PREMISAT E RREME TË NJË TEZE

nga dr. Kristaq V. Jorgji

Studjuesja Elena Kocaqi është bërë e njohur kohët e fundit për qëndrimet e saj atdhetare dhe botimet e saj ku nënvizohet historia e konfirmuar apo dhe jo e popullit tonë. Në fund të vitit 2018, ajo botoi librin “Lufta e Trojës – Luftë Pellazgo Ilire”, shtëpia botuese Emal, një vëllim prej 250 faqesh, nga të cilat 3 të fundit janë me literaturën e përdorur nga studjuesja. Thelbi i këtij studimi është “argumentimi” se (1) lufta e Trojës ishte një luftë midis fiseve pellazge dhe ilire dhe se (2) shkaku i kësaj lufte nuk është rrëmbimi i Helenës. Përmes librit, synohet të provohet se akejtë janë (përmes dinastisë frigase) “ilirë dhe populli i saj është pellazg dhe ilir”. Po ashtu edhe “dinastia trojane ishte dinasti dardane, pra me prejardhje ilire dhe popullsia e saj përbëhet nga fiset iliro-trake si dardan, frigas, myzë, kaon, por edhe nga pellazgët; lelegët, karianët etj.” (f. 8 e punimit).  Argumentimi i këtyre hipotezave bëhet vetëm brënda 45 faqeve të para të librit.

Pellazgët ngelen një temë e dashur për Elenën dhe shumë atdhetarë. Por R. S. P. Beeks, hollandez dhe një nga linguistët më të njohur të Europës, (vdekur në 2017), shkruan “se për sa i përket teorive pellazge dhe te tjerave të lidhura më to, që supozojnë një substrat Indo-Europian në Greqi, këto teori kanë dështuar (ang. failed) dhe unë nuk i kam përfshirë më (në fjalorin tim etimologjik). “Teoria është diskutuar gjerësisht nga Furnee (37-68) që konkludon se “pellazgjishtja ka bërë mjaft dëm dhe është koha ta hedhim poshtë. Hera e fundit që u diskutua ishte nga Heubeck ‘Minoisch-Mykenische’, ky materiali u reduktua në diçka si 10 fjalë; teoria është heshtazi braktisur (ang. tacitedly abandoned)”.

Më pas, deri në konkluzionet, libri është një parashtrim para publikut shqiptar i dy shkrimeve që analizojnë luftën e Trojës, përkatësisht Dikti i Kretës (lat. Dictys Cretensis) dhe Dari i Frigjisë (Dares Frigiens). Në fakt, ndonëse literatura e librit ka vetëm 27 burime të cituara, veprat e Diktit dhe Darit citohen mbi 220 herë në libër. Vetëm ndoshta Homeri vjen në vend të dytë! Këta dy autorë përbëjnë pra bazën e librit, përmes së cilës tentohet të provohet teza e parashtruar.

Jam nën përshtypjen, pas shikimit të prezantimit të librit në emisionin në televizor të Artur Çanit, më datë 28 Dhjetor 2018, se zj. Kocaqi, beson qartë dhe pa ekuivoke se këta dy autorë janë “pjesmarrës në luftë, njëri me akejtë dhe tjetri me trojanët”. Pra e ka fjalën se këta dy autorë, Dikti i Kretës dhe Dari nga Frigjia, kanë qenë dëshmitarë okularë në luftën e Trojës dhe si pasojë duhet të marrin prioritet ndaj poetit Homer! Pra Homeri, Herodoti a Tukididi nuk qenkan të vetmit as të parët që kanë shtruar mbi këtë luftë legjendare. Përkundrazi, paska dokumenta paraardhës që i kanë “shpëtuar” vëmendjes së botës shkencore për të mos folur shqiptarëve. Bile pas këtij emisioni, në faqen e saj në Facebook, zj. Kocaqi ishte e mendimit se rezistenca e “kundërshtarëve” për idetë e hedhura prej saj në këtë, është pa kuptim. Siç thotë ajo, citoj:

“ka historianë dhe gjeograf të Antikitetit që nuk mund ti konkurroj asnjë njeri sot dhe as kurrë dhe ne jemi me fat që ata kanë shkruar për ne. Integriteti i tyre profesional është i vërtetuar dhe i padiskutueshëm. Një historian e sheh burimin me sy kritik dhe kërkon burime te tjera për ta vërtetuar, por kur për një fakt ka disa burime që e konfirmojnë, atëherë ai është i vërtetuar”.

Fatkeqësisht situata e hipotezës së përshkruar në këtë libër, bazuar tek këta dy autorë, le për mendimin tim, shumë për të dëshiruar.

Mjafton të citojmë se çfarë shkruhet për dy autorët e “dashur” të Elenës në burimet e respektuara.  Kështu “The Concise Oxford Companion to English Literature’ thotë për Diktin e Kretës “Autori i supozuar i një ditari të luftës së TrojësAshtu sikundër tregimi i Darit të Frigjisë, ditari i tij është me shumë gjasë fabrikim.

Në faqen https://luwianstudies.org/dictys-cretensis/ citohet se “në Mesjetë, ….. këto dy novela qenë baza e njohurive historike mbi Luftën e Trojës.. deri në 1700, kur u deklaruan si falsifikime (ang. forgery). Më 1702, studjuesi Hollandez “Jacob Perizonius, përcaktoi “njëherë e mirë se punimet e Diktit dhe Darit qenë pa asnjë dyshim falsifikime” .

Enciclopedia italiane Treccani, në zërin kushtuar autorëve, përshkruan të njëjtën situatë, kur thotë se vepra është compilata con intendimenti falsarî e antiomerici.”

Encyclopedia Brittanica cilëson se punimet e Diktit dhe Darit pretendojnë (ang. claim) të japin një panoramë paraHomerike të luftës së Trojës.

Sipas Brill, uebsajt referues per botimet, Dictys of Crete” is the fictitious author of an alleged, laboriously corroborated authentic eyewitness account of the Trojan War. Çfarë, në shqip do të thotë se “Dikti i Kretës është vepra e shpikur e një dëshmitari të supozuar autentik të luftës së Trojës.

Mireia Movellam Luis, studjuese nga Valencia, në disertacionin e saj, e quan veprën në fjalë histori e falsifikuar” dhe “paraardhëse e një tradite të gjatë fallsifikuesish (ang. fakers) dhe njëkohësisht përfaqësuese e kohës”.

Studjuesja Valentina Prosperi shkruan një artikull të gjatë shkencor “Il paradosso del mentitore: ambigue fortune di Ditti e Darete” apo “Paradoksi i gënjeshtarit: fati ambig i Diktit dhe Darit”, ku të dy veprat cilësohen si apokrife.

Këto dy vepra, në shumë burime sillen të cilësuara si vepra monumentale të pseudo-dokumentarizmit, që sjellin vetëm sjellin turbulli. Ndaj nuk e di nëse këta dy autorë mund të përfshihen në “burime të besuara, të vërtetuara dhe profesionale”, siç citon autorja Kocaqi. Sigurisht një mendje më shumë dyshuese apo edhe më shkencore, mund të evidentonte qartë mangësitë e ketyre dy burimeve. Por as autorja dhe as shtëpia botuese nuk kanë bërë verifikimin e nevojshëm, duke i vënë para publikut një vepër që bazohet mbi të dhëna të dëshmuara të falsifikuara.

Në vend të mbylljes. Shën Pali, në Titus 1:12, vargu 12, sjell në vëmendje të lexuesve të tij, shprehjen e poetit dhe profetit kretas Epimendes të Gnossus-it të shekullit VII p.e.s. Ai thotë se “Kretasit janë kurdoherë gënjeshtarë” (ang. Cretans are always liars). Edhe poeti romak Ovidi kur i referohet ishulli të Diktit e përshkruan si ‘mendax Crete” apo “Kreta gënjeshtare”! Zj. Kocaqi duke u mbështetur “fort” te Dikti i KRETËS, solli provën se nuk e dinte këtë sikundër edhe statusin real të burimeve bazë të punimit të saj ! Por duke besuar verbërisht dhe duke mos verifikuar sikundër duhej të bënte, në bazë të shkrimit të postuar, solli në vëmendje të publikut një burim pa kredencialet e duhura.

© 2019, autori.

Shënim: titulli i shkrimit është redaksional.

Imazhi në kopertinë: Akropoli pellazg, në Larisa.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.