PLLAKA E SKURËS

Ashtu më rastisi, që lajmin se pllaka e kalasë së Lezhës, me mbishkrimin përkujtues të rindërtimit të saj, ishte dëmtuar sërish mbrëmë gjatë natës, ta lexoja njëkohësisht me lajmin tjetër, se xhihadistët e ISIS-it kishin shkatërruar një monument në qytetin e lashtë të Palmyra-s: harkun e triumfit.

Nuk gjej dot ndonjë dallim thelbësor mes motiveve të njërës palë dhe të tjetrës, të cilat inatet moderne ua kanë kthyer gurëve që nuk u kundërshtojnë dot; dhe që duan të fitojnë luftrat e sotme duke i vënë minat së shkuarës, ose së paku asaj pjese të së shkuarës që kujtojnë se “nuk u përket.”

Ndërkohë në shtyp dëgjon të shkruhen të lara e të palara, nga autorë që e dinë se janë duke nxitur turmat, kushedi që duan pikërisht të nxitin turmat, në çfarë do të ishte ekuivalenti made-in-Albania, i një xhihadi në sordinë, të konsumuar si në një teatër hijesh.

Në zjarr e sipër, është harruar se kjo pllakë e uruar ka qenë e ekspozuar te kalaja e Lezhës për një kohë të gjatë, 4-5 shekuj, dhe nuk e ka prekur kush; madje edhe në kohën kur pavarësinë Shqipëria sapo e kishte fituar dhe kujtimi i hidhur i sundimit osman ishte fare i freskët.

Pllaka ka qenë atje, pjesë e një kalaje, të cilën osmanët e rindërtuan njëlloj si ç’bënë me shumë kala dhe fortifikime të tjera në trojet shqiptare dhe gjetiu në Ballkan. Se pse dhe si u shkatërrua ajo kala, nuk është e qartë, të paktën për më skeptikët mes nesh; por nuk më duket me gjasë që osmanët të kenë rrafshuar një kala të cilën e morën pa luftë – me sa thuhet (“pa luftë” nuk do të thotë, natyrisht, “pa gjakderdhje”); dhe ka të dhëna që ajo të ketë qenë gërmadhë që në fund të shekullit XIV. Por nuk po diskutojmë për këtë punë këtu, se po e vazhduam edhe më tej, do të dalim te Damiani i Aurel Plasarit.

Edhe vendosja e pllakës, këtu e pesë shekuj më parë, përbënte një gjest rutinë, të cilin e gjen në gjurmët e lënë poshtë e lart Europës nga çdo perandori; sikurse ka qenë rutinë që perandorët dhe sulltanët të mburreshin dhe të merrnin kredit për vepra të mëdha publike.

Aq zhurmë kanë bërë frymëzuesit e vandalëve në mediat, sa kanë arritur të kthejnë opinionin publik deri edhe kundër Ministres së Kulturës, Kumbaro, duke e akuzuar se “tani na la dhe pa Skënderbe!”[1]

Mirëpo nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në atë pllakë, as në restaurimin e saj; një veprim rutinë, që është shfrytëzuar nga forca të errëta, që duan të imponojnë një vizion të tyre manikeist për historinë.

Pllaka të tilla i gjen në monumente të periudhës osmane anembanë Shqipërisë, nga Shkodra në Tepelenë, nga Durrësi në Elbasan e gjetiu. Ato janë ruajtur me kujdes, si dëshmi të së shkuarës që nuk e zhbëjmë dot më edhe po të duam.

E veçanta e kësaj pllake të Lezhës, është se atje përmendet Dervish Mehmed Skura, një anëtar i familjes së njohur Skura dhe, pas gjase, edhe themeluesi i Xhamisë së Plumbit në Berat (Machiel Kiel, Arkitektura osmane në Shqipëri, 1385-1912).

Ja ç’më shkruan në privat një mik dhe koleg:

Mehmed Beu nuk është arkitekti i riparimeve në kalanë e epërme të Lezhës, por fisniku nën adrimistrimin e të cilit janë kryer punimet riparuese në kala gjatë mbretërimit të sulltan Sulejmanit.

Mehmed Bej Uzguroglu është anëtar i famijes së Uzguroglu-ve, emri i së cilës, sipas Babinger-it, nuk fsheh gjë tjetër veçse familjen Skura, emër i cili në osmanishte ka dhënë Uzgur (oglu në këtë rast është thjesht cilësori i fisnikërisë – bir/bijtë). Nën administrimin osman, Uzguroglu-të nxorrën shumë anëtarë me karriera të rëndësishme pikërisht rreth kësaj periudhe, shumë prej të cilëve qenë themelues të disa veprave të mëdha arkitekturore në trevat shqiptare.

Në kohët për të cilat bëhet fjalë nuk ka qenë adet të shënohej emri i arkitektit nëpër mbishkrime; as Arkitekt Sinani, padyshim më i madhi arkitekt osman, nuk i ka nënshkruar punimet e tij. Adeti ka qenë që mbishkrimet të nënvizonin kohën e perandorit gjatë të cilës kryeshin punimet dhe emrin e fisnikut nën patronazhin e të cilit kryeheshin ato.

Me fjalë të varfra, nga pikëpamja “patriotike”, punimet në kalanë e epërme të Lezhës, i ka bërë një “shqiptar” i cili e ka shënuar edhe emrin e tij “shqiptar” në pllakë. Kjo për kohën ka qenë më se e zakonshme, duke pasur parasysh se në më të shumtën e rasteve ishte pikërisht fisnikëria lokale ajo që ka themeluar dhe restauruar vepra arkitekturore.

Nga dokumente të kohës, të cituara nga Kiel, rezulton se ka pasur një numër të madh Skurash në elitën e kohës, mes të cilëve edhe disa që kishin mbetur të krishterë.

“Pasardhësit e kësaj familejeje shqiptarësh të vërtetë, që e bashkuan fatin e tyre me osmanët, qenë ndër përkrahësit më zemërgjerë të jetës islame në të gjithë vendin,” shkruan Kiel.

Dhe nëse është kështu, mbishkrimi i kalasë në Lezhë na ndihmon të kuptojmë, ose së paku na i rindriçon dinamikat sociale në shekujt e parë të sundimit osman në trojet shqiptare – ku fisnikëria lokale nuk bashkëpunoi me sunduesit (edhe duke u konvertuar) thjesht për të ruajtur privilegjet, por edhe për të ushtruar detyrat që i kërkonte roli.

00389.tif100Pa çka se, ironikisht, të njëjtit njerëz që dje u thyen më dysh për ta çliruar një si Koliqi nga akuza e kolaboracionistit, sot ngrihen dhe të thonë se njerëz si këta të familjes Skura qenkëshin shitur për tridhjetë aspra te “turku.”

Ministrja e Kulturës Kumbaro, së cilës dua t’i ofroj solidaritetin tim për përgojimet e këqia (me aq sa mund të vlejë kjo) mbase mund të fillojë të mendojë se si ta shkëputë Mesjetën nga aktualiteti dhe nga vëmendja e fanatikëve sot në Shqipëri – dhe këtu nuk e kam fjalën për kalatë.

Dhe nëse duhet patjetër të flasim për trashëgiminë historike të Lezhës, ja një fakt kurioz, që e sjell Kristo Frashëri, në librin e tij për Skënderbeun.

Një udhëtar amerikan, R.C. Woodville, që mund të ketë vizituar Lezhën në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1880), ka botuar një vizatim me titullin “Varri i Skënderbeut në Lezhë” (Tomb of Scanderbeg at Alessio), në revistën Scribner’s Monthly.[2] Vizatimi tregon një ndërtesë të stilit oriental me varrin e Skënderbeut brenda saj , pra një mauzole me dy burra përpara hyrjes, nga të cilët njëri i veshur me fustanellë, tjetri me çakshirë (tirq). Sipas traditës popullore, këtë mauzole e kishin marrë në mbrojtje dervishët bektashinj.[3]

(c) Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një administratori të blogut.


 

[1] Po të lexosh komentet, në të dyja shkrimet e referuara, sheh se shfryrjeve të cave kundër “pasardhësve shqipfolës të turqve dhe të aziatikëve” u kundërvihen shfryrjet e ca të tjerëve kundër Skënderbeut, si “bir a pinjoll i një gruaje serbe.” Është e frikshme të mendosh se të gjithë këta që kacafyten kanë kaluar nëpër shkollën publike shqip dhe e kanë studiuar historinë e shqiptarëve me nota të forta kombëtariste,  që studiohet në shkollë.

[2] Vizatimi ilustron shënimet e udhëtimit të Athol Mayhew, In Albania with the Gheghs, të cilat mund të lexohen falas këtu.

[3] Gjithnjë sipas Frashërit, ky mauzole u shemb nga tërmeti i madh i vitit 1892 dhe administrata osmane nuk lejoi rindërtimin e tij, me pretekstin e rremë se Skënderbeu nuk ishte varrosur në Lezhë, por në ishullin Lissa të Dalmacisë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.