PERËNDISË DHE MAMMONIT

nga Arjan Shahini

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, E. Veliaj, ndër të tjera është kritikuar edhe për ekspozimin e pasurisë në veshjen e tij apo të bashkëshortes. Së fundmi vëmendja u përqendrua në një çante shpine që mund të kushtonte disa herë mbi pagën mujore të një banori në Shqipëri. Po përtej hipotezave se ky lloj konsumi i spikatur ka gjasa të mundësohet nga të ardhura të padeklaruara, është interesante të analizohet etika e këtyre individëve si E. Veliaj që dihet botërisht se janë besimtarë të komunitetit fetar të ungjillorëve (protestantëve) në Shqipëri. Se, ndërsa për komunitetet e tjera të krishtera, ku thjeshtësia e përulësia janë veti të dëshirueshme të besimtarit, për ungjillorët duket se është e kundërta. Vënia në pah e pasurisë tregon suksesin e besimtarit dhe fitimin e hatërit të Perëndisë. Për më tepër interesant është aleanca e këtij komuniteti me Partinë Socialiste në Shqipëri[1].

Qasja e ungjillorëve në lidhje pasurinë dhe konsumin e spikatur vjen nga dy ndikime kryesore. Së pari, kjo qasje është karakteristikë e shoqërisë së krishterë evangjeliste amerikane që është zhvilluar në një linjë me sistemin kapitalist të SHBA-së, ku është edukuar plejada e parë e anëtarëve të këtij komuniteti në Shqipëri. Së dyti, kjo qasje është tashmë pjesë e dogmës fetare të shumë grupimeve evangjeliste në Amerikë, që në ndërveprim me sistemin ekonomik të turbo-kapitalizmit kanë zhvilluar të ashtuquajturin “ungjillin e mbarësisë” (prosperity gospel).

Studiues të ndryshëm (K. M. Kruse, One Nation under God, 2015; K. Bowler, Blessed, 2013) vërejnë se morali i krishterë në këtë shoqëri jo vetëm është zhvilluar kah liberalizmit, por edhe ka shërbyer që të justifikojë e ndërtojë etikën kapitaliste në Shtetet e Bashkuara[2]. Sipas Kruse, në mesin e viteve 1920, kapitalistët të frikësuar nga reformat populiste si New Deal, përkrahën pastorin James W. Fifield Jr., që i pasuruar duke u predikuar milionerëve, e trajtonte pasurinë jo si ves, por si virtyt. Nëpërmjet organizatës së tij Spiritual Mobilization (Mobilizimi Shpirtëror), pastori përkrahte një lloj libertarianizmi kristian që kundërshtonte nismat për një shtet të mirëqenies sociale. I mbështetur nga industrialistë si Sid Richardson (Texas, në industrinë e naftës), Billy Graham, një tjetër pastor i famshëm, e përcolli më tej këtë rrymë ideologjike, e cila mbizotëron sot të djathtën e krishterë (Christian Right).

Ndërsa K. Bowler (2013) problematizon pikërisht konsumin e spikatur të (net/tele-)evangjelistëve që kanë shpikur “ungjillin e mbarësisë” (prosperity gospel, shqipëruar “ungjilli i bereqetit” apo “i suksesit”) për të justifikuar më tej këtë aleancë të kapitalizmit me krishtërimin. Predikimi i këtij “ungjilli”, se me lutje arrihet suksesi material, është kthyer në një industri disa miliarda dollarësh. Edhe pse më herët fokusi ka qenë te shëndeti, më pas në vitet 1980, me bekim kuptohet thjeshtë pasuria materiale. Mbi 115 mega-kisha (kisha me mbi 2000 anëtarë), krijesa këto të lidhjes së kishës me Amerikën korporatiste, predikojnë suksesin financiar si bekim të Perëndisë. Lëvizja, sipas Bowler, është derdhur edhe në shumë vende të tjera të botës. Mijëra faqe në internet, programe televizive etj. predikojnë këtë “ungjill”; kuptohet kundrejt një kontributi të konsiderueshëm për pastorin dhe organizatorët, që gjithashtu duan të jenë të suksesshëm e të demonstrojnë bereqetin e tyre material.

Sascha Schneider, 1896. Mammoni dhe skllavi i tij.

Lidhja e Partisë Socialiste me besimtarë të komunitetit ungjillor që kanë ambicie politike është pra paksa e çuditshme.  Bazuar mbi historinë e Partisë Socialiste që dikur i persekutonte besimtarët, por edhe duke vërejtur lëvizjet e disa konservatorëve në Partinë Demokratike në Shqipëri, sidomos ata që përkrahin D. Trump dhe të djathtën e krishterë në SHBA, do të ishte me vend që ungjillorët të afroheshin me Partinë Demokratike. Shumë kisha në Shqipëri jo vetëm predikojnë dogmat fetare të përgatitura e autorizuara nga kishat mëmë në SHBA, por edhe janë të lidhura financiarisht me to për mbijetesën e tyre, ndaj për aleancat politike duhet të ketë një lloj miratimi nga jashtë. Por ndoshta këtu luajnë rol të rëndësishëm agjenda neo-liberale e qeverisë, njohjet e lidhjet personale ndërmjet brezit të parë të ungjillorëve, si edhe mundësitë për të realizuar ambiciet politike nëpërmjet këtyre lidhjeve. Nga ana tjetër, këta misionarë e dishepuj të “libertarianizmit të krishterë” amerikanë mund të jenë pikërisht aleatët e duhur të një partie që ka mbledhur në të e rreth vetes disa prej milionerëve të pakët të Shqipërisë, ndër ta edhe ata që i kanë grumbulluar ato miliona nëpërmjet krimit. PS-së, këta i duhen jo vetëm për të maskuar fytyrat e vjetra me imazhe të rinjsh e modernë, por edhe për të rritur besueshmërinë te e Djathta e Krishterë në SHBA në kuadër të legjitimimit të pushtetit nga jashtë.

Aleanca të tilla politike e ekonomike janë interesante për tu studiuar edhe në komunitete të tjera. P.sh. edhe në komunitetin mysliman ka nisur gjithashtu një lëvizje e ngjashme që e konsideron suksesin financiar dhe ekonomik si virtyt. Por këta janë komunitarianë, jo libertarianë (nëse do t’i ndanim sipas kampeve politike). Lëvizja përfaqësohet nga një prej grupeve të tarikatit sufi të Nakshibendive (naqbashandi, në Turqi njihen si tarikati i naqbashndi-khalidi,  mjedis fetar-ideologjik ku bën pjesë edhe partia e T. Erdogan në Turqi, AKP – Partia për Drejtësi dhe Zhvillim)[3]. Por në dallim nga protestantët në SHBA, prej të cilëve duken se këta kanë kopjuar shumë nga instrumentet politike dhe zelli sipërmarrës, anëtarë të këtij grupimi, (njohur si “nurxhinj”, dritë-kërkues, nga Said Nursi, apo “gylenist”, nga lëvizja Hizmet e Fetullah Gülen), kanë si kut matës suksesin e kolektivit dhe jo të individit. Kjo edhe për shkak të dogmës fetare të sufive. Suksesi financiar është virtyt kur nga bereqeti mundësohet ruajtja e dinjitetit të besimtarit (liria e besimit, siguria ekonomike etj.) dhe përfiton ekonomikisht i gjithë komuniteti.

(c) 2019, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Mendoj se, aleancat e komuniteteve fetare me parti apo grupe të ndryshme politike janë pjesë e lojës/konfliktit të natyrshëm në shoqëritë demokratike, dhe komunitetet fetare nuk duhen paragjykuar aspak për zgjedhjen e mënyrës dhe kanalit të tyre të përfaqësimit.

[2] Një përmbledhje të shkurtër të literaturës mbi ndërveprimin e kishës protestante me liberalizmin e gjeni te Elizabeth Bruening (The New Republic, 2015).

[3] shih Hakan Yavuz në dy librat e tij mbi islamin politik në Turqi. Yavuz, M. H. (2013). Toward an Islamic enlightenment: The Gülen movement. New York: Oxford University Press.; Yavuz, M. H. (2013). Toward an Islamic enlightenment: The Gülen movement. New York: Oxford University Press.

Fotoja ilustruese: Bernardino Mei, 1655. Jezusi pastron tempullin. Getty Museum. Shih: http://www.getty.edu/art/collection/objects/542/bernardino-mei-christ-cleansing-the-temple-italian-about-1655/.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top