Peshkopia, qyteti në agoni

Bujar M. HOXHA

 

PESHKOPIA, QYTETI NË AGONI

Bujar Hoxha

Bujar Hoxha

Qyteti i ngjan një përshkrimi të Markezit… Rrugët, pluhuri, njerëzit, zbrazëtia, heshtja, të gjitha të duket sikur i përjeton në një vepër të tij.

Vdekja ka kohë që ka afruar, mbetet vetëm që ajo ta pushtojë me të dhënë shpirt dhe i fundit ish-banor i qytetit të vjetër, të atij plot dritë, plot pastërti, tërë gjallëri, me djem e vajza për t’i patur zili, me gjelbërim e erë bliri pa fund.

Në agoni është Peshkopia, në agoni duken të jenë njerëzit, ndërtesat, gjithçka e përbën një qendër të madhe të banuar.

Qyteti po shndërrohet në varrezë, ndërsa varreza është shndërruar në qytet. Ti i hedh hapat pa zemër, ngurrues, ndërsa ngado sheh një gri mjeruese. Kërkon të gjesh diçka nga fëmijëria, nga rinia, por më kot… I lebetitur kërkon ta kthesh pas të shkuarën, por nuk mundesh. Veçse ka një zgjidhje: shko në varreza!

Aty është qyteti i dikurshëm. Aty mund të ndeshësh ata me të cilët je rritur, ata që i ke dashur e ata që nuk i ke honepsur, ata me të cilët je përqafuar e ata me të cilët je zënë, dashuritë e shkuara, por edhe urrejtjet e shkuara. Aty je ti, edhe pse është thjesht çështje kohe kur do bashkohesh me ta. Me qytetin ku jetohet sot nuk të lidh asgjë. Eshtë çështje kohe kur ti të mos guxosh më as të hedhësh këmbë në atë vend.

Dikur, kur qyteti niste e shfaqej në horizont pas udhëtimit të gjatë, pritja ishte e mundimshme për t’iu afruar sa më pranë, për t’u gjendur në të.

Ishte provincë, por një provincë e tillë ku vërtet dëshiroje të jetoje. Ai qytet i vogël kishte gjithçka, jetën e gjallë, njerëzit e gjallë, kulturën, sportin, bulevardin, blirin, trëndafilin, hijeshinë, pastërtinë, bujarinë e mikpritjen. I ardhuri e ndjente menjëherë veten në shtëpi nga krahëhapja.

Qyteti ishte i shtresëzuar, çdokush gjendej në vendin e vet! Një rregullsi e pashkruar e mbante atë në binarë, për të mos shkelur askush përtej cakut të lejuar.

Me një industri të lehtë të përparuar për kohën, me llixhat e njohura, por edhe me jetën kulturore e sportive, Peshkopia ishte një vend ku ta kishte ënda të jetoje.

Dilemat ishin të vogla, por të këndshme. Të shkoje në kinema, në teatër, në një shfaqje estrade, apo ta kaloje mbrëmjen në të zakonshmen shëtitje në bulevard, të ndiqje një ndeshje futbolli apo volejbolli, t’i kaloje orët mes leximit apo t’u bashkoheshe shokëve për t’u freskuar në ujërat e Drinit, të rrëshqisje me ski apo të qëndroje mes të ngrohtit përkëdhelës të sobës dhe kërcitjes së gështenjave tek piqeshin, të prisje në qoshe të rrugës të kalonte princesha e ëndrrave të tua apo të meditoje për të në të voglën shtëpi.

Tollovia do të niste në fillim të viteve ’90 të shekullit të shkuar, ndërkohë që rrëkeja e ndryshimit merrte përpara gjithçka.

Së pari qenë dyert e hapura të emigracionit, të shoqëruara me bartjet brenda vendit. Qytetarët filluan ta linin qytetin një nga një, edhe pse ikja do të ishte e ngadaltë gjer në 1997-tën famëkeqe.

E bashkë me ikjen, po zinin vend shëmtitë ndërtimore, që nuk kanë të sosur as sot. Vetëm në Peshkopi mund të ndeshësh ndërtesa me shtesa para e prapa, anash e lart!

Nuk ishte çizmja e gjermanit që po e kthente në pluhur gjithçka, ishte tjetër çizme…

Qyteti po shformohej dalëngadalë, por pakthyeshëm. Njerëz iknin, njerëz vinin, qyteti zbrazej, qyteti mbushej.

Tani ti je i huaj, askush nuk të njeh, askënd nuk njeh. Peshkopia nuk është më qytet, por nuk është as fshat. Katrahurë është fjala që i shkon më për shtat! Njerëz që thjesht gjallojnë!

Bashkë me autoktonët, me gjelbërimin, me agimin e papërsëritshëm, me buzëmbrëmjen magjepsëse, janë zhdukur dhe dilemat. Kush i ka mbijetuar së sotmes tragjike, ka vetëm një alternativë: ta japë frymën e fundit bashkë me qytetin, ose t’ia mbathë pa kthyer kokën prapa.

Bukuria ia ka lënë vendin shëmtisë, gjelbërimi ia ka lënë vendin pluhurit, rrugët e pastra ia kanë lënë vendin baltës…

Peshkopia ishte mbase i vetmi qytet që kërkonte veç mirëmbajtje, por kush e drejtoi atë bëri krejt të kundërtën. Prandaj nuk vlen më kush zgjidhet për ta qeverisur. I majtë a i djathtë, zemërndezur apo zemërfikur, me parime apo pa parime, me moral apo pa moral, qeverisësi i Peshkopisë është i kapitulluar që në ditën e parë të punës. Sepse qyteti është shkatërruar pakthyeshmërisht!

Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar… Të ishte gjallë Markezi, e të kishte mundësi ta shihte Peshkopinë e sotme, mbase do të nxirrte një tjetër perlë, një tjetër kryevepër, nga dora e tij.

 

Burimi: http://tesheshi.com/nga-bujar-m-hoxha-peshkopia-qyteti-ne-agoni/

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.