POEMA ME NJË LEXUES TË SHPALLUR

nga Ilir Yzeiri

Poema « Në mesditë Byroja Politike u mblodh » e Kadaresë është një nga veprat më të shënuara sa i takon veçanësisë së qarkullimit. Herë-herë, ajo të kujton epigramin e Mandelshtamit apo odën e mëpastajme të tij, herë tjetër të kujton letërsinë e hartuar nga ish-të burgosurit politikë  që i shkruanin veprat e tyre në lloj-lloj artefaktesh të çuditshme e, më pas, në një kohë tjetër, i botonin, siç ka ndodhur me Pjetër Arbnorin, fjala vjen.  E përsërit, e kam fjalën gjithmonë për paradoksin e qarkullimit. Në këtë rast, me këtë poemë, Kadareja e vendosi veten te shkrimtarët e ndaluar, megjithëse, si autor, ai ishte më i madhi i letërsisë shqiptare, i pranuar nga të gjithë. Mirëpo, ndryshe nga ajo që quhet letërsi e ndaluar ose letërsi e dënuar për të mos qarkulluar, kjo poemë qarkulloi, por jo te lexuesi, ajo qarkulloi në rrethin e ngushtë të censurës zyrtare derisa arriti në krye të saj, te Ramiz Alia, i cili, në mënyrë paradoksale, e kishte pëlqyer poemën dhe, për ta verifikuar ngazëllimin e tij, merr guximin dhe ia tregon atë Enver Hoxhës apo atij që, nga pikëpamja e komunikimit të përgjithshëm, përfaqësonte zërin off, autorin suprem të tekstit të shkruar në diktaturë dhe modelin ku verifikoheshin të gjitha nënvariantet e tjera të teksteve që mbushnin hapësirën legale të qarkullimit të ligjërimit publik. Këtu, gjithçka përmbyset. Enver Hoxha, jo vetëm që nuk e pëlqen, por e analizon dhe e interpreton atë poemë si një krijim armiqësor dhe poetin e shpall armik të socializmit. Kur ta analizojmë atë tekst, pra shënimet e Enver Hoxhës, do të vërejmë se aty nuk shfaqet thjesht diktatori, por autori i një teksti të kodifikuar, zëri suprem i një teksti që shënonte kulturën e re të realizmit socialist në Shqipëri, i cili, duke marrë jo aq rolin e kritikut, sesa më shumë atë të prokurorit dhe inkuizitorit suprem, jep alarmin se Kadareja kishte shkelur tekstin e shenjtë të socrealizmit shqiptar si formë të menduari dhe si formë të ushtruari të artit të fjalës në këtë rast. Po cila pjesë e këtij teksti të hartuar dhe të frymëzuar prej tij ishte dëmtuar rëndë ? Këtë, gjithashtu, do ta shohim më poshtë. Në shënimet e tij, ai, hera-herës, zbret nga froni i krijuesit të kulturës së re në sallat e zhurmshme të mbledhjeve të nxehta dhe, si një militant i zemëruar, përdor ndaj Kadaresë edhe fjalë fyese e denigruese që rrëfejnë jo vetëm zemërimin e pushtetit, por edhe një lloj përçmimi të diktatorit për gjeniun e letrave shqipe. Pas këtij konstatimi, poema u kyç diku në arkivë dhe për të nuk flitej më. Ajo përmendej në biseda private me shumë rezervë dhe, ashtu siç ndodh në të tilla raste, për të, për mënyrën se si kishte lindur, çfarë përmbante dhe si kishte qarkulluar, u ndërtua një tekst i tërë misterioz. Për shumë vetë, ajo besohej si e zhdukur, sepse rruga që ajo kishte përshkuar, nuk kishte njw pikw mbwrritjeje. Niste nga autori, vazhdonte në redaksinë e gazetës « Drita », pastaj në zyrën e Shtypit në KQ-së të PPSH-së dhe përfundonte te Ramiz Alia. Këtu gjurmët e saj humbisnin. Poema u botua në vitin 2002 në « Gazetën Shqiptare », e cila i kishte kërkuar me një shkresë të posaçme Arkivit të Përgjithshëm të Shtetit origjinalin e poemës. Shaban Sinani, në atë kohë Drejtor i Përgjithshëm i arkivave, njofton Kadarenë për këtë ngjarje dhe i kërkon leje atij për ta botuar[1]. Ndërkaq, duhet të shënojmë se ditari i Enver Hoxhës me këtë shënim për poemën u zbulua pas rreth 41 vjetësh, në vitin 2016, kur e veja e diktatorit dorëzoi në arkivë shënimet dhe arkivin vetjak të diktatorit. Siç merret vesh nga Sh. Sinani, kopja e vetme e poemës është hartuar me makinë shkrimi dhe është firmosur në fund prej Kadaresë. Studiuesi dhe shkrimtari i njohur, Ardian Vehbiu që më nxiti edhe mua për këtë analizë dhe që me shkrimet e botuara për këtë poemë, ka krijuar një dossier për të, i ka bërë një analizë të imtë gjuhësore tekstit që ruhet si origjinal në Arkivin e Shtetit dhe ka konstatuar në tërësi se ai është një riprodhim i origjinalit i shkruar nga dikush tjetër. Edhe emri i Kadaresë në fund nuk ngjan të jetë shkruar prej poetit, vëren Vehbiu[2]. Dorëshkrimin origjinal ai, mesa duket, e ka dorëzuar në redaksinë e gazetës « Drita ». Aty, sipas traditës, materiali në dorëshkrim daktilografohej dhe, sipas rregullit, ai i mbetej redaksisë. Kjo, mendoj unë, mund të jetë arsyeja pse në Arkivën e Shtetit është gjetur varianti i daktilografuar me makinë shkrimi që ka në fund firmën e Kadaresë.

Po le të ndjekim rrugën që ka përshkuar poema dhe çfarë ndodhi në atë qarkullim të shkurtër të saj. Poema u shkrua në tetor të vitit 1975, u botua ose u bë e njohur për publikun në vitin 2002 dhe në vitin 2016 opinioni u njoh me përshtypjet e lexusit të parë, pra me ditarin e Enver Hoxhës. Siç e përmenda, R. Alia ia tregon E. Hoxhës poemën. Pasi Enver Hoxha e lexoi atë, e porosit Ramiz Alinë që të thërrasë Kadarenë në një takim:

« I thashë Ramizit se do të bisedoj prapë me të, por përgatitu dhe thirr Ismail Kadarenë, e vur përpara “mutrave” të tij dhe bëje t’i lëpijë.» (Gazeta « Panorama », 6 maj 2016)

Siç dihet, ai takim u bë dhe Kadareja, aty, siç kujton vetë në një intervistë me Dashnor Kaloçin, mes të tjerash, thotë:

« Ramiz Alia, në një nga pyetjet e tij, që më bëri përpara njëzet vetave, në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ishte pikërisht kjo: na shpjego pak, ç’janë këta burokratë, domethënë, këta zyrtarë me duar me gjak? S’kam ditur ç’të përgjigjem, veç kam ngritur supet, siç bëjnë njerëzit kur duan të thonë “s’e di”. E ndjeva që isha zënë ngushtë dhe s’më mbetej gjë tjetër veç të pranoja se kisha gabuar”.

Dhe më tej, duke iu përgjigjur pyetjes së intervistuesit se për autokritikën tuaj është folur shumë dhe në sensin negativ, ai përgjigjet :

E kam dëgjuar këtë dhe më ka ardhur për të qeshur nga mungesa e plotë e logjikës në këtë rast. Çështja ka qenë e thjeshtë: një shkrimtar (në këtë rast, unë), akuzohet se në një vjershë të vet ka goditur shtetin komunist, partinë, marksizëm–leninizmin, diktaturën e proletariatit e gjithë ato që vijnë pas. Shkrimtari përgjigjet se e pranon akuzën. Madje, ai përsërit me radhë shtetin, partinë, diktaturën, marksizmin etj., madje arrin gjer atje sa të saktësojë se “armën që Partia ia dha për të goditur armiqtë, ai e ktheu kundër Partisë! Të gjitha këto akuza, bashkë me tekstin e autokritikës dihen botërisht. Ajo që nuk arrij të kuptoj, është se ku qëndron gabimi këtu. Shumë, shumë, ky shkrimtar mund të quhet mendjelehtë dhe fare i papërgjegjshëm që flet kështu. Ta marrim nga një anë tjetër: si do të ishte qëndrimi i tij i kundërt, domethënë “i mirë”? S’mbetej tjetër veçse ai të mos pranonte asgjë. Me fjalë të tjera, të thoshte se ai nuk e ka goditur aspak shtetin, partinë, marksizmin etj. Përkundrazi, është gati të japë jetën, t’i thyejë duart e kokën për to etj., etj. Përvoja e terrorit komunist i njeh të dy versionet, që ndahen në; “e pranoi fajin” ose “nuk e pranoi fajin”. Në raste të ndryshme ato marrin kuptime të ndryshme, krejtësisht të kundërta, për mirë ose për keq. Shkurt, pranimi i gabimit, në rastin për të cilin flasim, s’ka ndonjë gjë të keqe, në kuptimin e kujdesit të tepërt, të frikës etj. E keqja e vetme mbetej rrezikimi im si person. Sa për arsyen përse e mbajta këtë qëndrim të pakujdesshëm, nuk mund të them se e kam krejt të qartë sot. Ka gjasë që një bisedë e një nate përpara me Anastas Kondon, sekretarin e partisë, i cili ishte dashamirës, u bë shkak. Ai ishte i dëshpëruar dhe më tha haptas se kishte frikë se nuk do ta kaloja dot. Ai shtoi se ndoshta mund të ndodhte ndonjë mrekulli dhe mbase autokritika ime tepër, tepër e sinqertë, mund të më shpëtonte. Me sa dukej, interpretimi im i fjalëve të tij më shtyu drejt atij “hipersinqeriteti”. Më vonë, kur teksti i autokritikës m’u sekuestrua bashkë me vjershën dhe m’u kërkua që të mos ia tregoja askujt, më shkoi në mendje se kjo hynte, ndoshta, në metodat djallëzore të tyre.

E gjithë kjo histori e këtij teksti plotësohet edhe me një letër të Mehmet Shehut dërguar Enver Hoxhës në të cilën ai e merrte në mbrojtje Kadarenë dhe i kërkonte Enverit që të mos dënohej shkrimtari. Është, po ashtu, edhe një letër shoqëruese e Dritëroit dhe mbledhja në zyrën e Ramiz Alisë në prani të rreth 20 vetëve që diskutojnë për poemën dhe e detyrojnë Kadarenë që të bëjë autokritikë. Pas mbarimit të mbledhjes, Kadareja e dorëzon autokritikën, siç thotë ai vetë, dhe porositet që për gjithçka që ka ndodhur, të mos bëjë fjalë me askënd. Jemi në vitin 1975 ose, më saktë, në tetor të vitit 1975.

Çfarë ka ndodhur realisht ?

Për hir të së vërtetës, kur poema u botua në vitin 2002, ajo nuk i kënaqi të gjitha pritshmëritë sepse aty Enver Hoxha përmendej me emër dhe në një sfond pozitiv. Të gjithë detraktorët e Kadaresë e qortuan atë se kjo poemë, nga pikëpamja e ideve, nuk mund të quhej disidente. Pati edhe nga ata që u munduan të argumentojnë të kundërtën. Ndërsa, kur u zbulua ditari i Enver Hoxhës për këtë poemë, në vitin 2016 situata u ndërlikua më shumë. Si shpjegohet tërbimi i Enver Hoxhës me këtë poemë e cila, në pamje të parë, figurën e tij e paraqet me pozitivitet ? Si shpjegohet ngazëllimi i Ramiz Alisë dhe tërbimi i Enver Hoxhës ? Mund të ketë po aq interpretime sa ka edhe lexues, shkolla mendimi e kështu me radhë. Unë do të përpiqem që t’u jap një përgjigje këtyre pyetjeve duke u mbështetur në kritikën semiologjike. Ndaj, që në fillim do të mundohem të analizoj atë që Julia Christeva e quante prerjen e boshteve vertikale dhe horizontale të tekstit. Poema e Kadaresë është një tekst i shkruar nga një autor me qëllim që të mbërrijë te një publik i caktuar. Në rastin e letërsisë së realizmit socialist që u shtoll në diktaturë, duhet të mbajmë në vështrim disa gjëra. E para, autori si entitet nuk është një vetje e lirë në kuptimin që, nëse ai nis të shkruajë, nga pikëpamja e intertekstualitetit, këtu, ndryshe nga autorët e vendeve të tjera, ai duhet të ripërsëritë një tekst të qartë, të njohur dhe të detyruar. Atij nuk i lejohet që të dalë nga kufijtë e këtij teksti dhe as të marrë figura, aluzione apo metafora nga tekste që janë të ndaluara dhe që nuk gjenden në kodin e realizmit socialist. Fjala vjen, teksti i gjerë dhe i pafund i letërsisë teologjike nuk mund të merrej si ilustrim idesh apo si metaforë. Ky bosht vertikal që ndërton autori me tekstin e tij, mund të ngjitet lart dhe mund të zbresë që andej vetëm retorikën e ngurtë e të shpëlarë të kulturës së përgjithshme të realizmit socialist si formë të menduari. Po në rastin konkret, cili ishte ky tekst ? Pra, nga pikëpamja e intertekstualitetit, Kadareja çfarë mund të përmendte dhe çfarë jo në poemën e tij ? Në vitin 1975, Enver Hoxha kishte filluar luftën e egër brenda radhëve të nomenklaturës së lartë komuniste. Viktima e parë ishte Fadil Paçrami që kishte përfunduar në burg bashkë me Todi Lubonjën. Viktima e dytë dhe më e bujshmja ishte arrestimi dhe dënimi me vdekje i ministrit të mbrojtjes, Beqir Balluku dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Petrit Dume si dhe arrestimi i dhjetëra e dhjetëra gjeneralëve. Po ashtu, grupi i quajtur i ekonomisë me Abdyl Këllezin e Kiço Ngjelën dhe grupi i ashtuquajtur i sabotatorëve të naftës me Ministrin e Industrisë dhe Minierave, Koço Theodhosin dhe Drejtorin e Naftës në Fier, Lipe Nashi (« bosët e naftës », – thotë Kadareja në poezine që po analizojmë). Këto ishin ngjarjet, ndërsa narrativa e këtyre ngjarjeve, pra paraqitja e tyre në publik me anë të tekstit, ishte një gjë krejt tjetër dhe, në kushtet e diktaturës së egër, këto ngjarje jo vetëm që nuk raportoheshin ashtu siç ndodhnin, por, përkundrazi, mbuloheshin me mister. Askush nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur me gjyqin ndaj atyre që u përmendën më sipër. Arrestimi, pyetjet në hetuesi, gjyqi dhe vdekja ishin të gjitha top sekret. Edhe pushkatimi ishte i tillë. Sot e kësaj dite nuk jam i sigurtë nëse janë gjetur apo jo eshtrat e Ballukut e të tjerëve q »u dënuan me vdekje. Komunikimi me popullin për ngjarje të tilla të rënda bëhej me anë të gjuhës së drunjtë të komunikatave partiake, të cilat lajmëronin në fillim komunistët me anë të tekstit standard që formulohej në këtë formë: « Mbi veprimtarinë armiqësore të X-it apo Y-it.» Pas këtij teksti, autorëve të tjerë që do të merreshin me këtë argument, u lejohej të ripërsëritnin togjet standarde të tipit « Komandanti ynë sypatrembur », « Armiqtë do të thyejnë kokën », « gjarpri që mbante në gji », e kështu me radhë. Jo vetëm që askush nuk mund të diskutonte verdiktin e diktatorit që e shpallte armik atë që ai e mendonte se ishte i tillë, por askush tjetër nuk mund të shprishte narrativën e ligjërimit publik dhe të guxonte të rrëfente jo duke imituar këtë tekst të drunjtë të përgatitur nga aparatçikët e KQ-së të PPSH-së, por të kishte guximin të ndërtonte ato ngjarje me elemente të kronikës, apo me detaje që do ta zbulonin realisht ngjarjen. Në filozofinë e ligjërimit publik diktatorial ishte shumë e rëndësishme të fshiheshin gjurmët e kohës dhe të hapësirës dhe të asgjësoheshin detajet e kronikës. Pesë W-të e famshme të Lasuellit (Laswell), që ndërtojnë strukturën e një teksti, asgjësoheshin. Në imazhin kolektiv duhet të vendosej vetëm një fotografi bardhë e zi dhe jo një film që mund të tregonte ngjarjen. Diktatura kishte aftësinë që të gjitha ngjarjet tragjike që prodhonte, i transformonte jo në rrëfim, pra, jo në narrativë, por në një ilustrim të thjeshtë bardhë e zi, motivimi i të cilit, nga pikëpamja e thënies, ishte triumfi mbi armiqtë e brendshëm e të jashtëm. Të qenit armik nuk e përcaktonte veprimtaria korrente e X-it apo Y-it zyrtar, por humori i diktatorit. Pikërisht këtë shkërmoqje të tekstit të ndërtuar prej tij diktoi Enver Hoxha në poemën e Kadaresë dhe marazi i tij shpërtheu kur ai pa se poema nuk ishte ilustrim i tekstit të shkruar prej tij, por një kronikë e paautorizuar dhe një inskenim me mjete perëndimore të rrëfimit i një ngjarjeje që deri atëherë ishte top sekret. Vetë titulli « Në mesditë Byroja Politike u mblodh » ishte një provokim që i bëhej megatekstit të shkruar nga diktatori, sepse ai përmendte një përmasë – kohën. Në megatekstin e shkruar nga diktatori, koha dhe hapësira përjashtoheshin dhe ngjarjet që kishin në qendër të tyre eleminimin e kundërshtarëve të tij, nuk kishin as hapësirë dhe as kohë.

Në tekstin e Enver Hoxhës ka disa elemente që përligjin shmangien e Kadaresë nga norma ideologjike dhe ligjërimore e diktaturës dhe Enver Hoxha, si një kritik i rreptë dhe i ngurtë dhe si autor i tekstit nga i cili është shmangur Kadareja, e analizon poemën me detaje. Pjesa e parë që thotë se kufijtë janë të sigurtë, është në kundërshtim me vijën e partisë për rrethimin e egër imperialisto-revizionist. Pjesa e dytë, po ashtu, ka ide kundërrevolucionare:

 « Sipas tij, regjimi te ne është duke “shkuar në varr”, “është prishur nga themelet” dhe nxjerr “një ligj” se “shtetet nuk prishen nga çatitë, por nga baza”. (Po aty, cituar më lart)

Ndërsa në vargjet e pjesës së tretë, Enver Hoxha dikton edhe përftesa të marra nga historia e Romës me « konsuj » dhe « prokonsuj » dhe, këtu, marazi për këtë devijim nga teksti i përgjithshëm është edhe më i madh, madje shkon deri aty sa e quan Kadarenë « poet korbash » . Pastaj vjen konstatimi fatal:

“Për këtë poet reaksionar rendi ynë socialist është një rend burokratik dhe burokratët i kanë “duart të lyera deri në bërryl me gjak”, “rrëmojnë themelet, lajnë gjakun e dëshmorëve etj. etj.” Të gjithë këta përbindësha të veshur “si pashallarë të kuq me dekorata etj.” kanë zyrat, ministritë, Komitetin Qendror dhe “çojnë trupin e revolucionit në varr” (vargjet e pjesës Nr.4). Por “doli Enver Hoxha” etj., etj., dhe poeti “Jevtushenko shqiptar” i thur elozhe Enverit si “i vetmi shpëtimtar”.Për Ismail Kadarenë nuk egziston as popull, as klasë, as parti. Të gjithë janë krimbur, vetëm “Enver Hoxha qëndron dhe shpartallon armiqtë”. Maskimi i punës armiqësore të Kadaresë nuk qëndron, për të edhe Enver Hoxha, që “ai mburr me terma pompoze”, është si populli, Partia dhe klasa, i krimbur (pjesa e 6-të). Po kush e shpëtoi situatën, sipas këtij farë poeti që mban teserën e Partisë? “Vetëm kontrolli punëtor?!” ( Ditari i Enver Hoxhës, Po aty, “Panorama…”)

Pjesa tjetër është e mbushur, po ashtu, me fraza fyese, me etiketime si poet kundërrevolucionar, etj, etj. Mungon vetëm urdhri për ta burgosur.

Si përfundim, mendimi im është se Kadareja, me këtë poemë, provokoi në mënyrë naive autorin e tekstit të madh të narrativës komuniste, Enver Hoxhën dhe u përpoq të sfidonte modelin e komunikatës me atë të kronikës refleksive. Ky eksperiment e tronditi Enver Hoxhën sepse, sipas tij, modifikimi i tekstit apo i dogmës që ai kishte ndërtuar dhe shkruar, ishte asgjësim ideor i ekzistencës së tij. Në diktaturë nuk mund të qarkullonin asnjëherë nënvariante tekstesh që ishin shmangie nga norma e dogmës. Kjo shpjegon poetikën e censurës dhe shkurtimeve që manifestohej në diktaturë me botimin dhe pastaj dërgimin në karton. Petro Marko në fillim e, më pas, shumë shkrimtarë të tjerë do ta pësonin këtë fat. Kadareja ishte emblema e kësaj përballjeje me censurën. Po si shpjegohet që, megjithatë, Kadareja u ruajt dhe nuk u burgos apo nuk u hoq nga qarkullimi? Mund të ketë shumë arsye. Unë pëlqej një citat të Ami Buésë, poet nga Martinika që nuk jeton më: « L’art nait à la dictature et muert à la liberté ». Natyrisht, ai nuk kishte parasysh diktaturën e egër të Shqipërisë.

(c) 2019, autori.


Titulli origjinal i autorit : Poema që pati një autor dhe vetëm një lexues të shpallur. (Shënime semiologjike për poemën  «Në mesditë Byroja Politike u mblodh» të Isamil Kadaresë)

[1] Sh. Sinani, Si u gjet poezia « Në mesditë Byroja Politike u mboldh »,  «Një dosje për Kadarenë»,

(Studime, polemikë, dokumente), OMSCA-1, Tiranë, 2005, faqe 84.

[2] Ardian Vehbiu, Të shkosh ku të shpien shkronjat, Peizazhe të fjalës, 3 shkurt 2019.

(https://peizazhe.com/2019/02/03/te-shkosh-ku-te-shpien-shkronjat/

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.