PËRTEJ EVAZIONIT

nga Gjilpëra

Nëse Ministri i Financave vërtet mendon se mund të mbledhë 330 milionë dollarë për buxhetin e tij të ardhshëm nga sipërmarrja private, nëpërmjet aksionit anti-informalitet dhe anti-evazion, pa dëmtuar me këtë rëndë rritjen ekonomike, pa shkaktuar largim masiv të kapitalit nga vendi dhe rritje të papunësisë, atëherë kemi të bëjmë ose me një optimist të pandreqshëm ose me një politikan naiv.

Dhe, në qoftë se ai dhe Ministria e Financave ia arrijnë vërtet këtij qëllimi brenda muajve të ardhshëm, atëherë ky aksion mund të kthehet në çartisjen më të madhe ekonomike-financiare në Shqipëri, pas Terapisë së shock-ut të viteve ’90.

Paniku në Ministrinë e Financave është i kuptueshëm. Në mes të vitit fiskal MF konstatoi papritur që, deri në fund të vitit, do të mungojnë rreth 250 milionë dollarë të ardhura nga tatimet dhe doganat, ose rreth 7% e buxhetit total, si shtesë mbi deficitin e parashikuar 3.8%. Po dhe rezultatet e korrikut për buxhetin ishin aspak më të mira se ato të 6 muajve të mëparshëm. Po dhe FMN-ja që u largua pa miratuar këstin e radhës së kredisë.

Shtoju këtyre dhe acarimin akut të krizës së vendeve në zhvillim, në tregjet ndërkombëtare këto javët e fundit, bashkë me arratinë masive të kapitaleve nga këto vende. Bashkë me uljen rekord të çmimit të naftës në javët e fundit, në nivele të papara që nga kriza e 2008-’09, po ashtu dhe me çmimet e lëndëve të tjera të para dhe atyre bujqësore. Normale pra, që në Ministrinë e Financave të punohet me “orar të zgjatur” këto ditë.

Edhe pse kjo gropë financiare, në buxhetin e rishikuar para pak ditësh, u mbulua nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve dhe investimeve të parashikuara, duket se kjo rënie e të ardhurave është konsideruar nga MF – ndoshta dhe nën presionin e FMN-së dhe nisur nga zhvillimet negative aktuale në tregjet ndërkombëtare – jo si një përjashtim i rastësishëm (“one-off”). Por si një deficit i vazhdueshëm në 6-mujorin e dytë dhe në vitet e ardhshme, që ka lidhje me uljen e rritjes ekonomike të vendit në 2015 dhe më pas – vetë MF e korrigjoi me ulje rritjen e pritshme ekonomike. Çka jo vetëm që “i lidh duart” qeverisë për të përmbushur premtimet elektorale por, nëpërmjet shkurtimit të investimeve publike, edhe e rëndon më tej ekonominë, tashmë në krizë disa vjeçare.

Prej këtej, lufta kundër informalitetit dhe evazionit fiskal duket se ishte mundësia e vetme që i ngeli Ministrisë për të mbyllur hendekun e pritshëm të të ardhurave. Dy rrugët e tjera – rritja e taksave mbi të ardhurat personale sipas propozimit të FMN-së dhe rritja e borxhit publik – ose u hodhën poshtë për arsye politike, ose niveli aktual i borxhit thjesht nuk e lejon rritjen e mëtejshme.

Që informaliteti bashkë me evazionin në ekonominë private në Shqipëri janë në nivele të frikshme, kjo është e njohur; shifra 50% në qarkullim ka gjasa që të jetë shumë afër realitetit. Po dhe konsiderimi i taksave në Shqipëri si haraç, dhe jo si “kosto e qytetarisë”, edhe ky është mentalitet i njohur po ashtu. Po dhe që ky operacion është i vonuar – të paktën 10 vjet me vonesë – edhe kjo dihet.

Që biznesi duhet të paguajë pjesën që i takon të taksave dhe tatimeve, që kasat fiskale duhet të përdoren nga çdo sipërmarrës dhe për çdo klient, këto janë sa të vetëkuptueshme, aq dhe të domosdoshme. Jo vetëm për funksionimin normal të shtetit dhe për mbrojtjen e sipërmarrjes së ndershme, por dhe për vendosjen e drejtësisë fiskale dhe për ruajtjen e ekuilibrave social në vend.

Për më tepër që biznesi – sidomos ai i madh – është dhe përfituesi i parë dhe më i madh i 25 viteve tranzicion (të dytë janë politikanët!): përfitues nga privatizimet xhaba ose nën vlerë të viteve ’90, nga kaosi në dogana, tatime dhe në institucionet e kontrollit dhe rregullimit të territorit në vitet më pas, nga tatimi i sheshtë shumëvjeçar, nga injorimi i detyrimeve dhe nëpërkëmbjes së të drejtave të punonjësve të tyre. Dhe, thënë hapur, më shumë se një model ekonomik të tipit “blej-këtu-dhe-shit-aty” dhe “ndërto-pallate-dhe-supermarkete”, biznesmenët shqiptarë nuk ishin në gjendje që t’i ofronin shoqërisë shqiptare. Shpërdorim në masë i kapitalit, i cili sigurisht, as u krijua, as u shtua prej tyre.

Shumë arsye pra, që veçanërisht sipërmarrja e madhe të paguajë detyrimet e saj ligjore kundrejt shtetit, ashtu si i paguajnë nëpunësit dhe punonjësit, të cilëve taksat ose u hiqen direkt nga rroga, ose iu duhet që t’i paguajnë bashkë me çmimin e mallrave, nëpërmjet TVSH-së.

Megjithë drejtësinë e padiskutueshme të kësaj nisme, momenti i zgjedhur për fillimin e fushatës është shumë delikat: ekonomia është prej vitesh në vështirësi dhe, nëse të dhënat e 6-mujorit të parë merren për bazë gjykimi, kriza është thelluar më tej. Po ashtu, efektet fillestare të fushatës mbi ekonominë do të jenë shtrënguese – nga sipërmarrësit kjo mund të shihet si një lloj “takse” shtesë, edhe pse në fakt, ajo nuk është e tillë. Në kushtet e krizës, aksioni anti-evazion mund të shtyj një pjesë të konsiderueshme të sipërmarrjeve, ato që punojnë në kufi të rentabilitetit (“break-even”), drejt falimentimit dhe mbylljes.

Kjo mund të jetë e vërtetë sidomos për biznese të vogla, të cilat praktikisht veprojnë në kufirin e mbijetesës dhe për ato, taksat e papaguara ndaj shtetit janë në fakt “fitimi” i vetëm nga biznesi. Si të thuash, evazioni është për këto firma një lloj subvencionimi nga ana e shtetit, që këto biznese të mos mbyllen dhe të punësuarit aty të mos kthehen në të papunë. Se sa sipërmarrje të vogla janë në këtë gjendje, kjo është e pamundur të thuhet sot. Por jo më vonë se pas 3 deri në 6 muaj fushate anti-evazion “gjërat” do të jenë qarta.

Por dhe te biznesi i mesëm dhe ai i madh – sidomos te ato që kanë kryer evazion fiskal masiv në të shkuarën dhe që i tremben më shumë kapjes dhe detyrimit për të paguar çdo gjë të fshehur deri tani – ekziston rreziku falimentimit të qëllimshëm, edhe nëse biznesi është fitimprurës, për zhdukjen e dokumenteve dhe për t’iu shmangur detyrimeve të prapambetura, gjobave apo përgjegjësisë penale.

Në këtë fushatë duhen menduar dhe llogaritur mirë jo vetëm rezultatet e pritura – rritja e të ardhurave në buxhet dhe me to, edhe ulja e borxhit – por sidomos dhe ato të papritura: ndikimi mbi rritjen ekonomike, mbi papunësinë dhe po ashtu mbi strukturën e ekonomisë: nëse anti-evazioni çon në eliminim në masë të sipërmarrjes së vogël, përfitues përfundimtar nga ky proces i bie që të jenë përsëri biznesi i madh dhe oligarkët, siç ka ndodhur gjatë gjithë tranzicionit.

Në këto kushte, një qasje e kujdesshme dhe graduale e Ministrisë së Financave në luftën kundër evazionit dhe informalitetit do të ishte strategjia më e mirë në arritjen e eliminimit afatgjatë të evazionit, por dhe për të mos asfiksuar më tej ekonominë shqiptare në krizë. Aksione anti-evazion të tipit  “shock-therapy” apo në formën e një “gjuetie shtrigash” – këto janë gjëja më e fundit që i duhen ekonomisë shqiptare sot. Dhe që duhen shmangur me çdo kusht. Edhe pa këto ekstreme, lufta anti-evazion ka për ta rënduar ekonominë në një periudhë afatshkurtër dhe ndoshta më tej, me riskun e madh që brenda 6 apo 12 muajsh Shqipëria të përfundoj në recesion dhe të ardhurat nga operacioni fiskal të “hahen” nga rënia ekonomike.

Suksesi apo dështimi politik i fushatës do të varet në radhë të parë nga mënyra se si do të zbatohet ky proces: transparent dhe i paanshëm apo politik dhe selektiv; i fokusuar te evidentimi dhe ndëshkimi i kapove e vërtetë të evazionit apo thjesht aksion sa-për-sy-e-faqe, duke goditur peshqit e vegjël dhe duke mbrojtur oligarkët e ekonomisë.

Për më tepër, siç e theksonte me të drejtë Pishak Zhgaba te shkrimi “AKSION KUNDËR ÇORODITJES”, një temë kaq e rëndësishme si kjo e ekonomisë informale kërkon detyrimisht dhe dialogun dhe mundësisht, edhe konsensusin me opozitën, nëse qeveria do vërtetë, që kjo fushatë të shkoj përtej një aksioni të radhës.

Kredibiliteti dhe serioziteti i qeverisë në luftën anti-evazion do të duken, në radhë të parë, nëse ajo është gati të përfshijë në këtë proces sipërmarrjet private të deputetëve të saj dhe të afërmve tyre. (Po. Edhe për bizneset e Koços e kam fjalën këtu.) Dhe së dyti, nëse ajo e vë fokusin te ato biznese të mëdha në ato sektorë ekonomik, në të cilat është (për)fituar më shumë gjatë tranzicionit ose ku mendohet të ketë evazion më të rëndë: nafta, mineralet, televizionet e mëdha private, telekomunikacioni, tregtia me shumicë.

Ndërsa për suksesin financiar të kësaj fushate, për këtë dyshimet janë të lejuara. Së pari, është e vështirë që të luftosh evazionin fiskal, kur tatimorët i ke të korruptuar. Eliminimi i korrupsionit në radhët e administratës tatimore është vendi se ku duhet filluar: ndalimi i punonjësve të Tatimeve që të përpilojnë bilancet për firma private (të cilët i kontrollojnë po vetë më pas), miratimi i masave administrative për ata që vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë dhe i masave penale për ata tatimorë të cilët, kundrejt shpërblimit, mbyllin sytë apo gojën para informalitetit dhe evazionit.

Së dyti, është e vështirë të luftosh evazionin, kur kontrolluesve te Tatimet u mungon ekspertiza se ku të kërkojnë, si të analizojnë shpenzimet dhe bilancet, dhe si të vërtetojnë evazionin fiskal. Jo shumë vite më parë, ministri i atëhershëm i Ekonomisë deklaronte – në stilin e zyrtarit të një republike bananesh – që qeveria nuk kontrollonte dot, nëse bilancet e kompanive të prodhimit të naftës në vend ishin të rregullta apo abuzive, pasi nuk ka ekspertizë, me rezultatin që këto kompani nuk kanë paguar asnjëherë (!) tatim mbi fitimet e realizuara në Shqipëri:

Ne aq i kemi njohuritë tona në këtë fushë dhe është Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve që i mbulon këto. Kemi bërë kontrolle të vazhdueshme, por tregu është i tillë, njohuritë tona janë të tilla në fushën e hidrokarbureve, që nuk kemi arritur dot të bëjmë një kontroll të saktë.”

Së treti, evazioni nuk mund të luftohet sa kohë që llogaritarët dhe bilancierët e pavarur vazhdojnë që të përpilojnë bilance të dyfishta për sipërmarrjet private, pa patur frikë nga kapja dhe ndëshkimi ligjor.

Sigurisht që suksesi do të varet dhe nga seriozitetit i përgatitjes dhe i zbatimit në terren të masave anti-informalitet dhe anti-evazion, nga fokusimi dhe vazhdimësia e kontrolleve, nga masat ndëshkuese administrative dhe penale etj.

Por në radhë të parë, suksesi i saj do të varet nëse qasja ndaj informalitetit dhe evazionit bëhet politikisht e paanshme, financiarisht e kujdesshme, jo me “dorë të rëndë”, por qasje graduale dhe afatgjatë, pa pritshmëri shifrash absurde dhe rezultatesh të shpejta. Edhe pse sasia e të ardhurave shtesë në buxhet do të jetë e rëndësishme, suksesi i fushatës mund të matet vetëm në një hark kohor shumëvjeçar, nëse pas 5 apo 10 apo 20 vjetësh informaliteti eliminohet plotësisht dhe evazioni arrin të ulet në nivelin e ekonomive të vendeve të zhvilluara.

Në të kundërt, fiaskoja do të jetë e programuar dhe rreziku është i lartë, që së shpejti të zbulojmë se ekonomia shqiptare, përtej informalitetit dhe evazionit, ka shumë pak rrënjë dhe akoma më pak substancë.

© Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një administratori të blogut.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.