KRUSHQI TË ZEZA, VOTA TË BARDHA

Më pëlqen të lexoj komente ndaj nismës së votës së bardhë, kritikat, dhe mbështetja secila ka vlerën e vet. Por sikurse ju vendosët fjalen ‘mirëpo ‘ pasi treguat zhgënjimin ndaj koalicionit të zyrtarizuar tashmë Rama &Meta edhe unë nuk mund të mos jap ato mirëpo-të e mija në lidhje me parashikimet që bëni ju ndaj votës së bardhë.
Ju Z. Vehbiu shkruani se problemi më i madh i Shqipërisë, i shoqërisë shqiptare, dhe i politikës shqiptare është Sali Berisha me të vetët. Un them në momentin ku ne i veshim me etiketa personale këto fenomene që në atë moment ne gabohemi në diagnozë. Për mua problemi i vërtetë nuk është vetëm Berisha me të vetët, por kjo lloj kulture e instaluar në praktikat partiake që realisht shprehet me anë të një neo autarkizmi, patronizimi, klientelizmi e servilizmi, rrjedhimisht mungesën e demokracisë brenda partive e cila sipas meje është nje lloj ADN-je e përbashkët për të gjitha partitë që ofrohen aktualisht.Sa bukur do të ishte që vërtet një individ me emrin Berisha të ishte problemi ynë, më duket shumë e bukur për tu besuar.
Megjithëse zgjedhjet që po afrohen mund të jenë shansi i vetëm për ta larguar atë dhe grupin e tij me mjete demokratike un sërish do votoj në të njejtën mënyrë sic kam votuar që nga 2007. Vizë të gjithëve! Un nuk shoh të keqe më të vogël, por thjesht një rotacion fizik si fitore në rastin më të mirë, jam dakord ndërkohë që më mirë një rotacion fizik sesa asnjë, por përtej kësaj un nuk mund të votoj duke bërë kalkulime partiake. E vërtetë gjithashtu se ka mundësi që indinjata për aleancën Rama – Meta të ketë zhvendosur disi fokusin, por kjo varet në ç’këndvështrim shihet. Në fund të fundit përse duhet të shqetësohem unë për partitë dhe elektoratin e tyre, që kur është qytetari ai që duhet të mendojë për partitë? Duhet të jetë e kundërta, janë partitë ato që me platformat e tyre, aleancat e më gjerë duhet të bindin elektoratin. Përse duhet të shqetësohem unë për parti që nuk më kanë përfaqsuar kurrë ? Këtë temë e kam trajtuar mire këtu dhe këtu dhe nuk më shtyu pazari i fundit për të votuar në këte mënyrë.
Shumë nga ne që e ndërmorëm këtë nismë u identifikuam thuajse si shtetas që nuk kanë votuar asnjëherë edhe pse kishin të drejtën e moshës, por nuk votuan pikërisht sepse nuk kanë besuar tek ofertat e deritanishme, ose si unë që historikisht i vë vizën të gjithëve duke pasur të njëjtin efekt, ( pavlefshmëri ose bojkot që mund të përkthehet në indiferencë).
Tek PS-ja nuk kam parë programe të besueshme, mos harrojmë se në zgjedhjet e fundit u paraqit pa program, ato 1000 faqet e reklamuara dolën një gënjeshtër. Mungesa e theksuar e demokracisë brenda kësaj partie, ku akoma arnohet me kandidatë për deputëtë të marre nga shoqëria civile dhe media, vetë rizgjedhja e tij si lider sikurse dhe mungesa reale e dorëheqjes pas humbjes së 2009 tregon qartë dinamikën brenda kësaj partie. Opozitarizmi pa vizion dhe së fundmi vulosja e një aleance që sigurisht nënkupton pazare të reja në dëm të Shqiptarëve e vulos edhe më mirë dëshirën për pushtet perkundrejt asaj për të sjellë ndryshime në këtë vend.

PD nuk do e votoj sikurse nuk e kam votuar, për arsye që dihen tashmë nëse fola për mungesë demokracie në PS, PD-ja ështe shembulli tipik i një partie autarkike. Imazhi në çdo shfaqje e ka emrin Berisha. Për nga performanca qeverisëse: qeverisja e kesaj partie është e karakterizuar prej dritshkurtësisë, korrupsionit gangrenë, servilizmi i institucionalizuar që ka prodhuar vetëm kukulla që tundin kokën para Berishës, gjyqësori I degraduar flasin qartë. Në aleancat partiake dëmin më të madh ia solli këtij vendi në bashkëpunim me LSIne. I dha një shkelm të mirë edhe shendetësisë, edhe METE-s etj etj. Besoj ama se me ikjen e tij PD-ja do shfryhet si një tollumbace, pasi vetë sulltanizmi i tij në këtë institucion ka legjitimuar më shumë se çdo lider veten e tij si profet. Patjetër nëse mundet të shtrohet pyetja pse nuk votoj PS-në, në rastin e PD-së as nuk shtrohet fare si pyetje.
Në lidhje me FRD, e kam theksuar dhe e theksoj, në momentin kur një parti krijohet në baza jo demokratike ajo ka shanse minimale të funksionojë si e tillë sidomos kur si lider kemi një figurë e cila ka qenë nën kryetar i PD-së për nuk e di sa vite, duke e parë në këtë kuadër pra partitë që indentifikohen me liderin ky lider nuk me ngjall asnje shpresë. Themelimi I partiësë në mungesë të tij ndërkohë që ai kishte një tjetër pozicion, dhe zgjedhja e tij si lider pikërisht nga mbështetësit e tij ish PD-sist ,edhe pse te dekoruar si grupim me disa figura te reja që mbase dhe meritojne , nuk më bind (performanca e tij si president ishte një dështim).
Për AKZ nuk dua të humbas kohë të shkruaj. Një lëvizje sharlatane dhe shpërlarëse truri variant i butë i Agimit të Artë Grek në Shqipëri.
Ndaj, ajo që na shtyu të ndërmarrim këtë nismë ështe tranzicioni i pafundëm nga post komunizmi në demokraci, dhe shohim se nuk ka asnjë shpresë, jemi pakicë mbase por dhe si e tillë kërkojmë të identifikohemi, kërkojmë të ekzistojë në zgjedhjet e ardhshme alternativa e fundit “asnjerin nga te mësipërmit”.
Ftesa e e votës së bardhë nuk ka ndonjë pretendim për tu bëre massive edhe pse sipas një studimi serioz 47% e shqiptarëve nuk ndihen të përfaqësuar nga asnjë parti, ka një pretendim për tu identifikuar ama, dhe besojmë se identifikimi ka nje vlerë shumë të madhe në këtë kontekst ku jemi. Ne nuk po bëjmë fushatë, duam ama që me këtë lëvizje të deligjitimojmë ata që pretendojnë se na përfaqësojnë sado pak të jemi ne. Duam tu themi atyre tashmë të zhgenjyer si ne që ka një mënyrë për të shprehur indinjatën tonë, ata pak njerëz të angazhuar politikisht, që janë neveritur nga lëvizja e tanishme PS &LSI mbase do pretendonin ti bojkotonin zgjedhjet meqë ndihen kësisoj, përkundrazi ne I ftojmë qe të mos i bojkotojnë por të shprehen. Në këtë rast vetë vota e bardhë që tek ne do vije përmes një katranosjeje të mirë te fletës do te rriste pjesmarrjen në votim ( jo se e kemi të ulët në raport me rezidentët e këtij vendi por gjithsesi sado e vogël si % do të kisht një efekt pozitiv). Mund të kesh të drejtë që votues të votës së bardhë do të ishin kryesisht të PS-së .. por ky nuk përbën problem sipas meje, jam e sigurt se dhe shumë të djathtë janë të indinjuar nga vetë bashkëpunimi me LSI-në këto 4 vite, por sërish mos mbase duke shkuar drejt ‘të keqes më të vogël’ ne vetë po legjitimojmë pandëshkueshmërinë edhe në të vetmen ditë në 4 vite ku kemi shansin të shprehemi në mënyrë të sinqertë?
Un nuk dua të votoj për të keqen që mirmbajmë në përgjithësi, dhe për mua është krijuar një qark vicioz në politikën e sotme që sido qoftë si produkt ka vetëm partitë autokratike.

Sigurisht kjo nismë nuk është pjesë e fushatës se PD-se, nuk e kuptoj këtë “prisoner’s dilemma” ndërkohë që kjo nismë ka ardhur nga nje grup të rinjsh pa asnjë lidhje me cilëndo parti. Kjo nismë sigurisht kërkon të ushtrojë votën e protestës ndaj të gjithë klasës politike, nuk bëhet fjalë për moral, por kryesisht bëhet fjalë për alternativa boshe dhë pazare politikë, për klane tribale dhe kuzhina komedish aligeriane brenda ketyre partive. Pasoja më e madhe për mua dhe shumë nga ne që kemi zgjedhur këtë mënyrë votimi është të qëndrojmë në heshtje, edhe njëherë sa të kalojmë Berishen .., mbase herën tjetër edhe njëherë pasi të kalojmë Ramën, mbase kush e di cfarë arsyeje tjetër do na mbajë sërish për të mos kaluar në një shprehje të koordinuar të votës së bardhë, pastaj kur do e kemi bekimin përt të ndermarrë këte nismë?

Sikur të bëhej fjalë për alternativa A, B, C.. .por këtu bëhet fjalë për pazaret A, B, C. Un do të votoj bardh me anë të kryqit me synimin që në të ardhmen kjo kutizë të ekzistojë si alternative në fletët e votimit, në këtë vend ku protestën e kanë vrarë partitë e OJQ-të, shpresën po ashtu, refuzoj që të më vritet dhe e drejta për të protestuar me anë të votes.

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top