POEZIA SOT: JETON APO GJËLLIN?

 nga Geverina Muzhaqi

Fillimisht poezia vishte një kuptim të shenjtë.

Në tekstet e Veda-ve, himnet e shenjtë në traditën hinduiste, Dêva-t, engjëjt, recitonin vargje për të mposhtur të keqen, Asura-t, pra djajtë. Ndaj edhe poezia kishte një ndikim shërues për shpirtin; ishte shelbim.

Më kujtohet ende shpjegimi i pedagoges së letërsisë bashkëkohore gjatë kohës kur studioja në universitetin La Sapienza të Romës për Studime gjuhësore e filologjike, në lidhje me poezinë:

Në latinisht vargjet quheshin carmina, që në sanskrishte përkonte me fjalën karma. Rrënja e fjalës në sanskrishte është kri, nga e cila rrjedh folja latine creare, dhe ka të njëjtin kuptim me fjalën greke poiein, folja ‘bëj’. Në këtë kuptim, poezia është shkrirja midis aktit të të vepruarit me aktin e të krijuarit, ku njerëzorja dhe artistikja gërshetohen aq bukur me njëra-tjetrën sa bëhen një e vetme: pra shndërrohen në varg.

Vargjet homerike, shekspiriane, nerudiane e shumë të tjera, janë vargje që shëtitën mbarë botën duke e plazmuar atë, ndonëse në epoka, kultura dhe shtrirje gjeografike të ndryshme. Sepse poezia është gjithpërfshirëse dhe e tejkalon çdo hapësirë e kohë. Në një epokë kur fjala dëgjohej dhe kishte ende peshë, vargjet e tyre na bënë të besonim se poeti mund ta ndryshonte botën.

Por asokohe teknologjia ende nuk ekzistonte, moda ndiqej vetëm nga aristokracia, rolet në shoqëri ishin të mirëpërcaktuar dhe letërsia ishte njëherazi ligj, kulturë, filozofi dhe model edukues.

Edhe letërsia jonë kishte një rol të përcaktuar. Tekstet e para në shqip, duke filluar me Mesharin (1555) Bardhin, Matrangën e të tjerët, kishin për qëllim edhe alfabetizmin dhe fenë e popullit shqiptar. Ndërsa Rilindasit, ndër të tjera, synonin të nxisnin shpirtin atdhetar dhe revoltën, që më në fund edhe Shqipëria të kishte shtetin e vet.

Kjo e përligj edhe detyrën që poezia mbart mbi shpinë për ta ndryshuar dhe përmirësuar njeriun.

Për Sokratin poeti ishte i shenjtë, ngaqë ishte i vetmi i aftë që ta përcillte fjalën e Zotit. Për Platonin poeti ishte shembulli që tregonte se njerëzit mund të pushtoheshin nga forcat e errëta e të arrinin të shkruanin edhe për gjëra të pagjasa, të sendërgjonin sa t’ua kishte ënda dhe të fluturonin nëpër hapësira ende të panjohura për psiken e njeriut. Sipas tyre, poezia kishte gjithnjë diçka mbinjerëzore.

Laicizmi i poezisë fillon me Aristotelin, që e cilëson atë si një “shkencë poetike”, duke e shndërruar funksionin e saj nga ritual e kulturor në një funksion të mirëfilltë letrar.

Sinonim i formës më të lartë të diturisë dhe ndjeshmërisë, poezia fillon të konsiderohet e aftë për ta lartuar siç duhet dashurinë – për njeriun, për atdheun, për shkencën apo për Zotin – format okulte e ato jetësore, të dukshmen dhe të padukshmen.

Poetët kanë arritur madje që të quhen nga të tjerët edhe filozofë apo profetë. Poezia shndërrohej kështu në domosdoshmëri për njeriun e arsyeshëm; e domosdoshme si uji për bimët apo si dielli për tokën.

Por ç’i ndodhi poezisë sot?

Jeton apo gjëllin?

Pse tri qëllimet më të larta të poezisë, që përmendte Dante – shpëtimi, dashuria, virtyti – sot janë të lëkundura e më të paqëndrueshme se kurrë parë?

Kush e vrau poezinë?

Pse është varfëruar ajo? Ndoshta ngase sot është varfëruar edhe vetë dashuria dhe ka triumfuar materialja, sipërfaqësorja? Sepse me modernizimin që solli Nëntëqinda – i ashtuquajturi boom ekonomik, teknologjik e seksual – vërshuan edhe format e reja të ekspresivitetit të vetvetes, të artit dhe të botës që na rrethon? Kush e cënon, vallë, poezine?

Pse lexohet gjithnjë e më pak, dhe shkruhet edhe më pak (poezi e mirë, kuptohet, e jo shfryrje e një çasti fluturak, që nuk ka as formë e as përmbajtje poetike, por mbetet një orvatje e largët për të krijuar diçka)?

Ka ndryshuar materiali ku ne shkruajmë (nga papiri tek pergamena, tek letra e deri tek teknologjia), kanë ndryshuar shijet mbi zhanret letrare (nga letërsia e mirëfilltë, prozë a poezi qoftë, tek esetë, tregimet, historitë thriller apo tekstet e këngëve tallava), kanë ndryshuar kanalet e informacionit (nga hieroglifet tek telegrafi, telefoni, televizori, celulari, rrjetet sociale).

Gjithçka është e shpejtë: njerëzit zgjohen të shqetësuar për kohën që po u ikën shpejt, vishen shpejt, ecin shpejt, mendojnë shpejt, hanë shpejt, bëjnë dashuri shpejt, vdesin shpejt. Mendja tejngopet me informacione të papesha e të pavlera, ndërsa shpirti boshatiset gjithnjë e më shumë.

Dhe në gjithë këtë vetmi e rrokopujë, poezia vazhdon që ta ruajë ende një nga qëllimet e saj më të shenjta: ata pak që e lexojnë apo e shkruajnë, i ndihmon të mbeten njerëz.

(c) Autorja

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.