PRAPË PËR LISTAT

Si rregull, listat përcjellin shijet, simpatitë dhe anësitë e atyre që i hartojnë – dhe shumë pak gjë tjetër. Por në kontekste performative, ose kur listat i bën dikush me autoritet, edhe të tërthortë, në fushën përkatëse, atëherë mund të krijohen keqkuptime dhe mëri.

Në një shkrim të paradokohshëm (Për përkthyesit, ca të vërteta e ca të pavërteta), Kryetari i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri shprehej kështu:

Fillimisht më duhet të nënvizoj që në Shqipëri ka pasur dhe ka vlerësim shumë të madh, deri në nderim për përkthyesit. Të kuptohemi: për ata përkthyes të rangut të Fan Nolit e deri te Sotir Caci, Misto Treska e Mitrush Kuteli, pak më vonë Robert Shvarc, Shpëtim Çuçka, Donika Omari, Afrim Koçi, Mira Meksi, Ardian Klosi, Edmond Tupe, Mirela Kumbaro, Diana Çuli, Perikli Jorgoni etj., etj., pa pretenduar që i radhis dot të gjithë ata punëtorë të shkëlqyer të gjuhës, që i kanë bërë shërbime të mëdha kulturës shqiptare.

Kjo listë, më duhet ta them që në krye, spikat për mangësitë e saj, ose për ata që nuk përmenden. Sikur të gjendej në artikullin e ndonjë studenti a të ndonjë gazetari portalesh, lexuesi do të thoshte: “falja, o Zot, se aq di.” Por për kryetarin e Shoqatës së Botuesve këtë nuk e thua dot. Sepse Petrit Ymeri jo vetëm di më shumë se aq, por edhe i kërkohet që të dijë, në pozicionin që ka.

Njoh të paktën katër-pesë përkthyes, që kanë fituar edhe çmime kombëtare, dhe që do të ndiheshin të lënduar, ngaqë nuk janë përfshirë në këtë listë të një autoriteti të botimeve në Shqipëri; dhe sidomos, në krahasim me kë është përfshirë. Njoh edhe të paktën nja dhjetë-pesëmbëdhjetë emra përkthyesish të mëdhenj veprash të mëdha, që duhej ishin përfshirë në këtë listë. Atëherë pse?

Të shpjegohem: të gjithë nga përkthyesit në listën e Ymerit kanë spikatur me punët e tyre dhe i kanë sjellë publikut vepra me peshë; por as ata vetë nuk besoj se do të ndihen mirë, kur ta vënë re se kujt ia kanë zënë vendin, në këtë shkrim që u kushtohet përkthyesve dhe që, siç e përmenda, shquhet sidomos për ata që kanë mbetur jashtë.

Kam bindjen se Ymeri nuk është nisur të denigrojë njeri me këta emra që ka renditur; dhe se thjesht do të ketë përmendur të parët që i kanë shkuar në mendje. Sikurse kam bindjen se ai nuk ka bërë ndonjë studim për cilësinë e përkthimit shqip dhe për mjeshtrit përkatës. Kam edhe bindjen se, kur ka lënë jashtë listës figura si Gjon Shllaku, Pashko Gjeçi dhe Petro Zheji (mos ma quani listë), ky autor nuk ka vepruar me ndonjë qëllim kulturor të caktuar, dhe as ka dashur t’i errësojë e t’i zvogëlojë këto figura, për t’u dhënë hapësirë të tjerave. Me fjalë të tjera, besoj se ai ka shkruar në mirëbesim.

Faji, nëse mund ta përdor këtë term, e ka vetë përftesa e listës, si mënyrë për të kristalizuar një kanon specifik – ose premisë në arsyetimin e autorit të shkrimit. Vetë Ymeri e thekson se nuk po pretendon t’i radhisë “të gjithë ata punëtorë të shkëlqyer të gjuhës, që i kanë bërë shërbime të mëdha kulturës shqiptare”. Dhe me të drejtë. E ndien se lista që ka bërë nuk vlen, meqë është e mangët, e pakriter, e improvizuar dhe, në ndonjë rast, ofensive – edhe për ata që kanë mbetur jashtë, edhe për ndonjë emër që duket sikur është përfshirë aty pak si me pahir.

Nëse është kështu, atëherë pse? Shpjegimi im: sepse ndërtimi i parashtresave me lista të tilla, sidomos prej autoriteteve edhe minore, është zakon burokratik, i trashëguar nga enverizmi dhe arsimi enverist; duke mishëruar idenë – përndryshe absurde – se çdo lloj diskursi publik synon krijimin dhe veçanërisht konfirmimin e hierarkive në fushat përkatëse; madje edhe kur këto hierarki përdoren si premisa.

Në të vërtetë, lista e përkthyesve të shqipes, e sjellë prej Ymerit, nuk i shton gjë argumentit në shkrim. Po provoj ta rishkruaj paragrafin e tij kështu:

Fillimisht më duhet të nënvizoj që në Shqipëri ka pasur dhe ka vlerësim shumë të madh, deri në nderim për përkthyesit, [këta] punëtorë të shkëlqyer të gjuhës, që i kanë bërë shërbime të mëdha kulturës shqiptare.

Kaq. A mendoni se i hoqa ndonjë gjë esenciale argumentit dhe krejt shkrimit? Mua më duket se jo. Përkundrazi, pa çetën e këtyre përkthyesve të mbledhur shkel-e-shko e të prirë nga flamuri aq klishé i Fan Nolit, shkrimit do t’i shtohej serioziteti – meqë lexuesi nuk do të shpërqendrohej më duke vrarë mendjen për simpatitë dhe antipatitë e autorit të artikullit. Dhe sidomos, lexuesi nuk do të hutohej, duke menduar se po i jepej një përmbledhje e rezultateve të olimpiadës së parë të përkthimit shqip.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet kopjimi. Shkelësit do të ndiqen ligjërisht.

Shënim: unë vetë, në shkrimet e mia, i kam vënë jo rrallë në punë lista të tilla, i pavetëdijshëm për efektet. Por jo më. Jo më.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top