht qenë gjithë kohën të pranishëm dhe funksionalë. Por, të shohësh këto dy grupe njerëzish, një herë pjesë e së njëjtës forcë qytetare, që deklamojnë në dy mënyra të ndryshme mbrojtjen e së njëjtës pasuri të qytetit, ndërsa e shohin njëri-tjetrin si kundërshtarë kur i ndajnë fizikisht vetëm pak metra, të jep një ndjesi të keqe të mungesës së komunikimit. A shkojnë të shohin teatër ata të Lëvizjes? A rrinë të dëgjojnë ç’thuhet në grumbullin para Teatrit ata të shfaqjes? Po publiku: a shkon nga njëri krah në tjetrin? Apo i tregojnë gishtin e mesit njëri-tjetrit?

Nga reagime të fundit duket se nga kjo Lëvizje mund të shfaqet edhe një Parti. Në atë rast, edhe në paçim një parti të re e kritike, më të drejtë se ekzistueset, nuk ka se si të jetë më lëvizja që nisën artistët. Si shumë lëvizje, ajo po përfundon në diçka tjetër. Do doja që kauza e teatrit (që është edhe kauza e Tiranës), të ishte e artistëve dhe qytetarëve, të mbetej politike pa u bërë politikane. Sepse s’ka parti a politikan që besoj dhe jam skeptike ndaj të ardhmëve. E, as nuk besoj se qeveria do tërhiqet për shembjen; besoj se interesat që luhen aty janë shumë të mëdha, e do sajojnë fishekzjarrë hutues dhe presin me ditë e javë e muaj sikur ta kishin harruar për çastin e duhur, por në fund do bëjnë çfarë duan. Ndaj  besoj edhe se dashuria për qytetin si shtëpia ku njerëzit krijojnë komunitet bazuar në kulturën e mirë, u gëzohen shekujve të shkuar dhe edukohen për vitet që ndjekin, ku ushqejnë barazinë, paqen e vet dhe shpresën për fëmijët, është një koncept që nuk ka tagër institucional tek ne; besoj se zona e teatrit është veç një pjesë e vogël e një plani më të madh për qytetin që është i pamençur, i pabukur, tahmaqar e jonjerëzor.

E kam pritur me padurim e ankth shfaqjen “Maskuar” edhe sepse unë jam përkthyesja e kësaj drame. Ma kërkuan dhe e bëra me dashurinë që çdo përkthyes ka për shkronjat që i bën ushqim e shtrat për aq kohë sa merret, e lufton me to t’i bindë e riformësojë që të japin të njëjtin efekt të origjinalit. Është dramë e vështirë, me shumë energji dhe një kompleks marrëdhëniesh që nisin në një rrugë të gjerë ku ka vend për të gjithë subjektet të ecin për krah, dhe mbaron në një vrimë të ngushtë ku gjithsesi duhet të vazhdojnë të mbeten qenësorë e të dukshëm po aq subjekte e probleme sa në fillim të dramës. Kjo është mënyra se si rritet emocioni, si rëndohet atmosfera aq sa nuk merr dot më frymë, si kalohet nga dialogu i përditshëm në fjalën fatale, nga vëllazërimi në vëllavrasje, nga qarja ndaj pushtuesit në mëkatin vdekatar, nga qetësia e natës prishur nga plumbat, në ferrin e përhershëm të humbjes së njeriut më të afërt si edhe idealit. I gjithë ky ankth që rritet aq sa bëhet makth për spektatorin, jehona indirekte thirrëse ndaj shqiptarit që të mos bëhet vegël politike në këto ditë të vështira, por të ruajë dinjitetin dhe vlerat njerëzore e qytetase, përcillen nga fjala. Dhe unë e bëra fjalën në shqip, dhe pastaj ia dhurova regjisorit dhe aktorëve. Nuk desha asgjë në këmbim, sigurisht, por padyshim nuk mendova se pasi u dhashë pjesën në dorë, e pasi kisha shënuar me naivitet foshnjor sugjerime për regjisorin, aktorët e skenografët (sepse, sipas meje, unë isha Papa i Hatsorit mbi skenë, dhe e njihja dramën më mirë se kushdo tjetër), nuk do më thoshin as urime, dhe as faleminderit pas shfaqjes.

Dita e premierës mbaroi. Pyeta prindët e mi në Skype si doli shfaqja. Ata ishin të entuziazmuar, e nisën të më tregonin se për çfarë fliste drama (?!). Pastaj më thoshin “shumë e mirë, por pak e rëndë si pjesë”. Ime më sa s’qante! Sinqerisht në fillim humba qetësinë. Ata e dinë mirë se dramën e kam përkthyer unë. Përse ma shpjegonin sikur unë të mos e kisha idenë përse flitej?! Ta kishin harruar thua nën magjinë e skenës?! Më bëri përshtypje e njëjta gjë dy javë para shfaqjes kur fola me njërin prej aktorëve që më kish kërkuar t’i përktheja dramën: “është shumë e ndërlikuar historia, dhe ka fjalë thënë në fillim, të cilave veç në fund ua sheh rëndësinë dhe kuptimin, si edhe ngjarje paralele që ndodhin në kohë reale, ndaj vënia në skenë është një sfidë e vërtetë…”. Kështu më tha mua që e kisha krijuar atë dramë në shqip, e, që të lidhja ato situatat e ndërlikuara që tani, me saktësinë e vet, mahnitnin aktorin, kisha ndenjur ditë e netë duke e rrotulluar çikrikun e mendimeve që të gjeja fjalën dhe shprehjen e duhur, e të përcillja intensitetin e tensionin e fuqishëm të dramës. Prita se mos regjisori, Milto Kutali, një burrë i mençur, regjisor i hollë e i zgjuar, do më shkruante një email të më thosh urime edhe mua… që si të isha ndonjë krijesë e letërsisë iluministe, kësaj radhe e kisha shtyrë shpresën përtej kufijve realistë, dhe kisha besuar se meritoja kaq shumë. Pastaj thashë, epo pas premiere e kanë festuar; në mos Miltoja, dy aktorët kryesorë, të njohur e të stërvitur në rutinat teatrale, do më uronin apo falënderonin.

Pastaj e ripashë gjithçka prej një tjetër pozicioni, e ndoshta më afër së vërtetës. Dhe gjithçka u reduktua në një racionalizim drejt problemit sistemik. Çështja është që askush nuk meriton të konsiderohet përgjegjës për ç’më vrau mua. Problemi është shumë më bazal se aq: ai lidhet me mosvlerësimin e përkthyesit në shoqëri, sidomos të atij që përkthen një vepër dramatike me të cilën pastaj ngrihen figura me fytyra aktorësh, që publikët e ndryshëm me të drejtë i njohin më fort sesa përkthyesit. Për fat unë nuk punoj si përkthyese, dhe e mbaj familjen me një tjetër punë. Por ha kompekaj ndonjëherë dhe s’më rrihet pa e kthyer në shqip diçka që e dua shumë kur e lexoj. Dhe, as sot që shkruaj këtë shkrim, nuk jam pishman për këtë. Por dua ta them fort, në emër të atyre që përkthejnë për të mbajtur kalamajtë dhe dinjitetin e vet: shqipes, më shumë se shumë gjuhëve të tjera, i duhen përkthyesit. Duke mos ua njohur vlerën e duke i harruar, bëjmë një padrejtësi shoqërore e profesionale, u japim hapësirë përkthyesve të këqij që shpesh përkthejnë tjetër për tjetër në shqip, kalojnë pa u skartuar dhe u marrin vendin njohësve të mirë të gjuhëve dhe teorive të përkthimit; e sidomos, duke mos vlerësuar përkthyesin, u presim krahët aq e aq veprave të mrekullueshme që duhet të flasin në shqip për shoqërinë tonë, sot ende të egër e të vuajtur.

E mos më pyesni ç’mendoj për dramën “Maskuar”, se nuk e kam parë, nuk ma kanë komentuar, dhe as kam pasur fatin të lëçis ndonjë kritikë që nuk është shkruar ende. Unë thjesht e përktheva.

(c) 2018, autorja.


[i] E kuptoj që këtu ekspertët do më bërtasin se s’marr vesh nga administrimi shtetëror e privat, nga ekonomia dhe llogaritë, nga buxheti problematik shqiptar, dhe se duhet medoemos të ndërtohen Kullat ogurzeza që të paguhen shpenzimet për një teatër të ri. Por s’ka asgjë që më bind se e vetmja mënyrë e qeverisë për të shpëtuar një gjë që ka jetuar me ne për gati 100 vjet, gjë realisht e potencialisht të bukur, është që ta shëmtojmë e përçudnojmë atë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.