POPULISTËT MATEN

Një studim empirik i A. Nai, F. Martinez dhe J. Maier (2019, DOI: 10.1111/psq.12511) mbi personalitetin e udhëheqësve populistë ka analizuar edhe Albin Kurtin. Autorët i kanë matur karakteristikat e personalitetit sipas kategorisë së Big Five (5 tipet kryesore të personaliteteve) duke pyetur ekspertë të vendeve përkatëse. Studimi i autorëve, specialistë në komunikimin politik, përqendrohet te D. Trump, duke e krahasuar atë me prijësit e tjerë populistë gjatë prezantimit të tyre në fushata elektorale. Por më poshtë unë merrem me këta tanët.

Në Shqipëri udhëheqësit populistë si S. Berisha dhe E. Rama kanë pasur sukses elektoral, por aspirantë po aq populistë si K. Spahiu kanë dështuar në votime. Sondazhet në Shqipëri mbi vlerat që mbartin një pjesë e popullatës, përfshirë edhe qëndrimin e popullatës ndaj udhëheqjes autoritare janë kryesisht të pabesueshme, për shkak se asnjë nga organizatat nuk publikojnë të dhënat. Vetëm World Value Survey që ka ndërmarrë tre herë sondazhe në Shqipëri (1994-8, 1999-2004, 2005-2009) i ka publikuar ato. Trendi i paraqitur nga sondazhi i WVS (1994-2009) tregon se ka një dashamirësi në rritje për udhëheqës të fortë. Qëndrimi i të anketuarve ka ndryshuar pas çmagjepsjes me demokracinë, sidomos pas viteve të korrupsioni gjatë qeverisjes së Fatos Nanos dhe zhgënjimit me Berisha II.

World Value Survey, Pyetja mbi udhëheqjen

Suksesi me fushatën e fundit të Edi Ramës, që kërkonte ta qeveriste i vetëm Shqipërinë (tepsinë!), jo vetëm dëshmon trendin mbi qëndrimin e popullatës, por edhe se personaliteti i tij është një faktor i rëndësishëm në këtë perceptim. Mungesa e programit politik dhe theksi tek karakteristikat personale (viriliteti, shëndeti, pamja e të tjera veti) e kategorizojnë Ramën në këtë grup, me të cilët merren Nai et al. (2019).

Autorët e studimit kanë pyetur ekspertët për të ndërtuar profile psikologjike të këtyre udhëheqësve bazuar mbi përfaqësimi e tyre në fushata, media etj. Më tej autorët vetë kanë bërë matjen në bazë të disa cilësive sikur janë të operacionalizuara në teoritë e personalitetit të Big Five  për aspektet pozitive, dhe në konstruktin tjetër teorik të Dark Triad për aspektet negative. Karakteristikat kryesore të Big Five janë: (1) të qenurit i hapur, (2) përgjegjshmëria (përsosmëria), (3) extraversion (aftësia për tu shoqërizuar), (4) gadishmëria për bashkëpunim (empatia) dhe (5) neuroticizmi (qëndrueshmëria emocionale). Me Dark Triad autorët masit ato cilësi negative të narcisimit si madhështia, arroganca, vetëbesimi i tejfryrë, sjellja e pamatur, agresive etj.

Nuk e di nëse autorët kanë matur edhe personalitetin e Edi Ramës bazuar mbi inventarin e karakteristikave të mësipërme (autorët kanë 104 profile, e ky nuk është në artikull, por mund të jetë në të dhënat e tyre), por Fatos Lubonja mund tu shërbente si një ekspert i mirë. Sikur edhe shumë nga ekspertët e pyetur nga autorët e studimit, Lubonja qëndron majtas në boshtin ideologjik, por ai nuk i plotëson kriteret e autorëve për tu cilësuar ekspert. Sidoqoftë, Lubonja në një artikull shumë të gjatë te Panorama (8 Prill, 2017) i përmend Ramës disa cilësi nga Dark Triad, vëzhgime këto spekulative, pasi Lubonjës i mungon një analizë sistematike e këtyre cilësive.

Lubonja ndër të tjera përmend:

  1. i sëmurë psikik
  2. narcizist patologjik
  3. çrregullime narciziste të personalitetit
  4. e shëh veten e tij grandioze dhe ka nevojën për t’u admiruar
  5. me dashuri të madhe, të stërmadhe, për veten
  6. narcizist malinj – ideja e madhështisë dhe mitomania kombinohen me agresivitetin
  7. i ikën me sa mundet vetëzhvleftësimit duke u kapur fort tek idealizimi i vetvetes
  8. një megaloman mitoman qesharak
  9. vështirë të realizojë atë që quhet integrimi i Vetes (identitetin)
  10. nuk arrin të shohë të tjerët në kompleksitetin e tyre (por i idealizon, ose i nënvleftëson ata)
  11. narcisist pervers
  12. manipulator pervers
  13. i aftë për të manipuluar, gënjyer, mashtruar, intriguar në funksion të kapjes së pushtetit
  14. nuk mban fjalën e dhënë
  15. nuk njeh ndjenjën e turpit dhe as ndjenja të tilla njerëzore, si empatia apo ndjenja e fajit
  16. seduktues nëpërmjet humorit

 

Nëse do ti vendosnim Lubonjës një vlerësim sasior për këto cilësime (pa marrë në konsideratë vlefshmërinë dhe besueshmërinë e këtij kuantifikimi), atëherë Rama, në krahasim me D. Trump dhe A. Kurtin, del shumë ulët në vetitë pozitive dhe shumë lartë në ato negative.

Sikur vërehet A. Kurti ka vlerësime shumë të larta në karakteristika pozitive të Big Five, sidomos në ndërgjegjshmërinë dhe përgjegjshmërinë. Ndërsa Trump dhe Rama i kanë shumë të ulët.

Nae et al. (2019) Tipet e personaliteteve.

A kemi të bëjmë me veti të personalitetit të Ramës, apo me një lloj komunikimi politik të personalitetit të tij sikur ja kërkon publiku? Dje Rama e E. Veliaj po frymëzoheshin, ndoshta vërtetë, nga B. Obama, duke përcjellur karakteristika të intelektualëve (Rama shkroi edhe një libër dhe diskutonte mbi alternativa politike si të ishte një ideolog). Sot ai është një populist i rëndomtë. Ndoshta pse edhe ka vënë re se elektorati kërkon të tilla personalitete.

Këtë çështje e kanë kapur edhe autorët e studimit të përmendur kur analizojnë sa përputhet fushata elektorale me personalitetin e D. Trump. Por teza e autorëve është se përzgjedhja e strategjive dhe instrumenteve në fushatë përputhet me personalitetin e kandidatit. Sipas tyre Trump pikas në përdorimin e fushatave negative, nxitjes së frikës dhe sulmeve personale apo të karakterit. Nga analiza statistikore rezulton se kandidatët që kanë vlerësime të larta në Agreebleness dhe Openness kanë më pak gjasa të përdorin retorikë frikësuese dhe agresive. P.sh. Albin Kurti shënjon lartë në aspektin emocional të fushatës (duke prodhuar mesatarisht frikë dhe entuziazëm), por relativisht ulët në tonin negativ dhe sulmet ndaj karakterit (nga vlerësimi duket më afër jopopulistëve sesa populistëve). Edi Rama sipas vlerësimit tim është më afër populistëve, duke prodhuar frikë (Sali Berisha gogoli!) dhe entuziazëm (Shqipëria 1 miliardë euro), si edhe me tone negative e sulme ndaj karaktereve, çfarë për autorët është e lidhur fortë me psikopatinë.

Ndërsa teza ime është se më shumë se me personalitete të çiltra, publikut i shërbehen personalitete të gatuara në kuzhinat e mjeshtreve amerikanë të PR. Jo më kot fushatat elektorale në Shqipëri janë si dy pika ujë me ato në republikat e Amerikës Latine. P.sh. fushata e PS në 2009 ishte si ajo e Bolivisë në 2002.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.